Zhvillimi i fikhut filloi menjëherë pas vdekjes së Pejgamberit a.s., dhe një nga figurat më guximtare që dha kontribut në metodologjinë e ixhtihadit ishte halifi i dytë, Omer ibnul Hatabi, i cili shkoi deri aty sa përshtati dhe pezulloi disa nga dispozitat kuranore. Vendimi i tij nuk ishte arbitrar, por mbështetej në mënyrën e të kuptuarit dhe të të interpretuarit të ajeteve kuranore dhe të zbatimit të tyre në rastin e situatave mbizotëruese.
Janë dy shkolla kryesore të mendimit për çështjen e ixhtihadit, ose arsyetimit juridik, ku njëra mban anën e përmbajtjes së përpiktë ndaj tekstit dhe të interpretimit të fjalëpërfjalshëm pa ndërhyrje të mëdha në objektivat e tij, ndërsa shkolla tjetër kërkon më shumë qëllim dhe zgjuarsi të mëshiruara në dekrete ligjore. Me këtë rast duhet të kujtojmë rastin e sahabëve që u urdhëruan për të mos e kryer faljen e namazit të ikindisë përveçse në territorin e fisit Beni Kurejdha. Kur koha e faljes së ikindisë iu afrua fundit, nga se po afrohej perëndimi i diellit dhe sahabët akoma nuk kishin arritur në destinacion, ata u ndanë në ixhtihadin e tyre, një pjesë e tyre zgjodhën ta falin namazin e ikindisë, duke u nisur nga interpretimi dhe të kuptuarit vetjak i urdhrit të Pejgamberit a.s., jo si domethënie që të ndaleshin nga falja e namazit gjatë rrugës, por si urdhër dhe arsye që i shtynte për të shkuar me shpejtësi të madhe tek objektivi i tyre. Pjesa e tjetër e sahabëve zgjodhi të kuptuarit fjalë për fjalë të urdhrit të Pejgamberit a.s. dhe hoqën dorë nga falja derisa arritën në destinacionin e tyre, pas perëndimit të diellit. Kur u kthyen në Medinë, ata i treguan Pejgamberit a s. për ndarjen e tyre rreth faljes së namazit të ikindisë (ku një pjesë e fali namazin brenda kohës kurse pjesa tjetër pas kohës, pas perëndimit). Pejgamberi a.s. i miratoi të dyja veprimet si të drejta. Kjo, përderisa të dyja palët qenë mbështetur në kushte të shëndosha paraprake të ixhtihadit dhe të të kuptuarit të tyre të urdhrit të Pejgamberit a.s.
Hazreti Omeri r.a. me ixhtihadin e tij, i përkiste shkollës që kujdesej më tepër për zgjuarsinë dhe qëllimin duke bërë interpretimin e teksteve, sesa për kuptimin e fjalëpërfjalshëm të tyre.
Kjo mënyrë e interpretimit të teksteve dhe të dekreteve, e përshtatjes ose e zhvillimit të tyre mundëson për të mbuluar e trajtuar situata të reja dhe në gjendje ndryshimi të përhershëm.
Jo të gjitha zakonet fisnore arabe që sundonin para Islamit u zhdukën përmes Kuranit dhe Sunetit të Pejgamberit a.s., ngase disa prej tyre mund të ishin vazhdimësi e traditave më të hershme të pejgamberëve të mëparshëm. Disa u miratuan, të tjerat u modifikuan dhe u përfshinë në shkencën e fikhut, duke u bërë pjesë ligjore dhe morale. Ndërkaq, ato që binin ndesh me Islamin u hoqën. Ato zakone dhe tradita që nuk përfshiheshin drejtpërsëdrejti nga Kurani dhe Suneti, më vonë u shqyrtuan nga juristët dhe dijetarët myslimanë, të cilët morën përsipër interpretimin e teksteve burimore dhe vetëm përmes ixhtihadit dhe konkluzioneve të tyre u mundësua pranimi i tyre.
E drejta islame – sheriati, përbëhet nga rregullat dhe urdhrat kuranore, shumë të pakta në numër dhe nga rregullat e mëshiruara në thënien dhe veprat e Pejgamberit a.s, ku të gjitha këto formojnë burimin e shenjtë dhe të pandryshueshëm të ligjit. Nga ana tjetër, ekziston një trung i gjerë mendimesh ligjore të nxjerra dhe të prodhuara nga juristët dhe dijetarëtmyslimanë gjatë shekujve, duke u bazuar në burime e të drejtës islame. Këto interpretime mez’hebore ndryshojnë nga një shkollë në shkollën tjetër juridike.