Disa janë të mendimit se atij që i ka arritur kumtesa e thirrjes islame dhe është treguar kryeneç ndaj saj, ai emërohet si jobesimtar dhe politeist, ndërsa atij që nuk i ka rritur kumtesa e thirrjes islame, ai emërohet vetëm si politeist e nuk i thuhet jobesimtar.
Ky mendim është i varfër në aspektin e argumenteve kuranore dhe të Sunetit, e ne veçse kemi thënë se emërtimet terminologjike të sheriatit i përcakton vetëm Allahu i Lartësuar, dhe se këtë të drejtë nuk e ka askush pos Tij, dhe gjithashtu veçse kemi ofruar argumentet se Kurani dhe Suneti dy shprehjet, jobesimtar dhe politeist, i kanë përdorur si dy terma që kanë një kuptim.
Nga aspekti gjuhësor na del se mushriku-politeisti patjetër duhet të jetë edhe jobesimtar, ngase Allahu i Lartësuar ka ofruar argumente të prera se nuk pranohet kurrsesi mohimi dhe përgënjeshtrimi i ekzistencës dhe Njësisë së Allahut të Lartësuar. Prandaj ai që i përshkruan rival Allahut apo e përgënjeshtron ekzistencën e Tij, ai në të vërtetë e ka fshehur të vërtetën
dhe në këtë mënyrë ka shprehur mosbesimin (kufrin) ndaj Allahut të Lartësuar, dhe kështu konsiderohet jobesimtar. Gjithashtu, jobesimtari patjetër duhet të jetë edhe politeist, ngase ai i ka përgënjeshtruar argumentet e plota që argumentojnë ekzistencën e Allahut dhe Njësinë e Tij, dhe kështu e ka shpifur Allahun duke e konsideruar Atë me të meta, dhe se argumentet dhe faktet që i ka ndjekur ai i ka konsideruar si më të përkryera dhe më të drejta sesa faktet dhe argumentet e Allahut të Madhërishëm. Prandaj, ky me këtë veprim i ka bërë dikë rival Allahut të Lartësuar, qoftë veten e tij apo atë që e ka pasuar, andaj jobesimtari patjetër se është edhe politeist.
Nga shirku-politeizmi konsiderohet edhe ajo që dikush të mendojë se ndonjë gjë, apo ndonjë grup i njerëzve kanë forcë nga vetja e tyre, d.m.th. nuk e kanë forcën nga Allahu, edhe po që se këtë forcë nuk e konsiderojnë të njëjtë me forcën e Allahut. Ajo që është thelbësore në këtë është se personi i tillë e ka nxjerrë diçka që është e panevojshme për forcën e Allahut të Lartësuar. Në këtë mënyrë ky person e ka konsideruar si të mangët forcën e Allahut, dhe nuk beson në përsosmërinë absolute të Allahut të Lartësuar. Pra, ai që beson se forca e Allahut ka mangësi, i tilli i ka përshkruar Zotit rival - e Allahu është i Pastër nga të metat dhe i Lartësuar.
Gjithashtu, në kategorinë e shirkut-politeizmit hyn edhe bindja se dikush do të mund të ndërmjetësojë, dhe se ky ndërmjetësim doemos duhet të pranohet. Kjo është nga domosdoshmëria e pranimit, dhe nënkupton se ndërmjetësuesi është jashtë pushtetit të Allahut, andaj në këtë mënyrë Allahut i përshkruhet dikush si rial - e Allahu është i Pastër nga të metat dhe i Lartësuar. Ndërsa, sa i përket bindjes se ndonjë person është më afër pranimit të lutjes tek Allahu, kjo nuk konsiderohet shirk-politeizëm. Allahu i Lartësuar ka thënë: "Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij?!"(17), dhe po ashtu i Dërguari a.s. ka thënë: "Secili i dërguar ka lutje për popullin e tij, ndërsa unë e kam deponuar lutjen time për të ndërmjetësuar për umetin tim në Ditën e Kiametit".(18)
Në kategorinë e shirkut-politeizmit është edhe përgënjeshtrimi dhe mohimi i mesazhit të Muhamedit s.a.v.s. në përgjithësi dhe mohimi i ndonjë çështjeje që e solli i Dërguari a.s. Ne kemi përmendur më herët se shprehjet politeizëm dhe mosbesim janë dy shprehje që sipas sheriatit mund të përfaqësojnë secilin që mohon apo përgënjeshtron diçka që Allahu e ka bërë obligim te njerëzit që besojnë. Allahu i Lartësuar ka paraqitur fakte shumë të prera e të qarta për atë se mesazhi i të Dërguarit s.a.v.s. është i vërtetë dhe se çdo gjë që e paraqet është e saktë. Çdo gjë që flet i Dërguari s.a. për çështjet fetare. Ajo është shpallje nga Allahu i Lartësuar. Prandaj, kush i mohon këto fakte apo i përgënjeshtron ato, apo përgënjeshtron diçka prej asaj që ka sjell i Dërguari s.a.v.s., personi i tillë i ka vënë faktet në të cilat është mbështetur në pozitë më të lartë sesa ato të Allahut, dhe në të njëjtën kohë ato i ka konsideruar më të përkryera dhe me të qarta sesa vetë faktet e Allahut të Lartësuar, dhe në këtë mënyrë fakteve të Allahut ua ka atribuuar mangësinë, Pra, në këtë mënyrë ky i ka bërë Allahut rival, qoftë veten e tij apo atë që e ka ndjekur ai, - e Allahu është i Pastër nga të metat dhe i Lartësuar.
Çështja është e njëjtë edhe me atë që nuk është dakord me vendimin e Allahut dhe i jep përparësi ndonjë vendimi të dikujt tjetër, apo nëse e bën hallall atë vepër që Allahu e ka bërë haram apo anasjelltas, pasi që atij i janë ofruar faktet dhe e vërteta. Andaj, ai që e mohon ndonjë tekst kuranor apo ndonjë hadith të të Dërguarit a.s., duke i dhënë përparësi dhe konsideruar më të drejtë për vendimin e vet apo të atij që e ndjek ndaj vendimit të Allahut të Lartësuar ai i ka përshkruar Allahut të Lartësuar rival, qoftë veten e tij apo atë që e ndjek. Allahu i Lartësuar ka thënë: “A e ke parë ti (Muhamed) atë që, duke e ditur, dëshirën e vet e respekton si zot të vetin.”(19) “ O bijtë e Ademit (kriminelë), po a nuk ua dërgova porosinë që të mos e adhuroni djallin.”(20) Ne e kemi shpjeguar më herët hadithin e transmetuar nga Adij bin Hatimi, kur i Dërguari a.s. i kishte sqaruar fjalën e Allahut të Madhërishëm që fletë për çifutët dhe të krishterët që rabinët dhe priftërinjtë e tyre i kishin marrë për zotëra pos Allahut, se këta (rabinët dhe priftërinjtë) ua kishin lejuar haramin dhe u kishin ndaluar atë që ishte hallall.
Këtu duhet patjetër të bëjmë shpjegimin e ndarjes në mes të punës dhe besimit
Ai që punon mund të veprojë diçka që vjen në kundërshtim me urdhrin e Allahut, por ai përkundër veprimit të tij beson se vendimi i Allahut është i drejtë. Pra ky veprim është një mëkat që nuk e nxjerr vepruesin prej besimit në mosbesim. Por, nganjëherë dikush mund të veprojë kundër urdhrit të Allahut duke mos qenë i kënaqur me vendimin e Allahut të Lartësuar, apo duke pasur bindje se vendimi i Allahut është i padrejtë, dhe në këtë mënyrë i jep përparësi vendimit të dikujt tjetër ndaj atij të Allahut të Lartësuar. Ky veprim është kufër (mosbesim) dhe shirk (të përshkruarit rival Allahut), dhe me këtë veprim vepruesi del prej fesë islame. Jo vetëm kaq, por edhe të mosqenit i kënaqur dhe mos dorëzimi i plotë ndaj vendimit të Allahut, bindja se vendimi i Allahut është i pavlefshëm dhe të dhënit përparësi vendimit të dikujt tjetër ndaj vendimit të Allahut konsiderohen kufër dhe shirk, edhe po që se këtë vepër nuk e vepron. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.”(21)
Kush përgojon tjetrin duke e ditur vendimin e Allahut për këtë veprim, pra se Allahu e ka ndaluar, pra bën përgojim me bindjen se vendimi i Allahut është i drejtë dhe se duhet të ndiqet në këtë rast është mëkatar, por jo edhe i dalë nga feja islame. E po që se ndodh të bëjë përgojim për shkak se nuk është i kënaqur me vendimin e Allahut, me bindje se vendimi i tillë nuk është i drejtë, dhe i jep përparësi vendimit të dikujt tjetër ndaj vendimit të Allahut, ky konsiderohet mushrik-politeist dhe jobesimtar, jo pse ka përgojuar por për arsye se nuk i është nënshtruar vendimit të Allahut, dhe kishte bindje se ai vendim është i pavlefshëm, dhe se i ka dhënë përparësi vendimit të dikujt tjetër. Ky rregull vlen për të gjitha rastet kur veprohet në kundërshtim me urdhrat dhe pengesat, përveç nëse ka ndonjë tekst (ajet apo hadith) që në mënyrë të veçantë thotë se vepruesi i veprës del nga besimi pa u shikuar aspekti i bindjes.
Si parimore për myslimanin është që ai të dëshmojë se nuk ka zot tjetër pos Allahut, të besojë në çdo gjë që e ka sjell i Dërguari a.s., dhe pos kësaj të jetë i bindur thellësisht se vendimi i Allahut është i saktë dhe se doemos duhet të ndiqet. Prandaj, kur ndodh që myslimani të mos veprojë sipas urdhrave apo pengesave që i ka përcaktuar Allahu, ai konsiderohet mëkatar i madh me shpresë që ai është i bindur se Allahu është një dhe se vendimi i Tij është i vërtetë. Tjetra është se kur myslimani vepron ndonjë vepër në kundërshtim me vendimin e Allahut ky nuk merret në pyetje se veprimin a e ka bërë duke e mohuar vendimin e Allahut apo përgënjeshtruar atë, apo vetëm se ka vepruar kundër vendimit të Allahut. Mirëpo, ndaj personit të tillë merren masat ndëshkuese, qofshin sanksione të caktuara nga Allahu (hadd), apo masa ndëshkuese të përcaktuara nga prijësi mysliman (te' azir), pos nëse personi e shpreh haptas daljen e tij nga urdhri i Allahut, duke u shprehur se ka vepruar kështu për shkak se nuk është i kënaqur me vendimin e Allahut dhe nuk pranon obligueshmërinë e nënshtrimit ndaj vendimit të Allahut të Lartësuar. E, nëse e shpreh këtë, atëherë gjykohet se ka bërë kufër dhe shirk, dhe kështu ndaj tij zbatohen sanksionet për dalje nga feja (mbytet si renegat).
Argumenti
Si argument është vetë veprimi i të Dërguarit a.s., i cili veprim deri te ne është transmetuar në formën tevaturen (transmetim tërësisht i saktë), se i Dërguari a.s. e ka zbatuar masën ndëshkuese ndaj vjedhësit, ndaj atij që e ka mohuar borxhin që e ka marrë, ndaj lavirit dhe lavires, e ka rrahur me kamxhik atë që ka konsumuar pije dehëse, e ka qortuar atë që ka bërë ndonjë mëkat në prezencën e tij, apo e ka ditur për veprimin e ndonjë mëkati. Si argument mund të përmendim atë që e transmeton Muadh bin Xhebeli r.a., i cili ka treguar: "Kemi dalë me të Dërguarin s.a.v.s. për të shkuar në betejën e Tebukut, e i Dërguari a.s. kishte thënë: "Nëse do Zoti, ju nesër do të arrini te burimet e Tebukut në kohën e paradrekes, andaj kush arrin prej jush të mos marrë fare ujë nga burimi derisa të arrij unë!" Tregon Muadhi: "Kur ne arritëm veç dy burra para nesh kishin arritur, e burimi kishte filluar me lëvizë nga vendi. Në këtë rast i Dërguari a.s. i pyeti ata dy: "A mos vallë keni pirë ujë nga ky burim?" Ata thanë: "Po." E më pastaj i Dërguari s.a.v.s. i qortoi.(22)
Nuk na ka arritur neve asnjë transmetim se i Dërguari a.s. kishte pyetur për ata ndaj të cilëve ishte zbatuar masa ndëshkuese apo ndonjë lloj dënimi qortues se ata mos vallë e kanë konsideruar atë mëkat si jo të ndaluar apo mos vallë e kanë mohuar apo jo urdhrin. Po të ishte obligim një veprim i tillë i Dërguari a.s. gjithsesi do ta vepronte, dhe se deri te ne do të arrinte ndonjë transmetim. Andaj veprimi i të Dërguarit a.s. dhe mosekzistimi i ndonjë ajeti apo hadithi argumenton se duhet pyetur vepruesin e mëkatit, se
a e ka bërë një mëkat të tillë, e kurrsesi të pyetet se mos e konsideron lejuar mëkatin apo mos e mohon normën e caktuar nga Allahu. Pra, kjo argumenton se kush dëshmon atë se nuk ka Zot tjetër pos Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, e mandej bën ndonjë mëkat me shpresë se ai vazhdon të jetë i bindur në njësinë e Allahut dhe në vendimin e Allahut të Lartësuar, atëherë ai nuk mund të konsiderohet as mohues e as përgënjeshtrues, por nga ky rregull përjashtohen gjithë ato raste për të cilat ka tekst (ajet dhe hadith); që nëse vepruesi vepron ndonjë vepër, atëherë konsiderohet mohues dhe përgenjështrues, dhe se i tilli konsiderohet i larguar nga feja (renegat) vetëm nga vepra që e ka vepruar, pa pasur nevojë që ai ta shprehë largimin nga feja.
Nganjëherë për atë që bën mëkat thuhet se e ka ndjekur pasionin e vet në kundërshtim me urdhrin e Allahut të Lartësuar, apo se ka ndjekur djallin në veprimin e mëkatit, por në këtë rast nuk lejohet të thuhet se ai e ka marrë për zot pasionin e tij apo se ai e ka adhuruar shejtanin, përveç nëse ky ka bërë ndonjë vepër që e largon atë nga feja islame. Kjo është sepse të konsideruarit e dikujt si zot pos Allahut është mohim (kufër) dhe shirk (përshkrim Allahut dikë si rival). Andaj nuk është e drejtë që dikujt t'i jepet cilësia e kufrit (mohimit) pos atij që sipas fesë meriton të cilësohet me këtë. Mëkatari nuk është as jobesimtar e as politeist, përderisa është i bindur në njësinë e Allahut, dhe se mëkati që e ka vepruar nuk e nxjerr nga feja islame. Gjithashtu, shprehja adhurim (ibadet), kur përdoret, ka për qëllim nënshtrimin dhe ndjekjen e tërësishme të atij që adhurohet, e nëse kjo bëhet për dikë pos Allahut, atëherë konsiderohet kufër (mohim i Allahut) dhe shirk (përshkrim Allahut dikë si rival). Andaj, askush nuk lejohet të cilësohet me kufër dhe shirk pos atij që sipas fesë i plotëson kushtet për t'u cilësuar si i tillë.
(Vijon)
(17) El-Bekaretu: 255.
(18) El-Muhala: vëll. I, f. 20.
(19) El-Xhathijetu: 23.
(20) Jasin: 60.
(21) En-Nisa: 65.
(22) Thën Hazrni: vëll. III, f. 18.
Hasan El-Hudajbi
Përktheu nga gjuha arabe: Mr. Sci. Flamur So/iu