Abdullah ibn Haram, r.a., vdiç si shehid në luftën e Uhudit, por i kishte mbetur borxh tridhjetë barrë hurma jehudiut me emrin Ebu Shahm. Djali i tij, Xhabir ibn Abdullahu, r.a., deshi që ta kthejë borxhin e babait, por kur shikoi palmishten, kuptoi që nuk do mjaftojnë hurmat për ta paguar borxhin. Për këtë, shkoi tek Ebu Shahmi dhe e luti që t’ia shtyejë afatin e borxhit, por ai e refuzoi këtë.
Xhabiri shkoi tek i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., duke kërkuar që të ndërmjetësojë për të tek Ebu Shahmi që t’ia shtyejë afatin e borxhit. I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., shkoi tek Ebu Shahmi dhe i tha: “Shtyeja afatin e borxhit Xhabirit.” Mirëpo, ai e refuzoi ndërmjetësimin e Pejgamberit, s.a.v.s.
Pas kësaj, i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., hyri në palmishten e Xhabirit dhe eci në mes drunjve të palmave, duke iu lutur Allahut, xh.sh., që t’i japë bereqet, e pastaj doli nga palmishtja dhe i tha Xhabirit: “Shko vjel fruta hurmash aq sa nevojitet që ta kthesh borxhin.” Xhabiri, r.a., e dëgjoi të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., hypi në palma për të vjelë hurma, por mbeti i habitur kur pa bereqetin dhe bekimin e Pejgamberit, s.a.v.s., gjatë vizitës së palmishtes së tij. Fruta hurmash kishte aq shumë, saqë Xhabiri pasi e ktheu tërë borxhin, i mbeti gjysma nga sasia e tërë hurmave.
Xhabiri shkoi menjëherë për ta lajmëruar për këtë të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., por e gjeti në namaz. Priti derisa e përfundoi namazin e pastaj i tregoi çfarë ndodhi me frutat e tij. Atëherë i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., tha: “Shko dhe lajmëroje Omer ibn Hatabin për këtë.”
Xhabiri shkoi dhe i tregoi Omerit, r.a., për atë çfarë ndodhi me palmishten e tij, ndërsa Omeri i tha: “E kam ditur që kur i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ecte nëpër palmishte, do ta lëshojë bereqetin në frutat tua.”
Siç dihet, Allahu i Madhërishëm shehidit ia falë të gjitha mëkatet, pos borxhit. Edhe pse Abdullab ibn Haram, r.a., luftoi nën flamurin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., dhe vdiç si shehid në Uhud, nga ai nuk ra obligimi i kthimit të borxhit, e si atëherë nga ky obligim të lirohet dikush tjetër?
Nga ky hadith mësojmë që ndërmjetësimi për vëllain mysliman që ta realizojë të drejtën e tij, ta kthejë borxhin, të mënjanojë brengën dhe pikëllimin, të zgjidhë problemin, është vepër e njerëzve të zgjedhur dhe fisnikë. E kush mundet me qenë më fisnik se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., të cilit nuk i erdhi rëndë dhe as turp si pejgamber dhe kryeshtetas që të ndërmjetësojë për Xhabir ibn Abdullahun tek jehudiu, dhe me qenë afër tij derisa nuk e zgjidhi problemin.
Për këtë, mos anashkalo mirësinë e cila quhet ndërmjetësim, por përpiqu për të dobëtit, të varfërit dhe të privuarit nga e drejta sa të jetë e mundur, por kujdes që ndërmjetësimi yt mos të kthehet në zullum dhe nepotizëm, dhe të marrësh të drejtën e dikujt dhe t’ia japësh të drejtën atij që nuk i takon.
Nëse ndërmjetësimi yt refuzohet, mos e merr këtë si personale dhe mos heq dorë nga kjo formë e mirësisë dhe ndihmës së njerëzve, ngase edhe pse ndërmjetësimi i të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., në këtë rast u refuzua, ai deri në fund të jetës nuk u ndal duke avokuar për të dobëtit dhe të privuarit nga e drejta.
Edhem Sherkavi
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi