El-Bera bin Azib r.a. tregon dhe thotë: "Na ka urdhëruar Resulullahu s.a.v.s. për shtatë gjëra dhe na ka ndaluar nga shtatë të tjera. Na ka urdhëruar për përcjelljen e kufomës - xhenazes, vizitën e të sëmurit, përgjigjen ndaj ftesës, ndihmën ndaj viktimës, përmbushjen e betimit, kthimin e selamit, lutjen për atë që teshtin dhe na ka ndaluar nga enët e argjendta, nga bartja e arit (unaza), nga mëndafshi me llojet e tij (qofshin rroba, mbulesa, shtroje, këmisha)." Transmetuesi nuk e ka përmendur të shtatën, e ajo është mbulesa prej mëndafshi e shalës së devesë."(1)
Fjalët e panjohura
Fjala el-xhenaiz rrjedh nga folja xheneze, që nënkupton mbulesë, e këtu është fjala për mbulimin e të vdekurit. Po ashtu ka kuptimin e arkivolit
në të cilin gjendet i vdekuri. Fjala el-ijade ka kuptimin e vizitës, zijaretit, kushdo që të vjen herë pas here quhet 'aidun - vizitor apo shkon dhe kthehet prapë për të vizituar. Kjo shprehje është shquar për atë që viziton të sëmurin. Me këtë shprehje është emërtuar edhe shtëpia e shëndetit - ambulanca, ngase njerëzit hyjnë dhe dalin për shërim në të.
Fjala teshmit ka kuptimin e qëndresës, rrjedh nga fjala esh-shevamitu që d.m.th. qëndrim, stabilitet, këmbëngulje - el-kavaim, sikur personi të lutet për qëndrueshmëri në rrugën e drejtë. Apo ka kuptimin kur personi gëzohet me fatkeqësinë e tjetrit. Lutja e bërë që t' i largohet ajo fatkeqësi, ngase ai që teshtin mendon se me teshtitje mund ta godasë ndonjë e keqe e papritur.
Fjala ed-dibaxh ka kuptimin e këmishës së mëndafshtë. Fjala el-kassijju ka kuptimin e rrobës së mëndafshtë të qepur nga penj të e mëndafshtë apo fijet. Është emërtuar kështu për shkak se prodhohej në një fshat në breg të detit në Egjipt, që quhej El-Kassu.
Fjala el-istebrek është këmishë me mëndafsh të shumtë, që është më e rëndë se ed-dibaxhi.
Fjala el-mithere ka kuptimin e mbulesës, e shtrojës së mëndafshtë, të cilën nuset e vendosnin në shalë të devesë për burrat e tyre. Kjo ndalesë vjen si shkak i përmbajtjes së mëndafshit e jo si mbulesë apo traditë e tyre.
Shpjegimi i hadithit
Ky hadith përmban shumë çështje me rëndësi për lidhjet ndërnjerëzore që kanë efekt pozitiv në ruajtjen e raporteve vëllazërore. Në veçanti përfshihen çështjet e inkurajimit dhe frikësimit. Këtu ceken gjërat dhe kërkesat më të nevojshme që e lidhin njeriun me vëllanë e tij në të gjitha sferat shoqërore, njerëzore, humane dhe sociale. Këto gjëra mund t' i quajmë edhe prej fondamenteve të çdo shoqërie civilizuese, që prodhojnë stabilitet, paqe, vëllazëri dhe qetësi për individin.
Sikur pasuesit e Islamit në veçanti dhe njerëzia në përgjithësi t'i përvetësonin dhe zbatonin këto udhëzime njëri me tjetrin, atëherë afërsia dhe bashkëpunimi do të zëvendësonin ftohjen dhe armiqësinë, paqja do të zëvendësonte luftën, të gjitha shtresat njerëzore do t' i përfshinte një jetë e lumtur dhe e qetë. Këto fondamente do të prodhonin fryte të këndshme dhe thirrjet e profetëve do të realizoheshin te të gjithë popujt për paqe dhe lumturi, në veçanti thirrja e Profetit të fundit, që të gjithë njerëzit ta duan njëri-tjetrin si vëllezër që vijnë nga një prind, Ademi a.s ..
Përcjellja e të vdekurit
Ky obligim është e drejtë e Allahut, e drejtë e të vdekurit, obligim i të afërmve të tij dhe të gjallëve në përgjithësi. Ky princip islam në dukje të jashtme shihet si veprim që lidh zemrat, bashkon kundërshtarët dhe afron të braktisur it. Duke marrë pjesë në varrim realizohen dhe konfirmohen shumë synime. Nuk ka dyshim se shkuarja në xhenaze në çastet e vështira të mërzisë dhe pikëllimit mbjell afërsi dhe konfirmon rëndësinë që ka njeriu për njeriun në momentet më të vështira të jetës. Në atë ngushëllim shpaloset dashuria në shoqëri, përkrahet e mira, gëzohen shpirtrat dhe ndihmohet viktima. Në momentin kur personi vdes, ne duhet të mundohemi të bëjmë gjithçka që kemi mundësi, duke përfshirë shoqërimin e të vdekurit, faljen e namazit, lutjet për të dhe njëkohësisht marrim shpërblimin e përcjelljes dhe faljes së namazit. Resulullahu s.a.v.s. ka thënë: "Kush është i pranishëm në xhenaze derisa t'ia falë (namazin), për shpërblim ka një kirat (sa një kodër shpërblim). E kush është i pranishëm derisa të varroset, ai ka për shpërblim dy kirate - sa dy kodra." Është pyetur sa është shpërblimi i dy kirateve dhe është përgjigjur sa dy kodra të mëdha."(2)
Me një vepër të thjeshtë që ka pak vështirësi, besimtari arrin vlerësim dhe shpërblim jashtëzakonisht të madh, saqë është krahasuar me peshën dhe madhështinë e dy kodrave.
Shkuarja në xhenaze është dëshmi dhe vlerësim për të vdekurin, ngase aty shumë njerëz bëjnë vlerësime, lutje dhe thonë fjalë lavdëruese dhe të mira që ndikojnë drejtpërsëdrejti në ardhmëri, se ku po përfundon i vdekuri.
Kemi shumë thënie autentike, ndër to edhe hadithin që imam Buhariu e transmeton nga Enesi r.a., i cili ka thënë: "Kaluan sahabët afër një xhenazeje - kufome' dhe e lavdëruan me fjalë të mira, e Pejgamberi s.a.v.s. ua ktheu: "Iu bë obligim (Xheneti)!" Pastaj kaluan afër një xhenazeje tjetër duke thënë fjalë të këqija, e Pejgamberi s.a.v.s. ua ktheu: "Iu bë obligim (Xhehenemi)!" Atëherë reagoi Omeri r.a.: "Çka iu bë obligim?" Ai
tha: "Atij për të cilin thatë fjalë të mira iu bë obligim Xheneti, kurse atij për të cilin thatë fjalë të këqija iu bë obligim Zjarri. Ju jeni dëshmitarët e Allahut në tokë.”(3)
Gjithashtu Hakimi transmeton hadithin: "Vërtet tek Allahu janë disa melekë që flasin (dëshmojnë) me gjuhën e njerëzve për të mirat dhe të këqijat e njeriut."(4)
Në kontekst të shpjegimit të këtyre haditheve imam Neveviju thotë: "E vërteta qëndron se këto hadithe kanë kuptim të përgjithshëm. Kushdo që vdes dhe Allahu i inspiron njerëzit të flasin fjalë të mira, është argument se personi në fjalë është prej banorëve të Xhenetit, pavarësisht se veprat e tij janë për atë (Xhenetin) apo jo, ngase veprat qëndrojnë nën vullnetin dhe dëshirën e Allahut, ndërsa ky inspirim për fjalë të mira është argument për vendin e tij."
Nga këto hadithe mund të nxjerrim edhe dobinë e lëvdatave për të vdekurin dhe përmendjen e tij vetëm për mirë.
Çfarë nuk preferohet gjatë përcjelljes së kufomës?
Gjatë përcjelljes së xhenazes nuk preferohen zhurma dhe ngritja e zërit nga pjesëmarrësit, qoftë me leximin e Kuranit, përmendjen e Allahut, leximin e mirësive apo lëvdatave të tjera. Nëse thellohemi më shumë në këtë çështje, shohim se heshtja është traditë e Pejgamberit s.a.v.s. sipas thënies: "Vërtet Allahu e do heshtjen në tri raste: në leximin e Kuranit, në vijën e frontit të luftës dhe në përcjelljen e xhenazës."(5)
Prej synimeve të sheriatit në çështjen e heshtjes gjatë përcjelljes së xhenazes është se pozicioni i xhenazes nuk është rast përkujtimi, por është rast këshille dhe ka më shumë vlera të thellohesh në meditim, se kush ishte ky person, sa pasuri la pas vetes, si e rrëmbeu vdekja kaq shpejt, se kjo botë qenka shumë mashtruese, shumë kalimtare, ku janë veprat e mira, çfarë do të bëhet këtu e tutje me të, ku do të jetë përfundimi i tij, si i ndërpreu vdekja të gjitha kënaqësitë e jetës, ia shkatërroi familjen, ia çrregulloi shoqërinë, la pas vetes grua të ve, fëmijë jetimë, e humbi kuptimin e kënaqësive të jetës dhe shumë meditime të tjera. Pra, përderisa preferohet heshtja në raport me përkujtimin, kërkimin e faljes me zë dhe leximin e Kuranit, atëherë nuk mbetet hapësirë për kukatje, për vajtim, për rrahje të fytyrës, për shqyerje të rrobave, për poezi dhe prozë të poetëve,
për përcjellje të xhenazes me pjesëmarrjen e grave dhe tradita të tjera të kanunit dhe injorancës së errët.
E ndaluar mbetet edhe përcjellja me ritme muzikore, me shkrepje të pushkëve dhe topave dhe prezantimi i gjinisë femërore me veshje joislame.
Prej risive mjaft rrëqethëse e që janë të ndaluara është edhe prerja e ndonjë kafshe para se kufoma të largohet nga shtëpia deri në varr. Resulullahu s.a.v.s. thotë: "Nuk ka prerje të kafshëve (për xhenaze) në Islam."(6)
Feja islame është fe e njerëzimit, e mendjes, e logjikës, e arsyes, nuk ka vend për gjëra të prapambetura të injorancës dhe kanunit.
Në esencë xhenazja duhet të shpejtohet për në varr
Me rastin e konfirmimit të vdekjes duhet të shpejtohet që xhenazja sa më parë të përcillet për në banesën e fundit në varr. Këtë e ka kërkuar legjislacioni islam, pasi i Dërguari s.a.v.s. thotë: "Shpejtoni me xhenazen (për në varr) nëse ka qenë person i mirë, atëherë më mirë për të është sa më parë ta dërgoni (te mirësitë e tij). E nëse ka qenë person jo i tillë, atëherë sa më parë largojeni të keqen nga (përgjegjësia) qafat tuaja."(7)
Të shpejtuarit e xhenazes nënkupton edhe përgatitjen për larje, qefinosje, transport dhe varrosje. Këto çështje janë prej obligimeve - farzi kifaje që duhet të kryhen nga një grup njerëzish. Nëse patjetër xhenazja duhet të vonohet, për shkak se ka vdekur befasisht dhe ka nevojë për autopsi apo që të jenë prezentë shumica e njerëzve dhe e të afërmve, atëherë mund të jepet hapësirë për të pritur për një kohë të shkurtër. Të shpejtuarit në hadith si pretekst ka që të vdekurit të mos i injorohen mirësitë që e presin në botën e pastajme ose për interes të të gjallëve, që të keqen (kriminelin) ta largojnë sa më shpejt që është e mundur.
Nëse hadithi kërkon nga ne të shpejtojmë në përgatitjen e kufomës, atëherë edhe me më prioritet kërkohet që sa më shpejt të shlyhen borxhet materiale dhe obligimet e tjera të tij karshi njerëzve.
Gjatë përcjelljes së kufomës sipas hanefive, njerëzit duhet të ecin pas kufomës, ngase vetë fjala përcjellje - el-ittibau nënkupton ecje prapa xhenazes. Ndërsa shafitë preferojnë ecjen para xhenazes duke u bazuar në një hadith që Ibn Omeri r.a. thotë se e ka parë Pejgamberin, Ebu Bekrin dhe Omerin duke ecur para xhenazes. Hanefitë e komentuan këtë se Pejgamberi a.s. është person ndërmjetësues në Ditën e Gjykimit dhe është e drejtë e tij e veçantë që të ecë para apo prapa xhenazes. Pavarësisht se në çfarë pozite ecën, shpërblimin e arrin, fjala është vetëm se cila pozitë është më e vlefshme. Ai që është prezent, do ta marrë shpërblimin pa i interesuar se është më mirë të shpejtohet apo vonohet xhenazja.
Nga ky hadith shihet mjaft qartë rëndësia e njeriut në aspektin islam si për së gjalli ashtu edhe pas vdekjes. Nga ky hadith del në shesh edhe shpërblimi edhe ndëshkimi në jetën në varreza, ndaj jemi të urdhëruar që pas varrosjes të qëndrojmë te varri për lutje, për forcim gjatë marrjes në pyetje nga ana e melekëve.
_________________
(1) "Sahihul Buhari", vëll. III, f. 112, nr. 1239; vëll. XI, f. 18, nr. 6235; Muslimi nr. 5356. Ndalesën e shtatë, të cilën e ka harruar transmetuesi "el-mithere - mbulesa e mëndafshtë e shalës së devesë" gjendet tek "Musnedi" i Ahmedit nga i njëjti transmetues, vëll. 37, f. 488, nr. 17801.
(2) "Sahihul Buhari", nr. 1325.
(3) "Sahihul Buhari", vëll. V, fq.157, nr. 1278.
(4) "El Mustedrek ala sahihajni lil Hakim", vëll. III, fq. 425, nr. 1346.
(5) "El-Mu'xhemul kebir lit-Taberanij", vëll. V, fq. 150.
(6) "Sunen Ebi Davud", vëll. IX, fq. 26, nr. 2805.
(7) "Sunen En-Nesaij", vëll. VI, fq. 478, nr. 1884.
Prof.ass.dr. Musa Vila