Vendi më i shtrenjtë në Univers


Erdhi muaji i mëshirës, muaji që e pritëm me padurim, apo ndoshta edhe me zemra të thyera nga mëkatet, vuajtjet, gëzimet apo edhe hidhërimet dhe nga të gjitha sprovat që i servon jeta nga dita në ditë.
Erdhi dhe gati se kaloi?!
Kaloi gjysma e këtij muaji në të cilin secili musliman bën gara të jetë prej të parëve, të jetë prej atyre që Allahu e fal, e mëshiron dhe e merr në mbrojtjen e vërtetë, ku nuk mundet askush t’i bëjë diçka të keqe, ku ndihet me të vërtetë i strehuar dhe te Ai te i Cili me të vërtetë është i dashuruar, pasi siç ka thënë Profeti salaAllahu alejhi ue selem (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi te) :
« Allahu është më i mëshirshëm për njeriun se sa nëna e Tij për te ».
Askush prej nesh nuk e din se sa dhe në çfarë mënyrë janë ngritur, apo mos thashtë Allahu, edhe zbritur veprat tona në peshoren e veprave të pranuara, të gjithë e kemi atë pikëpyetjen e madhe para syve tanë dhe askush nuk guxon të bisedojë për një gjë të tillë, përpos në vetvete ?!
Secili dëshiron të dal nga ky muaj pa gabime, të dalë fitues dhe të jetë ky muaj i rilindjes së vet, por edhe secili në vetvete ka edhe një synim apo një dëshirë të fshehtë…
Një dëshirë që askush se din, pamvarsisht afërsisë sonë në mes njerëzve….
Secili ka një pasion dhe në heshtje dhe në çdo moment e lut Krijuesin për atë dëshirë dhe natyrisht, sikur kur ishim të vegjël, ku dëshirat s’i tregonim nga frika e mosplotësimit të tyre, edhe tash heshtim…
Por thellë në mbrendinë e secilit prej nesh vlon një uragan dhe një dëshirë e zjarrtë që duam të na plotsohet…
Ashtu e tërë dita e besimtarit është e ndërtuar në pjesëza të shpresës për të arrituar atë që kemi ruajtur në thesarin e thesareve tona në mbrendinë e shpirtit tonë…
Shpresojmë në lutjet e agimit dhe lutemi atëherë kur engjujt janë shumë në numër, që janë të zbritur tash për të shënuar ngjarjet e ditës, që kur të ngrihen te Krijuesi të tregojnë se sa të përpiktë jemi në kërkimin e asaj që duam…
Pastaj Engjujt luten te Krijuesi i kësaj gjithësie duke thënë : » O Allah jepi dhe shtoja furnizimin atij që jep, dhe merrja dhe shtërngoja atij që nuk jep » …pra menjëherë marim këtë si moto të ditës, duke u munduar të japim çdo kund dhe në çdo rast më të mirën e të mirave, qoftë në shtëpi, në punë, në mësime, në rrugë, apo edhe në mendimet tona…
Pastaj vazhdojmë veprimet tona, por gjatë agjërimit njeriu ka një përqëndrim tejet të thelluar dhe konstruktiv, mediton shumë më tepër , ka koncentrim më të madh edhe për gjërat që deri atë ditë as që i kishte kujtuar, uria shpie njeriun në dimenzione tjera të panjohura…
Dhe …
Prap edhe aty ne marrim atë guxim dhe lutemi për atë dëshirën e mistershme të shpirtit tonë, e cila ndoshta nga viti në vit ndryshon …
Apo ndoshta edhe jo…
Mbetet sekret e sidomos për momentin…
Ashtu kalojmë ditën deri në kohën e lutjes së mesditës, ku pas lutjes obligative, prapë lutemi ashtu siç na ka mësuar Mësuesi ynë, Allahu e mëshiroftë, Profeti ynë salaAllahu alejhi ue selem (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi te) „ lutuni pas namazit se Allahu i pranon lutjet e juaja“.
Prap qëndrojmë në heshtje dhe pasi e dimë se i drejtohemi Allahut Lutjepranuesit, që i pranon lutjet dhe nuk i kthen duart të zbrazta asnjëherë, prap na lind ideja e asaj dëshirës së pashuar, dhe ashtu si pa dashje dhe të turpëruar prap e themi të njëjtën, por ashtu në heshtje që të mbetet vetëm mes teje dhe Atij që lutjet i pranon?!
Ngrihemi të forcuar për të vazhduar më tej me jetën e përditshme, ashtu siç fluturojnë bletët nga një lule në tjetrën për të mbledh polenin e luleve për të krijuar elixirin e vërtetë shërues, ashtu edhe ne vazhdojmë, nga njëra punë në tjetrën dhe nga një vepër në tjetrën, por InshaAllah me një qëllim të sinqertë në radhë të parë për të arritur kënaqësinë e Atij që krijoi çdo gjë për ne.

Kur lodhja afrohet dhe dëshiron të merr energjinë tonë fuqizuese, atëherë kur na duket se më nuk mundemi ja vjen prap shpresa tjetër, koha e lutjes tjetër në radhë. Lutja e pasditës, edhe pse të lodhur kur na kujtohet se tani Engjujt që zbritën në mëngjes janë të gjithë të pranishme dhe presin për të marr të gjithë raportin ditor nga ti, atëherë askush prej nesh nuk dëshiron të humb një shans të tillë…
Ka thënë Profeti salaAllahu alejhi ue selem(paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi te): “Kush e lë namazin e ikindisë, i humb e tërë puna e tij.”andaj secili prej nesh përvilet dhe nuk dëshiron të humb tërë investimin ditor.
Fillon lutja dhe edhe ne jemi aq të vëmendshëm sa që harrojmë gjithë lodhjen e mëparshme, nxitojmë të lutemi edhe më shumë, të tregojmë edhe më shumë nënshtrueshmërinë ndaj Atij të cilit i nënshtrohet çdo gjë me dashje apo pa dashje. Kërkojmë atë çka dëshirojmë por edhe nga dashuria për të Lartëmadhëruarin, pasi Ai i Lartësuar qoftë, gjithmonë pret engjujt t’i tregojnë se si na gjetën në muzgun e agimit dhe si mbetëm me ardhjen e mbrëmjes ….
Ah … Engjujt tash ngriten lart dhe natyrisht raportojnë te Krijuesi për veprat tona. Edhe pse Allahu i din të gjitha, krenohet i Madhërishmi me veprat e mira, që na i mundësoi Ai dhe duke na mbrojtur ashtu siç e mbron nëna (por edhe më shumë se kjo) fëmijën e saj nga akuzat dhe gjithmonë mburret kur veprojmë diçka të mirë. Pasi i sillen të gjitha pyet I Lartësuari se çka kërkonin lutësit prej meje dhe ashtu Engjujt radhisin kërkesat e Ai i plotëson …Madhështi mbi madhështi kur të kujtohet se prej kujt kërkon sa që edhe nës nuk plotsohen prap jemi të kënaqur pasi e dijmë se pas saj ka edhe diçka më madhështore se dëshira që kemi parashtruar, i Lartësuar qoftë Allahu ashtu siç i tako vetëm Atij…
Jemi agjërueshëm, abstenojmë nga ushqimi për një qëllim të vetëm, të kënaqim Krijuesin dhe të kryejmë urdhërin e Tij. Askush përveç Tij se din shpërblimin e käsaj vepre, pos Tij. Pasi jemi në një gradë aq të lartë dhe të çmuar, atëherë e dimë, ashtu siç na ka mësuar Profeti salaAllahu alejhi ue selem(paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi te) se duaja e agjëruesit pranohet ?!
Pa pritur, fillojmë duke u lutur me ngulm…
Për atë që kemi nevojë tash….
Për atë që duam të arrijmë…
Për atë që gjithmonë kemi ëndërruar…
Për atë që askujt s’ia themi por e dëshirojmë pa pikë dyshimi…
Afrohet iftari dhe aty kemi edhe një shpërblim nga agjërimi, pasi prap ushqehemi dhe ashtu arrijmë edhe një qëllim shumë të dashur të Krijuesi. Mblidhemi të gjithë së bashku për të ngrënë, gjë e cila në ditët normale na janë bërë raritete, ashtu bashkohen edhe zemrat të ulur afër njeri tjetrit ndiejmë ngrohtësinë familjare…
Por ushqehemi pak më ndryshe se sa jemi mësuar…
Para syve në çdo moment, i kemi sytë e atyre që nuk hanë tërë ditën dhe prap në mbrëmje nuk kanë për të ngrënë, e ne kemi çdo gjë para syve dhe duarve tona, andaj në zemrat tona ndjehet dashuria ndaj lëmoshes dhe dhënies atyre që nuk kanë dhe janë të sprovuar nga kjo mirësi…
Ndjejmë dhe jemi edhe më falëmnderues për atë që na ka dhënë Krijuesi dhe Furnizuesi…
Duke pushuar afrohet koha tjetër edhe më e dashur për ne, falja e lutjes së mbrëmjes dhe më pas të pasmbrëmjes, ku të gjithë mblidhemi në shtëpitë e Allahut për të falëmndruar Atë, për të lavdëruar Atë, për të madhëruar Atë, të gjithë së bashku dhe krah më krah, i pasuri me të varfrin, i dituri me të paditurin, i forti me të dobëtin, i madhi me të voglin, i moshuari me të riun. i bardhi me të ziun, thjesht pa asnjë dallim mes vete …
Të gjithë të bashkuar, të barazuar, të përmalluar, të dashuruar në Krijuesin e vetëm të kësaj Gjithësie, Të Vetmit që meriton adhurimin, të Gjithfuqishimit dhe të Atij që nuk ka nevojë për asgjë dhe për askend, duke qëndruar ashtu siç na ka urdhëruar….
Vetëm e vetëm për të gjetur pëlqimin e Tij…
Por edhe për të treguar nevojat tona ndaj Atij që mundet të bëjë ç’të dojë dhe në çdo çast…
I Cili vetëm jep urdhër: „Bëhu dhe bëhet“ (Kun fe jekun), po e sjell në gjuhën origjinale pasi e dashuroj këtë fjalë, është fjala magjike të cilën mundet ta përdor vetëm Ai i Cili e krijoi gjithë gjithësinë me të gjitha thesaret e saj dhe krijon dhe veüron çka të don. Me këtë fjalë tregohet mundësia e pakufishme e Sunduesit sublim.
Prap e them atë dëshirën të cilën e kam mbyllur në thellësinë e zemrës time, të cilën e kam dhuratë prej Tij, aty qëndron një lutje për një thesar prej thesareve dhe atë e kërkoj vetëm prej Allahut më të Bukurit Krijues…
E them pasi e di se Ai e don lutjen, Ai e don njeriun që kërkon prej Tij, Ai i plotëson çdo gjë Atij që kërkon prej Tij, pasi ashtu tregojmë nënshtrimin ndaj Tij por edhe pamundësinë tonë…
Pas kryerjes së lutjes obligative dhe asaj vullnetare dhe të dashur te Mëshiruesi, zdirgjemi nëpër vendbanimet tona, por prap duke u kujtuar dhe lutur në heshtje por edhe duke medituar mbi çdo gjë që shohim dhe nuk shohim për rreth nesh…
- Pse dhe si u krijua e gjithë kjo…
- Çka është qëllimi i kësaj jete…
- Si erdhëm dhe ku shkojmë…
- Por edhe shumë pyetje tjera pa përgjigje…
Pas një dite të mbushur me veprime afrohet edhe koha e pushimit…
Por pushimit i duhet ushqim?
Po nuk jam gabim; i duhet ushqim…
E ushqimi i vërtetë është ajo me të cilën filloi shpallja e Islamit „Lexo“ …
Marrim të lexojmë dhe prap kryejmë obligimin dhe urdhërin e parë të zbritur në tokë për njeriun, krijesën e privilegjuar të tokës, lexojmë për t’u edukuar, për të mësuar, medituar dhe përkujtuar, apo edhe për të mos harruar, njëkohësisht me këtë veprim adhurojmë Krijuesin, I Cili e çmon dijetarin dhe diturinë…

Para gjumit prap ngrejmë duart të përkujtojmë Krijuesin dhe prap nuk harroj, e kam atë dëshirën e fshehtë dhe e pëshpëris në vete, ndoshta edhe më pikon ndonjë pikë loti kur e kujtoj se çka po kërkoj, por kur më kujtohet se kujt i drejtohem … atëherë qetësohem, e di se Ai është Dëgjuesi dhe Lutjepranuesi, edhe pse nuk e meritoj e di se nuk m’i kthen duart zbrazët pasi është shumë Bujar dhe Fisnik, Krijuesi im…
Ashtu edhe gjumi ynë kthehet në adhurim…
Zgjohemi për ngrënien e syfyrit, menjëherë na shkon mendja te fjalët e përcjellura nga Profeti salaAllahu alejhi ue selem ( paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi te):
“Me të vërtetë Allahu e ka vënë bereqetin në syfyr në kandar.”
Por më kujtohet edhe një gjë edhe më vlefshme se çdo gjë nga kjo botë kalimtare...
Koha e syfyrit është koha e bekuar, është kohë në të cilën zbret Allahu, ashtu siç i takon Madhërisë së Tij. Pejgamberi alejhi selam ka thënë: "Zbret Allahu i Madhëruar në çdo natë, në qiellin e kësaj toke, në kohën kur mbetet 1/3 e fundit e natës, dhe thotë: Kush më lut që t’i përgjigjem, kush më kërkon që t’i jap, kush më kërkon falje që t’ia fal”. (Shënon Buhariu)
Syfyri është prej kohëve më të mira të kërkimit falje. Allahu ka lëvduar ata që kërkojnë falje në këtë kohë e ka thënë: "Dhe të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë ndjesë”. (Ali Imran, 17) dhe: "Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet”. (Dharijatë, 18).
Andaj përpiqemi që të jemi të përpiktë në këtë kohë të arrijmë atë që duam, aty jemi disi në vetmi me Krijuesin tonë, në errësirën e natës dhe vetëm me rrezet e dobëta të hënës, ku lotët e pendimit i marin dritën, shkëlqimin dhe rrezatimin, jo vetëm hënës por ndoshta edhe diellit, ku ato lotë shëndrisin si diamantë duke dalur prej syve të lodhur, prej zemrës së trishtuar por nga një shpirt i pastër dhe me shumë shpresa se Allahu, Falësi na ka fal, na ka mëshiruar dhe na ka mbuluar me mbrojtjen e Tij.
Mu aty në atë pozitë të pëlqyer me kokën në tokë, në kohën kur shumë flejnë dhe nuk munden të ngrihen nga shtrati i ngrohtë, në kohën kur shpirti dëshiron pushim dhe qetsi, në kohën kur e dimë se Krijuesi na shiqon, dëgjon dhe është duke pritur duart e ngritura lart për të na shpërblyer prap i themi nevojat, dëshirat, kërkojmë falje dhe kërkojmë udhëzimin e Tij por edhe kërkojmë diçka që kemi në thellësinë e shpirtit tonë atë që e duam shumë dhe nuk duam të humbin as për të gjitha thesaret e kësaj bote të ngushtë, të vogël, kalimtare ...
Nuk di si ta mbaroj pasi kam edhe shumë për të thënë...
Kam aq shumë ndjenja që nuk di t’ia tregoj kësaj letre...
Por e di se është shumë e paktë nga mirësia që më është dhuruar...
Më duhet të përfundoj...
Por nuk mundem edhe pak, pa mos shkruar diçka në lidhje me thesarin e lutjeve...
E di se nuk e meritoj, pasi duhet të kem vepra të panumërta për një gjë të tillë...
Vepra që peshojnë më shumë se kodrat dhe malet, madje edhe më shumë se toka...
Por kur më kujtohet se Allahu ka thënë se Unë jap dhe mundësoj çdo gjë...
Dhe se Ai vetëm thotë: “Bëhu” dhe bëhet...
Unë prap vazhdoj me atë avazin tim...
Pasi jemi musliman, ashtu jemi të urdhëruar nga Profeti salaAllahu alejhi ue selem (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi te) : “Atë që don për vete duaje edhe për vëllaun tënd/ motrën tënde, andaj do të tregoj lutjen time në këtë kohë të mistereve, ku gjindem e vetme me Krijuesin Tim, lutjen që po të mos ishte sikur një lëmoshë për Hir të Atij që më mundësoi këtë shkrim dhe meditim, nuk do t’a tregoja asnjëherë...

Lutem duke qenë e bindur se Allahu më plotëson:
“ O Allah më jep një jetë të mirë në këtë botë kalimtare, por edhe në botën tjetër...
O Allah më jep besimin e plotë pa asnjë përkulje në çfarë do rasti dhe gjendje...
O Allah më jep një vdekje të bukur, të lehtë dhe shumë të dashur te Ti...
O Allah më dhuro gradat e dëshmorëve në botën tjetër...
O Allah më jep dituri të dobishme për të dy botërat, dhe t’a kem si ndërmjetësim ditën kur të dal para Teje...
O Allah më mundëso vepra të mira që i pëlqen Ti o i Madhëruar, vepra me të cilat do të krenohesh para Engjujve me mirësinë e tyre...
O Allah më mundëso të jem me Profetët e tu dhe me Profetin Muhammed bashkë në botën e përjetshme...
O Allah më bashko me familjen time në të dy botërat, me të mirët dhe me të dashurit e Tu në çdo çast të kësaj jete dhe jetës së përhershme...
O Allah më fal mëkatet që i kam bërë, i bëj dhe do ti bëj, me diturinë apo pa diturinë time, në fshehtësi dhe haptazi, mua, familjes time dhe gjithë muslimanëve...
O Allah më mundëso në këtë botë t’i dua bonjakët, të varfërit, të shtypurit, dhe të ngratit...
O Allah më bën prej atyre që janë gjithmonë të sinqertë, çdo gjë kryejnë për Hir Tëndin...
O Allah nëse na jep poste të larta në këtë botë, atëhere na mundëso të jemi gjithmonë në shërbimin Tënd, në shërbimin e të mirës dhe të drejtës absolute...

O Allah dhe të lutem, të lutem, të lutem O I Gjallë, O Vigjëlues, O Lutjepranues, O i Butë, O i Mëshirshëm, të lutem me të gjithë Emrat e Tu të Bukur, me ato që i dimë dhe nuk i dimë, me Emrat që i dinë vetëm Ti o i Gjithëdijshmë dhe i Urtë, më ndërto një shtëpi dhe vendbanim në vendin më të shtrenjtë, në vendin e thesareve ndër thesaret, në vendin ku do të shohë mëngjes dhe mbrëmje, në vendin të cilin e ke ndërtuar me Duart e Tua, në vendin më të kërkuar në të gjithë Universin......
Xhennetin Firdeus.....”
Për mua, familjen time dhe për të gjithë muslimanët dhe ata që kanë synim këtë vend të thesareve...



Suzana Hasani “ E Përmalluara për Xhennet”


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme