Në kuadër të degëve të besimit e më saktë të atyre që janë klasifikuar si vepra të zemrës) është listuar edhe pendimi. Si në Kuran ashtu edhe në Sunet citatet që e kanë trajtuar pendimin janë të shumta dhe nga perspektiva të shumta.
Në trajtesën tonë, pendimin, duke iu referuar ajeteve dhe haditheve, nga njëra anë, dhe shpjegimeve të dijetarëve, nga ana tjetër, do të mundohemi ta trajtojmë nga aspekti i efekteve të tij edukative. Më qartë, do të shpjegojmë se çfarë e bën pendimin të jetë degë e besimit, cili është koncepti fetar për të, dhe si ndikon ai në jetën e njeriut?
Koncepti për pendimin
Pendimi është rruga e kthimit tek Allahu xh.sh.. Është porta nëpër të cilën hyhet tek Allahu xh.sh .. Pendimi është kushti i shpëtimi dhe vetë shpëtimi. Allahu xh.sh., thotë: "O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t'jua shlyejë gabimet e t'ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë ... " (Et Tahrim, 8).
Abdurrahman Sadiu, duke e interpretuar këtë ajet, gjegjësisht duke folur për esencën e pendimit të sinqertë, thotë se me të synohet pendimi që vjen si rezultat shpirtëror, si diçka që njeriu e bën me vullnet dhe dëshirë për t' u kthyer tek Allahu dhe për të vazhduar në këtë rrugë.(1)
Pendimin si shpëtim e gjejmë dhe në ajetin vijues: “...Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin." (En Nur, 31).
Ibën Kethiri, duke e shpjeguar këtë ajet, thekson se pendimi paraqet ndarjen nga e keqja dhe fillimin e një jete të re sipas mësimeve të Zotit dhe porosive të Tij.(2)
Nga këto dy ajete dhe këto shpjegime mësojmë se pendimi është ndryshim, reformim i thellë shpirtëror, ndërrim i kahjes dhe orientimit, kthim kah Allahu dhe feja e Tij.
Këto dhe argumente të tjera kanë shërbyer si bazë për ndërtimin e konceptit për pendimin. Pendimi, thotë Imam Gazaliu, i ka tre përbërës: dijen, gjendjen dhe veprimin. Sa i përket dijes ajo nënkupton të njohësh pasojat e mëkateve dhe se ato janë perde ndërmjet robit dhe të Dashurit të tij (Allahut). Kjo njohuri shkakton një gjendje - ndjesi në zemër, e cila është lëndimi nga frika e humbjes së të Dashurit, gjendje kjo që është keqardhje (për mëkatin e bërë). Dominimi i kësaj ndjenje provokon vullnetin për pendim dhe shkëputjen nga e kaluara. Kështu, pendimi nënkupton braktisjen e atypëratyshme të mëkatit, vendosmërinë për të mos iu kthyer më mëkatit dhe shkëputjen me të kaluarën...(3)
Vlera e pendimit
Mëshira dhe dashuria e Allahut për robërit
Pendimi është imazh i mëshirës së Allahut me robërit. Profeti Muhamed a.s., ka thënë: ''Allahu e pranon pendimin e robit përderisa shpirti të mos i vijë në fyt (të mos vdes)”(4)
Pra, kurdo që robi kthehet, Allahu e pranon, madje edhe nëse ka bërë mëkate shumë. Allahu xh.sh., thotë: "Thuaj: "O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që falë shumë dhe është mëshirues!". (Ez Zumer, 53).
Pendimi është dritë në errësirë, është shpresë për një fillim të ri dhe të mbarë. Pendimi është impulsi që e kthen zemrën në jetë. Profeti Muhamed a.s., ka thënë: ''Allahu e shtrin dorën gjatë natës që ta falë mëkatarin e ditës, dhe e shtrin dorën gjatë ditës, që ta fal mëkatarin e natës, dhe këtë derisa dielli të mos lindë nga perëndimi."(5)
Se pendimi është i këtillë dhe edhe më shumë flet edhe argumenti në vijim ku pendimi përshkruhet si mjet me të cilin fitohet dashuria e Allahut: "...Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen." (El Bekare, 222).
Pendimi shlyen mëkatet
ProfeTi Muhamed a.s., ka thënë: "I penduari nga mëkatet është sikur ai që nuk ka bërë mëkate fare."(6) Pra, të pendohesh, nënkupton ta shlyesh të kaluarën, të mos ndjesh barrën dhe përgjegjësinë e saj, të shkëputesh shpirtërisht e fizikisht prej saj. E kur të jemi te mëkatet, pendimi jo vetëm që i fshin ato, porse edhe i shndërron në të mira.
Pendimi i shndërron të këqijat në të mira
Në Kuran, qëndron: "Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t'i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë." (El Furkan, 68-70).
Në koment të këtij ajeti, Sadiu shpjegon se bëhet fjalë për dy ndryshime: e para, ndryshim të avazit, nëse mund të shprehemi kështu, duke ndërruar idhujtarinë me besim, mëkatet me respektim, dhe e dyta, duke shndërruar secilën të keqe në të mirë nëpërmjet pendimit. Pra, sa herë që kërkon falje për një të keqe, ajo ikën dhe në vend të saj mbetet shpërblimi i pendimit.(7)
Kjo me pak fjalë është ajo që Hasan Basriu ka përmbledhur si përkufizim të pendimit të sinqertë: Ta urresh mëkatin që e ke dashur dhe të kërkosh falje sa herë ta kujtosh.(8)
Pendimi si shkak i mirëqenies
Pendimi nënkupton përmirësimin e raporteve me Allahun xh.sh.. Kur kjo të ndodhë, të mirat e Allahut ndaj nesh nuk do të kenë fund. Kjo është ajo që kanë predikuar pejgamberët a.s.. Ja se si Nuhu a.s., i drejtohet popullit të vet: "E u thashë: "Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t'ju dërgojë shi të bollshëm, t'ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!" (Nuh, 10-12)
Reflektimi i pendimit
Ruajtja e shëndetit shpirtëror e psikik
Pendimi ka efekte shpirtërore dhe fizike te njeriu. Fillimisht dhe para çdo gjëje, pendimi ruan shëndetin shpirtëror. Pendimi është shpresa ose antidoti i pesimizmit. Asgjë, siç do të shprehej dr. Kardavi, nuk mund ta sfidojë mëshirën dhe faljen e Allahut. Për këtë shkak edhe iu është drejtuar që të mos e humbasin shpresën në Të. (Ez Zumer: 53).(9)
Pendimi, ilaç i përhershëm
Pendimi nuk është zgjidhje njëpërdorimshme. Pendimi është me mundësi të pafundme përdorimi. Sa herë bën mëkat, ilaçi përherë mbetet pendimi. Sa herë që njeriu të pendohet dhe të kthehet e të kërkojë falje, Allahu do ta fal. Kështu na mëson Muhamedi a.s..(10)
Kthimi në mëkat pas pendimit nuk e prish pendimin. Shumica e dijetarëve thonë se, nëse pas pendimit, i je kthyer prapë të njëjtit mëkat, pendimi yt i parë është i vlefshëm nëse ka përmbushur kushtet. Ajo që të mbetet tani është të bësh pendim të ri për mëkatin që ke bërë.(11)
Pendimi dhe natyra e papërsosur e njeriut
Pendimi na mëson se i pastër nga të metat është vetëm Allahu xh.sh.. Ky fakt, nëse përdoret siç duhet, njeriun e nxjerr si besimtarin më të mirë. Si? Njeriu është krijesë e veçantë. Ai, nuk është melaqe, por nuk është as kafshë. Në fakt, të qenit brenda këtyre dy kategori krijesash, e bën atë të varur, për shkak se në qenien e tij ka elemente të të dy natyrave: engjëllore (shpirtërore) dhe shtazarake (epsharake). Kështu, ai është në një luftë të përhershme me vetveten e tij. Ai është në xhihad me nelsin e tij. Doemos se do të përjetojë rënie dhe ngritje shpirtërore gjatë jetës së tij. Kjo është normale, gjithnjë për shkak të natyrës së tij prej njeriu. Pejgamberi a.s., ka thënë: "Te gjithë njerëzit gabojnë ndërsa më të mirët prej tyre janë të penduarit."(12)
Ruajtja e privatësisë
Pendimi ruan karakterin dhe dinjitetin. Për t'u penduar nuk ka nevojë të rrëfehesh para askujt. Të gjithë kemi gjëra që nuk duam t'ia tregojmë askujt. Për t'u shkarkuar prej tyre, na mjafton lidhja vetëm me Allahun. Ja si na e përshkruan këtë Profeti ynë i dashur, sikurse transmeton Ebu Bekri r.a.: "Nuk ndodhë të mos i falet mëkati robit, që ka bërë mëkat ndërsa më pas është ngritur dhe është pastruar (ka marrë abdes) me kujdes, ka falë dy rekate namaz si dhe ka kërkuar falje tek Allahu."(13)
Familjar i përkryer
Pendimi reflekton edhe në aspektin familjar. Nëse deri dje, për shkak të mëkateve dhe rrugës së gabuar nuk kujdesej për familje, sot që është penduar dhe mëson se detyrimet e para dhe më të rëndësishme pas atyre ndaj Allahut i ka ndaj familjes, sigurisht se do të ndryshojë, do të bëhet më i dashur, më pozitiv, më i përkushtuar për familjen dhe fëmijët.
Përzgjedhja e shoqërisë
Pendimi reflekton edhe në aspektin shoqëror. Jo rrallë herë, shkak pse njerëzit devijojnë dhe lajthisin është shoqëria. Në hadithin ku përmendet rrëfimi i njeriut që pati vrarë njëqind veta, braktisja e shoqërisë së keqe përmendet si kusht për të vazhduar në rrugën e pendimit.(14) Kjo për shkak se njeriu e ka të pamundur të mos ndikohet nga shoqëria. Këtu qëndron arsyeja pse Profeti a.s., na ka porositur që të përzgjedhim shoqërinë: "Njeriu ka fenë (moralin) e atij që e shoqëron andaj shikoni se kë po e shoqëroni.”(15)
_______________
1. Shih: Sadi, Tejsir ei-Kerimi err-Rrahman fi tefsiri Kelami el-Mennan, vep. Cit., f. 874.
2. Shih: Ibën Kethiri, Tefsir el-Kur'ani el-Adhim, vep. cit., 6/50.
3. Shih: Gazaliu, Ebu Hamid, Ihjau Ulumu-d-Din, vep. cit., 4/3.
4. Transmeton Tirmidhiu.
5. Transmeton Muslimi.
6. Albani në Sahih el-Xhami, nr. 3008, e vlerëson si hadith hasen.
7. Sadi, Tejsir el-Kerimi err-Rrahman fi tefsiri Kelami el-Mennan, vep. cit., f. 587.
8. Mexhdi Fet'hi Essejjid, Ei-teubetu en-nesuh, (Tanta -EG: Mektebetu Es-Sahabe, 1406 h.),f. 20.
9. Shih portalin zyrtar të dr. Kardavit: https://www.al-qaradawi. net/node/3933, shfletuar më 25.01.2021.
10. Buhariu nr. 7507; Muslimi nr. 2758.
11. Selim bin Id el-Hilali, Hadi err-rruh ila ahkami et-teubeti en-nesuh, (Hubr - KSA: Dar Ibën Affan, 1412 h.), f. 183.
12. Albani në Sahihu-t-Tergib, nr. 3139, thotë se është hasen.
13. Hadithin e transmeton Ebu Davudi.
14. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Profeti a.s.. ka thënë: "Nga ata që kanë qenë para jush, ka qenë një njeri që i ka mbytur 99 veta. Pastaj e kërkoi njeriun më të ditur në sipëlfaqe të tokës. Atë e drejtuan te një prift të cilit i shkoi dhe e pyeti: "Një njeri që ka mbytur 99 veta a ka teube (pendim) për të?" Ai iu përgjigj: "Jo, e ky edhe këtë e vrau dhe i plotësoi njëqind." Pastaj prapë kërkoi njeriun më të ditur në sipërfaqe të tokës. Atë e drejtuan te një njëri i ditur dhe e pyeti: "Një njëri që i ka mbytur 100 veta, a ka teube (pendim) për të?" Ai iu përgjigj: "Po, e kush mund ta ndajë atë nga teubja (pendimi)?!" Pastaj vazhdoi: "Shko në filan vendin që në të ka njerëz që i bëjnë ibadet Allahut dhe adhuro Allahun së bashku me ta, e mos u kthe në vendin tënd se ai është vend i fesatit." Morri rrugën dhe pasi që e kaloj gjysmën e rrugës i erdhi vdekja. Atëherë ranë në dilemë melekët. Melekët e rahmetit thanë: "Ai u pendua dhe u drejtua me zemrën e tij kah Allahu." Melekët e dënimit thanë: "Ai kurrë një pune të mirë s'e ka bërë." Atëherë ju erdhi një melek në formë të njeriut dhe e bënë ndërmjetësues të tyre. Ai u tha: "Mateni largësinë mes dy vendeve, dhe te cili është më afer, atij i takon." Kur e matën e panë se është më afër se ku ka dashur të shkoj dhe e morën atë melekët e rahmetit (Xhenetit)." (Teksti është i Imam Muslimit.)
15. Hadithin e shënojnë Ebu Davudi nr. 4833, Tirmidhiu nr. 2378, Ahmedi 8398, ndërsa Albani në Sahihu Ebi Davud, nr. 4833, e cilëson hasen.