Allahu xh.sh thotë: “Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhennetit.”
Muhamedi a.s thotë: “Ka thënë Allahu xh.sh. me një hadith kudsij: “Robërve të Mi të mirë i kam përgatitur në Xhennet atë që syri nuk e ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe zemra e njeriut nuk e ka parafytyruar”.
Në Kuran Xhenneti është përmendur 66 herë, kurse Xhehennemi 77 herë.
“…Kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehennemit dhe hyn në Xhennet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet) …” (Ali Imran 185)
Xhenneti është njëra ndër krijesat më të mëdha të Allahut Fuqiplotë.
Në Xhennet për momentin nuk është askush tjetër përveç shpirtrave të pejgamberëve dhe shehidëve.
Xhenneti është vendi i të gjitha kënaqësive më të mëdha, i rehative më të kënaqshme, i gëzimeve më të hareshme, i bisedave më të këndshme, vend ku nuk ka lodhje dhe mërzi. Xhenneti është vend me pastërti absolute, nuk ka papastërti dhe nuk mund të bëhet papastërti, është vend ku të gjitha këto përjetohen.
Xhenneti është shpërblimi më i madh të cilin Allahu i Madhërishëm e përgatiti për më të dashurit e Tij. Xhenneti është begati e plotë që nuk ka mangësi.
Ajo që Allahu i Madhërishëm dhe i dërguari i Tij na tregojnë për të habit mendjet, sepse mendja nuk mund të konceptojë dhe të përfytyrojë madhështinë e asaj begatie.
“Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve Xhennete (kopshte), nëpër të cilat rrjedhin lumenj, dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhennetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore”. (Tevbe 72)
Xhenneti është njëra ndër krijesat e para të krijuara, d.m.th. ekziston edhe Xhenneti edhe Xhehennemi në qoftëse mohohet mosekzistimi i tyre kalohet në kufër (mosbesim). Mëshira e madhe e Allahut është se e krijon vendshpërblimin para se ta krijojë krijesën që do ta shpërblejë. Për ekzistimin e Xhennetit dhe të Xhehennemit kemi shumë argumente, si p.sh.:
1.) Krijimi i Ademit a.s në Xhennet, dhe nga ai në Xhennet është krijuar edhe gruaja e tij Hava.
2.) Deklarimi i Muhamedit a.s se e ka parë Xhennetin dhe Xhehennemin në natën e Israsë dhe Miraxhit.
3.) Dëgjimi i ushtimës së gurit nga Muhamedi a.s dhe shokët e tij i cili ra në fund të Xhehennemit.
4.) Përgëzimi i disa Sahabëve (shokët e Muhamedit) me Xhennet sa ishin gjallë.
5.) Thënia e Muhamedit a.s se: “Kur të vjen muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhennetit, mbyllen dyert e Xhehennemit dhe lidhen shejtanët me pranga”
6.) Thënia e Muhamedit a.s se Xhenneti ka 8 dyer, kurse Xhehennemi ka 7 dyer. ...etj.
Mos ta quajmë Xhennetin: Parajsë, dhe Xhehennemin Ferr, por t’i quajmë ashtu siç i ka quajtur Allahu në Kuran pra: Xhennet dhe Xhehenem.
Xhenneti është vendi ku të gjithë ëndërrojmë, vendi ku jemi të përmalluar për te, vendi ku lodhemi për te, vendi ku bëjmë sabër për te, vendi për të cilin bëjmë gara kush po e fiton, vendi i cili është caku i fundit për atë që ruhet nga gjynahet, vendi që synohet për atë që i përkushtohet Zotit të Madhërishëm.
Allahu xh.sh thotë: “E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te Xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: “Selamun Alejkum - qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në te, aty jeni përgjithmonë. E ata të (Xhennetit) thonë: “Falënderuar qoftë Allahu i cili premtimin e Vet e realizoi ndaj nesh dhe na e la në disponim tokën e Xhennetit që të vendosemi aty ku të duam! Sa shpërblim të mirë ka për ata që vepruan drejtë!”(Zumer: 73-74)
Ku është Xhenneti dhe Xhehennemi?
Ku është Xhenneti dhe Xhehennemi e din saktësisht vetëm Allahu i Gjithëdijshëm, por sipas transmetimeve na shpjegohet se Xhenneti saktësisht është diku lartë p.sh: Argument për këtë e kemi kur Allahu xh.sh e zbriti Ademin a.s. nga Xhenneti në tokë, d.m.th. pasi e hëngrën pemën e ndaluar në Xhennet Allahu xh.sh iu tha:
“Zbritni! Ju do të jeni armiq me njëri-tjetrin. Në tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë të caktuar”. (E’araf 24)
Xhenneti do të afrohet në Ditën e Gjykimit pranë besimtarëve, Zoti thotë:
“Ndërsa besimtarëve të ruajtur xhenneti u afrohet krejt afër. Kjo është ajo që u premtohej për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë. Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer tek Ai me zemër të sinqertë. (U thuhet) Hyni në te, të shpëtuar, se kjo është dita e përjetshme. Ata aty kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë.”(Kaf 31-35)
Kurse Xhehennemi është diku poshtë , por jo në brendësi të tokës siç kanë thënë disa duke e argumentuar se toka është e zjarrtë në brendësi e dënimi i Xhehennemit është me zjarr.
Emrat e dyerve të Xhennetit
Thotë Allahu xh.sh: "... ata do t’i vizitojnë engjëjt duke hyrë në secilën derë. (u thonë) Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend."(Zumer 24).
Muhamedi a.s. ka thënë: “O rob i Allahut, kjo është e mira, e kush ka qenë prej atyre që e kanë falur namazin do të thirret nga dera e Namazit, kush ka qenë prej luftëtarëve do të thirret nga dera e Xhihadit, kush ka qenë prej agjëruesve do të thirret nga dera e Rejjanit, kush ka qenë prej dorëdhënësve do të thirret nga dera e Sadakas.
Tregohet se Allahu i Madhëruar ka përgatitur një derë të veçantë në Xhennet për ata që do të hyjnë pa dhënë llogari. Ajo është dera e Djathtë e Xhennetit.
Një derë tjetër quhet dera e Diturisë në të do të hyjnë vetëm ata që kanë pas dije dhe me dijen e tyre e kanë njohur Allahun dhe iu kanë nënshtruar Atij.
“... E kur të kërkoni prej Allahut, kërkojeni Firdevsin, se ai është mesi i xhennetit dhe është më i larti, mbi te është Arshi i Allahu dhe prej tij burojnë lumenjtë e Xhennetit.”
Kush do të hyjë i pari në Xhennet ?
Padyshim të parët në Xhennet do të hyjnë më të zgjedhurit e Allahut xh.sh. d.m.th. Pejgamberët, i pari prej tyre më i zgjedhuri i Allahut Muhamedi a.s., pastaj vazhdojnë të hyjnë në Xhennet të gjithë pejgamberët e Zotit, duke filluar grupi i Ulul Azmit (Më të zgjedhurit e më të zgjedhurve), pra i dyti do të hyj Ibrahimi a.s., i treti Nuhi a.s., i katërti Musa a.s., i pesti Isa a.s., pastaj do të hyjnë pejgamberët që janë përmendur në Kuran, pastaj pejgamberët Resul (Janë më të dashur se pejgamberët Nebij), pastaj pejgamberët Nebij.
Pastaj në Xhennet do të hyjnë umetet (popujt) pasues të sinqertë të rrugës së tyre. Të parët nga të gjithë umetët e tjera do të hyjnë umeti i Muhamedit a.s. e i pari prej këtij umeti do të jetë me i dashuri i Muhamedit a.s. e ai është Ebu Bekri r.a, ... etj.
Sa hapësirë ka një njeri në Xhennet?
Përgjigjen na e ka dhënë Allahu xh.sh. në Kuran, ku thotë:
“Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe Xhennetin që gjerësia e tij është sa gjerësia e qiellit e tokës, i përgatitur për ata që i besuan Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është dhunti e Allahut që ia jep kujt të dojë, e Allahu është dhurues i madh.” (Hadid, 21)
Në këtë ajet e shohim se Allahu xh.sh. na tregon për hapësirën e Xhennetit e cila është shumë e madhe, njeriu të tërën këtë hapësirë e ka në shfrytëzim për të përjetuar kënaqësitë e tij.
Sa është largësia në Xhennet e një njeriu nga njeriu tjetër i graduar?
Njerëzit edhe në Xhennet do të kenë vend special që është i tij personal, thënë ndryshe sikur që njeriu e ka dalluar Allahun xh.sh. me adhurim e përkushtim, edhe Allahu xh.sh. do ta dalloj me ekstra shpërblim dhe gradim. Ai i cili është më i mirë, më meritor, më i devotshëm, më i përkushtuar ... do të jetë më i graduar dhe më i lartësuar se tjetri në Xhennet. Argument për këtë është transmetimi i Ebu Seid El-Huderi r.al i cili rrëfen se i Dërguari i Allahut Muhamedi s.a.v.s., ka thënë: “Xhennetlitë që do të nderohen me shkallë më të larta do të mund t’i shohin Xhennetlitë tjerë aq lart, ashtu siç shihen yjet që shkëlqejnë nga fundi i natës, të cilët dridhen në horizont prej lindjes deri në perëndim.” Të pranishmit thanë: “O i Dërguari i Allahut, këto vendbanime të pejgamberëve, a mund t’i arrijë tjetër kush?” “ Gjithqysh! Pasha Atë në dorë të të cilit është shpirti im, ata të cilët besojnë Allahun dhe respektojnë pejgamberët” u përgjigj ai. ( Buhariu nr. 3016 dhe Muslimi nr. 5059 )
A ka vizita në mes banorëve të Xhennetit?
Banorët e Xhennetit do të mblidhen me njëri-tjetrin dhe do të bisedojnë për ngjarjet e ndryshme që u kanë ndodhur në dynja. Duke përshkruar një bisedë të tyre, Allahu xh.sh thotë: “Ata afrohen me njëri-tjetrin dhe bisedojnë” (Safat 50)
Banorët që janë të graduar më lartë në Xhennet kanë mundësi që t’i vizitojnë që janë më poshtë tyre, kurse këta që janë poshtë tyre nuk mund t’i vizitojnë ata që janë më lartë tyre; Për shkak se ky që është më i graduar ka kënaqësi e shpërblime më shumë se ky që është poshtë tij, dhe kur e viziton këta që janë poshtë tij sheh që edhe shpërblimet janë sipas gradimeve, sa ma i graduar aq ma i shpërblyer, dhe sheh ky njeri të njërëzit poshtë tij se nuk e kanë atë shpërblim që e ka ai, e për këtë e falënderon Allahun xh.sh.
Banorët e Xhennetit që janë më pak të graduar, nuk kanë mundësi t’i vizitojnë ata që janë më shumë të graduar, për shkak se sikur këta do t’i vizitonin do të shihnin te ta kënaqësi më të mëdha dhe do të lakmonin që t’i provonin, dihet që në Xhennet nuk ka diçka më të mbet marak, çdo gjë që e dëshiron veçse e shijon, e provon dhe e përjeton.
Drejtësia e Allahut është e përkryer.
A e njeh njeriu vendin e tij kur të hyj në Xhennet?
Është e logjikshme njeriu që nuk ka qenë në një vend mos ta njeh atë, sepse nuk e ka provuar ma parë. Por një gjë e tillë nuk ndodh për ata që shkojnë në Xhennet sepse këta kur të hyjnë në Xhennet do ta njohin shumë ma mirë se sa shtypin që kanë jetuar tërë jetën. Si argument për këtë çështje kemi thënien e Muhamedit a.s ku thotë: “... Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin e Muhamedit, secili prej tyre e di vendin e tij në Xhennet më mirë sesa shtëpinë e tij në këtë botë” (Buhariu)
Çfarë drite e ndriçon Xhennetin?
Xhenneti e ka dritën e vet, është i ndriçuar dhe nuk ekziston errësira në te, gjithmonë është ditë dhe nuk ka natë në te, ekzistojnë ditët në Xhennet si bëhet ndryshimi i tyre e din vetëm Allahu xh.sh, dihet që në ditën e Xhuma xhennetlitë takohen me Allahun.
Nuk ka diell në Xhennet dhe nuk ka ndonjë mjet tjetër ndriçues që të dhuroj dritë sepse nuk ka nevojë, ka deshtë Allahu xh.sh që Xhenneti të jetë i kompletuar me të gjitha të mirat e tij, pra edhe me dritën e tij.
Prej çfarë materiali do të jetë trupi i njeriut i ringjallur që të jetoj përgjithmonë ?
Materiali i ringjalljes së njeriut do të jetë nga përbërja tokësore që Allahu xh.sh do t’i jap fuqi përballuese, elemente përjetësie, tipare qëndrueshmërie, … se si do të jenë këtë e din vetëm Allahu xh.sh. D.m.th Njeriu do t’i përballoj diellit mbi kokë Ditën e Gjykimit. Kënaqësive të Xhennetit, dënimeve të Xhehennemit.
Sa është gjatësia e njeriut në Xhennet?
Ky ummet është ma shtatshkurtër dhe më jetëshkurtër nga ummetet e mëparshme.
Kur të bashkohen trupi dhe shpirti për herën e dytë, do të jetë bashkim për mos t’u ndarë më kurrë. Pa marr parasysh se çfarë gjatësie keni pas kur keni qenë në këtë botë, nëqoftëse jeni në Xhennet do të keni gjatësinë e babait tonë të parë Ademit a.s i cili ka qenë 60 dhira’a ( afërsisht 35-40 metra), nuk guxojmë të themi që kjo gjatësi është e madhe apo e vogël, por të themi se kjo gjatësi është më e mira e mundshme sepse është zgjedhje nga Allahu xh.sh, ku dihet që Allahu në Xhennet ka zgjedh për ne atë që është më e mira.
Muhamedi a.s thotë: “… Gjatësia e njerëzve në Xhennet është e njëjtë sa Ademi a.s 60 dhira’a-krahë”.
Çfarë bukurie kanë xhennetlitë?
Xhennetlitë janë shumë të bukur. Edhe vajzat apo gratë e tyre në Xhennet janë shumë të bukura, për bukurinë e tyre na e përshkruan Muhamedi a.s në një thënie të tij ku thotë: “Nëqoftëse del në sipërfaqen e tokës një grua prej grave të Xhennetit, ajo do ta mbushë hapësirën ndërmjet Xhennetit dhe tokës me një aromë të këndshme dhe do ta ndriçojë atë. Vetëm kurora mbi kokën e saj është më e mirë se dynjaja dhe çka në të” (Transmeton Taberaniu)
Ebu Hurejra r.a thotë: “Pasha Atë që ka zbritur Kuranin mbi Muhamedin a.s, banorët e Xhennetit zbukurohen çdo ditë ashtu siç plaken në dynja çdo ditë”.
Thuhet se i ngjasojnë bukurisë se Jusufit a.s që ka qenë njeriu me i bukur në tokë.
Njerëzve të cilës moshë i përngjajnë Xhennetlitë?
Të gjithë banorët e Xhennetit do të jenë në pamjen e njerëzve të moshës 33 vjeç
Ibn Abasi r.a tra se Muhamedi a.s ka thënë: “banorët e Xhennetit do të jenë përjetësisht të rinj, nuk kanë qime të tepërta në trup përveç flokëve, vetullave dhe qerpikëve. Ata do të jenë në lartësinë e Ademit 60 dhira’a, do të jenë në moshën e Isait birit të Merjemes 33 vjeç, … “.
D.m.th. xhennetlitë janë në pamjen e njeriut që ka 33 vjet në këtë botë.
Çfarë veçori kanë shqisat e njerëzve që hyjnë në Xhennet?
Trupi i njeriut që ka me hy në Xhennet është i rikrijuar në atë mënyrë që t’i shijojë e përjetojë kënaqësitë e Allahut xh.sh.
Kënaqësitë e Xhennetit, përjetimet më të mira të tij, shijet, bukuritë, ushqimet, pijet ... janë të pakufishme, ka me bollëk nga të gjitha.
Shqisat e njeriut të ringjallur që ka më hy në Xhennet, nuk janë të kufizuara siç kanë qenë në këtë botë, p.sh. Allahu xh.sh thotë:
“Ngado që të hedhësh sytë, do të shohësh lumni dhe një mbretëri të madhe” (Insan 20)
Sytë e njeriut në Xhennet nuk do të kenë pengesa për ta shikuar atë që e ka në pronësi, sepse në Xhennet nuk të mohohen gjërat. Por, ka me i shikuar pa pengesë çdo gjë, vetëm kështu kënaqesh me atë që e sheh.
Veshët e tij do të dëgjojnë zëra të mrekullueshëm të Xhennetit si të lumenjve, të zogjve, zërin e këndshëm të erës së Xhennetit, zërat e grave të tij në Xhennet, ... etj.
Gjitha gjymtyrët e trupit në Xhennet do t’i përjetojnë kënaqësitë e tyre.
Zoti thotë në Kuran: "Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre ..." (Araf 43)
Në një hadith, Profeti a.s jep disa hollësi mbi jetën në Xhennet. Ai thotë:"... zemrat do i kenë si një e vetme, nuk do ketë divergjenca mes tyre dhe as urrejtje."
Po ashtu Muhamedi a.s thotë: „ ... Kush hyn në të ka vetëm kënaqësi dhe nuk mërzitet, është i përjetshëm e nuk vdes kurrë, nuk i vjetrohen rrobat e qëndron përjetësisht, i ri në moshë“ (Tirmidhiu 2526)
Rreth faktit që zemrat e banorëve të Xhennetit do të jenë si një e vetme, dijetarët thonë: "Nëse njëri prej tyre do të dëshirojë diçka, Zoti do e bëjë atë gjë të dashur edhe për banorët e tjerë." Kështu, nëse njëri prej tyre ka dëshirë të lahet në lum, edhe të tjerët do e kenë këtë dëshirë. Në këtë botë, shohim shumë çifte bashkëshortësh që kanë shije të ndryshme dhe si rezultat shtohen dhe konfliktet dhe mosmarrëveshjet. Kurse në Xhennet do të jetë ndryshe. Me të dëshiruar diçka bashkëshorti/bashkëshortja, do e dëshirojë dhe tjetri. Në Xhennet nuk ka inati apo zili, por ka vetëm me u kënaq aty.
A flejnë banorët e Xhennetit?
Xhenneti është i pajisur vetëm me gjëra të mira, sikur që Xhehennemi është i pajisur vetëm me gjëra të këqija. Në këtë botë ka natë dhe ditë, kurse në Xhennet ka vetëm ditë. Dita është për t’u munduar e nata për të pushuar, ndërsa gjumi e rifreskon trupin.
Allahu xh.sh thotë: “Dhe gjumin tuaj ua bëmë për pushim” (Nebe’e 9)
Gjumi qenka për pushim në këtë botë sepse kemi punë dhe lodhje, e në Xhennet nuk ka punë, por ka vetëm pushim; nuk ka lodhje, por ka vetëm çlodhje, pra në Xhennet nuk ka gjumë. Në lidhje me këtë Muhamedi a.s thotë: “Gjumi është vëlla i vdekjes, kështu që banorët e Xhennetit nuk flejnë” (Buhariu dhe Muslimi)
A ka lindje apo a shumohen njerëzit në Xhennet, siç shumohen në këtë botë?
Në Xhennet nuk ka lindje me shumicë, siç ka në këtë botë. Por, përparësi kanë ata që nuk kanë pas fëmijë në këtë botë, kjo bëhet në Xhennet vetëm me dëshirë të posaçme. Në lidhje me këtë Muhamedi a.s thotë: “Kur besimtari dëshiron të ketë fëmijë në Xhennet, gruaja i mbetet shtatzënë, lind dhe rritet në një moment, ashtu sikurse dëshiron.” (Buhariu)
Këtu vlen të ceket se edhe njerëzit që kanë vdekur si fëmijë në këtë botë do të hyjnë të gjithë në Xhennet si të rritur d.m.th. do t’i përngjajnë njerëzve të moshës 33 vjeç.
Njerëzit janë të krijuar që pasi të jenë përgjigjur në Ditën e Gjykimit ose duhet të hyjnë në Xhennet ose në Xhehenem, varësisht për cilin vend ka punuar ma shumë.
Për njerëzit që punojnë për ta fituar Xhennetin Allahu xh.sh thotë:
“Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira-pikërisht ato janë krijesat më të mira. Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: Xhennetet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata, por edhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet.” (Bejine 7-8)
Para se të flasim për jetën e fundit që është e pafundme që njerëzit do ta jetojnë qoftë në Xhennet çoftë në Xhehenem, do të flasim pak për jetët e përkohshme shkurtimisht;
Njerëzit pasi t’i kenë jetuar jetët që konkretisht janë:
a.) Jetën e kësaj bote duke qenë me trupin e gjallë bashkë me shpirtin e pavdekshëm, një kohë të caktuar nga bashkimi i tyre në mitrën e nënës, e duke i ndarë trupin dhe shpirtin jo për të mos u bashkuar më, e duke e bërë trupin të vdes përkohësisht.
b.) Kur trupi të vdes e shpirti është jashtë tij, që të dy fillojnë të jetojnë një jetë tjetër që quhet Jeta e Berzahut (Jeta pas vdekjes para ringjalljes apo jeta para ribashkimit të trupit me shpirtin për mos u ndarë më kurr), kjo jetë është krejtësisht e veqant nga ajo paraprake.
c.) Jeta e Ditës së Gjykimit që është jeta pas ringjalljes para nisjes për në Xhennet apo Xhehenem. Siç na bëhet me dije se kjo Ditë që nuk ka natë do të zgjatë 50000 (pesëdhjëtë mijë) vjet. Pra është një jetë e veqant në këtë ditë.
Pasi të përfundojë për të gjithë njerëzit dita e pyetje-përgjegjjeve do të ketë tri llojë gjykimesh e që do të jenë:
a.) Gjykimi për njerëzit që do të hyjnë përgjithmonë në Xhennet.
b.) Gjykimi për njerëzit që do të hyjnë përgjithmonë në Xhehenem.
c.) Gjykimi për njerëzit që do të hyjnë përkohësisht në Xhehenem, e pastaj përgjithmonë në Xhennet.
Kur njerëzit do të kalojnë në jetën e fundit të përhershme shtrohet pyetja:
A më shumë njerëz do të ketë Xhenneti apo Xhehennemi?
Allahu xh.sh na tregon se shumica e xhinëve dhe njerëzve do të hyjnë në Xhehenem, në një ajet kuranor ku thotë:
”Ne krijuam shumë nga xhinët e njerëzit për xhehenem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.” (A’raf 179)
D.m.th. pakica e njerëzve do të hyjnë në Xhennet, kurse shumica e tyre do të hyjnë në Xhehenem.
Neve na intereson të dijmë se a më shumë ka Xhennetli a Xhennetlike, apo xhehenemli a xhehenemlike, me fjalë tjera;
Cila gjini dominon në Xhennet e cila në Xhehenem?
Për këtë çështje qartësisht na tregon Muhamedi a.s në një hadith ku thotë:
“(Gjatë Miraxhit) qëndrova në portën e Xhennetit dhe pash brenda. Ata që hynin aty, ishin, në përgjithësi, të varfrit. Kurse të pasurit ishin mbyllur (për të dhënë llogari). Ndërkaq, nga këta, të caktuarit për në Xhehenem ishte dhënë urdhër të hidheshin në zjarr. Unë qëndrova edhe në portë të Xhehennemit. Shumica e tyre që hynin aty, ishin gra!” (Buhariu dhe Muslimi)
Dhe pyetja e fundit për këtë çështje për të ditë një gjë edhe më në detaje është:
Sa është përqindja e pasuesve të Muhamedit a.s në Xhennet?
Një herë Muhamedi a.s u tha sahabëve:
“A jeni të kënaqur që të jeni çereku i banorëve të Xhennetit?” Ata i thanë se ishin të kënaqur dhe ai i pyeti përsëri: “A jeni të kënaqur që të jeni një e treta e banorëve të Xhennetit?” Ata iu përgjigjën se ishin të kënaqur, megjithatë ai i pyeti sërish: “A jeni të kënaqur që të jeni gjysma e banorëve të Xhennetit?” Ata thanë: “Po.” Në fund Muhamedi a.s u tha: “Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin e Muhamedit, unë shpresoj që të jeni gjysma e banorëve të Xhennetit!” (Buhariu)
Nga çka u krijua Xhenneti dhe si është përbërja e tij?
Ebu Hurejra r.a transmeton ku thotë: “E pyetëm Pejgamberin a.s, se me çfarë është krijuar Xhenneti? Ai u përgjigj: “Nga uji”. “Na trego rreth ndërtesave të Xhennetit? Ai u përgjigj: “Ka tulla prej floriri, tulla prej argjendi, balta e tij është prej misku (bimë aromatike), dheu i tij është prej shafrani, gurët e tij janë përla e diamante. Kush hyn në të ka vetëm kënaqësi dhe nuk mërzitet, është i përjetshëm e nuk vdes kurrë, nuk i vjetrohen rrobat e qëndron përjetësisht, i ri në moshë”. (Tirmidhiu 2526)
Në Xhennet ka lumenj që rrjedhin, për këtë gjë Allahu xh.sh në Kuran thotë:
"Pa dyshim, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu do t’i shpjerë në Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj ..." (Muhamed, 12)
"...Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj..." (Araf, 43)
Muhamedi a.s thotë: “Në Xhennet, secili ka një lumë prej mjalti, një lumë prej vere, një lumë prej qumështi dhe një lumë prej uji, pastaj nga ata degëzohen lumenjtë“. (Tirmidhiu)
Allahu xh.sh për këta lumenj thotë: "Ja premtimi i Xhennetit që i premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut): Një vend ku ka ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar, ata kanë aty edhe gjithfarë lloj pemësh, kanë edhe falje nga Zoti i tyre, ...“ (Muhamed 15)
Muhamedi a.s në një thënie të tij thotë: "Kevtheri është një lumë që ma dhuroi Allahu në Xhennet. Ai është më i bardhë se qumështi, më i ëmbël se mjalti dhe tek ai ka shpendë që i kanë qafat si të deveve“.(Tirmidhiu)
Në Xhennet ka edhe pemë të llojllojshme, ku për këtë Allahu xh.sh thotë:
"S'ka dyshim se të devotshmit kanë fitime të mëdha. Kopshte e vreshta rrushi. Edhe vasha të një moshe. Edhe gota të mbushura plot verë. Aty nuk dëgjojnë fjalë të kota, as gënjeshtra. Shpërblime e dhurata të shumta dhënë nga Zoti yt." (Nebe'e 31-36)
Poashtu Allahu xh.sh thotë: "E për sa u përket atyre të djathtëve, çka është gjendja e të djathtëve? Janë nën drunj të pemëve pa therra (pa gjemba). Të bananeve me fruta palë-palë. Nën hije të gjëra. Pranë ujit rrjedhës. Edhe mes frutave të llojllojshme. Që as nuk ndërprehen, as nuk janë të ndaluara."
(Vakia 27-33)
"Aty në ato dy Xhennete ka pemë, hurma e shegë." (Rrahman 68)
"Ata do të jenë të mbështetur në shtroje, anash me armaç mëndafshi e frutat e dy kopshteve do t'i kenë afër sa ti kapin me dorë“ (Rrahman 54)
"Hija e pemëve të tij (Xhennetit) është afër mbi kokat e tyre, ndërsa frutat e tyre do t'i kenë afër sa t'i arrijnë me dorë.“ (Insan 14)
Muhamedi a.s thotë: "Në Xhennet gjendet një pemë nën të cilën udhëton kalorësi më një kalë të shpejtë njëqind vite dhe nuk e kalon atë.“ (Buhariu dhe Muslimi)
Muhamedi a.s thotë: "Tuba është një pemë në Xhennet, udhëtimi nën të cilën zgjat njëqind vjet. Rrobat e banorëve të Xhennetit nxirren prej kupës së saj".(Imam Ahmed)
Muhamedi a.s thotë: "Nuk ka pemë në Xhennet që të mos e ketë trungun prej ari (floriri)." (Tirmidhiu)
Muhamedi a.s thotë: "Në Xhennet ka dhoma që u duket pamja e jashtme nga brendësia e tyre dhe brendësia e tyre nga jashtë. Ato Allahu i përgatiti për ata që i japin ushqim të varfërve, flasin me fjalë të buta, agjërojnë vazhdimisht dhe falen natën ndërsa njerëzit janë në gjumë." (Tirmidhiu)
O Allah na hap dyert e Mëshirës Tënde!
O Allah na zbut sytë me lotët e besimit!
O Allah na zbut zemrat tona me ëmbëlsinë e imanit!
O Allah, na jep mëshirën dhe faljen Tënde, të kërkojmë shpëtim nga çdo mëkat dhe përfitim nga çdo punë e mirë.
O Allah na mundëso që ibadetin ndaj Teje ta bëjmë me dashuri, shpresë dhe frikë!
Të kërkojmë Xhennetin dhe shpëtimin nga zjarri i Xhehennemit!