Me shprehjen err-rrideh, në kuptimin etimologjik nënkuptohet rikthimi në të mëhershmen, si p.sh.: irteddeh an seferihi - është kthyer nga udhëtimi; irteddeh hibbetehu - e ka rikthyer dhuratën e vet etj. Ndërsa në kuptimi terminologjik-fetar, nënkuptohet rikthimi në mosbesim pas pranimit të Islamit.
Sipas konsensusit (ixhmait) ai që e mohon ndonjë çështje, e të cilën e ka obliguar Allahu që të besohet, ka bërë mosbesim dhe është larguar nga feja islame, përveç nëse mohuesi nuk e ka ditur se ka tekst që tregon se veprimi i tillë të largon nga besimi islam.
Andaj, këtij duhet transmetuar dhe shpjeguar se e ka obligim të besojë në të. E po që se vazhdon ende në mohimin e çështjes dhe përgënjeshtrimin e saj, atëherë gjykohet se ka dalë nga besimi dhe është bërë renegat.
Mohimi parimisht çdoherë shprehet me fjalë, përveç nëse ka tekst (ajet dhe hadith) të qartë që sqaron se vepruesi i veprës del nga besimi islam edhe nëse nuk e shpreh mohimin me gjuhë.
Në aspektin gjuhësor me termin shprehje nënkuptohet cilado fjalë, pavarësisht formës që shprehet, si p.sh.: mund të jetë në formë të shkresës, pavarësisht se kjo a shprehet në formë të librit apo në formë të ndonjë shkrimi në gazetë, apo në formë zyrtare, si ligj etj. Të gjitha këto në aspektin gjuhësor njihen si shprehje e të folurit.
Sipas konsensusit është se mohuesi konsiderohet i dalë nga besimi dhe renegat, ndërsa divergjenca është rreth asaj se si të kuptohet të folurit se a është me të qëllim mohimi e përgënjeshtrimit apo jo. Prandaj, parimore është që, nëse njeriu e shpreh Dëshminë-Shehadetin, ai konsiderohet mysliman-besimtar, dhe se nuk lejohet të paragjykohet se ka dalë nga feja pa pasur fakte të prera se ai e ka shprehur me gjuhë mohimin dhe përgënjeshtrimin.
Pas konsensusit që përgenjeshtruesi dhe mohuesi konsiderohet renegat, po ashtu ekziston konsensusi për atë që vepron ndonjë vepër për të cilën ka ajet apo hadith se vepruesi konsiderohet i dalë nga besimi dhe renegat. Por, ka divergjenca edhe rreth disa veprimeve që vepruesi i tyre të konsiderohet renegat apo jo. Kjo divergjencë është për dy shkaqe:
Shkaku i parë: divergjenca rreth kuptimit të teksteve (ajeteve dhe haditheve), dhe;
Shkaku i dytë: divergjencat rreth saktësisë së haditheve të Dërguarit s.a.v.s., pranimit të tyre dhe bindjes se janë të saktë, dhe mospranimit nga disa, duke konsideruar se vargu i transmetimit të tyre nuk është i plotësuar tërësisht, si p.sh.: divergjencat për hadithin që flet për atë që e braktis namazin.
Disa nga juristët myslimanë e kanë konsideruar të saktë hadithin e të Dërguarit a.s.: "Në mes të myslimanit dhe jobesimtarit është braktisja e namazit.(27) ", ndërsa disa nuk e pranojnë saktësinë e këtij hadithi.(28)
Ne nuk kemi për qëllim që t'i përmendim të gjitha veprat për të cilat ka tekste (ajete dhe hadithe) se vepruesi i tyre konsiderohet i dalë nga besimi islam,
si dhe divergjencat që janë në mesin e juristëve myslimanë rreth tyre, por ne do të mjaftohemi duke përmendur diçka prej kësaj, me qëllim që të jetë e qartë ajo që kanë thënë juristët e Ehli Sunetit për këtë çështje.
Ne sinjalizojmë se disa hadithe, për të cilat dijetarët kanë divergjenca rreth saktësisë së tyre, për atë se a janë fjalë të të Dërguarit a.s. Mirëpo, nëse ato i përmend ndonjë dijetar-fekih, atëherë ne i transmetojmë me bindjen se janë të saktë.
Komentuesi i librit" Akideja e Tahaviut" ka thënë: "Si shpjegim për të se çfarë ka dashur të thotë autori i këtij libri, Ebu Xhafer Ahmed bin Muhamed bin Selamet El Ezdij Et Tahaviju, që i përket medhhebit hanefi, me thënien: "Nuk e hedhim në mosbesim askënd që është i kibles sonë (mysliman), për shkak se ka bërë ndonjë mëkat që nuk e nxjerr nga besimi, dhe nuk themi se mëkati nuk i shkakton dëm besimit të atij që e vepron atë".
Komentuesi i këtij libri ka thënë: "Por, këtu mbetet një paqartësi që reagon ndaj fjalëve të autorit (Tahaviut r.a.), kur dihet se Ligjdhënësi disa nga mëkatet i ka emërtuar si kufr (mosbesim)." Ka thënë Allahu i Lartësuar: "Kush nuk gjykon sipas asaj që ka zbritur Allahu, ata janë prej jobesimtarëve". Ka thënë i Dërguari s.a.v.s.: "Të shahet besimtari është mëkat i madh, ndërsa mbytja e tij është kufr (mosbesim)" (Transmeton Buhariu dhe Muslimi, nga hadithi i Ibën Mesudit).
Ka thënë i Dërguari a.s.: "Mos u ktheni pas meje në mosbesim, e të luftoni njëri tjetrin", e po ashtu ka thënë: "Kur njeriu i thotë vëllait të tij o jobesimtar; e nëse ai nuk është i tillë, atëherë mosbesimi i kthehet atij". (Transmeton Buhariu dhe Muslimi, nga hadithi i Ibën Umerit).
Ka thënë i Dërguari a.s.: "Ai që i posedon katër cilësi konsiderohet krejtësisht hipokrit. E ai që ka njërën prej këtyre cilësive, atëherë ai ka një cilësi të hipokrizisë derisa ta lë atë: kur flet gënjen, kur premton nuk e zbaton premtimin, kur i besohet diçka mashtron, dhe kur përleshet i tejkalon kufijtë" . (Transmeton Buhariu dhe Muslimi, nga hadithi i Abdulla bin Umerit r.a. Ka thënë i Dërguari a.s.: "Nuk mund të bëjë prostitucion laviri, e që në momentin e zinasë të jetë edhe besimtar; nuk mund të vjedhë vjedhësi, dhe që në momentit e vjedhjes të jetë edhe besimtar; dhe nuk mund të pijë alkoolisti alkool, e që në momentin e pirjes të jetë besimtar, pendimi është para tyre ... "
Ka thënë i Dërguari a.s.: "Në mes myslimanit dhe mes mosbesimit është braktisja e namazit". (Transmeton Muslimi, nga Xhabiri).
Ka thënë i Dërguari a.s.: "Kush shkon te magjistari dhe i beson atij, apo ka bërë marrëdhënie seksuale në anusin e gruas së tij, atëherë ai e ka mohuar atë që i është zbritur Muhamedit."(29)
Ka thënë i Dërguari a.s.: "Kush betohet jo në emër të Allahut, ai e ka mohuar Atë."(30)
Ka thënë i Dërguari a.s.: "Dy vepra tek umeti im janë të kufrit: të shpifurit për moralin e gjenealogjisë, dhe të vajtuarit për të vdekurin." Të ngjashëm me këto hadithe ka shumë.
Përgjigja: Vërtet Ehli Suneti, që të gjithë, janë të pajtimit se vepruesi i mëkatit të madh nuk konsiderohet i dalë nga besimi, sikur që thonë havarixhët. Ehli Suneti po ashtu janë të pajtimit se vepruesi i mëkatit të madh nuk del nga besimi e të hyjë në mosbesim, dhe se nuk meriton të jetë përgjithmonë në Xhehenem me jobesimtarët, ashtu siç mendojnë mutezilinjtë, ngase vërtet mendimi i mutezilinjve është i papranuar, ngase Allahu xh.sh. veprues in e mëkatit të madh e konsideron besimtar. Allahu i Lartësuar ka thënë: "O ju që besuat, u është bërë obligim gjurmimi për dënim për mbytje: i liri për të lirin, robi për robin, femra për femrën. Kurse atij që i falet diçka nga vëllai i vet, atëherë ajo le të përcillet (e atij që fal) kuptueshëm dhe shpagimi (nga dorasi), atij le t'i bëhet me të mirë.(31) Mbytësi nuk konsiderohet i dalë nga radhët e besimtarëve, dhe në të njëjtën kohë konsiderohet si vëlla në aspektin e besimit edhe i atij që ka të drejtë për t'u hakmarrë. Allahu i Lartësuar ka thënë: "Nëse dy grupe besimtarësh tentojnë të luftojnë ndërmjet vete, ju pajtojini ata, e në qoftë se ndonjëri prej tyre e sulmon tjetrin, atëherë luftojeni atë grup që vërsulet pa të drejtë, derisa t' i bindet udhëzimit të Allahut, e nëse kthehet, atëherë me drejtësi bëni pajtimin ndërmjet tyre, mbani drejtësinë, se vërtet Allahu i do të drejtët. S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë Allahun që të jeni të mëshiruar (nga Zoti)."(32) Tekstet kuranore, ato të Sunetit, si dhe konsensusi i dijetarëve, argumentojnë qartë se laviri dhe vjedhësi nuk mbyten si renegatë, por ndaj tyre zbatohen masat ndëshkuese (had) të përcaktuara nga Allahu xh. sh. Pra, kjo argumenton se këta nuk janë renegatë. Është e vërtetuar me hadith të saktë se i Dërguari a.s. ka thënë: "Ai që i ka bërë ndonjë padrejtësi vëllait të tij në ndonjë çështje të nderit apo në diçka tjetër, le t'ia kërkojë hallallin para se të vijë dita kur nuk ka vlerë dinari e dërhemi. Nëse (ai që ka bërë padrejtësi) ka vepra të mira, i merren ato në atë masë sa për ta paguar padrejtësinë, e po që se nuk ka vepra të mira, atëherë i merren veprat e këqija atij që i është bërë padrejtësi dhe i ngarkohen këtij (keqbërësit), dhe më pastaj ky hidhet në Xhehenem". Ky hadith është transmetuar në dy koleksionet e sakta (Buhari dhe Mus1imi), dhe se me këtë është vërtetuar se zullumqari mund të ketë vepra të mira, e që më pastaj i merren për ta paguar të drejtën që e meriton i dëmtuari. Gjithashtu, në të dy koleksionet e sakta është vërtetuar se i Dërguari a.s. ka thënë: "Cilin e konsideroni si "muflis" prej radhëve tuaja?" Ata thanë: "Muflis" është ai që nuk ka asnjë dërhem e asnjë dinar." I Dërguari s.a.v.s. tha: "Muflis" është ai që kur të vije në Ditën e Gjykimit, ka vepra të mira sa kodrat, por ka sharë këtë, ka grabitur pasurinë e këtij, e ka derdhur gjakun e këtij, e ka shpifur këtë, e ka rrahur këtë. Për të gjitha këto i merren veprat e mira, me qëllim që të shpaguhen padrejtësitë që i ka bërë, e kur të harxhohen të mirat e tij, atëherë merren të këqijat e atij që i është bërë padrejtësi dhe i ngarkohen këtij, e më pastaj ky hidhet në Xhehenem". (Transmeton Muslimi).
Allahu i Lartësuar ka thënë: "S'ka dyshim se veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. "(33)
E gjithë kjo argumenton se gjatë kohës sa bën mëkate ai vepron edhe vepra të mira, me të cilat i fshin veprat e këqija.
Mutezilet: janë të pajtimit me havarixhet për këtë çështje, pra për në botën tjetër, dhe ata janë unanim se vepruesi i mëkatit të madh do të jetë përgjithmonë në Xhehenem. Por, dallimi është se havarixhet kanë thënë: Ne vepruesin e mëkatit të madh e emërtojmë jobesimtarë, ndërsa mutezilet kanë thënë se e emërtojmë mëkatar i madh. Prandaj, divergjenca mes tyre është vetëm formale, e jo esenciale.
Ehli Suneti janë unanim se veprues i mëkatit të madh meriton kërcënimin (dënimin) për mëkatin që ka bërë, ashtu siç është përmendur nëpër ajete e hadithe, e jo sikur që thonë murxhiat: " ... se mëkatari i madh nuk i bën dëm besimit me mëkatin që ka bërë, e as nuk i bën dobi kufrit me veprën e mirë që ka bërë."
(Vijon)
(27) Muslimi e transmeton me këto shprehje: "Në mes njeriut, politeizmit dhe mosbesimit është braktisja e namazit", vol. I, f. 88.
(28) Prej këtyre dijetarëve është Ibën Hazmi, që konsideron se ka mangësi në vargun e transmetimit të hadithit.
(29) Buhariu dhe Muslimi.
(30) Me këto shprehje transmeton El Hakimi,
dhe ka thënë se është i saktë sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit. El Mustedrek vol. I, f. 18.
(31) El Bekaretu: 178.
(32) El Huxhurat: 9, 10.
(33) Hud: 114.
Hasan El-Hudajbi
Përktheu nga gjuha arabe:
Mr. Sci. Flamur Sofiu