Kurani fisnik tregon se ndryshimi te një popull mund të arrihet vetëm përmes vullnetit të brendshëm të bijve të atij populli dhe, më pas, pasojnë faktorët e jashtëm që ndikojnë pozitivisht në atë ndryshim: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli përderisa ai popull nuk e ndryshon vetveten.” (Er Rad, 11)
Sipas pretendimeve tendencioze, njerëzit u detyruan dhe u shtrënguan me tehun e shpatës që të zgjedhin mes Islamit apo mbytjes, pra ose të bëheshin myslimanë ose do t’u këputej qafa! Këto të pavërteta i hedhin poshtë mësimet e Islamit, i përgënjeshtron realiteti historik si dhe vetë historianët objektivë orientalistë.
Konfrontimet dhe luftërat mes myslimanëve dhe njerëzve të librit nuk ishin për shkak të fesë së tyre dhe nuk synonin që t’i detyronin ata të hynin me forcë në Islam, sepse kjo gjë është e papranueshme në Islam. Konfrontimet që ndodhën më vonë përfaqësojnë një qëndrim politik, një kundër reagim ndaj qëndrimit të shtetit islam.
Mësimet e Islamit e mohojnë kategorikisht detyrimin në fe. Askush nuk konsiderohet mysliman i vërtetë nëse nuk bazohet në bindje të thella dhe në liri për të zgjedhur. Nuk lejohet që dikush të detyrohet me forcë të bëhet mysliman, sepse Zoti nuk e pranon një gjë të tillë.
Allahu i Gjithëfuqishëm thotë: “S’ka shtrëngim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra!” (El Bekareh, 256).
Edhe ajeti tjetër që është shpallur në formë pyetëse mohuese thotë: “Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!” (Junus, 99).
Lufta kurrë nuk ka qenë mjet për t’i detyruar njerëzit që të pranojnë Islamin. Lufta ka qenë mjet për t’i larguar myslimanët nga Islami që nga koha e Ebu Xhehlit në Mekë.
Thomas Arnold thotë: “Të krishterët që jetojnë ende në vende myslimane janë dëshmi më e mirë e kësaj tolerance”.
Shpata nuk ka qenë mjet për përhapjen e Islamit. Me shpatë mund të përfitohet apo të pushtohet një vend, por nuk mund të hapet apo të pushtohet zemra e njeriut. Hapja e zemrave dhe depërtimi tek ato kërkon që të bindet mendja, të ndriçohet zemra me dritën hyjnore, të përfitohen emocionet dhe të ndikohet psikologjikisht pronari i tyre.
I Dërguari i Zotit, Nuhi a.s., sikurse na rrëfen Kurani fisnik, i tha popullit të tij: “Ai (Nuhu) tha: ‘O populli im, mendoni pak! Nëse unë mbështetem në një provë të qartë që më ka ardhur nga Zoti im dhe, nëse nga ana e Tij më ka ardhur një mëshirë, e cila është fshehur nga sytë tuaj, a mund t’ ju bëjmë ta pranoni me detyrim (provën), kur ju e urreni?” (Hud: 28).
Islami nuk e detyron askënd që të bëhet mysliman hipokrizisht duke fshehur mosbesimin në zemër. Kjo, sepse besimi bazohet në bindje të palëkundshme, pa kurrfarë shtirje apo hipokrizie.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi