Tregon Ebu Vakidi El-Lejthij se: ”Vërtet derisa Resulullahu a.s. ishte ulur në xhami me njerëzit, papritmas erdhën tre persona. Dy prej tyre erdhën te Profeti a.s., ndërsa njëri u largua. (Ebu Vakidi thotë): Ata dy u ndalën para Profetit a.s., njëri prej tyre e kishte parë një vend të zbrazët në rreth dhe ishte ulur aty. E tjetri ishte ulur prapa tyre (rrethit). E i treti u largua duke ikur. E, pasi Profeti a.s. u lirua, tha: ”A doni t’ju tregoj se kush ishin ata tre persona? Sa i përket njërit prej tyre ai u strehua tek Allahu dhe e mori në strehimin e Tij. Sa i përket tjetrit atij i erdhi turp, edhe Allahu u turpërua prej tij. Sa i përket të tretit, ai e braktisi, edhe Allahu e braktisi atë”.(1)
Fjalët e panjohura në hadith
Fjala (akbele) është folje me kuptimin: vjen, afrohet, ecën përpara, ardhje, vjen tek dikush.
Fjala (nefer) nënkupton tre deri nëntë veta, persona a burra. Kur themi erdhën tre veta, nënkuptohet tre burra. Ata tre persona erdhën nga rruga në këmbë dhe u futën në xhami. E kur panë befasisht mexhlisin e Resulullahut a.s.,dy prej tyre erdhën në mexhlis, e i treti u largua dhe shkoi.
Fjala (furxhe) ka kuptimin: vrimë, shteg, hyrje, themi furxhetul miftahi — vrima e çelësit. Këtu në hadith e ka kuptimin vend i zbrazët apo i lire në mexhlis.
Fjala (eva), ka kuptimin e kërkim strehimit -legje-e, themi -ava ila firashihi — shkoi për t’u shtrirë në krevatin e tij. Ndërsa –ava- e ka kuptimin e atij që i ofron dikujt strehim apo mbrojtje. Këtu në hadith ka kuptimin se personi në fjalë kishte kërkuar strehim tek Allahu me veprën e tij, e Allahu e kishte marrë dhe pranuar në strehim, mëshirë, kënaqësi e mbrojtje të Tij. Paskajorja është iivahu — strehim, mbajtje, mbrojtje.
Shpjegimi i hadithit
Secili prej tre personave në ketë ndodh, paraqet botë në vete. Këtu përshkruhet forma dhe mënyra e dhënies së dijes nga burimi i parë, që ishte Profeti a.s., si udhëzues dhe mësues i shokëve të tij dhe ummetit në përgjithësi.
Në hadith nuk theksohet nëse këta persona kishin falur namazin përshëndetës të xhamisë — tehijjetul mesxhid. Kjo ka mundur të kishte ndodhur për disa arsye:
a) Namazi përshëndetës i xhamisë nuk është obligim-vaxhib;
b) Deri në atë kohë nuk kishte ndonjë dispozitë rreth këtij namazi;
c) Apo koha kur kishin hyrë ata në xhami, ka qenë kohë kur namazi është e urryer të falet;
d) Ndoshta ata të dy persona nuk kishin pasur abdest;
e) Apo ata të dy e kishin falur namazin përshëndetës, po këtë të mos e kishte përmendur transmetuesi i hadithit.
Qëndrimi i dy personave në mexhlisin, ndenjen e Resulullahut a.s. tregon për vlerën që ka hallka - rrethi, si mënyrë e të nxënit të dijes dhe mënyrë e veçantë e të përkujtuarit të Allahut xh.sh. me mësim dhe lexim.
Ulja e personit në vendin e zbrazët, pa e penguar fare ligjërimin e Profetit s.a.v.s., pa i shqetësuar ashabët që ishin përreth tij, pa ngushtuar askënd në mexhlis, tregon për etikën dhe edukatën e lartë që kishte personi në fjalë. Njëherësh ky qëndrim i tij është mesazhi më i mire se si studenti, nxënësi, audienca duhet të kenë edukatë dhe sjellje dinjitoze përballë mësuesit dhe të pranishmëve në ligjërim dhe marrje të dijes.
Pra, është e pëlqyeshme që ndonjëri prej nesh, kur të hasë në mexhlis, ndenjë a tubim, të ulet në vendin e lirë e të zbrazët dhe jo të shkaktojë zhurmë dhe çrregullim të ndenjes. Po ashtu kjo vlen edhe për plotësimin e sa?t në namaz, duke pasur gjithmonë në konsideratë të mos bëhet duke penguar a shqetësuar të tjerët.
Strehimi i personit në mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut xh.sh. tregon më së miri për pozitën, vlerën dhe rëndësinë e dijes dhe të alimit (dijetarit).
Vlera e dijes — ilmit dhe alimit në hadith
Islami nuk i ka kushtuar askujt rëndësi më shumë se dijes-ilmit dhe alimit të saj. Dija në Islam konsiderohet rruga e vetme e ngritjes, përparimit dhe vetëdijesimit të ummetit. Ilmi është cilësi e veçantë ku nuk ka fjalë kontradiktore. Ajo është cilësia më e vlefshme, ngase rreth saj ndodh çdo gjë. Ajo është vetë vlera, prandaj nuk ka vlerë mbi vlerë. Ilmi është prej Cilësive të Allahut xh.sh.. Për vlerën e ilmit dhe ulemasë tregon edhe ky varg i Kur’anit: ”Dhe këta shembuj Ne i paraqesim për njerëzimin, por askush nuk do t’i kuptojë përveç ulemasë — të diturve”. (El Ankebut, 43).
Ky ajet ulemanë e veçon nga kategoritë e tjera të njerëzimit për nga aftësitë dhe kapacitetet e të kuptuarit, dhe në këtë drejtim ata janë të veçuar tek Allahu dhe tek njerëzimi në këtë botë.
Për nga dëshmia për Njëshmërinë e Allahut ulemaja janë radhitur menjëherë pas Allahut dhe melekëve.
Hadithet që tregojnë pozitën e ulemasë janë të pakufishme. Profeti a.s. thote: ”Vërtet për alimin luten ç’ka në qiej (prej krijesave) dhe ç’ka në tokë, edhe peshqit (balenat) në thellësi të oqeanit”(2)
Për vlerën dhe pozitën e alimit në Botën e pastajme, Profeti a.s. shkon edhe më larg duke e mbivlerësuar mbi gjakun e dëshmorit. Në këtë kontekst, Profeti a.s. thotë: ”Ditën e Kiametit do të peshohet ngjyra (shkrimi) e ulemasë me gjakun e dëshmorëve. Ngjyra e ulemasë do ta mbi peshojë gjakun e dëshmorëve”.(3)
Ky hadith është tregues i qartë se ulemaja kanë vlerë më të madhe se luftëtarët në rrugën e Allahut, ngase shpërblimi për shkrimin e librave, këshillat, fetvatë e ligjet, mbipeshon shpërblimin e gjakut të dëshmoreve.(4)
Me ngjyrën a shkrimin e dijetarëve lindin luftëtarët në rrugën e Allahut, udhëheqësit e drejtë, njerëzit e devotshëm etj.. Poeti thotë: ”O kërkues i dijes profetike,.. ju dhe të tjerët nuk jeni të barabartë. Aty ku ngjyra e lapsave tuaj derdhet... ajo është më e lartë dhe më me peshë se gjaku i dëshmorëve".(5)
Në një hadith kudsij Allahu xh.sh. Ditën e Kiametit u thotë ulemasë: “Vërtet dijen dhe urtësinë Time nuk ua kam dhënë juve, por për atë që keni poseduar (nga dituria) ju, Unë dëshiroj t'ju fal pa u mërzitur fare.”(6)
Angazhimi i alimit do të shpërblehet me falje të plotë nga Allahu Fuqiplotë, ngase alimi me ditë të tera ishte i izoluar, e me net të tera ishte pa gjumë, nuk e shijoi dritën e diellit e as nxehtësinë e tij, vetëm e vetëm që t’i udhëzonte njerëzit.
Një përshkrim të mirë e bën Aliu r.a., i cili thotë: “Dija të bën të gjykosh, ndërsa pasuria të gjykon ty. Shpenzimi e pakëson pasurinë, ndërsa e rrit dijen”.
Ibn Abasi thotë: ”Sulejmanit a.s. i është mundësuar të zgjidhte ndërmjet dijes, pasurisë dhe pozitës. Ai e zgjodhi dijen-ilmin, e përmes saj i erdhën pasuria dhe pozita”.
Ibn Mubareku është pyetur kush janë më të mirët prej njerëzve. Ai u përgjigj: Ulemaja. E prej udhëheqësve, kush janë? Asketët (ata që nuk jepen shumë pas dynjasë) - u përgjigj. E prej njerëzve të rëndomtë? Ata që dynjanë e japin për fe — u përgjigj ai.
Imam Gazaliu, duke komentuar thënien e Ibn Mubarekut, thotë: ”Prej njerëzve zgjodhi dijetaret-ulemanë, ngase njerëzit mbetën njerëz dhe janë të veçuar prej krijesave të tjera vetëm për nga ilmi (dituria), e jo për nga forca, se deveja është më e fortë se njeriu, e as për nga madhësia, sepse elefanti është më i madh se njeriu, e as për nga trimëria, sepse ka nga egërsirat që janë më trime se njeriu, e as për nga ngrënia, sepse ka prej kafshëve që e mbushin barkun e tyre shumë më tepër se njeriu. Pra, njeriu vetëm për nga ilmi është i veçuar dhe i krijuar në këtë formë të bukur”.
Elokuenca e hadithit
Hadithi bazë tregon për një metodë të lehtë të Resulullahut a.s., që konsiston me rrethanat e kohës dhe me mentalitetin e dëgjuesit që, përmes pyetjes, nxit interesim dhe vëmendje për ta dëgjuar përgjigjen që i jepet. Profeti a.s. ka përdorur çështjen e ”Përngjasimit –El-Mushkale", d.m.th. kur fjala vjen në një fjali dy herë, herë në formën e vërtetë e herë në metaforë, sikurse fjala ”Atij i erdhi turp”, këtu fjala ”turp” është përdorur në kuptimin e vërtetë, ngase kthehet tek personi, kurse në fjalinë ”Edhe Allahu u turpërua prej tij”, fjala ”u turpërua” është përdorur në kuptimin metaforik, ngase ka të bëjë me Allahun xh.sh., e kuptimi i vërtetë është se Allahu nuk do ta dënojë atë person dhe do ta përfshijë në mëshirën e Tij, edhe pse ndoshta nuk e ka merituar atë, e kjo për hir të prezantimit në mexhlisin e dijes.
Për personin e tretë në hadith, Profeti a.s. shprehet me shprehje gjykuese dhe qortuese, ngase ai u kthye dhe e refuzoi mexhlisin me një edukatë dhe sjellje të ulet. Fjala E’arada d.m.th. refuzoi, duke ia kthyer shpinën dhe mori ikën. Fjala ”Edhe Allahu e braktisi (refuzoi) atë", ka ardhur në formën metafore, d.m.th. që ai e meriton dënimin e Allahut për sjelljen dhe refuzimin që beri ndaj mexhlisit të Profetit a.s..
Ibn Haxheri thotë: ”Kërcënimi në hadith ka të bëjë me personin që refuzon mexhlisin pa arsye dhe justifikim, pra, nëse është musliman. Ka mundësi që hadithi i drejtohet muna?kut-hipokritit, ngase Profeti a.s. e dinte se ç’fshihte ai në zemër me atë veprim të ulët.
Nga hadithi bazë përfitojmë mësimin se lejohet kritika dhe përmendja e mëkatarëve që mëkatojnë haptazi, në mënyrë që të ndihen të ngushtuar e të pendohen nga veprimet e tyre. Dijetaret një gjë të tillë nuk e kanë konsideruar përgojim.
Po ashtu hadithi tregon për rëndësinë që u duhet kushtuar rendeve apo hallkave të mësimit në xhami, si dhe uljes para alimit për të përfituar prej dijes, përvojës dhe moralit të tij.
Tregohet se një here Resulullahu a.s., doli dhe papritmas pa dy mexhlise: ne te parin lexonin Kur’an, bënin lutje dhe kujtonin Allahun xh.sh; kurse ne te dytin Zhvillonin mësim. Atëherë Resulullahu a.s. tha: ”Ata qe lexojnë Kur’an dhe bëjnë lutje e kujtim, nëse Allahu do, atyre ua plotëson, ua jep atë qe kërkojnë, e, nëse do, nuk ua plotëson lutjet. Ndërsa, për sa u përket atyre qe i mësojnë njerëzit dhe mësojnë vete, atëherë Unë jam dërguar mësues". Resulullahu a.s. u ul me këta te fundit ne mexhlis”.(7)
Kështu Profeti a.s. i dha përparësi mexhlisit ku Zhvillohej mësimi dhe u tregoi se profesioni i tij ishte mësimdhënia. Te mësuarit e Profetit ka qene nga Allahu xh.sh. e jo nga njerëzit. Te gjithë profetët kane qene mësues dhe edukues te njerëzimit brez pas brezi dhe ata konsiderohen njëkohësisht burim i pare i dijes ne sipërfaqen e Tokës.
______________
1)”SahihulBuhari”, v.1 f. 36, nr. 66; ”Sunen Et-Tirmidhij”, v. 5 f. 73, nr. 2724.
2) ”Sunen Ebi Davud", V. 2 f. 341, nr. 3641; ”Et—Tirmidhij”, v. 5 f. 48, nr. 2682.
3) E1-Axhlunij, ”Keshful hafai”, v. 2,f. 2283, nr. 3281; Ibn Haxher, ”LisanuI mizan”, v. 5 f. 225, nr. 794.
4) El-Munavij, ”FejdulKadir”, v .6 f. 362, nr. 9619.
5) ”Keshful hafai”, v. 2 f. 2283.
6) El-Hejthemij, ”Mexhmeuz-Ze-vaid", v. 1 f. 336, nr. 527.
7) "Suns-n Ibn Maxhe”, v. 1 f. 83, nr.229, Tahrixh hadith Ihja ulumid-din, v. 1 f. 15, nr. 10.
Prof. Ass. Dr. Musa Vila