Urtësia e haxhit dhe e kurbanit në islam!


Urtësia e Haxhit në Islam!

Haxhi (haxhillëku) do të thotë vizitë e vendeve të caktuara, në rend të parë Qaben e Arafatin, në kohën e caktuar, në muajt e haxhit, duke kryer veprime të caktuara.(1)
Kryerja e haxhit është obligim për të cilën jemi të obliguar vetëm një herë gjatë jetës, dhe atë kur njeriu i fiton dhe plotëson të gjitha kushtet. Këto kushte janë: që njeriu të jetë mysliman, pastaj të dijë se kjo është një detyrim, të jetë i rritur nga pikëpamja e Sheriatit, të jetë i arsyeshëm, i lirë, i shëndetshëm nga sëmundjet që e pengojnë atë të lëvizë dhe të kryejë Haxhin dhe të ketë burime materiale që tejkalojnë nevojat e tij themelore.(2)
Për urdhrin e Haxhit, si kushti i pestë islam, Krijuesi i Plotfuqishëm theksoi në fjalët vijuese: “Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton). ” (Ali-Imran, 97).
Haxhi është një nga veprat më të mira dhe më të vlefshme në Islam. Kur të Dërguarin e Allahut a.s., e pyetën se cilat vepra janë më të mira, ai u përgjigj: “Besimi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij!" Ata pyetën përsëri: "Dhe pas kësaj?", ai tha: "Lufta në rrugën e Allahut!" Ata vazhduan: "Dhe pastaj?" Pejgamberi a.s., u përgjigj: "Haxhi i kryer në mënyrë të saktë!”(3)
Transmetohet se Muhamedi a.s., ka thënë: “O njerëz, Allahu ju ka bërë obligim Haxhin, prandaj kryejeni atë ...”(4)
Po ashtu, i Dërguar i Allahut a.s., ka thënë: “Islami bazohet në pesë gjëra: Dëshminë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s., është i Dërguari i Allahut, faljen e namazit, dhënien e zekatit, kryerjen e haxhit dhe agjërimin e muajit të Ramazanit”.(5)
Është shumë e rëndësishme të theksohet një gjë: Sipas fjalëve të Muhamedit, a.s., Allahu xh.sh., nuk e pranon haxhin nëse në pasurinë e njeriut, të cilën e ka shpenzuar për ta përmbushur këtë detyrim, ekziston edhe sa një thërrmijë haram. Allahu i Lartësuar e pranon haxhin vetëm nga fitimi hallall dhe vetëm nëse haxhi kryhet ekskluzivisht në emrin e Tij.
Pejgamberi a.s., ka thënë në një hadith: “Kur njeriu e kryen haxhin me pasurinë e fituar haram dhe thotë: Lebbejk! (Unë po të përgjigjem Ty!), Allahu xh.sh., thotë: Nuk m'u përgjigje dhe nuk më lumturove.”(6)
Haxhi është kulmi i devotshmërisë! E shihni që ai është i fundit në kushtet e islamit. Është ajo shkallë në jetën e njeriut që plotëson imanin e njeriut. Kjo është arsyeja pse mufesirët thonë se haxhi është "plotësimi i besimit".
Është konfirmuar nga Omeri r.a., se ka thënë: “Le të vdesë si hebre ose si i krishterë!" - e përsëriti këtë tre herë - "një njeri që vdes dhe nuk e kryen haxhin, dhe ai kishte mundësitë, dhe refuzoi ta kryente atë".(7)
Shpërblimi për kryerjen e saktë të Haxhit është Xheneti. I Dërguari i Allahut a.s., për këtë sjell lajmë të mirë dhe thotë: “Për haxhin e kryer siç duhet, nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit.”(8) Këto dhe mirësitë e tjera i meriton ai që ka qëllim të sinqertë dhe të drejtë dhe që ndjek saktë praktikën e të Dërguarit të Allahut a.s..

Arafati - vendi i njohjes

Arafat është një vend i njohjes. Qëndrimi në këtë vend, në një turmë madhështore, simbolizon takimin e njerëzve me Allahun pas ringjalljes së tyre, në Ditën e Ringjalljes. Të marrësh me vete njohurinë për atë orë të shkëlqyer - është një nga kuptimet më të larta të haxhit. Muhamedi a.s., ka thënë: “Në asnjë ditë Allahu xh.sh., nuk largon më shumë rob nga zjarri si në Ditën e Arafatit”.(9)
Pejgamberi a.s., gjithashtu ka thënë: “Agjërimi në ditën e Arafatit fshin mëkatet nga viti që ka kaluar dhe viti që do të vijë”.(10)
Në Arafat, Muhamedi a.s., e mbajti fjalimin e tij, i cili është ruajtur me besnikëri nga tradita dhe përmban shumë segmente - falënderime ndaj Allahut, udhëzime në nocionin e udhëheqjes në Islam, tevhid, kelime e shehadet, vetë nocioni Et-Takva - vetëdije për Allahun, parimet themelore të marrëdhënieve ndër-personale, si dhe ndalimet në Islam, gjakmarrjen, kamatën, padrejtësinë, magjinë dhe borxhet. Ai i kushton një vend të veçantë rregullimit të kontratave, parimit të krijimit dhe marrëdhënieve në martesë, parimit të trashëgimisë, vrasjes pa dashje dhe me dashje, muajve të bekuar, nevojës për vëllazërimin islam midis myslimanëve dhe udhëzimeve për myslimanët deri në Ditën e gjykimit.

Urtësia e kurbanit në Islam!

Vetë fjala kurban, në një kuptim më të gjerë, do të thotë “sakrificë dhe ajo çfarë po flijohet”. Në një kuptim më të ngushtë fetar, i zakonshëm në mesin tonë dhe shumë myslimanëve të tjerë në botë, kjo do të thotë kafshë, e cila flijohet sipas rregullave të fesë, në ditët e Kurban Bajramit.
Therja e kurbanit është vaxhib (detyrim), në çka na adresojnë së pari fjalët e Allahut xh.sh., ku thotë në suren El-Kevther: “Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd! E s'ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur. ” (El-Kevther, 1-3).
Në këtë na drejtojnë edhe vetë fjalët e Pejgamberit a.s., ku thotë: “Kush është në mundësi që të therë kurban, e nuk e therë atë, le të mos i afrohet musllave tona”(11) pra, vendeve të destinuara për falje të namazit të bajramit.
Së pari, rëndësia e kurbanit reflektohet në faktin se ai është një akt i bindjes ndaj Allahut xh.sh., d.m.th. adhurim. Kur Allahu xh.sh., na urdhëron diçka, ne duhet ta bëjmë atë dhe madje nëse nuk kuptojmë pse dhe madje edhe kur nuk na vjen mirë për këtë.
Ne kemi shembull te Ibrahimi a.s., i cili vetëm për shkak të një ëndrre në të cilën dëgjoi urdhrin e Zotit të Tij ishte i gatshëm që të sakrifikonte fëmijën e tij. Besimi, bindja dhe dashuria e tij ndaj Allahut u vunë në provë. A e ke më të dashur fëmijën tuaj se Allahun, a mund të sakrifikoni atë që është më e dashur për ty në emrin tim? Allahu donte ta provonte dashurinë e tij, por, edhe sot dashuria jonë për Allahun vihet në provë.
Nëse nuk jeni në gjendje të sakrifikoni ndonjë gjë në emër të Allahut, të sakrifikoni një kurban, të sakrifikoni mjete materiale, të sakrifikoni kohën tuaj të lirë për hir të Islamit, të sakrifikoni komfortin dhe rehatinë që gëzoni, të sakrifikoni nëse është e nevojshme edhe jetën tuaj, dijeni se nuk e keni kaluar provimin. Ibrahimi, siç dihet e kaloi këtë provim të tij, megjithëse vonoi përmbushjen e urdhrave të Allahut, sepse kush është i gatshëm t’i marrë jetën fëmijës së tij. Nëse prindërit do të mund të zgjidhnin, ata me siguri do të zgjidhnin që ata të vdisnin, kurse fëmijët e tyre të jetonin, dhe si është atëherë të ngresh dorën kundër fëmijës tënd dhe ta vrasësh atë. Sakrifica që ne i ofrojmë Allahut në formën e kurbanit është një formë e mirënjohjes dhe devotshmërisë sonë, ku ne vetëm themi: ”Dëgjuam dhe jemi bindur”.
Pastaj, përveç bindjes që ne shprehim derisa therim kurban, ne do të theksojmë një qëllim tjetër të therjes së kurbanit, dhe ai është vendosja e harmonisë në marrëdhëniet ndër-personale. Ne e dimë shumë mirë se kur e therim kurbanin, duhet të shpërndajmë një të tretën e mishit tek të varfrit, një të tretën tjetër te miqtë, të afërmit dhe fqinjët, pavarësisht nëse ata janë myslimanë apo jo, dhe një të tretën e fundit mund ta mbajmë për veten.
Dhe do të doja të theksoja edhe një gjë, dhe kjo është se kurbani në vendin tonë është bërë tek disa si gjë formale dhe çështje adeti, e më pak besimi dhe adhurimi. Si ashtu? Kur të shohim përreth fshatrave dhe lagjeve tona, do të shohim se pak ka të tillë që nuk therin kurban. Duke gjykuar nga përulësia që ata tregojnë kur blejnë, kujdesen e therin kurban, mund të themi se ata janë besimtarë të vërtetë, por është e pakuptueshme pse të njëjtët këta njerëz nuk janë të lidhur fort me namazin, agjërimin dhe të ngjashme. Këta njerëz nuk kanë shkuar tutje nga kuptimi formal të cilin e ka kurbani.
Ai që e kryen këtë veprim me qëllimin ekskluziv për të fituar kënaqësinë e Allahut xh.sh., dhe për të treguar bindjen e tij me këtë veprim, kurbani i tij do të jetë me të vërtetë, siç thotë Pejgamber a.s., kalorësi i tij përtej urës së Siratit.
Aishja r.a., transmeton se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Vepra më e mirë e njeriut dhe ajo që Allahu e do më shumë në Kurban Bajramin është derdhja e gjakut të Kurbanit. Me të vërtetë Kurbani në Ditën e Kiametit do të vijë me brirët, leshin dhe thundrat e tij. Në të vërtetë, gjaku i Kurbanit arrin tek Allahu para se të bjerë në tokë, prandaj veproni mirë me kurbanët.”(12)
Kurse, në hadithin vijues, Pejgamberi a.s., thotë: „O njerëz, therni kurban dhe llogaritni shpërblimin për gjakun e tij, sepse me të vërtetë gjaku i kurbanit, edhe pse bie në tokë, ruhet nga Allahu i Madhërishëm e i Lartësuar”.(13)


_______________________
1. Muhamed Seid Serdarevi?, Fikhul-ibadat, Sarajevë, 1968, f. 180.
2. Për më shumë, shih në: Abdulhamid Mahmud Tuhmaz, Hanefijski fikh 1, Sarajevë, 2002, f. 561-564.
3. Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi (Muttefekun alejhi).
4. Hadithin e shënon Muslimi.
5. Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi (Muttefekun alejhi).
6. Hadithin e shënon Dejlemiu.
7. Hadithin e shënon Bejhekiu.
8. Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi (Muttefekun alejhi).
9. Hadithin e shënojnë Muslimi dhe Nesa'iu.
10. Hadithin e shënon Muslimi.
11. Hadithin e shënon Hakimi.
12. Hadithin e shënojnë Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu.
12. Hadithin e shënon Taberaniu.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi