Kuptimi dhe rëndësia e Natës së Miraxhit

Kjo edhe njëherë është dëshmi se Pejgamberi a.s., kur u ngjit në lartësi, pasoi pastrimi i shpirtit dhe i zemrës, në mënyrë që të përballonte takimin me Allahun, Ai Që i mundësoi të jetë në shkallën më të lartë të moralit, dhe të takohet në formën më të përkryer. Prandaj Miraxhi i Pejgamberit a.s. është njëkohësisht pastrim dhe ngritje edhe për popullin e tij, pra për Ymetin. Miraxhi nënkupton edhe namazin, pra afrimin tonë tek Allahu Fuqiplotë, dhunti e cila u urdhërua pikërisht në këtë natë.
Në gjuhën arabe fjala “miraxh” nënkupton shkallë, ose të ngjitesh lart, të lartësohesh, të hipësh në lartësi, ndërsa në Islam kjo fjalë përfshin: ngritjen e Pejgamberit a.s. në lartësi të qiejve dhe pritjen e tij tek Madhëria e Allahut xh.sh.. Nata e Miraxhit, sipas shumicës së dijetarëve ka ndodhur më 26 Rexheb, kur Pejgamberi a.s., me ftesën e Allahut të Madhëruar dhe në shoqërim të Xhebrailit a.s., u ngrit nga Mesxhidi Harami (Qabeja) deri në Mesxhidi Aksa (Kuds – Jerusalem), dhe prej aty u ngrit në qiell, në lartësitë e mëdha qiellore, u ngrit deri tek Madhëria e Allahut xh.sh..Miraxhi është një ngritje, një spastrim i qartë i robit nga të gjitha ndjenjat e ulëta, nga ndjenjat dhe emocionet njerëzore duke arritur në shkallën më të lartë të devotshmërisë. Resulullahu, gjatë asaj nate, vizitoi vende të pakufishme në horizontin e lartë, kjo ishte edhe një dëshmi për njerëzimin se ai ishte i Dërguar i Allahut Fuqiplotë, i Cili arrin që brenda një nate t’ia publikojë fshehtësitë dhe bukuritë e Tij. Sipas transmetimeve thuhet se Resulullahut një natë, gjersa ishte në Qabe në vendin e quajtur Hixhr dhe Hatim, ndërsa sipas disa transmetimeve të tjera – gjersa ishte duke fjetur, ose në gjendje gjysmëfjetur e gjysmëzgjuar, i erdhi Xhebraili a.s. dhe ia hapi gjoksin, dhe, pasi ia lau me ujë Zemzemi, ia mbushi brendinë e tij me iman (besim) dhe me hikmet (urtësi) e e mbylli atë.
Pra Pejgamberi a.s. udhëtoi nga Mesxhidi Harami (Qabeja) deri në Mesxhidi Aksa (Kuds– Jerusalem) dhe prej aty u ngrit në qiej, kue pa Xhennetin dhe Xhehennemin. Ai në atë rast u bart nga një shtazë më e vogël se kali e më e madhe se gomari, që ishte e shpejtë dhe fluturonte si vetëtima, ndërsa depërtonte si bubullima, dhe atë e hodhi në pikën më të lartë që arriti të shkelë, kjo ishte një kafshë bartëse e Xhennetit, e cila quhej Burak. Në të gjitha katet qiellore Resulullahu u takua me të gjithë pejgamberët duke filluar nga Ademi (babai i njerëzimit), për të vazhduar Isa a.s.,Jusufi a.s., Idrisi a.s., Haruni a.s. dhe Musa a.s.,e më në fund për t’u takuar me pejgamberin Ibrahim a.s., i cili gjendej në qiellin e shtatë në Bejtul Ma’mur. Kur erdhi në Sidretul Munteha,vendi ku dëgjohen fëshfërimat e lapsave me të cilët shkruajnë melaiket, për të dalë pastaj para Madhërisë së Allahut. Pas kësaj Allahu i Madhëruar ia bëri farz faljen e 50 kohëve të namazit, dhe ai, duke u kthyer, i tregoi Musait a.s. se Allahu ia kishte bërë farz 50 kohë namaz, kurse Musa a.s. i tha se popullit të tij (Ymetit) do t’i vinte rëndë t’i falin nga 50 kohë namaz në ditë, dhe e porositi të kthehej dhe ta luste
Allahun që ato t’i lehtësonte. Kur namazi arriti nga 50 kohë në 5 kohë në ditë, kjo erdhi falë lutjes së Pejgamberit a.s. para Madhërisë se Allahut xh.sh. dhe sipas porosisë së Musait a.s. i cili e njihte mirë njerëzimin meqë kishte qenë i dërguar tek Beni-Israilët. Në historinë islame ky dialog paraqet rëndësi të veçantë. Më pas Resulullahu zbriti në Mesxhidi Aksa, aty e prisnin të gjithë pejgamberët, të cilët i uruan mirëseardhje dhe i uruan Miraxhin. Në atë rast Pejgamberi a.s. u doli imam të gjithë pejgamberëve të tjerë dhe u fali dy rekate namaz e ua lexoi një ligjëratë (hutbe). Pastaj,së bashku më Xhebrailin a.s., me mundësi (imkan) dhe me prani (vuxhub) (vendi ku përfundon gjithësia), shkuan në Sidretul Munteha. Pejgamberi a.s. aty pa duke rrjedhur katër lumenj, dy të fshehur e dy të hapur – lumi Nil dhe lumi Eufrat. Pastaj vizitoi vendin të cilin çdo ditë vijnë dhe e vizitojnë, luten nga shtatëdhjetë mijë melaike. Këtu çdo ditë vijnë në vizitë nga shtatëdhjetë mijë melaike të reja.


Obligimi i faljes së namazit


Një nga ngjarjet më të rëndësishme në ndodhinë e Natës së Israsë dhe të Miraxhit, që paraqet rëndësi të veçantë për myslimanët, është obligimi i faljes së namazit. Pra, Miraxhi ndahet në dy kahje: ajo horizontale – udhëtimi me Buraksë bashku me Xhebrailin a.s. nga Mesxhidi Harami (Qabeja) deri në Kuds (Jerusalem) dhe vertikale – ngjitja nga Mesxhidi Aksaja për në hapësirat e larta e të pafundme qiellore dhe deri tek takimi me Allahun e Madhëruar.Ky udhëtim, në Kur’an në fillim të sures Isra përshkruhet kështu: “I pastër është Allahu që i mundësoi robit të Vet Muhammedit që brenda një nate të udhëtojë nga Mesxhidi Harami deri në Mesxhidi Aksa, rrethinën e së cilës e kemi bekuar, në mënyrë që t’jua tregojmë disa nga argumentet tona. Vërtet Allahu është Ai që dëgjon dhe sheh çdo gjë”! (El Isra, 1)
Pra, pjesa e parë e rrugëtimit quhet Isra – udhëtim natën, ndërsa pjesa e dytë Miraxh – ngjitje drejt hapësirave qiellore, pra që ka kuptimin se Pejgamberi a.s. është ngritur në qiej dhe ka arritur të takohet me Allahun xh.sh.. Nata e Miraxhit, që për ne njerëzit është nata e arritjes dhe ngjitjes drejt mëshirës (rahmeh) që shpie në obligimin e faljes së pesë kohëve të namazit dhe, më vonë, këto të jenë motiv për përfitimin e kënaqësisë së Allahut (riza).
Kjo edhe njëherë është dëshmi se Pejgamberi a.s., kur u ngjit në lartësi, pasoi pastrimi i shpirtit dhe i zemrës, në mënyrë që të përballonte takimin me Allahun, Ai Që i mundësoi të jetë në shkallën më të lartë të moralit, dhe të takohet në formën më të përkryer. Prandaj Miraxhi i Pejgamberit a.s. është njëkohësisht pastrim dhe ngritje edhe për popullin e tij, pra për Ymetin.
Miraxhi nënkupton edhe namazin, pra afrimin tonë tek Allahu Fuqiplotë, dhunti e cila u urdhërua pikërisht në këtë natë. Miraxhi paraqet rëndësinë gjithashtu sepse paraqet rrugëtimin që do ta shpjerë zemra dhe shpirti i atij njeriu me faljen e namazit, d.m.th. paraqet lidhmërinë e tij me të padukshmen, me botën qiellore, rrugëtim që secili njeri do ta praktikojë më pastaj pesë herë në ditë.
Kjo është nata që na obligon të afrohemi me lutje më të shumta, sepse Pejgamberi a.s. na e paraqiti si një natë kur Allahu nuk refuzon lutjen e myslimanëve. Prandaj le të jenë të ngritura më shumë se çdoherë duart tona gjatë kësaj nate të bekuar. Kjo natë gjithashtu paraqet edhe një herë përfaqësimin e Ymetit – neve popullit nga ana e Pejgamberit a.s. tek Allahu xh.sh.. Pra, ky takim ndodhi pikërisht në natën e 26 të muajit Rexheb, sipas kalendarit Hixhri, kur njeriu u avancua dhe u veçua nga të gjitha krijesat e tjera me anë të namazit, sepse Allahu i dha mundësinë e falënderimit ndaj Qenies së Tij të Lartë. Namazi paraqet pastrimin e botës së brendshme të njeriut, e pastrimi i botës së tij të brendshme paraqet ose dërgon drejt krijimit të një bote të pastër me ndërgjegje dhe shpirt të lartë.


 


Dituria Islame 275


Artikulli i kaluar
Israja dhe Miraxhi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi