Ekziston një fakt i prerë (fiks), të cilin patjetër duhet ta vërejmë në sferën e çdo obligimi hyjnor. Ky fakt është se Allahu xh.sh. nuk e ngarkon asnjë person përveçse me atë që mund ta përballojë. Prandaj, përgjegjësia e njeriut është vetëm në kuadër të asaj që mund ta përballojë dhe ta bëjë. Ndërsa, ajo që është jashtë mundësisë dhe kompetencës së njeriut, nuk ka përgjegjësi karshi saj, kësaj i shtohet fakti se përqindja e përgjegjësisë përputhet në përpjesëtim me masën e mundësisë.

Ato pjesë të karaktereve natyrore që pranojnë ndryshim dhe modifikim, edhe në qoftë në masë të kufijve relativë, për shkak të nënshtrimit të tyre ndaj pushtetit dhe fuqisë së njeriut, ato janë të nënshtruara ndaj përgjegjësisë dhe brenda kornizës së saj karshi obligimeve-detyrimeve hyjnore. Ndërsa, ato pjesë që nuk pranojnë ndryshim apo modifikim, për shkak se nuk janë nën pushtetin dhe fuqinë e njeriut, janë jashtë kornizës së përgjegjësisë karshi obligimeve-detyrimeve hyjnore.
Duke u bazuar në këtë, në përputhje me konceptet fetare, themi se: sikur te çdo individ i mençur të mos ekzistonte forcë dhe mundësi për të përfituar një sasi të virtyteve të moralit, Allahu xh. sh. nuk do ta ngarkonte me atë. Çështja e ekzistimit të fuqisë së njeriut për të përfituar nga virtytet e moralit nuk është e paimagjinueshme, mirëpo vetëm ka nevojë për një sasi të përshtatshme të mendimit dhe meditimit.
A nuk janë mundësitë e njerëzve të llojllojshme për mësimin e shkencave të ndryshme? Disa prej tyre kanë më shumë mundësi për mësimin e shkencave apo të arteve të bukura, e disa të tjerë për shkencat logjike. Disa të tjerë kanë aftësi më të madhe për memorizim të datave dhe ngjarjeve apo memorizim të teksteve të ndryshme, etj. Në realitet, nuk ekziston ndonjë individ i mençur që nuk posedon mundësi për përfitim të një sasie të caktuar të virtyteve të moralit, dhe në kufijtë e kësaj sasie që posedon është edhe ngarkimi (obligimi) i tij. Dhe, si rezultat i ngarkimit rrjedh edhe përgjegjësia e tij, e më pastaj në kufijtë e asaj rrjedh edhe llogaridhënia dhe shpërblimi-ndëshkimi ndaj tij.
Individi që ka ndjeshmëri të lartë të nervozizmit, përmes elementeve të edukatës ka mundësi të përfitojë një sasi të caktuar të etikës së butësisë, dhe në momentin kur ai me dëshirë dhe vullnet vendos që ta përfitojë një gjë të tillë, ai ia arrin. Prandaj, për këtë arsye ai është përgjegjës për përfitimin e asaj që ka mundësi ta arrijë. Nëse ai e neglizhon edukimin e vetes, dhe atë e lë të zhvillohet pa mbikëqyrje, ai do të japë llogari për neglizhencën, dhe do t'i bartë pasojat e mosveprimit të tij.
Individi që është koprrac skajshmërisht, ai është edhe egoist, dhe ka dëshirë të madhe të grumbullojë pasurinë, e përmes elementeve të edukatës ka mundësi të përfitojë një sasi të caktuar të etikës së dashurisë për të dhënë. Në momentin kur ai me dëshirë dhe vullnet vendos që ta përfitojë një gjë të tillë, ai edhe ia arrin. Prandaj, për këtë arsye ai është përgjegjës për përfitimin e asaj mase që fetarisht është e obligueshme. Nëse ai e neglizhon edukimin e vete, dhe atë e lë të zhvillohet pa mbikëqyrje, ai do të japë llogari për neglizhencën, dhe do t'i bartë pasojat e mosveprimit të tij.
Individi që posedon një përqindje të madhe të frikës, përmes edukatës së ndërlidhur me dëshirën dhe vullnetin ka mundësi të arrijë një sasi të caktuar të etikës së trimërisë, edhe pse ndoshta nuk mund ta arrijë atë që ka lindur me një tipar të tillë. Mirëpo, ai mund ta arrijë një sasi që i mjafton për realizimin e çështjeve që kërkohen, deri në kufijtë e përgjegjësisë së tij.
Dhe kështu, mund të themi se, në realitet çdo virtyt moral secili individ i mençur ka mundësi që ta përfitojë përmes edukatës së ndërlidhur me dëshirën dhe vullnetin. Pra, atë sasi që i mjafton për përmbushjen e obligimit të mirësjelljes. Më pastaj, njerëzit ndryshojnë në këtë çështje, e kjo bazuar në garën dhe përkushtimin e tyre në gradat e virtyteve morale.
Dallimi në gatishmëri dhe natyrshmëri nuk e mohon ekzistimin e gatishmërisë së përgjithshme e të favorshme për përfitim të një sasie të caktuar në çdo degë të specializimit, pa marrë parasysh a është nga fusha e shkencave, arteve, aftësive profesionale apo virtyteve morale.
Në kuadër të kësaj gatishmërie të përgjithshme hyjnë obligimet e përgjithshme fetare-hyjnore. Më pas rrjedhin përgjegjësitë e individëve, varësisht nga ajo çfarë Zoti i ka dhuruar akëcilit person, dhe varësisht nga gatishmëria e veçantë që i është dhuruar individit si shtesë nga gatishmëria e përgjithshme. Nëse disa individë janë të privuar nga shkalla më e ultë e kufijve të gatishmërisë së përgjithshme me të cilën ndërlidhen edhe obligimet fetare, atëherë obligimi apo detyrimi nuk i kërkohet fare. Gjithashtu, atij personi që i grabitet kjo gatishmëri, për ndonjë arsye të caktuar, nga ai pezullohet obligimi i të vepruarit për shkak të domosdoshmërisë së ndërlidhjes së obligimit me mundësinë, ashtu siç e kanë sqaruar edhe tekstet e jurisprudencës islame. Prandaj, bazuar në këtë parim kanë ardhur edhe obligimet fetare për t' u pajisur me virtytet e moralit, dhe për t' u larguar nga sjelljet e ulëta. Duke u bazuar në këtë parim, Islami ka përcaktuar planet edukative që ndihmojnë për t'u pajisur me virtyte të moralit. Gatishmëria për këtë në fakt ekziston tek individi, edhe në qoftë se ka dallime në përqindjen e kësaj gatishmërie mes individëve. Në fushën e reformave edukative disa individë mund t'i pranojnë disa virtyte të moralit me lehtësi, ndërsa disa të tjera me vështirësi dhe kurë të gjatë.(2)
Në vazhdim do të përmendim disa pika që ndikojnë në përmirësimin dhe përfitimin e virtyteve të mira të moralit.

1. Përmirësimi i bindjes:

Nuk ka dyshim se bindja gjithsesi reflekton në virtytet e moralit. Mënyra për përmirësimin e virtyteve të moralit është përmes përmirësimit të bindjes (sepse sjellja e mirë është fryt i bindjes së individit dhe besimit të tij, ndërsa sjellja e keqe është rezultat i devijimit në besim. Besimi nënkupton besimin e prerë në Zotin Një, besimin në engjëjt, librat, të Dërguarit, Ditën e Fundit, dhe në përcaktimin e Zotit. Gjithashtu edhe detyrimet që rrjedhin prej tyre, dhe prandaj besimtari më i përsosur është besimtari me moral të mirë, siç thotë edhe Pejgamberi a.s.: "Besimtari më i kompletuar është ai që është me moral të mirë." Në një hadith tjetër thotë: "Besimtarët më të përsosur në besimin e tyre janë ata që kanë moral të mirë. Me të vërtetë morali i mirë e arrin gradën e agjërimit dhe namazit(3)."(4)
Atëherë kur individi e ka në rregull çështjen e besimit, dhe është i bindur që një ditë do të dalë para madhërisë së Zotit për të dhënë llogari për çdo veprim të tij, atëherë me siguri që kjo do të ndikojë edhe në përmirësimin dhe përfitimin e virtyteve të larta morale.

2. Adhurimet:

Adhurimet që cilat i ka paraparë e drejta islame, dhe të cilat konsiderohen shtylla të besimit, nuk janë nga lloji i ritualeve të errëta që lidhin individin me të fshehtën e panjohur, ose që e obligojnë atë të kryejë veprime misterioze, ose lëvizje të pakuptimta. Jo, jo. Obligimet me të cilat feja islame ka ngarkuar çdo individ-pjesëtar të saj janë obligime të përsëritshme, që kanë për qëllim ta mësojnë njeriun të jetojë në përputhshmëri me virtytet e moralit të saktë, dhe të qëndrojë stoik dhe i përkushtuar në këto virtyte, pa marrë parasysh ndryshimet e kohës.
Kurani famë lartë dhe hadithet e Pejgamberit a.s. potencojnë shumë qartë këto të vërteta. Për obligimin e namazit Zoti e ka sqaruar urtësinë e faljes së tij, duke thënë: "Fal namazin, se vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat!" (El Ankebut, 45)
Largimi nga veprat e ndyta, pastrimi i fjalëve dhe veprave, është e vërteta e namazit... Obligimi i dhënies së zeqatit nuk është tatim, mirëpo ai fillimisht ka për qëllim që të mbjellë tek individi ndjenjën e butësisë dhe të dhembshurisë, si dhe të konsolidojë marrëdhëniet mes shtresave të ndryshme të shoqërisë. Kurani famëlartë tekstualisht e ka shprehur qëllim e dhënies së zeqatit, duke thënë: "Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë, që t' i pastrosh me të!" (Et Teube, 103).
Prandaj, pastrimi i shpirtit nga ndotjet dhe mungesat, si dhe lartësimi i shoqërisë në një stad më të lartë, sigurisht që është prej urtësive të para të zeqatit. Legjislacioni islam gjithashtu ka paraparë edhe agjërimin, të cilin nuk e konsideron thjesht një privim të përkohshëm nga ushqimet dhe pijet, mirëpo e llogarit si një hap drejt privimit të shpirtit dhe zemrës së individit nga epshet dhe veprat e ndaluara. Në mbështetje të kësaj domethënie të agjërimit Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush nuk braktis thënien e pavërtetë dhe veprën e ligë, Allahu xh.sh. nuk ka nevojë që ai person ta braktisë ushqimin dhe pijen!"(5)
Individi mund të konsiderojë se udhëtimi në vendet e shenjta - me të cilin është ngarkuar ai që ka mundësi; dhe është prej farzeve të kësaj feje për disa individë, - pra është një udhëtim i shkëputur nga domethëniet morale. Kjo është gabim, sepse Allahu xh. sh. lidhur me këtë çështje thotë: "Haxhi është në muajt e caktuar, e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të marrë nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje. Çka punoni nga e mira, Allahu di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes më kini dro!" (El Bekare, 197).(6)
Prandaj, nuk duhet konsideruar farzet e lartcekura thjesht një rutinë. Assesi. Ato ndikojnë që besimtari me kalimin e kohës të kalitet për punë dhe vepra të mira, dhe të largohet nga punët e liga dhe të këqija.

(Vijon)



(1) Për shkak të rëndësisë së temës, kjo temë do të paraqitet në 3 numra radhazi.
(2) "El-Ahlak El-Islamije ve Ususuha", Abdurrahman Habenneke El-Mejdani.
(3) Transmeton El-Bezzar, dhe Ebu Jala.
(4) Mevsuatu El-Ahlak, Halid El-Harraz, f. 58.
(5) Transmeton Imam Buhariu.
(6) Hulukul Muslim, Muhamed El-Gazalij, f. 9.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme