Islami si fe e përkryer, nuk i ka lënë asnjë shteg rastësisë. Ai ka arritur t’i përshtasë natyrshmërisë së njeriut normat praktike të jetës fetare që nga lindja e deri në varr.
Kjo gjithpërfshirje synon ta kanalizojë shumë-llojshmërinë e situatave jetësore në praktika ideale për vetë natyrën e njeriut. Për të përmbushur qëllimin sublim të jetesës në këtë botë, Krijuesi çdo qenie e ka ndarë në dy gjini të ndryshme nga njëri-tjetri por që njëri-tjetrin e plotësojnë në mënyrë të përkryer. Burri dhe gruaja, janë krijesa të cilat nga vetë natyra kanë nevojë për njëri-tjetrin, kjo shërben edhe për të siguruar vazhdueshmërinë e qenies njerëzore mbi sipërfaqen e rruzullit tokësor por edhe për të gjetur prehje tek i njëjti lloj. Për këtë, Krijuesi, ka mbjellë në zemrat e tyre mëshirë dhe dashuri për njëri-tjetrin duke i falur kështu një perspektivë lumturie për të ardhmen. Ky perceptim ideal forcohet dhe ruhet me fanatizëm në familjet tipike fetare duke bërë të mundur rritjen e një shoqërie të shëndoshë tradicionale dhe me baza të forta fetare. Marrëdhënie të tilla në një çift martesor, ndikojnë në mbarëvajtjen familjare dhe në edukimin e brezave të rinj me baza dhe rrënjë të shëndosha. Natyrisht, emërues i përbashkët në këto familje, vërehet të jetë Islami i cili nxit për konsolidimin e tyre, mbarëvajtjen dhe ruajtjen e marrëdhënieve familjare. Roli që ka gruaja dhe burri në Islam, është i ndryshëm nga njëri tjetri edhe për shkak të natyrës së tyre fiziologjike dhe fizike. Të drejtat e tyre janë të barabarta, edhe liritë e tyre gjithashtu, por diferencë kanë detyrimet që ato kanë ndaj njëri-tjetrit, familjes si dhe shoqërisë. Nuk mund të mohohet se për vetë natyrën, mashkulli është i prirur të mbajë familjen duke i siguruar asaj të ardhurat jetike, ndërsa gruaja gjithashtu për nga vetë natyra ka prirjen e përkujdesjes së afërt të familjes duke i siguruar asaj dashurinë dhe mbikëqyrjen që i nevojitet. Këto role të këshillueshme për t’u ndjekur paraqesin orientimin kryesor të këtyre dy gjinive, por nuk përjashtojnë assesi konvertimin e tyre si dhe përshtatjen e nevojave të ndryshme familjare. Ky lloj fleksibiliteti paraqitet të jetë një nga mirësitë më të mëdha të Krijuesit ndaj njeriut dhe institucionit të familjes. Kjo për shkak se gjate jetës dhe përpjekjes për të mbijetuar dhe lulëzuar ekonomikisht mund të lindi nevoja për përshtatje të roleve brenda në familje, duke u orientuar kështu në praktika më të gjëra të koordinimit të punës brenda saj. Natyrisht, që teprimet dhe dalja nga natyra e femrës ose e mashkullit nuk do ti shërbente rolit të tyre në kontributin për një shoqëri të shëndoshë por do ta dënonin atë në toleranca herë e më të mëdha gjer në shpërfytyrimin e natyrës së tyre. Kjo do të sillte efekte anësore siç është ai i të mos kuptuarit të një kufiri ndarës të së “keqes” nga e “mira”. Një kufi ekzistenca e të cilit domosdoshmërisht duhet të garantohet për vetë mbarëvajtjen e jetës në tokë. Karakteristikë e Islamit është se ai i ka të theksuara dhe të përcaktuara mirë kufijtë e tij të cilat janë të ruajtur me rigorozitet pavarësisht kalimit të viteve apo edhe ndryshimit të modave. Kjo i garanton një qëndresë të pa kontestueshme, dhe i fal praktikuesit të tij një stabilitet mbi të cilin mund të mbështetet pa frikë dhe plot siguri përgjatë gjithë jetës.
Perëndimi po humbet familjen apo identitetin?
Dijetar dhe studiues të shumtë optimist, pohojnë se një nga dhuratat që Islami mund ti bëjë Perëndimit sot, është familja. Dikur në Perëndim, roli dhe koncepti i familjes mbahej dhe forcohej edhe për shkak të normave të forta fetare katolike apo hebreje që mbizotëronin pa dyshim në të. Askush nuk mund të mohojë mirësitë që normat fetare i sjellin shoqërisë në përgjithësi dhe familjes në veçanti. Nëse ato praktikohen, dobitë janë të shumta dhe mbarëvajtja e shoqërive është e siguruar. Kjo për shkak se në fetë e “Njerëzve të Librit” (Ehlil Kitab) ka shenja të pa mohueshme të dashurisë se Krijuesit ndaj njeriut. Por a është Perëndimi që ne njohim sot, ai i kohëve të lulëzimit të feve të Ehlil Kitabit? Kjo pyetje është mjaft komplekse për shkak se tablloja që ne shohim sot nuk i përngjan aspak asaj të një shoqërie e cila përcjell vlera Hyjnore. Lëvizjet e shfrenuara feministe kanë tentuar ta shkëpusin femrën nga roli i saj karakteristik në emër të barazisë gjinore dhe të drejtave të barabarta midis burrit dhe gruas. Një perspektivë mjaft e mirë po të ishin marrë parasysh diferencat fiziologjike dhe fizike midis mashkullit dhe femrës do të arrihej një rezultat i kënaqshëm, por fatkeqësisht, ajo që po arrihet është vetëm shpërfytyrimi i saj duke e shndërruar atë në një kopje të shëmtuar të burrit apo ne një figurë e cila blihet me pak. Me pretekstin e feminizmit po promovohet e drejta e gruas për të qenë burrë, nga ana tjetër me pretekstin e homoseksualizmit po promovohet e drejta e burrit për të qenë grua. Të rinjtë nga ana e tyre po lejohen të shkelin çfarëdo kufiri (seksual) që në moshën feminore ndërsa me pretekstin se “jemi akoma të rinj” mosha martesore po shtyhet sakaq, e kur martesa kurorëzohet, divorci është kthyer në një të ardhme të natyrshme të saj në emër të “eksperiencave”. Njerëzit në moshë të thyer po tentojnë të thyejnë çdo limit moshe me anë të standardizimit në mimikën e fytyrës që sjellin operacionet plastike (hunda e vogël dhe e hollë, lëkura e tërhequr dhe e hekurosur, buzët e ënjtura në formë gomardare etj.) Ndërsa gratë e reja, atyre u duhet të analizojnë çdo milimetër të trupit të tyre për ta mbajtur atë të ri dhe në formë. Modernizimi i pa frè, po e çon njeriun ne krijimin e një krijese të re e cila kërkon të sfidojë Zotin. Këtë sfidë njeriu e ka të humbur që në nisje…
Perëndimorët sot, nuk po ushqehen më me frymën e librave te tyre të shenjtë por me vrerin e thirrjeve antifetare. “Rrënjët Kristjane” të Evropës tashmë i shohim vetëm nëpër slogan të strumentalizuar të partive populiste atëherë kur u bëjnë thirrje partiake për përzënien e “Islamikëve” të ardhur nga arabistani. Për fatin e keq të Evropës dhe Vatikanit, Kishat po boshatisen herë e më shume duke mbushur radhët e partive ksenofobe anti-fetare, e gjithë kjo, në dëm të vlerave të vetë njeriut dhe shoqërisë së shëndoshë që ai kërkon të krijojë. Jo vetëm kaq, por edhe laiciteti vetë tashmë në këto vende është kthyer në një fe e cila nuk toleron konkurrencën me fetë e tjera. Nën petkun e tolerancës ajo shndërrohet në intolerante në mënyrë totale. Pa bërë asnjë lloj dallimi ndërmjet feve tradicionale të shoqërisë (Krishterimin dhe Hebraizmin) apo edhe fesë islame e cila e gjen veten të jetë e importuar nga elementët e emigracionit. Një shoqëri në këto kushte nuk mund të rrijë pa pasur normat e saj morale, dhe në fakt norma e saj morale e preferuar dhe e kudo gjendur është ajo që quhet “inhibicion” pra, shfrenimi total dhe eksperimentimi i çfarëdolloj gjëje dhe situate. Ajo çka quhet modernizëm në ditët e sotme me fjalë të tjera mund të përkthehet si “jetë pa limite dhe pa frena”. Kjo ka bërë që në Perëndim, me kohë të shndërrohen dhe marrëdhëniet burrë-grua si brenda dhe jashtë familjes. Në këtë prizëm, është e natyrshme që Islami, në një kontekst të tillë të konsiderohet si një fe e cila shtyn shoqërinë në ato vlera që sot mund të quhen konservatore. Kjo mund të jetë një prej arsyeve të konvertimeve në masë të perëndimorëve në fenë Islame, aty ku gjejnë vlera konkrete dhe të pa kontestueshme.
Nëse për një kohë të gjatë, Islami paraqitej të ishte një fe e cila në krahasim me Evropën e degraduar dhe të humbur mesjetare sillte dritë përparimi dhe revanshi kulturor me çdo të mirë të tij (duke filluar që nga liritë dhe të drejtat e gruas në Islam…) sot ai ka për detyrë ta ruaj Evropën dhe Perëndimin nga degradimi dhe shthurja pa kufij e cila po e kalb nga brenda. Muslimanët i bëjnë rezistencë me vetet e tyre shthurjeve dhe shndërrimit që njeriu po i bën vetes ne një krijesë tjetër. Një shembull për këtë është vajza me shami, e cila gjendet në pararojë të kësaj mbijetese për shkak të vetë veshjes së saj. Sfidon herë me guxim e herë pa vetëdije realitetin që e rrethon duke simbolizuar një thirrje të heshtur për kthim në moral. Guximi i fortë i cili buron nga bindja fetare e shtyn atë t’i rezistojë edhe padrejtësisë më të madhe që asaj i bëhet: Të thuash se femrën muslimane e detyron babai ose bashkëshorti të mbulohet, është një prej nënvleftësimeve dhe ofendimeve më të mëdha që mund t’i bëhen inteligjencës femërore dhe logjikës së saj! Ajo ka aq guxim sa të marr një vendim, e bindur në vetvete për atë çka bën, t'i qëndroj asaj si dhe ta mbroj atë deri në fund. A nuk është kjo forcë sublime e një femre?!