All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë: “Të pyesin ty për menstruacionin (hajdin). Thuaj: “Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar All-llahu. All-llahu i do ata që pendohen, dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.” (El Bekare, 222)

Pejgamberi s.a.v.s. e kishte zakon që në lutjet e tij të thoshte: “O All-llah! Pastroje zemrën time nga hipokrizia!”

Njërit prej shokëve të tij i kishte thënë: “Qëndro gjithmonë me abdest në mënyrë që të dy melekët tu ruajtës të duan!”

Pas besimit gjëja e parë e obliguar për të gjithë është pastrimi (taharet) dhe kryerja e namazit. Pra duhet pastruar trupin nga papastërtitë dhe polucionet, larja e duarve, fytyrës, këmbëve dhe kokës ashtu siç e ka përshkruar në detale. Sheriati, në mungesë të ujit dhe sëmurjes së rëndë lejon të shërbehemi me tejmum. Kështu namazi paraprakisht kërkon pastrimin e trupit, ndërsa njohuria kërkon pastrimin e zemrës.

Në rastin e parë uji duhet me qenë i pastër e në të dytin Njësia (Teuhidi) i pastër. Andaj, jemi të obliguar dhe angazhuar që pandërprerë të jemi të orientuar në pastrimin e jashtëm dhe të brendshëm. Kështu kur njeriu pastron duart, atëherë duhet ta pastroj edhe zemrën nga mundimet e kësaj bote, kur pastron gojën, duhet pastruar gojën nga përmendja e çdokujt tjetër, përveç All-llahut xh.sh., kur pastron fytyrën duhet kthyer me tërë qenien kah All-llahu i Madhërishëm, kur fërkon kokën duhet mënjanuar kundërvimet ndaj All-llahut xh.sh., ndërsa kur i lanë këmbët nuk duhet kërkuar dhe dëshiruar pozitë përveç urdhrit të Tij. Në këtë mënyrë besimtari pastrohet dyfish.

Pra, të gjitha dispozitat e jashtme janë të lidhura me të brendshmet, gjegjësisht dëshmia e gjuhës është e lidhur me besimin e zemrës. Metoda e pastrimit shpirtëror është në kuptimin e kësaj bote mashtruese dhe shkatërruese. Kjo arrihet më luftën e pandërprerë me epshet (muxhahedat).

Ebu Ali Rudbariu, një kohë ishte i preokupuar me mendime të çuditshme (vesvese) dhe ai thotë: “Hyra në det në agimin e mëngjesit duke qëndruar deri në perëndimin e diellit. Gjatë kësaj kohe mendja më ishte e shqetësuar. Bërtita: “O All-llah, më kthe shëndetin tim shpirtëror!” Ndërsa nga deti u përgjigj një zë: “Shëndeti qëndron në dituri.”

Tregohet se Shibliu u pastrua para se të hynte në xhami dhe papritmas dëgjoi një zë: “Je pastruar nga jashtë, por çfarë është me pastrim tënd të brendshëm? U kthye dhe shpërndau çdo gjë që kishte duke lënë vetëm një palë rroba për namaz.

Ebu Jezid Bistamiu ka thënë: “Sa herë që më vie ndonjë mendim për këtë botë, marrë abdest. Ai i cili adhuron All-llahun xh.sh. duhet të pastrohet nga jashtë me ujë, ndërsa kush mendon t’i afrohet All-llahut xh.sh. duhet të pastrohet nga brenda me pendim (tevbat).

Dije se pendimi (tevbat) është stasimi i parë i haxhiut në rrugën kah e vërteta. Për këtë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an ka thënë:

“O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’u shpie në Xhennete, nën të cilat rrjedhin lumenj ditën kur All-llahu nuk e turpëron Pejgamberin e së bashku me të as ata që kanë besuar. Drita e tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata thonë: “Zoti ynë, vazhdona dritën tonë, falna neve. Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për çdo send”. (Et Tahrimë,8)

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nuk ka gjë më të dashur për All-llahun se i riu kur pendohet”. Gjithashtu ka thënë: “Ai i cili pendohet për mëkate, është si ai që nuk ka mëkate”

Në pikëpamje etimologjike tevbat do të thotë “kthim” pra do të thotë kthim nga gjërat që i ka ndaluar All-llahu xh.sh.. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: ”Pendimi është vepër e kthimit” Kjo thënie përfshinë tre gjëra që janë të përmbledhura në pendim. Pendimi për shkak të mosbindjes, lërja momentale e mëkateve dhe vendosmëria që të mos gabosh më tej.

Pra deri te pendimi vie për shkak të frikës nga dënimi i All-llahut, më tej për shkak të dëshirës për të fituar kënaqësinë e Tij, si dhe nga turpi ndaj All-llahut xh.sh. Andaj pendimi i ka tri shkallë: tevbat nga frika e dënimit të All-llahut, inabat nga dëshira për shpërblimin e Tij dhe avbat për shkak të mbajtjes së urdhrave të All-llahut.

Tevbat është gjendja e shumicës së besimtarëve dhe përfshinë pendimin nga mëkatet e mëdha (kebirat) siç thekson ajeti kuranor: “O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’u shpie në Xhennete, nën të cilat rrjedhin lumenj ditën kur All-llahu nuk e turpëron Pejgamberin e së bashku me të as ata që kanë besuar. Drita e tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata thonë: “Zoti ynë, vazhdona dritën tonë, falna neve. Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për çdo send” (Tahrimë, 8)

Inabat është shkalla e të dashurve të All-llahut siç thekson ajeti kuranor: “Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer te Ai me zemër të sinqertë.” (Kaf, 33)

Ndërsa avbat është shkalla e Pejgamberëve dhe nebijëve siç thekson ajeti kuranor: “Përkujto robërit tanë Ibrahimin, Is-hakun, Jakubin që ishin të fortë në zbatimin e detyrave dhe largpamës në fe.” (Sad, 45)

Tevbat në të vërtetë është kthim nga mëkatet e mëdha në bindje, inabat është kthim nga gabimet e vogla në dashuri dhe avbat është kthim prej vetes kah All-llahu xh.sh.

Xhunejdi ka thënë: “Kam lexuar shumë libra, por nuk kam hasur në diç më të bukur për mësim se vargu: Kur them: “Çfarë është mëkati im?” -ai më përgjigjet: Ekzistimi yt është mëkat, me të cilin nuk mund të krahasohet asnjë!

Shkurtimisht, pendimi është fuqizim hyjnor, ndërsa mëkati është vepër materiale. Kur në zemër paraqitet pendimi, trupi nuk ka mënyrë që ta hudhë.

All-llahu xh.sh. thotë: “E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin), Ai është mëshirues dhe pranues i pendimi.” (El Bekare, 37)

Mendimi në mëkat është i përcjellur ose me keqardhje ose me dëshirë. Atij të cilit i vie keq që ka bërë mëkat është pendues, ndërsa ai i cili ka dëshirë që përsëri të gaboj është mëkatar. Ky mëkat nuk është aq i dëmshëm sa është e dëmshme dëshira për të, sepse vepra është momentale, ndërsa dëshira pandërprerë përsëritet.

Janë dy lloje të pendimit, pendimi i kthimit dhe pendimi i turpit. I pari është pendim nga frika e dënimit të All-llahut, ndërsa i dyti nga turpi i mëshirës së Tij.

Pendimi nga frika shkaktohet nga zbulimi i Lartëmadhërisë së All-llahut xh.sh., ndërsa pendimi nga turpi është për shkak të bukurisë të All-llahut xh.sh.

“Ata që ndiejnë turp nga All-llahu xh.sh. janë të dehur ndërsa ata që e ndiejnë frikë ndaj All-llahut xh.sh. janë të kthjellët”.

Kështu tek ti zgjuam dëshirë dhe interesim për tu penduar dhe kthyer nga All-llahu i Madhërishëm, andaj nëse nuk dëgjon ose dëgjon vetëm sipërfaqësisht, atëherë ke humbur dhe i ke bërë dëm vetes siç aludon verseti i Kur’anit fisnik në vijim: “Kush është më zullumqarë se ai që është këshilluar me argumentet e Zotit të vet, e ua kthejnë shpinën atyre dhe harron atë që vetë e punoi? Ne kemi vënë mbi zemrat e tyre mbulesë në mënyrë që të mos e kuptojnë atë (Kur’anin), kurse në veshët e tyre shurdhim, andaj edhe nëse i thërret ti ata në rrugë të drejtë, ata si të tillë nuk do të udhëzohen kurrë.” (El Kehf, 57)

Por nëse dëgjon ashtu siç dëgjon njeriu i kuptueshëm dhe nëse mendon si ai i cili zemrën e tij e zbrazë pas sabahut, duhet të mendosh për vetën tënde, për fillimin dhe mbarimin tënd, duke bërë llogarinë tënde dhe nefsit tënd ti thuash: “Unë jam udhëtar dhe tregtar dhe fitimi im është lumturia e përhershme dhe takimi me All-llahun ndërsa falimentimi im dhe fatkeqësia e përhershme është largimi nga All-llahu. Kapitali im është jeta, ndërsa çdo frymëmarrje është depo dhe margaritarë dhe tregtia më e mirë me All-llahun”.

Siç përkujton ajeti i Kur’anit fisnik: “O ju që keni besuar, a t’ju tregoj për një tregti të bujshme që ju shpëton prej një dënimi të dhembshëm: T’i besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij, të luftoni në rrugën e All-llahut me pasurinë tuaj dhe veten tuaj, e kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse jeni që e dini. Ai (All-llahu) iu falë mëkatet tuaja, ju shpie në Xhennete nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe në pallate të bukura në Xhennetet e amshueshme, e këto janë ai suksesi më i madh.” (Es Saff, 10-12)

Kur jeta kalon ndërpritet edhe tregtia dhe shpresat humbasin, e kjo është një ditë e re që ta ka dhuruar All-llahu xh.sh. për pendim dhe pastrim. E nëse vdes atëherë do të dëshiroje që të kthehesh përsëri në këtë botë për të bërë vepra të mira siç aludon ajeti kuranor: “E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (Kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.” (El Muminunë, 99-100)

Andaj, o nefs mendo se ke vdekur dhe je kthyer në dynja edhe një ditë. Prandaj mundohu që në këtë ditë të fitosh ahiretin. Nëse nefsi të pyet: “Çfarë të bëjë dhe si të veproj?”

Përgjigju: “Lëri ato me të cilat vdekja do të ndaj dhe përmbahu Atij i cili kurrë nuk do të braktis, e ky është All-llahu xh.sh. dhe sa më tepër përkujtoje Atë.

Përkujto ajetin e Kur’anit fisnik: “Ti mbështetju Atij të përjetshmit që nuk vdes kurrë, madhëroje me lavdërimin që i takon Atij, Ai mjafton për njohje në hollësi të mëkateve të robve të vet.” (El Furkanë, 58)

Nëse dikush pyet: “Si me lanë dynjanë kur zemra ime është e lidhur fort me te?” Thuaj: “Fillo me ndërprerjen e lidhjeve të saj nga thellësia e zemrës duke hulumtuar cila është lidhja më e fuqishme qoftë, dashuria për pasuri dhe pozitë, xhelozia, lakmia, armiqësia, epshet seksuale apo lakmitë e stomakut, ose çdo cilësi negative shkatërruese. Nuk mund të nevojitet asgjë vetëm të mendosh në shkatërrimin dhe humbjen që të sjellë nefsi (egoja impulsive) dhe të kthehesh në luftë kundër tij, e në këtë pa dyshim do të kesh përkrahjen e All-llahut xh.sh.

Mendoje veten të sëmurë tërë jetën, ndërsa mjeku të cilin e mendon të sinqertë të thotë që gjellërat e shijshme janë të dëmshme për ty, ndërsa ilaçet pa shije janë të dobishme, a thua ti nuk do të durosh duke u shërbyer me ilaçet e përshkruara për tu shëruar? A thua nuk do ti përballosh vështirësitë e udhëtimit për të arritur pushimin dhe qetësinë në shtëpinë? Ti je udhëtar, ndërsa shtëpia jote e përhershme është ahireti. Udhëtari nuk pushon gjatë udhëtimit të tij, sepse nëse ndalet apo humbë rrugën ka falimentuar.

Dhe thuaj nefsit tënd: “O Nefs, nëse ke pasuri dije se nga çifutët ka më të pasur se ti, nëse kërkon pozitë ka shumë të tjerë që kanë pozitë më të lartë se ti. Mendo o nefs, dhe shiko a i ka mbetur kujt dynjaja. Kështu drejtohu nefsit tënd deri sa të bindet në pasimin e rrugës së vërtetë kah All-llahu xh.sh.

Ky dialog nga nefsi është shumë i rëndësishëm nëse ke mend, më i rëndësishëm se dialogu me mutezilitet, medhhebet dhe sektet tjera.

Përse të diskutush dhe të polemizosh me ata kur gabimi i atyre nuk të bënë dëm ty, dhe ata nuk do të marrin nga ti të vërtetën, dhe sikur të jetë e qartë si dielli. Ndërsa e lë anash armikun tënd më të ashpër nefsin duke mos iu drejtua atij, por i ndihmon në realizimin e dëshirave të ulta të tij.

Kjo i përngjan njeriut, trupin e të cilit e kanë kapluar gjarpërinjët dhe akrepat që dëshirojnë ta helmojnë, e ky e ka marrë pahitësen për ti larguar mizat nga fytyra e tjetrit.

Çfarë mendon për këtë njeri?
Nuk duhet të harrosh kur në ahiret do të zbulohen të gjitha fshehtësitë e veprave tuaja. Andaj nëse vazhdimisht në kohën tënde nuk bën dialog me nefsin tënd, ai nuk do të lejoj ti drejtohesh Zotit tënd dhe ti bindësh. Nëse nefsi të kundërvihet atëherë duhet ta dënosh sepse ai është si qeni i cili nuk qetësohet pa e goditur.

Le të na mbaj të gjithëve së bashku All-llahu me Mëshirën dhe Fisnikërin e Tij.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi