Trajtesa juridike rreth pasurive të destinuara për vakëfe


Si një aset i pazëvendësueshëm i zhvillimit dhe mirëqenies së shoqërive islame, vakëfet kanë marrë kujdesin e duhur të juristëve islamë, të cilët me elanin e tyre të pashoq, kanë shkoqitur me kujdes të gjitha normativat që ndërlidhen me to.
Në parim, vakëflënia është një kontratë, ose akt- marrëveshje me anë të së cilës, një pasuri e caktuar del prej pronësisë së vakëflënësit dhe kalon tek ai që është lënë për të vakëf. Kjo kontratë që në determinim terminologjik duket e thjesht, dhe pa delikatesa të thella, megjithatë po që se e hapim cilëndo prej literaturës juridike islame, qoftë ajo klasike apo bashkëkohore, vërejmë normatizime e detajizime normative të stërzgjatura që na mahnitin. Ato krejt në fund kanë për synim që të mos lënë asnjë dilemë rreth vakëfeve përpos që ofrojnë përgjigje dhe zgjidhje adekuate për të.
Prej çështjeve që ka peshë thuajse thelbësore është edhe ajo që ndërlidhet me kriteret apo kushtet që duhet të plotësojë pasuria e destinuar për vakëf. Natyrisht se rreth këtyre kritereve ka divergjenca juridike islame, e të cilat në të shumtën e rasteve rrëfejnë vizionin e gjerë të juristëve gjatë shtjellimit të tematikave kaq me peshë siç janë vakëflënia.
Gjatë detejizimit juridik të kushteve të pasurive të destinuara për vakëfe, vërejmë që secili prej tyre synon që të shmangë çdo dilemë te vakëflënësi, që ka të bëjë me pasurinë e tij që ai e ka ndërmend ta lë vakëf.

Kushtet që kanë të bëjnë me pasuritë e destinuara për vakëfe

Te diskutimet juridike rreth pasurive të destinuara për vakëfe dhe kritereve që duhet plotësuar, në do të mundohemi që të mos lëshohemi në disa prej kushteve që njihen apriori (sikur është kushti që pasuritë që lihen vakëf të jenë të lejuara në Islam), për t’u përqendruar në ato kushte që kanë nevojë të domosdoshme të sqarohen deri në detaje. Kështu do të fokusohemi në
dy prej atyre kushteve-kritere duke bërë diskutim më të thelluar në të fundit prej tyre. Kështu, kriteret e pasurive të destinuara për vakëf janë:
a) Që pasuria të jetë e tillë që ka vlerë dhe të jetë e përcaktuar qartë, si dhe të jetë e ditur saktësisht sasia pjesa e dhuruar. Këtu është për qëllim që ajo pasuri që lihet vakëf, nuk bënë të jetë në formë të përgjithësuar sikur nëse dikush thotë: një pjesë të kësaj tokës sime po e lë vakëf, sepse “një pjesë” është shprehje e pa definuar dhe si e tillë e bënë vakëflënien të pavlefshme. Në raste të tilla duhet pyetur vakëflënësi se për cilën pjesë e ka fjalën dhe sa është sasia e saj, përndryshe ajo shpallet jo legjitime. Ky kriter në fakt nuk është specifik vetëm te kalimi i pasurisë nga një pronar te tjetri nëpërmes vakëflënies, por i njëjti vlen edhe te shitblerja, edhe te qiradhënia, dhurata, testamentet e tjera të ngjashme.
b) Të jetë pasuri e paluajtshme (pra tokë, truall, lokale, shtëpi, shkolla, xhami e të ngjashme). Ndryshe e gjejmë në disa prej citateve të juristëve të theksohet se ajo pasuri duhet të jetë e tillë që të mundësohet shfrytëzimi i saj pa u dëmtuar apo konsumuar ajo pasuri në tërësi deri në asgjësim. Argumenti thelbësor për këtë mendim është fakti se vakëfet janë ligjësuar që të përfitohet përjetësisht prej tyre, dhe një synim të tillë e realizojnë vetëm pasuritë e paluajtshme. Këtë kriter në fakt e kanë kushtëzuar një pjesë e dijetarëve, por jo të gjithë. Ky, për më saktë është edhe mendimi i Imam Ebu Hanifes(1) dhe afërsisht kështu mendonte edhe Imam Ahmedi në një mendim të shquar të tij.
Megjithatë edhe ky mendim i Imam Ebu Hanifes rreth ligjshmërisë së lënies së pasurisë së luajtshme si vakëf, kërkon një shtjellim më të stërholluar. Kështu dijetari i famshëm hanefi Ebi Mesud el Kasani ka bërë përpjekje për të pasuruar diskutimin rreth kësaj çështjeje, por edhe për ta zgjeruar kornizën përfshirëse të tij. Ai sqaron mendimin juridik hanefit duke spikatur se njëmend nuk legjitimohet vakëflënia e pasurisë së luajtshme apriori, sepse përhershmëria është thelbi i vakëfënies (e pasuria e luajtshme nuk e ka këtë tipar), ngase ajo pasuri e tillë edhe mund të shkatërrohet, andaj nuk lejohet lënia e saj si vakëf vetëm nëse e tilla vije si diçka e bashkangjitur a përcjellëse e pasurisë së paluajtshme... Mirëpo, nëse eventualisht ndonjë pasuri e luajtshme është bërë zakon të lihet si vakëf siç janë: mjetet mihëse për varreza, apo ndonjë kazan për ngrohje të ujit (që shërben për pastrim të kufomave, kurse sot mund të hyjnë këtu bojlerët e ujit), apo ndonjë rrobë qefini për xhenaze, atëherë lejohet. E nëse dikush lë vakëf pemë të mbjella që janë në këmbë – të paprera, sipas analogjisë kjo nuk është e legjitime, porse është legjitimuar nëpërmes rezonimit juridik, i bazuar në një përjashtim të argumentuar - istih’san, sepse njerëzit një gjë të tillë e kanë vepruar, e atë që e shohin myslimanët si të mirë edhe tek Allahu është e mirë dhe e pranuar.(2)
Në fakt, ishte Imam Muhamed bin Hasen esh Shejbani, njëri nga nxënësit kryesor të Imam Ebu Hanifes, i cili mendonte se lejohet që të lihen si vakëf edhe armët e luftës, mjetet luftarake, kafshët kalorëse të luftës, pastaj edhe mjetet që përdorën për mihjen dhe përgatitjen e varreve e të ngjashme, që të gjitha këto pasuri të luajtshme. Madje sipas tij, lejohet edhe lënia vakëf e ndonjë Mus’hafi, literature fetare që mund të jetë në shërbim të kërkuesve të diturisë. Të gjitha këto gjëra lejohen të lihen si vakëf, ani pse janë pasuri të luajtshme dhe bien ndesh me analogjinë e përgjithshme - kijasin, e që sipas këtij argumenti, vakëf të natyrshëm do të konsiderohet vetëm ajo pasuri që mbetet përgjithmonë e që nuk asgjësohet - e paluajtshme, mirëpo të tillat janë lejuar duke u mbështetur në rezonimin juridik që bazohet në justifikimin e përjashtimit të normës nga rregullat e përgjithshme, ngase ai përjashtim gjen mbështetje juridike në një hadith të Muhamedit a.s., i cili ka thënë:”...ndërsa Halidi, ai ka lënë (vakëf) në rrugën e Allahut armët dhe mjetet e tij luftarake.”(3)
Madje ky mendimi i fundit është ai që jepet fetvaja me të dhe mbështet nga dijetarët e mëvonshëm të shkollës juridike hanefite.(4)
Ajo që vërehet qartë është se ky qëndrim zgjeron kornizën e pasurive të vakëfeve, dhe rrjedhimisht bën që numri i përfituesve nga pasuritë e këtilla të jetë sa më i madh.
Ky mendim është përkrahur edhe nga përfaqësuesit e shkollave të tjera juridike islame, madje edhe është kodifikuar si i ligjshëm në shumë prej legjislaturave të shteteve islame nëpër botë.(5)
Këtu ka relevancë që të theksojmë edhe një divergjencë brenda shkollës juridike hanefite, rreth lënies vakëf të objektit të caktuar pa tokën e tij. Pra, çështja që vihet në dilemë, është se a është e ligjshme të dhurohet si vakëf ndonjë objekt i caktuar (qoftë shtëpi, dyqan, apo edhe ndonjë pemë) nëse bashkë me të nuk lihet vakëf edhe toka mbi të cilën qëndron objekti.
Mendimi i parë dhe i njohur i shkollës juridike hanefite është se kjo nuk është e ligjshme, ani pse edhe objektet konsiderohen si pasuri të paluajtshme, ngase një vakëflënie e tillë nuk ishte traditë e hershme që të lehej kësisoj, andaj ndalohet. Ashtu siç nuk do të lejohej sikur të lihej toka si vakëf për një person fizik ose juridik të caktuar, ndërsa objekti që është ngritur mbi atë tokë të lihej vakëf për personin juridik tjetër. Edhe kjo pra njësoj do të ishte e ndaluar.
Megjithatë, në mendimin tjetër, te hanefitët thuhet se një gjë e tillë është e ligjshme dhe s’ka gjë të keqe, dhe sipas këtij mendimi jepet edhe fetfaja. Kjo veçse është evidentuar në literaturën e dijetarëve të mëvonshëm hanefitë, siç është Ibën Abidini e të tjerë. E ky i fundit e arsyeton këtë mendim dhe thotë: “Vërtet njerëzit ka një kohë të gjatë, gati dy shekuj që e kanë bërë traditë një vakëflënie të tillë dhe gjykimet legjitimuese të gjykatësve islamë tashmë janë të njohura për këtë, andaj s’kemi nevojë që të ndalemi (që të mos e lejojmë) në atë.”(6)

A mund të lihen vakëf, paratë ose kartëmonedhat me vlerë monetare?

Nga diskutimi e divergjencat që kishin juristët rreth ligjshmërisë së vakëflënies së pasurive të luajtshme, ne mund të nxjerrim konkludimin për mendimin e secilit nga dijetarët e lartpërmendur që ata kanë, pastaj edhe për ligjshmërinë e vakëflënies së parave (qofshin ato monedha klasike sikur: ari, argjendi e të ngjashme) apo monedha bashkëkohore siç janë kartëmonedhat e sotshme.
Kështu sipas Imam Ebu Hanifes dhe Imam Ebu Jusufit, nuk është e ligjshme që dikush të lë vakëf paratë e tij, ngase esenca e pasurisë vakëfnore është
shfrytëzimi i saj duke mos u shpenzuar deri në asgjësim ajo pasuri dhe te paratë ky synim nuk mund të realizohet. Kjo nënkupton se paratë bëhen analogji me pasuritë e luajtshme, që si të tilla nuk mund të mbesin në shfrytëzim të atij që i lihen vakëf pas shfrytëzimit të tyre. Këtë mëndin e kanë edhe juristët shafitë, hanbelitë, dhe disa nga dijetarët e shkollës juridike malikite.(7)
Por, në analogji të mendimit të Imam Muhamed bin Hasen esh Shejbanit gjejmë indikacione që parimisht nuk lejohet lënia e parave si vakëf, por nëse veç krijohet traditë e njerëzve që ata të lënë paratë e tyre si vakëf, atëherë një gjë e tillë bëhet legjitime. Madje një mendim i tillë transmetohet edhe nga Imam Zufer ibën Hudhejli, si njëri prej kolosëve të shkollës juridike hanefite. Arsyeja e legjitimimit është në nevojën e njerëzve sot që ata të kenë mundësi të lënë pas vete edhe paratë e tyre si vakëf. Dhe u theksua edhe më lartë që fetvaja në shkollën juridike hanefite jepet sipas këtij mendimit të fundit.(8)
E për t’u siguruar se paratë e lëna vakëf do të mbesin e nuk do të shpenzohen deri në asgjësim të tyre, juristët islamë kanë theksuar se ato mund të lihen vakëf, duke u destinuar në dhënie borxh, për t’iu ndihmuar njerëzve që kanë nevoja imediate, e të cilat para do të ktheheshin prapë te kujdestari i vakëfit, në mënyrë që të ketë mundësi që sërish t’ia japë dikujt tjetër si huadhënie, e kështu me radhë. Kjo në fakt është një derë e mirë e atyre që dëshirojnë që me paratë e tyre të përfitojnë sa më shumë njerëz, dhe si të tilla të mbesin në qarkullim si huadhënie, e shpërblimi t’iu rrjedhë atyre që i kanë lënë ato si vakëf deri në amshim.
Madje edhe Akademia Ndërkombëtare e Jurisprudencë Islame që vepron në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, pas seancave shkencore të mbajtura nga 6-10 prill të vitit 2009, pos kërkesës ekskluzive që normativat e vakëflënies të rishikohen e të ristudiohen, në mënyrë që të bëhen hulumtime të thella juridiko-islame rreth avancimit të tyre në frymën e kërkesave bashkëkohore, nxjerrë edhe vendim që:
-Lejohet lënia vakëf e parave, shërbimeve, apo interesave të caktuara,(9) sikur nëse në emër të vakëfit ofrohen (falas) shpenzimet e spitaleve të caktuara, universiteteve, instituteve, apo shfrytëzimi i urave, rrugëve e të ngjashme.(10)
Ky vendim i kësaj Akademie, siç edhe vërehet, ka tendencë të qartë të favorizojë mendimet juridike islame që kornizën e pasurive të vakëfeve e kanë zgjeruar në masën më të madhe të lejuar.
E, nga trajtesat juridike hanefite që janë bërë në kapitullin e vakëfeve, por edhe ato të shkollave të tjera juridike islame, vërejmë se i është lënë një efekt i gjerë legjislativojuridik, të drejtës zakonore - urf’it, gjë që ua mundëson juristëve islamë të secilës periudhë kohore të bëjnë përpjekje e të zgjerojnë veprimtarinë e institucioneve të vakëfeve për të mbuluar kështu sa më shumë nevojat e shoqërive islame në çdo kohë e vend. Hulumtimet e tilla në të vërtetë edhe janë duke u zhvilluar gjithandej nëpër institutet e qarqet shkencore islame të botës islame, veçse të tillat ende lënë shumë për t’u dëshiruar.


__________________________
1. Bedruddin El Ajnij, El Binajeh Sherh El Hidajeh (7/437). Bot. i parë. Daru El Kutub El Ilmijje. Bejrut, 2000.
2. Ebi Mes’ud El Kasanij, Beda’I Es Sana’I (6/220). Bot. i parë. Daru El Kutub El Ilmijje. Bejrut, 1986.
3. Hadithin e evidenton Buhariu në “Sahih” të tij (nr: 1447) e të tjerë.
4. El Mevsilij, El Ih’tijar li Ta’lil El Muh’tar (3/42). Bot. i parë. Matbeatu El Halebij. Kajro, 1937.
5. Vehbetu Ez Zuhejli, El Fikh El Islamij ve Idl-letuhu (10/2610). Bot. I katërt. Daru El Fikr. Damask, 2004.
6. Ibn Abidin, Hashijetu Ibn Abidin (4/389). Bot. i dytë. Dar El Fikr. Bejrut, 1992.
7. Vehbetu Ez Zuhejli, El Fikh El Islamij ve Idl-letuhu (10/2610-2611). Bot. i katërt. Daru El Fikr. Damask, 2004.
8. El Meusuatu El Fikhijje El Kuvejtijje (41/194-195). Bot i dytë. Vizaretu El Evkaf Vesh Shu’une El Islamijje. Kuvajt, 2006.
9. Shërbimet e interesat e caktuara mund të jenë p.sh. nëse vakëflënësi thotë që unë e lë vakëf shfrytëzimin e këtij kompleksi banesor për të mirë të institucioneve ose bashkësive fetare islame në ndonjë vend, pa u marrë atyre qira fare, por ajo ndërtesë mbetet pronë e vakëflënësit.
10. Shih: Vendimin me numër: 181 (7/19), i dalë nga Akademia Ndërkombëtare e Jurisprudencës Islame. https://www.iifa-aifi.org/ar/2307.html


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi