“Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai, që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit.” (En Nahl, 125)
Populli shqiptar ka pranuar Islamin jo nën tehun e shpatës apo me forcë, por vullnetarisht dhe me vetëdëshirë. Me pasuri, forcë apo pushtet mund të kontrollohet trupi por me to nuk mund të kontrollohet zemra dhe as të arrihet te shpirti.
Pranimi i Islamit i ka dëlirë zemrat tona nga mashtrimet dhe lajthitjet dhe na ka larguar nga rruga e gabuar. Ai ka mbjellë qetësi dhe i ka mbushur zemrat tona me siguri, kënaqësi, besim dhe shpresë. Prandaj, me agimin e diellit islam mëngjesi u shndrit dhe zemrat e të parëve tanë u mbushën me dritë. Ato flakën frikën, dyshimin dhe pesimizmin. Duke u mishëruar me atë dashuri që nuk kërkon kënaqësi trupore, dashuri që jep dhe nuk pret që të marrë, ato e deshën Allahun dhe Pejgamberin e Tij.
Ka kaluar koha kur propaganda komuniste e përshkruante fenë si opium. Ndërkaq sot disa antimyslimanë myslimanët i paraqesin si armiq të Evropës. Duhet të pushojë propaganda antiislame për t’u shtirë para tjerëve. Historia jonë e ndikuar nga shkollat sllave kërkon ta shkëpusë popullin tonë nga e kaluara e tij islame duke na bindur se islami ishte imponuar në periudhën osmane.
Perandoria osmane, sipas studiuesve objektivë botërorë, ishte një përzierje e identiteteve dhe feve të ndryshme në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme. Ajo ishte një qendër tolerance, paqeje dhe stabiliteti politik gjatë pesë shekujve të ekzistencës së saj. Megjithatë, deri së fundi, ne mësonim se perandoria osmane ishte ogurzezë dhe një fatkeqësi për popullin shqiptar.
Por, me gjithë shkrimet denigruese tani po bëhet e qartë se periudha osmane qe një periudhë shpëtuese nga asimilimi sllavo-grek. Kjo po shpie në një rritje të njerëzve që janë bërë shumë më krenarë për të kaluarën e tyre.
Për një kohë të gjatë njerëzit e sinqertë nuk ndiheshin mirë të dëgjonin se pranimi i Islamit nga stërgjyshërve e tyre ishte bërë në mënyrë të dhunshme, nga frika apo për të mira materiale. Por tani ata janë aq të kënaqur të dinë se pranimi i Islamit nga të parët e tyre ishte një veprim madhështor dhe i urtë. Për rrjedhojë, ne nuk mund të jemi veçse krenarë për pranimin e Islamit nga ana e të parëve tanë.
Ne këtë duhet ta ruajmë në kujtesën tonë kolektive dhe t’ia mësojmë edhe në ditët e sotme gjeneratës së re madhështinë e pashoqe dhe aktin madhor historik të tyre. Aty ku është rrënjosur tradita islame aty ndjenja për identitetin është e fuqishme. Duke i falënderuar traditës islame në pjesët ku ka patur medrese dhe besimtarë myslimanë ndjenja për identitetin vetanak ka qenë e fuqishme dhe e shquar.
Gjithë ata që ishin myslimanë dhe që kishin kryer shkollat fetare, të frymëzuar me fe, të pajisur me dije, me shpirt të gjallë kanë punuar për ta përhapur idenë dhe frymën islame për ruajtjen e nderit, fjalës, besës, traditës dhe identitetit tonë. Ata dhe pasardhësit e tyre kanë qenë dhe janë patriotë e mbrojtës të identitetit, atdheut e fesë.