Jeta dhe vepra e Imam Malikut


Imam Malik ibn Enesi

Lindja, Origjina dhe Edukimi i Imam Malikut

Imam Maliku është i lindur në vitin 93 hixhri në qytetin Medinë të Arabisë Saudite. Ajo çka është për çudi është se e ëma e tij e kishte bartur atë 3 vite në stomakun e saj. Ai qysh në fëmijërinë e tij fillon të thellohet në dituri, kjo nuk ka çka na habit ngase babai, axhallarët, gjyshërit e tij, të gjithë thuajse veç kishin qenë ngushtë të lidhur në dituri, mu nga kjo frymë e diturisë gjejmë Imam Malikun i cili gjen interesim të veçantë qysh nga vitet e hershme të tij. Ai rrjedhë nga një familje arabe nga Jemeni i sotëm, ku familja e tij qysh në kohën e gjyshit të tij kishte emigruar dhe zërë vend në qytetin Medinë. Si shkak kryesor që kishte bërë Imam Malikun t’iu rrekët diturisë ishin pa dyshim paraardhësit e tij. Gjithashtu vetë prezenca dhe jeta e tij në qytetin e të dërguarit Muhamed a.s, Medinë e cila ishte vatër e diturisë, vend i stërmbushur me dijetarë, bëri që Imam Maliku të gjejë interesim të veçantë në dituri. Babai i tij Enesi ishte shigjetarë (ndreqës i Shtizave), mirëpo me gjithë atë ai zinte vend të veçantë në shkencën e Hadithit, dhe ishte njëri nga ata të cilët i biri i tij Maliku kishte transmetuar hadithe, çka donë të thotë se ai ishte me plotë kuptimin e fjalës dijetar.

Imam Maliku dhe vijimi i mësimeve në qytetin Medinë

Nga ajo që gjejmë rreth jetës së Imam Malikut është se ai pothuaj tërë jetën e tij e kishte kaluar në qytetin Medinë. Ai kishte emigruar shumë pak, vetëm atëherë kur ishte i obliguar, si p.sh gjatë vizitës së Qabes së shenjtë në kohën e Haxhit apo në umre (vizitën e qabes jashtë kohës së Haxhit), nuk gjejmë se e pëlqente udhëtimin si nxënësi i tij Imam Shafiu, apo si bashkëkohësi i tij Imam Ebu Hanife. Ai e ka parë të mjaftueshme jetën dhe prezencën e tij në qytetin Medinë qytetin e profetit Muhamed a.s ku edhe është i varrosur. Në vitet e hershme të Imam Malikut qyteti Medinë ishte i stërmbushur me dijetarë tabiinjë (pasuesit e shoqëruesve të Pejgamberit a.s.), ku për vendmësim gjenin xhaminë e Pejgamberit a.s. Njeriu mund të shihte në të gjitha anët e xhamisë grupe nxënësish ku në secilin nga ato grupe gjendej një nga dijetarët si shembujt e Rrebia ibnu ebi abdu Rrahman, ibnu Hirmez, Nafiu, ibnu Shihab Zuhri, Muhamed ibnu Munkedir, Xhafer Sadik ibnu Muhamed Bakir, ku mu aty shoqërohej Imam Maliku dhe vijonte mësimet. Qyteti Medinë vizitohej nga grupe njerëzish të cilët vinin nga vende të ndryshme për të kryer obligimin e Haxhit, të cilët vinin dhe vizitonin varrin e të Dërguarit a.s. në Medinë. Mu në këto raste Imam Maliku njoftohej me njerëz dhe me gjendjen e tyre, ku nga ta mësonte Fikhun dhe lëmit e tjera të fesë.

Rrethanat kohore në të cilat jetoi Imam Maliku

Ky Imam kishte lindur në kohën kur sundonte Welid ibn Abdul Melik El-Emewi, ndërsa vdekja e kishte gjetur gjatë kohës kur sundonte Rreshid El-Abasi. Imam Maliku kishte jetuar katërdhjetë vite të jetës gjatë kohës se sundimit Emewi dhe katërdhjetëegjashtë vite në kohën e sundimit Abasi ku kishte plotësuar vitet e ndërtimit të personalitetit të plotë në kohën kur sundimi Emewi veç kishte filluar të bie. Ai ishte në vitet e burrërisë së tij kur në duar shtetin e zotëronin Abasitët. Mund të themi se Imam Maliku gjatë kohës së sundimit Emewi kishte arritur të shoh përhapjen e islamit në perëndim deri në jug të Evropës, dhe arritjen e tij në lindje deri në kufijtë e Kinës së sotme, dhe më shumë se kjo në brendësi tek banorët e saj. Ai e kishte jetuar gjithashtu kohën kur islami lulëzonte në të gjitha aspektet, kohë me të cilin krenohet umeti islam, e ajo është koha kur në krye të shtetit islam ishte Omer ibn Abdul Aziz. Atij i kishin arritur njohuri të freskëta rreth sprovës që kishte ndodhur në mes të Aliut e Muawiut, Zoti qoftë i kënaqur me ta. Ai gjithashtu kishte dëgjuar për atë që kishte bërë daljen në skenë të grupit Hawarixh. Me një fjalë mund të themi se Imam Maliku kishte jetuar nëpër etapa kohore të ndryshme sa me begati e sa me sprova të shumta të cilat i kishin goditur muslimanët.

Dijetarët prej të cilëve Imam Maliku kishte marrë Diturinë

Rrebiatu Rre’j: Ky ishte dijetari i parë nga qyteti Medinë prej të cilit Imam Maliku kishte marrë dituri në lëmin e Fikhut. Ishte ajo koha kur Imam Maliku gjendej në vitet e hershme të jetës së tij. Imam Maliku nuk ishte ndalur në zënien e mësimeve vetëm në këtë lëmi, ai kishte vijuar mësimet nga ai edhe në lëmi të tjera si: Hadith, Letërsi. Nga ajo që rrëfehet gjejmë se Imam Maliku e kishte shoqëruar këtë dijetarë deri në vdekjen e këtij të fundit. Imam Maliku e lavdëronte atë saqë një herë thoshte: “Ka përfunduar kënaqësia e Fikhut me vdekjen e Rebias”. Imam Maliku kishte transmetuar nga ky dijetarë hadithe të shumta të Muhamedit a.s.

Abdullah ibn Hurmuz: Dijetari i dytë nga i cili Imam Malik kishte marrë dituri është ibn Hurmuz. Ai atë e kishte shoqëruar rreth tetë vite, nga po i cili kishte mësuar Hadithin, Fikhun. Edhe pse pas kësaj periudhe kohore Imam Maliku vijonte mësimet me dijetarë të tjerë ai asnjë herë nuk e kishte harruar atë, dhe për tridhjetë vite të plota ai kishte qenë në lidhje me të. Ky dijetar zinte vend të lartë në lëmin e Fikhut gjatë kohës në të cilën ai jetoi, ku llogaritej në mesin e shtatë Juristëve më të dalluar në Medinë.

Nafi Dilmi: Shquhej për dituri të lartë po në të njëjtat lëmi të cekura më lartë. Gjejmë se Imam Maliku e priste atë në rrugë me të vetmin qëllim që ta takoj atë dhe të mësonte nga ai diç të re. Imam Maliku e kishte shoqëruar atë edhe pas kohës kur mësuesi i tij ishte i verbër. Ai e drejtonte atë nga shtëpia e tij në xhaminë e Pejgamberit a.s ku më pas e ndihmonte të kthehej në shtëpi. Nafi ishte nga dijetarët e mençur që fliste pak vetëm atëherë kur e kërkonte nevoja. Për këtë tregon fakti ku ai pasi që kishte arritur në moshë ishte emëruar me titullin Juristi i Medinës. Nafi kishte marrë mësimet e Hadithit nga sahabët si: Ibn Omer, Ebu Hurejre, Ebi Seid El-Hudri, ku Imam Maliku me kënaqësi gjente nga ai mësimet e ibn Omerit dhe të tjerëve. Imam Maliku e lavdëronte atë, ai thoshte: “Kur dëgjoja një hadith nga zinxhiri i Nafi nga Ibn Umeri nuk më interesonte ta dëgjoja po të njëjtin hadith nga dikush tjetër”. Nafi kishte vdekur në vitin 117 hixhri kohë në të cilën Imam Maliku ishte vetëm 24 vite.

Ibn Shihab Ezuhri: Ibnu Shihab ishte njëri nga dijetarët medinas prej të cilit mësoi Imam Maliku. Ai nga ana e Ëmës së tij rrjedhë nga Zuhre gjyshi i të Dërguarit a.s., çka mund të kuptojmë se ai gjente afërsi farefisnore me të Dërguarin a.s. Halifja Omer ibn abdul Aziz e lavdëronte atë. Ai thoshte: “Ju këshilloj të merrni mësim nga Ibn Shihab se vërtetë nuk mund të gjeni njohës më të mirë të Hadithit se ai”. Ky dijetar ishte ai të cilin Omer ibn abdul Aziz duke e njohur për personalitetin e lartë të tij dhe dituri të gjerë e kishte urdhëruar për shkrimin e Hadithit, vepër të cilën nuk mundte ta ketë çdo njëri. Për diturinë e gjerë të këtij dijetari tregon edhe vetë fakti se ai posedonte librari të gjerë në shtëpinë e tij, ku ai vetmohej dhe obligohej me dituri për orë të tëra. Nga ky dijetar Imam Maliku kishte marrë dituri ku e shoqëroi atë vite të tëra, dhe nga i cili kishte përfituar dituri në shkencën e Hadithit e Fikhut.

Sprova e Imam Malikut

Në vitin 146 gjatë kohës së sundimit Abasi, kohë kur Ebi Xhafer El-Mensur udhëhiqte shtetin kishte ndodhur një nga sprovat më të mëdha në të cilën kishte pësuar Imam Maliku, ku ai ishte rrahur me kamxhik derisa dora e tij iu ishte zgjatur dhe shpatullat e tij i ishin dalë nga vendi. Rreth shkakut se çka kishte bërë që të vijë deri te kjo, dijetarët ndahen në disa mendime, ja dy nga to: Mendimi i cili më së shumti zë vend dhe që është më afër të vërtetës se ai e përkrahte rregullën e tij të Fikhut: “Nuk ka divorc/ndarje për atë që nuk e dëshiron e që i imponohet nga tjetri”. Me këtë rast të tjerët e kishin marr si argument se Imam Maliku kishte thyer besëlidhjen e sundimit të Ebi Xhafer El-Mensurit, ku kjo thënie më pastaj gjen përhapje të gjerë gjatë kohës kur vie në Medinë të Muhamed ibn Abdullah ibn Hasen Enefs Ezekije. Mensuri më parë e kishte ndaluar atë të jepte fetwa mu në atë rregull të fikhut të cekur më lartë. Dhe gjejmë se mbreti Mensur kishte përgatitur një njeri që të pyeste Imam Maliku në atë çështje në prani të njerëzve. Imam Maliku iu ishte përgjigjur me të njëjtin opinion, dhe me këtë rast Ebi Xhafer El-Mensuri kishte urdhëruar njerëzit e tij që të rrahin Imam Malikun ashtu si e cekëm më lartë. Shkak tjetër të cilin e kanë cekur historianët është se Imam Maliku e vlerësonte më lartë Othmanin r.a se Aliun r.a. Dhe ky mendim është ardhur në librin ‘El-Medarik’ ku rrëfehet: “Nuk është rrahur Imam Maliku për asgjë tjetër vetëm se e vlerësonte më lartë Othmanin r.a se Aliun r.a”. Mendimi i dytë nuk është aq i fortë sikurse i pari, mirëpo është cekur në këtë ndodhi.

Lëvdatat e dijetarëve drejtuar Imam Malikut:
“Kur të përmenden dijetarët, Maliku është ylli i tyre.? (Imam Shafiu)
“Medineja pas Tabiineve nuk ka pasur dijetar si Maliku.? (Imam Dhehebiu)



Referencat:

- Mustafa Esh-shuka’a, El-Eimmetu El-Erba’atu, botimi i pare, Daru El-Kutub Ellubnanije, viti i botimit- 1983, Bejrut - Liban.
- Muhamed Ebu Zehra, Malik hajatuhu we asruhu-arauhu we fikhuhu, botimi i pare, Daru El-Fikr El-Arabi.



Autor: Dr. Berat Hashani


Artikulli i kaluar
Kush ishte Ebu Hanife?
Artikulli radhës
Mulla Jusuf Baftjari 1883-1948

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?