Sheriati ka legjitimuar pronësinë dhe ka lejuar pronën private. Ai garanton ruajtjen e pasurisë (hifdhul mal), sepse ajo është një nga pesë domosdoshmëritë për mbijetesën dhe mirëqenien e individit në këtë botë.
Mosmarrja në konsideratë e këtij parimi njeriun do ta çonte drejt rrënimit, dhe do të shkaktonte kaos dhe prishje të rendit të shoqërisë.
Sheriati inkurajon punën dhe aktivitetin tregtar, me qëllim që ta aftësojë individin në fitimin e pasurisë në mënyrë të lejueshme. Ai ka ligjësuar mënyrat e pasurimit të ndershëm, duke e konsideruar si formë adhurimi dhe një mënyrë e afrimit te Krijuesi: “Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni!” (El Xhumua, 10).
Islami është në pajtim me natyrshmërinë e njeriut. Ai ka lejuar që të plotësohen nevojat e lindura për njerëzit, të përmbushen brenda kufijve të arsyeshëm, në mënyrë të drejtë dhe në të mirën e tij. E drejta e pronës është e pacenueshme dhe nuk ka tavan në drejtim të fitimit të pasurisë për sa kohë që arrihet në mënyrë të ligjshme. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ushqimi më i mirë që ha njeriu është ushqimi që ai e ka fituar nga puna e duarve të veta. Pejgamberi i Allahut, Davudi a.s., ushqehej nga puna e duarve të veta.” (Buhariu).
Legjislacioni islam ka vendosur masa që rregullojnë tregtinë dhe shkëmbimet tregtare në mes njerëzve, për të garantuar një marrëdhënie të drejtë, për të përmbushur drejtësinë financiare dhe për të parandaluar padrejtësinë. Ai ka ligjësuar rregullat e marrëveshjeve dhe shkëmbimeve tregtare me të cilat arrihen këto dobi, siç është shitblerja, ortakëria në tregti, dhe gjërat e tjera që sjellin dobi tek individi dhe shoqëria.
Sheriati ka sanksionuar masat që të evitojë efektet negative, e që mund të rezultojnë me humbje të ekuilibrit social dhe qarkullimin e parave brenda një grupi të vogël të komunitetit.
Prandaj, të drejtat e kapitalit shoqërohen me detyrime, duke përfshirë vënien e taksave dhe kontributin në përpjesëtim me nevojat e shoqërisë. Zeqati është i detyrueshëm.
Legjislacioni islam ka rregulluar transaksionet financiare në bazë të kënaqësisë dhe drejtësisë. Kontratat mes kontraktorëve duhet të jenë me pëlqim të dyanshëm: “O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm…!” (En Nisa, 29). Gjithashtu ka ndaluar lojërat e fatit dhe bixhozin.
Synimi i sheriatit është sjellja e dobisë dhe evitimi i dëmit. Nga sjellja e dobisë është se gjërat që janë në tokë janë lejuar dhe nënshtruar për njeriun: “Allahu është Ai që ka nënshtruar për ju detin, që nëpër të, me urdhrin e Tij, të lundrojnë anijet, për të kërkuar dhuntitë e Tij dhe që ju të jeni mirënjohës. Ai ka vënë në shërbimin tuaj çka gjendet në qiej dhe në Tokë, të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë.” (El Xhathije, 12-13).
Ai ka ndaluar kamatën dhe ka rregulluar mënyrën e posedimit të pasurisë, duke ruajtur interesin publik dhe marrjen e saj në mënyrë të paligjshme, dhe që të mos dëmtohen të tjerët: “O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë! Nëse nuk e bëni këtë, atëherë ju është shpallur luftë nga Allahu, dhe I Dërguari I Tij…” (El Bekare, 279).
Sheriati ka ndaluar vjedhjen e pasurisë së tjetrit, mashtrimin, si dhe e ka ligjësuar ndëshkimin: “Vjedhësit dhe vjedhëses ua prisni duart, si ndëshkim për atë që kanë bërë dhe si dënim nga ana e Allahut. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (El Maide, 38).
Pejgamberi a.s. thotë: “Çdo mysliman e ka të ndaluar (të cenojë) gjakun, pasurinë dhe nderin e myslimanit…”. “Gjakrat tuaja, pasuritë tuaja dhe nderi juaj, janë të ndaluar (të shkelen) mes jush…”.
Islami ka ndaluar shpenzimin e parave për gjëra të ndaluara, dhe ka kërkuar të shpenzohen në rrugët e mirësisë. E gjithë kjo është ndërtuar mbi bazën e rregullave të sistemit ekonomik islam, sipas të cilit pasuria është e Allahut, kurse njeriut i është besuar ajo që ta përdorë si duhet: “…shpenzoni nga ato që Ai jua ka lënë trashëgim, se për ata midis jush, që besojnë dhe shpenzojnë (për bamirësi), do të ketë shpërblim të madh!” (El Hadid, 7).


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi