Hipokrizia është një sëmundje e brendshme e njeriut, e atij që nuk është i bindur në porositë kuranore dhe në hadithet e Pejgamberit a.s. Njerëzit e tillë janë të sëmurë në shpirt, dyshojnë në besimin e tyre. Ata çrregullojnë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, bëjnë intriga, gënjejnë dhe bëjnë vepra të këqija.(1)
Përkufizimi i hipokrizisë
Fjala nifak në gjuhën arabe rrjedh nga fjala" en nefek", që është vendi apo shpella ku fshihet njeriu. Kurse nifaku në terminologjinë islame ka kuptimin e shprehjes së islamit dhe fshehjes së kufrit e sherrit. Kurse në gjuhën tonë quhet hipokrizi apo dyfytyrësi etj. Ndërsa ai që e kryen këtë vepër quhet mynafik. E Allahu xh.sh. nëpër disa ajete kuranore flet për mynafikët, bile edhe një sure e tërë në Kuran emërtohet me këtë emër.(2) Se sa të rrezikshëm janë mynafikët, Zoti i madhëruar në disa ajete cekë dukjen e tyre, por edhe vendin e tyre të merituar, Allahu thotë: "Ata përpiqen ta mashtrojnë Allahun dhe ata që besuan, por në realitet ata nuk mashtrojnë askënd pos vetvetes, por këtë gjë ata nuk e hetojnë. Në zemrat e tyre kanë sëmundje, e Allahu ua shton sëmundjen dhe ata kanë dënim të dhembshëm për atë që përgënjeshtronin.”(3) "Vërtetë mynafikët janë në shkallën me të ulët të Xhehenemit."(4) "Ti (Muhamed) lajmëroj mynafikët, se me të vërtetë ata kanë një dënim të dhembshëm."(5)
Ndërsa Muhamedi a.s. në një hadith thotë: "Ajo që kam frikë ndaj jush është shirku i vogël”, shokët e pyetën: “Çfarë është shirku i vogël, o i Dërguar i Zotit?” “Syefaqësia", u përgjigj ai.
Llojet e hipokrizisë (nifakut)
Nifaku ndahet në dy lloje:
Lloji i parë: Nifaku në besim.(6) Ky është nifaku i madh, me ç'rast njeriu shpreh islamin dhe fsheh kufrin. Ky lloj e nxjerr njeriun nga feja në përgjithësi, dhe e hedh atë në vendin më të ulët të zjarrit. Allahu xh.sh i përshkroi mynafikët (dyfytyrëshat) me të gjitha tiparet e sherrit, me mosbesim, përqeshje me fe e me fetarët dhe me anim kah armiqtë e Islamit,(7) në përgjithësi për shkak të bashkimit të tyre në armiqësinë kundër Islamit. Ata janë të pranishëm në çdo kohë, e posaçërisht, kur Islami është i fortë dhe ata nuk kanë mundësi të ballafaqohen me të haptas. Me këtë rast ata shprehin hyrjen në të me qëllim që t' i bëjë kurthe atij, e pjesëtarëve të tij dhe me qëllim që të jetojnë me myslimanët. Mynafiku shpreh besimin në Allahun xh.sh, në melaqet e Tij, në librat e tij, në të dërguarit e Tij dhe në Ditën e Gjykimit, kurse në brendësinë e tij është i zhveshur nga këto, dhe është përgënjeshtrues i tyre. Ai nuk beson në Allahun xh.sh, nuk beson se Allahu xh. sh. u foli (me shpalljen e Tij) disa njerëzve, të cilët i bëri të dërguar te njerëzit, përmes të cilëve Ai i udhëzon ata dhe i qorton nga dënimi i Tij.
Lloji i dytë: Nifaku në vepra(8) (praktik). Është veprimi i ndonjërës nga veprat e mynafikëve me mbetjen e imanit në zemër. Vepruesi i këtij nifaku zotëron në të njëjtën kohë imanin dhe nifakun, nëse nifaku i shumohet, për shkak të tij bëhet mynafik i pastër. Kurse tek ai që gjendet një cilësi nga nifaku, ai posedon një cilësi të tij derisa ta lërë atë. Për të kuptuar se cilat janë cilësitë e hipokritit po përmend një hadith të Muhamedit a.s., që e transmeton Ebu Hurejra r.a.: "Shenjat e hipokritit janë: kur flet-gënjen, kur premton-mashtron, kur i besohet-tradhton dhe kur bie në armiqësi-i tejkalon kufijtë".(9) Tek ai që bashkohen këto katër cilësi, tek ai është bashkuar sherri në përgjithësi dhe janë shoshitur veçoritë e një mynafiku të vërtetë. Kurse ai që zotëron një cilësi nga ato, shfaq një cilësi të nifakut, sepse te njeriu mund të bashkohen cilësitë e hajrit dhe të sherrit dhe cilësitë e imanit dhe cilësitë e kufrit e të nifakut. Ai njeri meriton dënim e shpërblim sipas sasisë së veprave të tij. Prej veçorive të mynafikëve është edhe përtacia për faljen e namazit me xhemat në xhami. Pra, nifaku është sherr dhe shumë i rrezikshëm. Sahabët (shokët) e Muhamedit a.s., kishin shumë frikë nga rënia në të.
Ibën ebi Melik tha: "Takova tridhjetë vetë nga sahabët e Muhamedit a.s., të gjithë ia kishin frikën vetës nga nifaku". Këtu shihet se sa ishin të kujdesshëm dhe të ruajtur shokët e Muhamedit a.s. nga kjo vepër e shëmtuar.
Dallimi në mes nifakut të madh dhe nifakut të vogël
1. Hipokrizia e madhe e nxjerr myslimanin nga Islami, kurse hipokrizia e vogël nuk e nxjerr atë.
2. Hipokrizia e madhe është mospërputhja e anës së dukshme dhe asaj të brendshme të dikujt, në lidhje me atë që beson ai, d.m.th. në dukje njeriu shtiret sikur beson diçka, por në të vërtetë në brendësinë e tij ai nuk e beson atë gjë.
Ndërsa hipokrizia e vogël është mospërputhja e anës së dukshme dhe asaj të brendshme, në lidhje me veprat që kryen ai, e jo në lidhje me atë që ai beson.
3. Hipokrizia e madhe nuk mund të ndeshet te një besimtar i sinqertë, ndërsa hipokrizia e vogël mund të ndeshet edhe te një besimtar i sinqertë.
4. Personi, tek i cili ndodhet hipokrizia e madhe, në të shumtën e rasteve, nuk pendohet për këtë gjynah, ndërsa personi, tek i cili gjendet hipokrizia e vogël, mund të pendohet sinqerisht dhe Allahu ia pranon pendimin.
Njëri nga dijetarët e njohur islam shkruan(10) "Jo rrallë ndodh që të shfaqet te një besimtar një cilësi prej cilësive të hipokrizisë, e më pas ai pendohet sinqerisht, ndaj dhe Allahu ia largon atë. Kjo ndodh sepse besimtari ndodhet gjithmonë nën presionin e fortë të ngacmimeve të shejtanit, të cilat e bëjnë atë që të ndjejë një lloj ngushtice në zemrën e tij, ashtu siç transmetohet në një hadith të saktë, në të cilin thuhet se një prej shokëve të Profetit i tha atij: "Disave prej nesh u vijnë në mendje disa gjëra të atilla, sa për to, do të ishte më mirë që të rrëzoheshin nga qielli në tokë, se sa t'ua thoshin të tjerëve." Profeti i tha: "Ky është besimi i vërtetë."(11)
Do të thotë se nëse këto ngacmime shoqërohen me një mospëlqim të tillë dhe më pas largohen nga zemra e njeriut, atëherë ato janë shenjë e besimit të vërtetë."
Si shërohet zemra nga hipokrizia
Tani kur e kem të qartë në ç'masë e prishë hipokrizia veprën, i kuptojmë edhe shkaqet pse është aq e urryer dhe si e tillë është mëkat i madh, duhet që seriozisht të njihemi edhe me atë, se si mund të largohemi më së lehti dhe më shpejt nga kjo vepër.
Për shërimin e sëmundjes së hipokrizisë ekzistojnë disa mënyra:
- Prej mënyrave të shërimit të sëmundjes së hipokrizisë është prirja e kënaqjes në lavdërime, largimi i dhembjes së indinjatës dhe lakmia për arritjen e interesave personale te njerëzit e tjerë, Këto janë tri gjëra kryesore që i do hipokriti.
Ky tip i sëmundjes shërohet duke ditur dëmet e saj, duke kuptuar se ajo pengon pastërtinë e zemrës, pamundëson arritjen e suksesit, lumturisë dhe pozitës së lartë tek Allahu xh. sh. në botën tjetër, si dhe që njeriu kanoset me dënim, urrejtje të rëndë dhe poshtërim.
Sa më shumë që njeriu mendon për pasojat e hipokrizi së dhe famën e vet te të tjerët në këtë botë, e krahason me shpërblimin e lëshuar për vepra të mira në botën tjetër, do ta ketë më të lehtë t' i kundërvihet
kësaj sëmundje të shëmtuar, ngjashëm me njeriun që e di se mjalti është i ëmbël, por nuk dëshiron ta shijojë, nëse është i vetëdijshëm se atë e kanë përzier me helm.
- Mënyra tjetër për t' u shëruar, është që me rastin e kryerjes së namazit dhe lodhjeve të tjera të ibadeteve,(12) të iket nga shtirja para tjerëve.
Në këtë mënyrë, nëse i vjen ndonjë ide dhe dëshirë që të tjerët ta shikojnë se është i devotshëm, do të mendojë me vete: - Ç'kam unë nga kjo, e dinë apo nuk e dinë këtë të tjerët? Me rëndësi është që këtë ta di Allahu xh.sh. Çfarë dobie kam nëse për këtë e dinë edhe të tjerët krahas Tij?
Nëse ndërkaq, i shfaqet dëshira të kënaqet me atë që ta lavdërojnë të tjerët, do të kujtohet se ky mendim është ndezur nga hipokrizia në thellësinë e zemrës dhe se për këtë shkak do të mund të jetë i përbuzur nga Zoti i tij dhe të humbë shpërblimin në botën tjetër.
- Ikja nga devotshmëria, nga frika prej hipokrizisë, është gabim.
Ka njerëz të cilët i ikin disa veprave të mira, duke pasur frikë se kryerja e tyre do të kishte nuanca të hipokrizisë. Kjo bëhet, ngase shejtani donë që njeriun ta bëjë përtac dhe ta largojë nga kryerja e veprave të mira.
Prandaj, përderisa motivi për kryerjen e veprave të mira është vetvetiu i drejtë dhe në harmoni me dispozitat e fesë, kryerja e veprave të mira nuk duhet ndërprerë, duke u frikësuar se kjo mund të jetë nga hipokrizia.
Përkundrazi, njeriu është i obliguar të luftojë kundër mendimeve që nxisin hipokrizinë, zemrën e vet ta mësojë të turpërohet nga Allahu xh.sh., dhe në vend të falënderimit të tjerëve, duhet falënderuar Atë.
- Njeriu duhet të ketë parasysh se Zoti xh.sh mynafikët i ka barazuar me jobesimtarët dhe si dënim ka përgatitur zjarrin e Xhehenemit dhe i ka mallkuar ata, andaj njeriu duhet të bëjë përpjekje që kurrsesi të mos i takoj këtij grupi, e për këtë Allahu thotë: "Hipokritëve, hipokriteve dhe jobesimtarëve Allahu ua ka përcaktuar zjarrin e Xhehenemit ku do të jenë përgjithmonë, ai mjafton për ta, dhe i ka mallkuar Allahu, ata kanë dënim të pandërprerë".(13)
(1) Naim Tërnava, "Morali Islam 1", Prishtinë 1998, fq. 74.
(2) Surja El-Munafikun.
(3) El-Bekare, 9-10.
(4) En-Nisa, 138.
(5) En-Nisa, 145.
(6) Naim Tërnava, "Islami Besimi i Vërtetë dhe Fetë e Tjera- Akaidi 2-", Prishtinë 1998, fq. 61.
(7) Muhammed Naim Jasin "Besimi-Bazat -Esenca -Negacioni", Prishtinë, 2000, fq. 217.
(8) Naim Tërnava, "Islami Besimi i Vërtetë dhe Fetë e Tjera- Akaidi 2-", Prishtinë 1998, fq. 61.
(9) Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
(10) Ibën Tejmije, në një nga librat e tij.
(11) Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.
(12) Bilal Hasanoviq "Ilmud-din", Shkup 2000, fq. 205. (13) Et-Tevbe, 68.
Ma. sc. Burim Bibaj