Vlera dhe rëndësia e diturisë


Lavd-falënderimet, frikë-respektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është i Gjithëmëshirshëm në këtë botë e Mëshirues i Posaçëm në botën tjetër, Furnizues i Përgjithshëm e i Vetmi Bereqetdhënës. Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet e qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
O Allah ! Kërkojmë mbështetjen Tënde nga katër gjëra: prej diturisë që nuk sjell dobi; prej zemrës që nuk frikësohet; prej një nefsi që nuk ngopet dhe prej lutjes që nuk pranohet!
Fjala dituri rrjedh nga fjala ditë, e fjala ditë nga fjala dritë; pra dituria është dritë për njeriun në këtë botë dhe në botën tjetër, dituria e dallon njeriun nga të padituritë dhe e ngritë te Zoti xh.sh shumë.
Allahu xh.sh urdhëron të pajisemi me dituri, bile fjala dituri në Kuran është përmendur 850 herë.
Fjalia e parë e zbritur është lexo, e nuk është falu, apo puno, apo … . Ajetet e para të zbritura janë:
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (Alek 1-5)
Allahu xh.sh lartëson ata që u është dhënë dije, për këtë në Kuran thotë:
“…Allahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. Allahu është i njohur mirë me atë që punoni.” (Muxhadele 11)
Abdullah ibn Abasi r.a duke komentuar këtë ajet ka thënë: “Dijetarët janë më të lartë se besimtarët 700 gradë, dhe ndërmjet dy gradëve distanca është prej 500 vitesh”.
Allahu xh.sh në një ajet kuranor pyet: “Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?”” (zumer 9), e shumë ajete që flasin për diturinë.
Tash do të cekim disa hadithe (fjalë) të Muhahamedit a.s, që tregon për vlerën dhe rëndësinë e diturisë.
Muhamedi a.s thotë: “Atij që Allahu ia donë të mirën ia mëson fenë (e bën të ditur, i jep aftësinë të kuptojë dhe mesojë fenë)”. (Buhari dhe Muslim)
“… Pejgamberët nuk kanë lënë trashëgim dinarë dhe as dirhem, por kanë trashëguar dijen. Kush merr prej saj ka marrë një pjesë të mirë.” (Ibn Maxhe dhe Ibn Hiban)
“Atij që ndjek rrugën e dijes, Allahu do t’i tregojë rrugën për në Xhenet”. (Muslim)
“Kërkimi i dijes është detyrë për çdo musliman dhe muslimane”. (Ibn Maxhe)
“Ai që vdes duke kërkuar dije për të ringjallur fenë me të, është vetëm një gradë poshtë pejgamberëve në Xhenet”. (Muslim dhe Tirmidhi)
“Dy cilësi nuk ndodhin tek hipokriti: “Sjellja e mirë dhe të kuptuarit e fesë”. (Tirmidhi)
Grada më e ulët e një dijetari është të kuptojë se ahireti është më i mirë se dynjaja, nëse e arrin këtë, atëherë pastrohet nga hipokrizia dhe syfaqësia.
Aliu r.a ka thënë: “Dija është më e mirë se pasuria, dija të ruan ty kurse ti ruan pasurinë, dija të udhëheq kurse pasuria është e udhëhequr, pasuria pakësohet duke u shpenzuar, ndërsa dija shtohet kur ia mëson të tjerëve”.
E përfundoj me fjalën e Allahut xh.sh ku thotë: “Thuaj: O Allah më shto dijen”. Dhe e lusim Zotin që t’na mundësoj të pajisemi me dije të dobishme, e dijen që posedojmë ta praktikojmë. Amin


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi