Vakëflënësi dhe implikimi i të drejtave të trashëgimtarëve të tij


Njëra prej çështjeve që Ligjvënësi i Drejtë i dha hapësirë të gjerë në Librin e Tij - Kuranin fisnik është edhe bartja dhe kalimi I pasurisë prej një brezi te një brez tjetër, pra transferimit të saj nga brezi i kaluar deri te brezi i ardhshëm

Dhe meqë pasuria është një çështje që lakmia e njerëzve rreth saj është shpeshherë e shfrenuar dhe e pakontrollueshme, Allahu mori përsipër që shumë prej dispozitave e normave juridike që ndërlidhen me shpërndarjen e pasurisë, t’i shtjellojë e t’i detajojë Vetë Ai.
Kështu që edhe kur çështja ndërlidhet me vakëflënësit, me gjithë dëshirën dhe aspiratën e çiltër që ata kanë për të lënë pas vetes një fondacion rrjedhës, nga i cili do të përfitojnë shpërblime edhe pas vdekjes së tyre, prapë edhe këtu ka disa kodifikime juridike islame që duhen sqaruar për ta, në veçanti ato që rregullojnë raportin e tyre me trashëgimtarët që ata po i lënë pas vetes.
Fillimisht, për të qenë vakëflënia e ligjshme, vetë vakëfëlënësit duhen plotësuar disa kushte apo kritere të cilat kanë relevancë shkencore që t’I theksojmë këtu. Ato kushte janë:
a) Që personi të jetë pronar i asaj pasurie që po dëshiron ta lejë si vakëf. Ngase asnjë njeri nuk mund të shprehë zemërgjerësi me djersën e huaj e as me pasurinë e tjetrit.
b) Që vakëflënësi të jetë i lirë nga robëria por edhe i lirë – jo i imponuar nga çfarëdo lloj trysnie a presioni që do të mund ta shtynte pronarin në formë abuzive deri te ndonjë vakëflënie e padëshiruar.
c) Që të jetë i mençur mentalisht dhe në moshën madhore, kështu që nuk lejohet që as i çmenduri e as I mituri të lejë diç nga pasuria e tyre vakëf. Ata nuk kanë kompetencë juridike që të zhvillojnë ndonjë aktivitetet në pasuritë e tyre sepse nuk perceptojnë pasojat e veprimeve që ata i bëjnë. Në fakt, janë kujdestarët e tyre – tutorët ata që konsiderohen mbikëqyrës të asaj pasurie.
d) Që të ketë pjekuri të mjaftueshme ose kompetencë juridike, e të mos jetë person që njihet për pakujdesinë e mendjelehtësinë e tij në shpenzime të pasurisë e të parasë së tij. Pra, pos për shkak të çmendurisë, një person mund të jetë jo kompetent edhe për shkak të pamaturisë e mendjelehtësisë që e bëjnë atë të rrezikojë atë që të tjerët kanë grumbulluar nga pasuria dhe tashmë ai e ka në pronësi, apo edhe atë pasuri që vetë ai ka mundur eventualisht që ta ketë fituar në ndonjë formë të ligjshme.
e) Që vakëflënësi të mos jetë person që i është bllokuar pasuria për shkak të obligimeve financiare ose borxheve të tij të shumta.
E këtu duhet theksuar faktin që dijetarët islamë e kanë futur edhe borxhliun e kapitulluar ose falimentuar, i cili edhe nëse do që të lejë ndonjë pjesë të pasurisë si vakëf, atij nuk do t’i lejohej një gjë e tillë. Është kështu, sepse ajo pasuri, apriori duhet që të shpenzohet në kryerje të borxheve të personit në fjalë, e s’ka hapësirë aty për dhurata vullnetare e as për vakëflënie. Sipas hanefive, për të qenë e ligjshme vakëflënia e këtij personi duhet që personat të cilëve ai iu ka borxh, t’ia lejojnë borxhliut të tyre një veprim të tillë. Përndryshe ajo vakëflënie nuk i ekzekutohet.(1)
Pra, nëse vakëflënësi ka borxhe, duhet të shihen borxhet e tij se deri në çfarë niveli kanë arritur, nëse ato ia gëlltisin tërë pasurinë, atij fare nuk i merret parasysh, pra i anulohet vakëflënia e tij në tërësi, sepse kthimi i borxhit është detyrim, dhe s’ka mundësi që t’i jepet përparësi një vepre vullnetare sado me vlerë që të jetë ajo, përpara asaj që është e detyrueshme.
E nëse personi i tillë lë vakëf, por borxhet e tij nuk ia gëlltisin tërë pasurinë, atëherë vakëflënia e tij është e vlefshme vetëm në atë pjesë që I mbetet pas kryerjes së borxheve të tij. Por këtu duhet theksuar se edhe ajo pjesë që dëshirohet të lihet si vakëf, nuk bënë ta tejkalojë 13 e pasurisë së atij personi. Nuk bënë ta tejkalojë këtë hise, ngase në po të njëjtën pasuri të atij personi kanë të drejtë trashëgimtarët të cilët nuk bënë t’I privojë ai nga e drejta e tyre që të trashëgojnë nga pasuria e trashë- gimlënësit të vet.(2)
Pra nga këtu shihet se edhe bamirësia, si dhe dëshira e njeriut për të lënë pas vetes llogari rrjedhëse të shpërblimeve e cila do të ishte për të si një gurrë e gjallë profitprurëse edhe pas vdekjes, duhet të vihet në peshojën e drejtë të urtësisë hyjnore dhe të shihet nëse e njëjta është duke e dëmtuar dikë nga të gjallët apo jo.
Vakëflënia gjatë periudhës së sëmundjes dhe implikimet e trashëgimtarëve në këtë të drejtë
Bazuar në kriteret e kristalizuara më sipër, duhet theksuar se nëse personi ka lënë vakëf ndonjë pasuri, sado qoftë ajo, gjatë kohës kur nuk është i sëmurë dhe kur ai nuk ndien fare afërsinë e vdekjes, e as nuk ka borxhe ndaj askujt, ajo vakëflënie është e ligjshme. Natyrisht, ai mund ta lejë atë pasuri qoftë për ndonjë institucion-person juridik ose person fizik të caktuar si përfitues të vakëfit të tij, dhe nuk mund të ndërhyjë askush, qoftë nga trashëgimtarët apo kushdo qoftë tjetër në vendimin e tij.
E tërë kjo vlen kështu nëse vakëflënësi veç i ka përmbushur kriteret e theksuara në fillim të këtij punimi, pa të cilat çdo vakëflënie do të mbetej e paligjshme dhe rrjedhimisht nuk do të ekzekutohej. Por, sipas juristëve islamë, situate që ka implikime të personave të tjerë, respektivisht të trashëgimtarëve të tij, është atëherë kur vakëflënia ndodhë gjatë kohës së sëmundjes s vakëflënësit.
Dijetarët pothuajse nga të katër shkollat juridike islame, e kanë trajtuar vakëflënien si testament, dhe ia kanë dhënë po të njëjtin tretman juridik, nëse pronari i asaj pasurie (vakëflënësi) është i sëmurë me ndonjë sëmundje të rëndë nga e cila ai ka frikë se edhe mund të vdesë.(3)
Arsyeja pse vakëflënia në kohën e sëmundjes së vakëflënësit nga e cila sëmundja ai ka frikë se edhe mund të vdesë trajtohet sikur testamentvasijjet është sepse edhe kjo vakëflënie sikurse edhe testamenti sipas gjasave optimale duhet të zbatohet vetëm pas vdekjes së vakëfëlësit. Dhe ai dhurim i pasurisë që bëhet para vdekjes së pronarit, por që duhet të ekzekutohet pas vdekjes natyrisht që quhet testament.
Kështu në këtë situatë kemi edhe implikimin e të drejtave të trashëgimtarëve të cilët janë përfituesit e drejtpërdrejtë nga pasuria e trashëgimlënësit të tyre pas vdekjes së tij.
Nisur nga principi i ndarjes së balancuar të pasurisë të cilën e porositë Ligjvënësi i Urtë, trashë- gimtarët kanë të drejtë që të pengojnë trashëgimlënësin cilido qoftë ai (qoftë babai, vëllai apo dikush tjetër) si dhe të sanksionojnë mundësinë e tij për vakëflënie ta pa limituar. Ky madje është qëndrimi juridik i katër imamëve të shkollave juridike në parim.(4)
E gjithë kjo mbështetet në hadithin, ku i Dërguari i Allahut pyetet nga Sead ibën Ebi Vekkasi r.a. nëse atij do t’i lejohej që të lejë tërë pasurinë si testament. Pra këtë ngjarje e rrëfen vet Ibën Ebi Vekkasi r.a. i cili thotë: “I Dërguari i Allahut a.s. më vizitonte shpesh gjatë vitit, në kohën që ai e kishte bërë haxhin lamtumirës, për shkak se unë (asokohe) vuaja nga një sëmundje e rëndë, e një herë I thash: “O i Dërguar i Allahut, e sheh që më është rënduar dhimbja - sëmundja dhe unë kam mjaft shumë pasuri, por unë nuk kam askënd nga trashëgimtarët që do të më trashëgojë pasurinë time pos një vajze, kështu që a mund të lë tërë pasurinë time si testament? Ai tha: “Jo”. A mund të lë gjysmën e pasurisë sime testament? Ai tha: “Jo”. A mund të lë 13 e saj? Ai tha: “13 mundet, porse edhe ajo është shumë. Ngase që të lësh trashëgimtarët e tu të pasur, është më mirë për ty se sa që t’i lësh ata të varfër që do t’ua shtrijnë dorën njerëzve e do t’iu lypin atyre…”(5)
Nga ky hadith po nënkuptohet se dëshira për të lënë një llogari rrjedhëse për veten duket në pamje të parë si krejt e shëndoshë dhe legjitime, mirëpo ajo për më tepër ngjallë edhe një lloj skepticizmi se mos ai po e fshehë tendencën e privimit të trashëgimtarëve të tij nga e drejta e tyre legjitime në trashëgimi. Andaj, për këtë arsye, vakëflënia gjatë kohës së sëmundjes, nga e cila sëmundje, personi i sëmurë ka frikë që edhe mund të vdesë, e merr tretmanin juridik të testamentit, dhe po i njëjti hadith na tregon se mundësia e vakëflënësit është e përkufizuar dhe e ngushtuar, prandaj ai në këtë situatë ka mundësi që të lejë më së shumti 13 e pasurisë së tij si vakëf, por jo më shumë se kaq. Për 13 e pasurisë, vakëflënësi edhe në atë gjendje të sëmundjes nuk detyrohet ta pyesë a as të marrë leje nga askush prej trashëgimtarëve, sepse atë hise, ai e ka të drejtë juridike që ta shfrytëzojë si të dojë, dhe s’ka askush që mund të vendosë pengesë për dëshirën e tij në këtë situatë. E nëse vakëflënësi dëshiron që në atë situatë të lejë më shumë se 13, këtë mund ta bëjë vetëm me lejen e trashëgimtarëve ligjorë të tij. E kur ata të jenë pajtuar, pra që të gjithë trashëgimtarët, vakëflënësi mund të lejë edhe më shumë se kjo hise, sepse ai që ishte subjekt i së drejtës hoqi dorë nga e drejta e tij, andaj u lejua. Por, edhe në situatën hipotetike kur vakëflënësi nuk ka askënd nga trashëgimtarët e tij të ligjshëm, do t’i lejohej vakëflënia në një sasi mbi 13, sepse me ata që ndërlidhet e drejta e tyre me pasurinë e tij, nuk ekzistojnë fare.
Krejt në fund, nëse vakëflënësi, gjatë kohës kur është me shëndet të mirë, e jo i sëmurë, përcakton se pasuria e tij është vakëf për të varfëritë e këtij vendi, atëherë pas vdekjes së tij, sipas juristëve islamë, të parët që mund të hyjnë në kuadër të përfituesve të atij vakëfi janë vetë trashëgimtarët e tij, nëse ata janë të varfër.(6)
Këtë gjë në fakt e sinjalizon edhe vetë hadithi i lartcekur i Muhamedit a.s., ku në të, qartazi preferohej që më së miri është që trashëgimtarët të mbesin të pasur, se sa që të dalin e të shtrijnë dorën për të lypur, përderisa trashëgimlënësi i tyre ka lënë pasuri si vakëf.


___________________
1. Dr. Vehvetu Ez Zuhejli, El Fikh El Islamij Ve Edil-letuhu. (10/7624). Bot. i katërt, Daru El Fikr, Damask, 2004.
2. Abdulxhelil Ashub, Kitab El Vakf, (fq. 16). Bot. i parë, Daru El Afak el Arabijjje, Kajro, 2000.
3. Damad Efendi, Mexhmeu El Enhur sherh Multeka El Ebhur (1749). Bot. i parë. Daru El Ihja Et Turath El Arabijj. Pa vit botimi.
4. Shih: El Meusuatu El Fikhijje El Kuvejtijje (44126). E përgatitur nga një grup ekspertësh e dijetarësh islamë. Boton: Vizaretu El Evkaf ve Esh Shu’un El Islamijje. Bot. i dytë. Viti 1427 lunar.
5. Buhariu e evidenton në “Sahih” të tij (nr:2742), Muslim po ashtu në “Sahih” të tij (nr:1628). E shumë koleksionues të tjerë të haditheve.
6. Ed Dehlevij el Hindij, Fetava Et Tatarh’anijje (4146). Bot. i parë. Daru El Kutub el Ilmijje. Pa vit botimi.


Artikulli i kaluar
S’ka imponim në fe

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi