Çdo etapë kohore ka karakteristikat e veta dalluese, të cilat në mënyrë të pashmangshme lënë gjurmë në jetën e njerëzve të asaj kohe.
Sot jetojmë në një kohë të progresit dhe zhvillimit të madh, kohën e kulmimit të teknologjisë dhe arritjeve të saja. Çdo kohë ka rrjedhën e saj, “koritën e saj” në të cilën rrjedh sikur uji i burimit. Ne nuk kemi asgjë kundër kësaj kohe të teknologjisë, mirëpo, ajo ka shumëçka të drejtuar kundër nesh. Kjo epokë e ka anën e saj pozitive, megjithatë, ajo fsheh anën tjetër të saj të cilën është vështirë ose e pamundur të kuptohet. Kjo epokë e teknologjisë i ngjan një pasqyre, ne e shohim veten në pasqyrë ashtu si na e paraqet ajo, por, e njëjta ajo pasqyrë e fsheh dhe nuk e tregon anën e saj të kundërt - e cila paraqet realitetit tonë të njëjtë.
Sot, në kohën në të cilën jetojmë, dëshirojmë të arrijmë gjithçka, sikurse thotë populli “të gatshme”, e gjitha e shërbyer e gatshme "si në pjatë."
Rrjeti botëror i të dhënave - interneti, shënoi në masë të madhe kohën tonë. Sot në botë, sipas të dhënave statistikore, internetin e përdorin më se 3.8 miliardë njerëz dhe se ky numër, nga dita në ditë, vazhdimisht është në rritje. Ky rrjet i ofron njerëzimit shërbime të mëdha, por, në të njëjtën kohë në prapavijën e vetë fsheh edhe shumë rreziqe.
Prapavija e internetit
Termi "Internet" me shkronjë të madhe në fillim, është shkurtesë e dy fjalëve angleze: Interconected dhe network, që do të thotë “rrjeti i ndërlidhur”, kurse në përgjithësi, Interneti, me shkronjën e vegël "i" tregon qasje në rrjetin dhe shërbimet e tij, të tilla si: World Wide Web(1) (WWW) dhe postës elektronike.
Përmes përdorimit të internetit ne i përcjellim ndodhitë në tërë botën, njihemi me kultura dhe zakone të largëta e të huaja; mund të përcillen kërkimet shkencore dhe të arriturat; mund të konsultohen ekspertë nga fusha të ndryshme; të realizohen shërbimet bankare, etj.
Këto janë vetëm disa nga shërbimet e shumta që i ofron interneti dhe të gjithë ne çdo ditë, pak a shumë, i përdorim. Mirëpo, siç përmendëm më sipër, ekziston edhe ana tjetër e pasqyrës dhe medaljes, sepse ky rrjet bart edhe shumë rreziqe dhe aspektet negative: interneti është një mjet ideal për përhapjen dhe promovimin e ideve të gabuara të të gjitha ngjyrave dhe llojeve. Nëpërmjet këtij rrjeti futen dyshime në fe, me promovimin e ideologjive sektare të devijuara, publikisht dhe haptazi ftohet në imoralitet dhe shumë devijime të cilat janë në kundërshtim me fenë, moralin dhe natyrën e shëndoshë njerëzore. E gjithë kjo plasohet në një mënyrë perfide, që magjeps, josh dhe helmon fëmijët, adoleshentët, madje edhe të rriturit, shkatërron dëlirësinë, çon në rrugë djallëzore dhe inkurajon një shumëllojshmëri të sëmundjeve dhe perversioneve. Interneti përdoret për qëllime të abuzimit seksual, kërcënime dhe shantazhe, sidomos në mesin e të rinjve dhe adoleshentëve.
Interneti dhe rrjetet sociale mundësojnë përhapjen e thashethemeve dhe trillimeve, si dhe cenohet privatësia dhe intimja përmes spiunimit dhe hakimit. Po ashtu, interneti është përgjegjës për shfaqjen e sëmundje të reja moderne: varësisë nga interneti, e cila shkakton sëmundjet mendore dhe fizike si dhe rezulton neglizhencën e jetës reale dhe problemeve në familje e shoqëri.
Me të gjitha dobitë që ofron interneti dhe rreziqet që sjell ai, është e qartë se interneti është testi i imanit dhe moralit të njeriut. Portet e së mirës dhe së keqes janë të hapura gjerë. Për shkak të këtij realiteti, njeriu i kuptueshëm që kujdeset për fenë e tij, do të ndalet para këtij fenomeni dhe të shqyrtojë veprimet e veta.(2)
Njerëzit besimtarë, të cilët kanë përgjegjësinë ta shohin jetën me syzet e Islamit, janë të detyruar ta përdorin këtë teknologji brenda standardeve të besimit të tyre. Kështu duhet t’i konsiderojë një besimtar të gjitha mirësitë e Allahut. Çdo mirësi është një shkak falënderimi ndaj Allahut, nëse ato përdoren për mirë. Ndërsa, kur mirësia del përtej standardit të saj, bëhet shkak i humbjes së njeriut. Pasuria që kemi, pjesëtarët e familjes dhe të gjitha mirësitë e tjera përfshihen brenda këtij rregulli.(3)
Humbja e kohës dhe interneti
Prej rreziqeve dhe aspekteve negative të internetit është se ai është shkaktari kryesor i humbjes së kohës dhe neglizhencës së disa obligimeve fetare, të tilla si namazi, etj. Zoti xh.sh., u betua në kohën se njeriu është i humbur dhe i dëshpëruar, kushdo qoftë ai, përveç atij që kohën e vetë e shfrytëzon për gjëra të mira e të dobishme. Që moti është thënë nëse nuk e shfrytëzojmë kohën, atëherë ajo do të na shfrytëzon neve, ose “do të na shtrydhë”, siç e përkthen konceptin “asr” gjatë komentimit të sures el-Asr përkthyesi i Kuranin në gjuhën boshnjake, akademiku Enes Kariq.(4)
Koha është ajo që uli popujt, të cilët dukeshin se janë të lartë dhe ngriti lart popujt tjerë që dukeshin se kanë qenë të ulët. Koha na tregon se e bëri krenar të drejtin dhe e poshtëroi të padrejtin e zullumqarin. Koha na mësoi që, kur një popull kaloi në padrejtësi, u dha pas dëshirave epshore, pas interesit personal duke e lënë pas dore bashkësinë dhe interesin e përgjithshëm.(5)
Kështu koha është e pakthyeshme, siç thotë El-Me’arri: “E djeshmja që shkoi - edhe pse është afër, të gjithë banorët e Tokës nuk mund ta kthejnë atë!”(6)
Çdo çast, i cili nuk shfrytëzohet në vepra të mira, është i humbur. Këto fjalë të lartësuara, pasi që treguan qartë, na e tërheqin vëmendjen tonë në historinë, si dëshmitar të veprave njerëzore.(7)
Në Perëndim thonë “koha është para”, kurse në Lindje thonë që ajo është më e çmuar se paraja dhe thonë: “Koha nuk mund të blihet as me margaritar.”(8) Po, kjo është me të vërtetë ashtu, megjithatë, koha është shumë më shumë se kaq.
Ah, sikur njerëzit të dinin rëndësinë e kohës! Aspak nuk është i habitshëm fakti që një njeri e kishte zotëruar një gjuhë të huaj vetëm duke mësuar gjatë pauzës në vendin e tij të punës, ose njeriu tjetër, duke pritur porosinë e tij në restorant në një kohë prej 10-15 minutash. Mirëpo, sot secili që ulet në tavolinë duke pritur porosinë e vetë në restorant, mund të vërejmë se menjëherë pyet për fjalëkalimin e internetit, ose futet menjëherë në internet duke humbur kohën kotë.
Nuk duhet të lejojmë që gjërat që sjellin dobi të na ikin prej dore, e të jemi prej atyre (Zoti na ruajt) që do të thonë: "Zoti ynë, tash pamë dhe dëgjuam, na kthe pra edhe një herë e të bëjmë vepra të mira, se tash jemi bindur" (Es-Sexhde, 12).
Muhamedi s.a.v.s., në hadithet e tij na këshillon për shfrytëzimin e kohës, duke thënë: “Shfrytëzoni pesë gjëra para pesë të tjerave: rininë para pleqërisë, jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë dhe kohën e lirë para zënies së saj" (El-Hakimi).
Po ashtu, transmetohet nga Muadh b. Xhebeli r.a., se Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: "Nuk do të lëviz këmba e robit në Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për katër gjëra: Jetën - në çka e ka shpenzuar, rinin - se si e ka kaluar, paranë - se si e ka fituar dhe shpenzuar, diturinë - se si e ka përdorur” (Et-Taberaniu).
Kontrollimi i informacioneve
Një nga veçoritë e internetit është se ai siguron një sasi jashtëzakonisht të madhe të informacioneve. Megjithatë, futja e këtyre informacioneve është në dispozicion absolutisht për të gjithë, në atë mënyrë se, informacionet i plasojnë njerëzit e të gjitha profileve: profesionist e jo profesionist, të dijshëm e injorant, të virtytshëm e të prishur...
Ky fakt kërkon përzgjedhjen gjatë marrjes së informacioneve, të pranojmë dhe të konsiderojmë si të vërteta vetëm ato informacione që vijnë prej burimeve të njohura e të besueshme. Në këtë rregull tregon qartë ajeti kuranor në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: "O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë..." (El-Huxhurat, 6).
Allahu i Plotfuqishëm urdhëron kontrollimin e lajmeve nga njeriu i pandërgjegjshëm dhe intrigues (fasik) nga kujdesi që të mos gjykohet sipas fjalëve të tij, sepse ai në lidhje me këtë lajm mund të jetë një gënjeshtar dhe ta transmeton gabimisht dhe gjykimi mund të kryhet në bazë të fjalëve të tij. Është e njohur se Allahu ka ndaluar që të ndiqet rruga e mëkatarëve. Prandaj, shumica e ulemave refuzoi të pranojë transmetimin e lajmeve nga persona të panjohur, në mënyrë që të mos gabohet në ndonjë çështje të caktuar. Ka nga ata që pranojnë transmetimin nga persona të tillë, sepse sipas tyre është i detyrueshëm vetëm kontrollimi në rast se është përcjellës i lajmit vetëm mëkatari, e jo personi i panjohur. Shumë përmendin se ky ajet është shpallur në lidhje me rastin e Velid ibn Ukbe ibn Ebi-Muajtit, kur Pejgamberi s.a.v.s., e dërgoi për të mbledhur zekatin nga fisi Benu-Mustalik. Kjo ilustrohet nga një numër burimesh, por më i mirë është ai të cilin e përmend Imam Ahmedi në Musnedin e tij nga i pari i fisit Beni Mustalik, Harith ibn Ebi-Dirari, babait i Duvejrijes binte l-Harith, nënës së besimtarëve r.a. (9)
Në Kuranin e Madhërishëm thuhet: “...Thuaju: “Sillni argumentin tuaj (çka thoni) po qe se jeni të drejtë?”(10)
Edhe kur informacioni vjen nga burimi i besueshëm dhe konfirmohet vërtetësia e tij, për një gjykim të saktë për këtë është e nevojshme të dimë detajet dhe rrethanat që lidhen me të, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të plotë të ngjarjes në fjalë, për shkak se neglizhimi i rrethanave do të kontribuojë në keqkuptime. Si shembull, mund të na shërbejë rasti i jetës së Pejgamberit s.a.v.s., kur një natë e shoqëronte gruan e tij Safijën nga xhamia, dhe e panë atë dy sahabë të cilët nxitonin duke u larguar nga ai, mirëpo, Pejgamberi s.a.v.s., i thirri dhe u tha: "Ngadalë, ju të dy! Kjo është Safia (gruaja ime)."(11)
Nëse njëri nga dy sahabët do të thoshte se e kishte parë Pejgamberin s.a.v.s., me një grua në natë të errët, ai do të thoshte të vërtetën, por të vërtetën e cila nuk është përfundimtare, për shkak se nuk janë përcaktuar të gjitha rrethanat dhe detajet e ngjarjes, dhe nuk është paraqitur fakti se gruaja në fjalë në të vërtetë është gruaja e Pejgamberit s.a.v.s., gjë që do të ndryshojë tërësisht gjykimin në lidhje me këtë ndodhi.
__________________
1. Ang. web do të thotë “rrjeti i merimangës”, sepse rrjeti botëror është i thurur si rrjeti i merimangës dhe përhapet kudo - world wide - dhe kështu shkurtesa nga adresa WWW - World Wide Web. Shërbimin WWW e shpiku britaniku Tim Berners - Lee në vitin 1989 në CERN të Zvicrës. Është shërbimi më i popullarizuar dhe më i madh në të cilin janë vendosur faqet e internetit, të cilat mund të shihen nga kushdo, përveç nëse ato janë të mbrojtura me fjalëkalime ose për disa arsye janë të bllokuara. Shih: Silvana Burilovi? dhe Željko Tanji?, "Krš?anstvo i internet - izazov za teologiju", Universiteti në Split, Zagreb, 2012, f. 89.
2. Hakija Kanuri?, „Internet-Savremeni test imana“, Asr (Islamski informativni ?asopis), nr. 79. ... Nga ueb-faqja: http://el-asr.com/tekstovi/internet-savremeni-test-imana/. qasja në internet, me datën: 01.03.2018.
3. Nureddin Jëlldëz, “Pa internet mund të qëndrojmë, por pa kufij jo!”, Etika, Nr. 115 - Tetor 2017, Tiranë, f. 8.
4. Akademik Enes Kari?, „Vrijeme u Kur'anu“, Takvim (Kalendar) për vitin 2015, Rijaseti i Bashkësisë Islame në Bosnje e Hercegovinë, Sarajevë, 2014, f. 65. Ose shih: Akademik Enes Kariq, „Koha në Kur'an“, Edukata Islame, përktheu: Azmir Jusufi, nr. 108/109- 2015, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, Kosovë.
5. Sherif Ahmeti, Komente dhe mendime islame, Lidhja, Prishtinë, 1995, f. 174-175.
6. Akademik Enes Kari?, „Vrijeme u Kur'anu“, ..., f. 72.
7. Muhamed Pandža dhe Džemaludin ?auševi?, Kur’an ?asni - prevod i tuma?, Sarajevë, 1937, f. 947.
8. Asmir Halilovi?, O za?udnosti govora 2, Bookline, Sarajevë, 2010, f. 132.
9. Rreth kësaj shih më shumë në: Ibn Kesir, Tefsiri i Ibn Kethirit (botimi i shkurtuar), Zgjodhi versione më të sakta: Muhammed Nesib er-Rifa’i, grupi i përkthyesve, Sarajevë, 2012, f. 1325.
10. El-Bekare, 111.
11. Buhariu, nr. 3107 dhe Muslimi, nr. 2175.