Agjërimi është Imi dhe Jam Unë që do të shpërblej për të


Ramazani për muslimanët paraqet një periudhë që karakterizohet nga një sërë detyrimesh, të cilat kryhen prej tyre me devotshmërinë e duhur. Allahu xh.sh., u jep besimtarëve kënaqësinë më të madhe shpirtërore kur kujtojnë fjalët e Allahut: “Agjërimi është Imi dhe Jam Unë që do të shpërblej për të.”
Kalimi i njeriut nga një jetë e zakonshme në atë mbushur me përkushtim e ibadet të veçantë e me sakrifikime sublime trupore, - kjo është e veçanta e këtij muaji mubarek. Një gjë jo fort e lehtë. Duke u bazuar në filozofinë e muajit të Agjërimit (Ramazanit) dhe në vlerën e madhe të tij, besimtari, me bindje më të thellë e me vullnet, i përgjigjet thirrjes hyjnore që, në emër të Tij, të heqë dorë nga jeta normale dhe kërkesat e ulëta e të përditshme, duke synuar jetën shpirtërore e shpërblimet e panumërta, që janë përgatitur për agjëruesin. Agjërimi është një shkollë dhe qendër e edukimit dhe skalitjes shpirtërore dhe morale, pse jo... Ditën agjërojmë, pak pas iftarit falim bashkërisht namazin e teravive, një përjetim shpirtëror ky shumë i rrallë. Dëgjohen ajete nga kaptina të ndryshme kuranore; bile në disa xhami ky namaz vjetor falet edhe me hatme. Ato lutje, ato dua e salavate që këndohen nga qindra e qindra xhematlinj, rrisin imanin dhe e forcojnë atë në zemrën e besimtarit.
Në këtë muaj mubarek nafilja është në rang të farzit, kurse farzi që kryhet në muajin e Ramazanit, shpërblehet sa 70 farze që ke kryer jashtë muajit të Ramazanit. Pra, vlerësohet dhe shpërblehet, po nuk i zëvendëson farzet e tjera që na kanë mbetur.
Muhamedi a.s., në një rast u tha ashabëve se një umre në Ramazan ka vlerën e një Haxhi, po nuk e zëvendëson Haxhin kurrsesi. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe lidhen shejtanët, që ata me veset e tyre të mos na shqetësojnë dhe ne të mos i zgjidhim me gibet e të shara dhe cigare.
Ramazani është muaji kur muslimanëve iu shpall kushtetuta hyjnore (Kurani), që të drejtojë dhe fuqizojë zhvillimet jetësore, të kanalizojë veprimtarinë e njeriut, t’i japë kuptim kësaj jete dhe jetës tjetër, të rregullojë raportet Krijues dhe i krijuar (krijesë), nga njëra anë, si dhe, nga ana tjetër, krijesë me krijesë. Në këtë muaj është edhe nata më e vlefshme e gjithë vitit: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre (atë natë) zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcak-ton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”. (El Kadr, 1-5) Pra, me një matematikë të thjeshtë një mijë muaj janë të barabartë me 83 vjet e 4 muaj. Duke ditur se jeta mesatare e njerëzve në këtë botë nuk i kalon 74 vjetët, do të thotë se kjo natë është më me vlerë se tërë jeta e njeriut. Kurse Pejgamberi a.s. thotë : “Atij që bën ibadet (lutje) Natën e Kadrit, me besim e duke shpresuar për shpërblimin (që do t’i japë Allahu xh.sh.), do t’i falen ato që i kanë paraprirë prej mëkateve”. (Buhariu, Muslimi).
Pra, agjërimi është një rast tepër i volitshëm që muslimanëve duhet t’u japë edhe më shumë kurajë, pasi Muhamed Mustafaja a.s. ka garantuar se Agjërimi dhe Kurani bëjnë shefat për të devotshmit dhe Ymetin e Pejgamberit a.s..
Në fund të Ramazanit besimtari, i vetëdijshëm e me përulje të plotë, jep nga pasuria e tij sadekatul-fitrin, një sadaka që populli ynë tradicionalisht e ka adresuar në institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës, për t’i mbajtur dhe për të funksionuar institucionet që ajo drejton - medresenë e mesme “Alauddin” me paralelet e saj në Gjilan e Prizren, dhe Fakultetin e Studimeve Islame të Prishtinës.
Allahu na e pranoftë agjërimin tonë dhe për hajr Fitër-Bajrami të gjithë Ymetit të Muhamed Mustafasë!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi