Muhamedi a.s., si mëshirë për të gjitha botët


"Dhe ne të dërguam ty (o Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha botët" (El-Enbija', 107)

Nëse marrim parasysh misionin pejgamberik të Muhamedit a.s., të cilin ai e demonstroi në të gjitha sferat e jetës gjatë 23 viteve të kohëzgjatjes së tij, do të bindemi se fjalët dhe veprimet e tij ishin një mëshirë e pastër që u jepej njerëzve. Ajo mëshirë ishte e mbushur me përpjekje të qëndrueshme për t'i çuar njerëzit te Udhëzimet e të Gjithëdijshmit dhe të Plotfuqishmit. Me të vërtetë, Udhëzimi është një program konkret që e bën të lumtur gjithë njerëzimin dhe e çon atë drejt suksesit të kësaj bote dhe atë të përtejme.
Vlera e këtij programi është në ekuilibrin dhe harmoninë e tij, ai nuk e ndëshkon trupin për të ngritur shpirtin, as nuk lë pas dore shpirtin që trupi të kënaqet, nuk kufizon aftësitë e individit dhe nevojat e tij të shëndetshme natyrore për të arritur interesin e komunitetit ose shtetit, dhe as lejon lirinë absolute të trazohet dhe tekat dhe pasionet devijuese të individëve për të rrezikuar jetën e komunitetit, ose për ta nënshtruar atë në kënaqësitë e individit ose grupit. Dërgimi i Muhamedit a.s., ishte mëshirë për popullin e tij dhe mëshirë për mbarë njerëzimin pas tij.(1)
Është e qartë se të gjitha detyrimet në atë program shprehen në formën e një urdhri ose ndalimi të ekuilibruar me preferencat dhe mundësitë e një personi, përkatësisht për të kënaqur interesin e tij.
Si një tokë e plasaritur që pret dhe ka nevojë për shi, njerëzimi ka pritur dhe kishte nevojë për të dërguarin e Allahut xh.sh., i cili, sipas ligjit të Tij, do t'i bëjë njerëzit të barabartë në kohën kur mënyra konvencionale e jetës i ndau njerëzit në klasa, duke vendosur ligj të veçantë për secilën klasë. Ishte e pa mendueshme të proklamohej parimi i barazisë absolute para ligjit.
Mëshira e Allahut ndaj njerëzve, e shprehur përmes të Dërguarve të cilët artikuluan fjalën e Tij, arriti kulmimin e vetë me dërgimin e Muhamedit a.s., te e gjithë popullata njerëzore, madje edhe një pjese të botës shpirtërore, xhindëve.
Shfaqja e vulës së pejgamberllëkut ka tërhequr vëmendjen e njerëzimit, duke krijuar kode krejtësisht të reja morale dhe një shpresë të vërtetë për jetën. Gjatë jetës së tij ai u përpoq dhe fitoi vlera universale njerëzore, të tilla si: dhembshuri, dashuri, respekt, tolerancë, respekt për prindërit, dashuri dhe dhembshuri për jetimët, dhembshuri për klasën e varfër - skamnorët, etj. Përveç kësaj, pejgamberllëku i tij është mëshirë për të gjithë njerëzimin. Secila prej sireve/jetëpërshkrimeve të Pejgamberit a.s., na tregon se ai ishte një njeri i përsosur në moral, sjellje me të tjerët dhe këto virtyte janë shenja të pejgamberllëkut të tij. Allahu i Madhërishëm e lavdëroi atë në Kuran: "Vërtet, ti je në një shkallë të lartë morali!" (El-Kalem, 4).
Në jetën e tij, Muhamedi a.s., posedonte sjellje dhe moral me të cilin e mahniste edhe armikun e tij më të madh, dhe do ta bënte atë mikun e tij të ngushtë dhe të dashur. Ai u karakterizua me epitetin "El-Emin" (i besueshmi dhe i drejti). Ai e solli dritën e Islamit nga Allahu xh.sh.. Ai e këshilloi ymetin dhe e përfundoi misionin e tij në mënyrën që i ishte besuar. Me fjalët e tij të buta dhe stilin tërheqës të sjelljes, ai sqaroi me hollësi Fjalën e Zotit dhe nuk la vend për dyshime dhe paqartësi.
I Gjithëmëshirshmi, duke folur për Pejgamberin a.s., si mëshirë, thotë: “Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t'u lexojë shpalljen e Tij, t'i pastrojë ata, t'ua mësojë Kuranin dhe sheriatin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur” (Ali 'Imran, 164).
Transmetohet nga Va'il ibn el-Eskaa r.a., se i Dërguari i Zotit a.s., ka thënë: “Allahu i Lartësuar zgjodhi fisin Kinan nga pasardhësit e Ismailit a.s., kurse nga Kinani i zgjodhi Kurejshët, kurse nga Kurejshët e zgjodhi Benu Hashim, kurse nga Benu Hashim më zgjodhi mua.”(2) (Muslim)
Duke komentuar ajetin 107 të sures El-Enbija', Ibn Kethiri në tefsirin e tij thotë: “I Gjithëfuqishmi tregon se Muhamedi a.s., e bëri mëshirë për botët, d.m.th. se e ua dërgoi të gjithëve nga Mëshira, kështu që ai që e pranon këtë Mëshirë dhe është mirënjohës për atë mirësi e dhunti, do të jetë i lumtur në të dy botët, dhe kushdo që e refuzon këtë Mëshirë ka dështuar/humbur në të dy botët.”(3)
Që nga lindja, njerëzit në Muhamedin a.s., falë mbinatyrshmërisë së disa detajeve të jetës së tij, kanë mundur që të njohin mëshirën e Allahut. Ibn Saidi tregon se nëna e tij (Muhamedit a.s.) tha: “Kur e linda, bashkë me të linda një dritë të madhe, nga e cila, më duket, shkëlqyen pallatet e Shamit”. (4)
Gjyshi i Pejgamberit a.s., Abdul-Mutalibi dhe xhaxhai Ebu Talibi, që nga fëmijëria, e shihnin Muhamedin si një fëmijë jo të zakontë prandaj edhe për këtë e respektuan atë dhe ishin krenarë me të.
Ibn Asakiri e transmeton hadithin nga Xhelhemet bin Arefat i cili thotë: Hyra në Mekë, pati një thatësirë, kështu që Kurejshët thanë: “O Ebu Talib, lugina jonë po thahet, fëmijët tanë po vuajnë nga thatësira, hajde, ujite atë. Ebu Talibi doli me djalin, dielli dukej se errësohej, retë vërtiteshin. Djali vështroi qiellin. Ebu Talibi e mori atë dhe e mbështeti me shpinë në murrët e Qabës dhe bëri shenjë me gisht në djalin. Ndodhi një mrekulli në qiell. Retë erdhën nga të gjitha anët, u ngrit një stuhi dhe një shi i madh ra në luginë dhe ujiti gjithçka që kishte nevojë për ujë”.(5)
Ose një shembull tjetër i mëshirës së Allahut i shfaqur në Resulullahun e gjejmë në rastin e udhëtimit të tij në Sham me xhaxhain e tij Ebu Talibin, gjatë takimit me priftin Behira. Duke e marrë djaloshin për dore Behira tha: “Ky do të jetë pejgamber për të gjithë botën. Allahu do ta dërgojë atë si mëshirë për botët.” Ebu Talibi tha: 'Si e di ti këtë?' Ai u përgjigj: 'Kur vëzhguat nga Akaba, nuk mbeti asnjë gur, as bimë e as pemë, e që të mos binte në sexhde, kurse ato i bijnë në sexhde vetëm Pejgamberit ... Unë kam dëgjuar për të në shpalljet tona.(6)
Në komentin e ajetit 107 të sures El-Enbija', Imam Kurtubiu e përmend transmetimin nga Seid bin Xhubejri r.a., kurse ai nga Ibn Abasi r.a., në të cilin thuhet se: ”Muhamedi a.s., është mëshirë për njerëzit të cilët besojnë në të si pejgamber, dhe kush e konfirmon atë duke ndjekur rrugën e tij, është i lumtur. Ndërsa ai që nuk beson në të si pejgamber nuk është i sigurt nga fatkeqësitë që u ndodhën popujve të mëparshëm.”(7)
Prandaj, ai që e pranon Mëshirën dhe është mirënjohës për të si një dhunti, do të jetë i lumtur në të dy botët. Kushdo që e refuzon këtë Mëshirë, ka dështuar në të dy botët, siç thekson i Gjithëmëshirshmi: “A nuk i vërejte ata që dhuntinë e Allahut e ndërruan me mosbesim dhe popullin e vet e sollën në vendin e shkatërrimit” (Ibrahim, 28).
Ebu Hurejre r.a., transmeton se një herë u tha: “O i Dërguari i Allahut, mallkoi mushrikët, në çka ai u përgjigj: “Nuk jam dërguar për të mallkuar, por jam dërguar si mëshirë.” (Muslimi)
Imam Ahmedi transmeton nga Selmani r.a., i cili thotë se i Dërguari i Zotit, duke mbajtur fjalim, tha: “Allahu më dërgoi si mëshirë për botët dhe në Ditën e Gjykimit nga Allahu do të kërkoj mëshirë.” (Ahmedi)
Komentues i njohur i Kuranit, Imam et-Taberi, thotë se dijetarët islamë nuk pajtohen dhe ndahen në dy mendime kur është fjala për kuptimin e këtij ajeti, ajeti 107 të sures El-Enbija'. Disa thonë se Muhamedi a.s., është mëshirë e Zotit për të gjithë njerëzit në tokë, nuk ka rëndësi nëse janë besimtarë apo jobesimtarë!
Ky mendim është regjistruar nga Ibn Abasi r.a., i cili thotë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit - atij do t'i jepet mëshira e Zotit si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër, dhe kush nuk beson në Allahun dhe të Dërguarin e Tij - do të shpëtohet nga ndëshkimet të cilat i prekën popujt e mëparshëm!”(8)
Të tjerët thonë se Muhamedi a.s., është mëshira e Zotit vetëm për ata që janë besimtarë, gjë që nuk është rast me jobesimtarët. Ky mendim është regjistruar nga Ibn Zejdi r.a., i cili thotë: “Fjala - botët - u referohet vetëm atyre që besuan në misionin e Muhamedit a.s., dhe të cilët iu bindën atij, ndërsa Muhamedi a.s., është fitne dhe sprovë për ata që ata nuk e pranuan atë dhe për ata që nuk besuan në mesazhin e tij!”
Imam et-Taberiu në fund, përfundon dhe thotë: “Mendimi më i saktë është i parë, d.m.th. se Muhamedi a.s., është mëshirë për të gjithë njerëzit në rruzullin tokësor, si për besimtarët ashtu edhe për jobesimtarët. Sa i përket besimtarëve – të cilët Allahu xh.sh., përmes Muhamedit a.s., i udhëzoi në rrugën e drejtë, duke i futur në xhenet për shkak të imanit dhe besimit me atë që erdhi Muhamedi a.s., si dhe për shkak të punës dhe zbatimit të tyre në praktikën jetësore dhe vepër!”(9)
Muhamed Asadi, duke komentuar ajetin 107 të sures El-Enbija', thotë se Muhamedi a.s., është dërguar si mëshirë për të gjithë njerëzimin dhe në vazhdim të komentimit thotë: “Për të zgjidhur këtë parim themelor në mesazhin e Kuranit, dhe vërejtjen përkatëse, Universaliteti i shpalljes kuranore, buron nga tre fakte: së pari, adresimi i saj për të gjithë njerëzimin, pavarësisht nga origjina, raca ose prejardhja kulturore; së dyti, fakti që i drejtohet ekskluzivisht arsyes njerëzore, dhe për këtë arsye, nuk paraqet ndonjë dogmë që mund të pranohet vetëm në bazë të besimit të verbër; dhe, së fundmi, fakti që - në kundërshtim me të gjithë librat e tjerë të shenjtë të njohur nga historia - Kurani ka mbetur tërësisht i pandryshuar në tekstin e tij që nga shpallja e tij katërmbëdhjetë shekuj më parë, dhe, sepse është regjistruar kaq gjerësisht, do të mbetet kështu përgjithmonë në përputhje me premtim Hyjnor: 'Me të vërtetë, Ne do ta ruajmë atë.”(10)
Prandaj, bindja ndaj Pejgamberit a.s., dhe ndjekja e rrugës së tij është një masë e besimit të saktë. Allahu i Lartësuar tha: “Thuaj: "Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t'ju dojë, t'ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë".” (Ali 'Imran, 31)
Hija e kësaj mëshire të Allahut xh.sh., është shtrirë për 14 shekuj për të gjithë ata që dëshirojnë të shijojnë mirësitë e saj. Nga kjo hije, civilizimit njerëzor iu dhurua kultura dhe civilizimi i bujshëm islam që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në histori dhe kanë hedhur një themel të fortë për përparimin njerëzor. Për të gjitha arritjet e arritura nga myslimanët, ata duhet të falënderojnë, para së gjithash, Allahun e Lartësuar, i cili ua shpalli Islamin dhe që i Dërguari i Allahut a.s., e përcolli me fjalë dhe me vepër si një model i përsosur i jetës në këtë botë.
Njerëzimi sot ka më së shumti nevojë për ta ndjerë këtë mëshirë dhe freskinë e saj, sepse është i trazuar, i devijuar, i humbur në shkretëtirat e materializmit, ferrit të luftërave dhe thatësisë së shpirtrave dhe zemrave.(11)
Mesazhet e Muhamedit a.s., të shprehura përmes bukurisë së të folurit, sjelljes së mrekullueshme dhe, mbi të gjitha, natyrës fisnike, duket se janë një kërkesë e kohës sonë. Aq më tepër që ai fliste vetëm të vërtetën, i mbante premtimet e tij dhe, me çdo çmim, e realizonte amanetin. Butësia, mirësia dhe përulësia ishin karakteristikat kryesore të ahlakut të tij.
E gjithë kjo tregon se Muhamedi a.s., është, siç thotë Kurani, shembulli më i mirë, dhe për këtë arsye ne duhet ta ndjekim atë dhe ta marrim si shembull në jetën tonë të përditshme. Vetëm me metodat e tij ne mund ta njohim Islamin e vërtetë.


__________________________
1. Sayyid Qutb, U okrilju Kur ana, Vëll. 17, FIN, Sarajevë, 1999, f. 72. 2. El-Munziri, Muslimova zbirka hadisa (përmbledhje), El-Kalem, Sarajevë, 2004, f. 677.
3. Ibn Kethir, Tefsir Ibn Kesir (versioni i shkurtuar), Sarajevë, 2002, f. 858.
4. Safijjurrahman el-Mubarekfuri, Zape?a?eni džennetski napitak, Sarajevë, 2001, f. 51.
5. Po aty, f. 55.
6. Po aty. f. 55. Ose shih në jetëpërshkrimin e Muihamedit s.a.v.s., nga Ibn Hishami, 1/180, 181, 182, 183..
7. El-Kurtubi, El-Xhamiul-Ahkamil-Kuran, Vëll. 14, Al-Resalah Publishers, Bejrut - Liban, 2006, f. 302.
8. Ibn Kethir, Tefsir Ibn Kesir (versioni i shkurtuar), vep. e. cit., f. 858.
9. Et-Taberi, Tefsiru et-Taberi, Vëll. 5, Muesseseti Risaleti, Bejrut-Liban, 1994, f. 283.
10. Muhammed Asad, Poruka Kur'ana, El-Kalem, Sarajevë, 2004, f. 496.
11. Sayyid Qutb, U okrilju Kur ana, vep. e cit., f.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme