Nga këto të drejta të Pejgamberit a.s. mbi këtë ymet është që ne ta besojmë Muhamedin a.s., sepse askush nuk mund te jete mysliman nëse nuk e pranon dhe e beson atë pa mëdyshje: “Prandaj besoni Allahun, të Dërguarin e Tij dhe dritën (Kuranin) që ju kemi zbritur.” (Et- Tegabun, 8)
Besimi dhe bindja në pejgamberinë e Muhamedit a.s. nënkupton pasimin e plotë të tij nga ana e myslimanëve. Kjo është veçanti e Pejgamberit a.s .. Kjo bindje kërkon ndjekjen duke iu bindur në atë që ai ka urdhëruar dhe duke iu shmangur asaj që ka ndaluar: "Çforëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t'ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” (El-Hashër. 7).
Allahu e ka lidhur bindjen ndaj të Dërguarit të Tij me bindjen ndaj Tij në shumë ajete kuranore. Ka kërkuar nga ne që ta marrim atë si shembull dhe model: "Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (El-Ahzab,21).
Vetë Pejgamberi a.s. ka thënë: “Përmbajuni sunetit tim dhe të halifeve të drejte.” Pasimi i vërtetë i Pejgamberit arrihet vetëm përmes braktisjes së pasionit dhe të nefsit, dhe ndjekjes së praktikës së tij duke iu kthyer së vërtetës me sinqeritet dhe besim të mirëfilltë. Prej të drejtave të Pejgamberit a.s. është dashuria ndaj tij nga ana e myslimanëve. Pejgamberi a.s. në hadithin që e transmeton Buhariu thotë: ''Pasha Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nuk ka besuar asnjëri nga ju derisa të mos jem unë për të më i dashur se babai, djali dhe të gjithë njerëzit.”
Sahabët e donin Pejgamberin a.s. më shumë se veten dhe familjet e tyre. Nuk i ngopnin sytë e tyre duke e shikuar atë. E mbronin me trupat dhe gjokset e tyre. Dashuria e tyre ndaj tij nuk ishte dashuri e thatë dhe e zhveshur, por ishte dashuri e shoqëruar me besnikëri dhe bindje, dashuri e pastër qiellore, që kishte për qëllim zbatimin e urdhrave të Zotit dhe të Dërguarit të Tij.
Prej të drejtave të Pejgamberit është respekti dhe mos ngritja e zërit. Allahu i Plotfuqishëm ka thënë: "O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e kuptuar fare.” (El-Huxhurat, 2).
Ky ajet ndalon ngritjen e zërit lart ndaj tij, dhe ndalon që ta thërrasim atë vetëm me emër.
Allahu i Plotfuqishëm ka thënë: "Mos ia drejtoni thirrjen të Dërguarit, njësoj si thirrjen që ia bëni njëri-tjetrit.” (En-Nur, 63).
Pra, mos thuaj 'O Muhamed’, por thuaj: 'O i Dërguari i Allahut’, 'O Pejgamberi i Allahut'. Në qoftë se vetëm ngritja e zërit i humb veprat e mira, atëherë si qëndron puna me mospërfilljen ndaj të Dërguarit apo të dhënit përparësi mendimeve tona ndaj fjalëve të ti?!
Prej të drejtave të Pejgambeit është mbrojtja e tij: "Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (El-Araf 157).
Allahu e ka kërcënuar me dënim të dhembshëm atë që nuk e ndihmon.
Ndihma e Pejgamberit gjatë jetës së tij dhe pas saj, duke pëfshirë edhe mbrojtjen e fesë islame është obligim dhe detyrim. Kjo ndihmë nënkupton mbrojtjen e fesë islame dhe të sunetit të tij. Prej të drejtave të tij ndaj ymetit është edhe ruajtja e familjes së tij dhe e bashkëshorteve, të cilat Allahu i ka fisnikëruar dhe i ka pastruar: "Allahu ka si qëllim që nga ju, o familje e shtëpise (së Pejgamberit) të largojë ndyrësinë e mëkateve dhe t’ju pastrojë deri në skaj...” (El-Ahzab, 33).
E kemi për obligim t'i dërgojmë salavate Pejgambetit a.s, dhe kur dëgjojmë ezanin t’i dërgojmë lutje.
O Allah, na dhuro ndërmjetësimin e tij, na bëj ta shoqërojmë atë në Xhenet dhena ndihmo t'i kryejmë obligimet tona ndaj Pejgamberit a.s.!
Dituria Islame 368-369