Kaloi edhe një vit … Ramazani është përsëri këtu …

Ne e kemi fatin që ta presim, ta përjetojmë dhe t’i dorëzohemi ibadeteve me tërë qenien tonë, t’i përjetojmë ditët e tij të bukura dhe netët e ndritshme. Çfarë mendon, a thua do të jetojmë aq gjatë që ta presim përsëri, apo ndoshta në këtë periudhë të shkurtë do të na vie vdekja dhe më nuk do të takohemi me atë? A ka njeri të cilit Allahu i Madhërishëm i garanton se do t’i jep jetë që edhe vitin tjetër ta pres këtë muaj të bekuar përsëri? Për ne çdo gjë është e fshehtë dhe vdekja mund të vie në moment… Pasha Allahun, nuk duhet t’ia lejojmë vetes që të ardhmen ta shesim për të sotmen, bindjen e vërtetë ta shesim për dyshimin… “Po më thuaj se edhe nëse Ne u japim të jetojnë vite me radhë, e pastaj t'u vijë atyre ajo me çka u tërhiqet vërejtja, çka do t'u vlejë atyre ajo jetë që gëzuan?” (Shuara, 205-207)
“A nuk vështruan ata me vëmendje pushtetin e madh në qiej e në tokë dhe çka krijoi All-llahu prej sendeve, e edhe në atë se ndoshta u është afruar afati i tyre i vdekjes. Atëherë, cilës bisedë pos kësaj (Kur'anit) do t'i besojnë?” (A’raf, 185)
Duhet të vendosim dhe të përpiqemi që Ramazanin ta shfrytëzojmë. Po, me të vërtet duhet ta shfrytëzojmë. A nuk e dinë se në vit ekzistojnë periudha të cilat janë më të bereqetshme se të tjerat, periudha ku lulëzojnë lulet, periudha ku toka është më e përshtatshme dhe kur fara pranohet më lehtë dhe jep fruta të dyfishta apo të shumëfishta? Kjo është pranvera, periudhë të cilën bujqit e presin me padurim.
E njëjtë është edhe me Ramazanin. Ramazani është pranverë e shpirtit. Çdo vepër e mirë dhe e dobishme e cila buron nga njeriu, në këtë muaj rritet dhe zhvillohet. Agjërimi i tij, namazi, format tjera të bamirësisë shumëfishohen në shpërblime. Mjafton që në këtë muaj është nata e Kadrit. “E ç'të bëri ty të dish se ç'është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! (El Kadr, 2-3)
Në mesin tonë ka prej tyre që këto mirësi nuk i kanë shfrytëzuar më parë, andaj është koha që të hyjnë në radhët e agjëruesve dhe atyre që falen para se ta humbin rrugën përsëri.
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El Bekare, 183)
“(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra…” (El Bekare, 183)
Transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. i gëzonte sahabët më ardhjen e muajit Ramazan. Ai u thoshte se ky është muaj në të cilin hapen dyert e mëshirës dhe Xhennetit, ndërsa mbyllen dyert e Xhehennemit dhe prangohen shejtanët.
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kur hynë nata e parë e Ramazanit, prangohen shejtanët dhe xhinët dhe mbyllen dyert e Xhehennemit, ashtu që asnjëra prej tyre nuk hapet, ndërsa hapen dyert e Xhennetit ashtu që asnjëra prej tyre më nuk mbyllet, ndërsa thërret një zë: “O ti i cili punon punë të mira, shtoji ato dhe o ti që punon punë të këqija ndalohu prej tyre.”
“Ky muaj do të vie t’ju thotë njerëzve: “Mëshira e Allahut është me të vërtetë afër mirëbërësve.” (A’raf, 56)
Ky muaj erdhi për t’i pastruar të ndyrat e mëkateve me ujë të pendimit. Erdhi për t’i pastruar shpirtrat dhe zemrat, t’i bashkoj muslimanët në një rrugë të vërtetë. Erdhi për t’i jap vend pendimit dhe kthimit tek Allahu xh.sh.: “S'ka dyshim se mëshira e All-llahut është pranë atyre të mirëve.” (Ez-Zumer, 53)
Pra, të fillojmë aksionin tonë në këtë muaj të bekuar të mëshirës, me braktisjen e të gjitha gjërave të pavlefshme, të largohemi nga mëkatet: “…Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim. (En Nur, 31)
“Zoti ynë, na i fal gabimet! Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë (i dëmtuam) vetvetes sonë, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!”. Allahu xh.sh. në kët muaj derdhë mëshirën e Tij dhe plotëson kërkesat: “E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (El Bekare, 186)
Pasi t’i zbrazim zemrat tona nga errësiar e epsheve, duhet t’i mbushim me dritën e urtësisë. Ramazani është muaj i udhëzimit dhe mëshirës… Udhëzimit dhe mëshirës të cilat i përfshijnë qiejt dhe Tokën. Udhëzimit dhe mëshirës të cilat vijnë nga sferat e larta. Ai që largohet nga rruga e vërtetë jeta e tij do të jetë e rëndë, në këtë dhe në botën tjetër. I Lartësuari thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kiametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: "Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?" Ai (All-llahu) thotë: "Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t'i ofruam, ashtu je ti i harruar sot". (Ta Ha, 124-126)
Në këtë muaj të bekuar shtëpitë e Allahut janë të stërmbushura me ata që falen, ata që mësojnë, ata që janë të udhëzuar dhe ata që kërkojnë udhëzim… Në ato janë zemrat e besimtarëve plotë mëshirë, ngrohtësi dhe mirësi ndaj të varfrit dhe jetimit.
Për të arritur këtë ndjenjë duhet të largohemi nga gënjeshtrat, përgojimet, bartjet e fjalëve dhe shoqërimit me persona të këqij. Duhet të marrim vendim të sinqertë që këtë muaj të bekuar do ta kalojmë në bamirësi dhe do të largohemi nga humbja e kohës e cila është mjaft e vlefshme. Të lexojmë sa më shumë Kur’an, të kërkojmë falje (istigfar), të përmendim sa më shumë Allahun (dhikr), t’i lutemi sa më shumë Allahut xh.sh. Të përpiqemi që të gjitha namazet e obliguara t’i kryejmë në kohën e tyre, duke u përkujdesur të jemi të përulur dhe të jemi sa më të pranishëm gjatë namazit. Të përpiqemi që krahas namazeve të obliguara të falim edhe ato vullnetare (nafile).
Agjërimi në këtë muaj të bekuar ka për qëllim arritjen e devotshmërisë dhe durimit në rrugën e vërtetë. I lartësuari thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (El Bekare, 183)
Ramazani është një rast i mirë që të meritojmë mëshirën e Allahut dhe faljen e Tij, që ta njohim rrugën e lumturisë dhe shpresës. Ka shumë të rinj, por edhe të moshuar që ende nuk e kanë njohur këtë rrugë. Si ta njohin kur shoqërohen me ata që flasin keq dhe kanë sjellje të këqija. Persona të tillë nuk kanë kontakte me ta që falen, agjërojnë dhe bëjnë vepra të mira. Ata nuk e kanë zgjedhur rrugën e lumturisë dhe të shpëtimit, por do të pendohen… Bukurinë e besimit mund të kuptojnë vetëm ata të cilët besojnë …

Vëllezër dhe motra!

Kthehuni tek Allahu dhe pendohuni! Ruani namazet duke i kryer në kohën e tyre! Namazi do të jetë pyetja jonë e parë në Ditën e Gjykimit. Namazi është shtyllë e fesë. Ejani në xhami duke iu përgjigjur ftesës së Allahut xh.sh. dhe Pejgamberit të Tij s.a.v.s. Cilin rast tjetër jemi duke pritur? Vallahi, do të vie dita kur pendimi nuk do të ketë vlerë, në ditën e vdekjes. I Lartësuari thotë: “E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: "O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!" Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.” (El Mu’minun, 99-100).
Krahas shpërblimeve të botës tjetër (ahiretit), shpërblimet e agjërimit janë edhe në këtë botë. Agjërimi është i shëndetshëm. Ekzistojnë klinika të shumta të cilat disa kategori të sëmurëve i shërojnë me abstenim nga ushqimi. Ne, si musliman, agjërimin e Ramazanit e shikojmë nga aspekti i Sheriatit, si urdhër i Allahut, ibadet dhe vetëkontroll, ndërtimin e ndjenjës së afërsisë të Allahut xh.sh. dhe përcjelljes së Tij konstante, gjë që njeriun e bënë më të përgjegjshëm për t’i kontrolluar sjelljet e tij dhe të jetë pjesëtar i dobishëm i bashkësisë ku jeton. Në hadithin e Xhibrilit a.s. në pyetjen për ihsanin Pejgamberi s.a.v.s. u përgjigj: “Të adhurosh Allahun sikur e sheh Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai vërtet të sheh ty.” Agjëruesi u afrohet sferave të larta të ihsanit, atë askush nuk mund ta kontrolloj pos Allahut xh.sh. Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Kur të agjërosh; le të agjërojnë veshët, sytë tuaj edhe gjuha juaj le të agjëroj nga gënjeshtrat dhe gjërat e ndaluara dhe mos t’i shqetësoj fqinjët. Tek ti le të vërehet agjërimi dhe qetësia. Mundohu që dita e agjërimit mos t’i ngjajë ditës kur zemërohesh!”
Ebu Hurejre r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: Allahu i Lartësuar ka thënë: “Çdo vepër e njeriut i takon atij, pëveç agjërimit; agjërimi është për Mua dhe Unë vetë do ta shpërblej atë. Agjërimi është mburojë, prandaj kur ndonjëri prej jush agjëron mos të flas fjalë të turpshme, mos të zihet dhe të grindet, dhe mos të flas me zë të lartë… Po, nëse dikush e nënçmon dhe e fyen, le të thotë: ‘Unë agjëroj’… Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, era e gojës së agjëruesit tek Allahu është me e dashur se aroma e miskut… Për agjëruesin ka dy gëzime: njëri është në iftar dhe gëzimi tjetër kur të takohet me Zotin e tij …”
Allahu i Lartësuar agjëruesve u premton shpërblim të veçantë, për ata ka përgatitur dyer të veçantë në Xhennet me emrin Rejjan. Pejgamberi s.a.v.s. thotë: “Në Xhennet ka dyer që quhen Rejjan nëpër të cilat dyer në Ditën e gjykimit do të hyjnë vetëm agjëruesit, do të mbyllen dhe më askush pas tyre nuk do të hyjë.”
Shpërblimet pasojnë menjëher pas Ramazanit, sipas fjalëve të Pejgamberit s.a.v.s.: “Kush agjëron muajin e Ramazanit me iman, duke kërkuar me sinqeritet kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut, Allahu xh.sh. do t’ia falë gabimet e mëparshme.” “Zoti ju ka urdhëruar që të agjëroni ditët, ndërsa netët e Ramazanit t’i kaloni në ibadet vullnetar. Kush e agjëron dhe falë nafile gjatë Ramazanit me iman duke kërkuar dhe dëshiruar kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut, do të dalë nga Ramazani i pastër nga mëkatet sikur në ditën kur e ka lindë nëna e tij.”

O Zoti ynë na bëj ta meritojmë mëshirën Tënde dhe na udhëzo në rrugën Tënde!

Ramazani është muaj i mëshirës së Allahut, faljes së mëkateve dhe largimit nga zjarri i Xhehennemit. T’i shfrytëzojmë ditët e këtij muaji të bekuar!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi