Islami, fe e mirësisë dhe e tolerancës

Myslimanët e quajnë periudhën para-islame si periudhë të xhahilijetit, që zakonisht përkthehet si "kohë e injorancës". Por, kuptimi origjinal i rrënjës XH-H-L është "vrull, nervozizëm, ndjeshmëri e mprehtë për nderin dhe prestigjin, arrogancë e tepruar dhe, mbi të gjitha, prirje kronike për dhunë dhe hakmarrje."

Porosia fondamentale e Kuranit është një "kujtesë" për atë që e bën një shoqëri të drejtë.
Ajo e sfidoi dhunën strukturore që ishte ndërtuar në Mekë apo në çfarëdo shoqëri tjetër.
Umeti mysliman i dha alternativë padrejtësisë së sistemit shfrytëzues mekas. Islami e ndalon grumbullimin e pasurisë në mënyrë të pandershme dhe porosit që ajo të ndahet me të varfrit dhe skamnorët, si edhe që ata të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe me respekt.
Islami e ka zëvendësuar vrullin e injorancës me virtyt, zemërgjerësi, durim dhe mirësi. Në fillim feja u quajt tezekka, një fjalë që mund të përkthehet përafërsisht si pastrim. Në vend që të akumulojnë pasuri dhe të lënë pas dore gjendjen e vështirë të të varfërve, myslimanët inkurajohen që aktiviteti i tyre të jetë bamirës, ashtu siç ka urdhëruar Allahu në ajetin: "Dhe i ushqejnë të varfrit, bonjakët dhe të zënët rob (në luftë), madje edhe pse janë vetë nevojtarë për të (ushqim)." (El Insan, 8)
Shoqëria duhet t'i konsolidojë dhe t'i ruajë vlerat e larta islame, të cilat thërrasin në dashuri, mirësi, tolerancë, bashkëjetesë, bashkëpunim dhe duhet t'i pengojë shkaqet që nxisin urrejtje, ndarje dhe konflikte. Nuk duhet të lejohet që besimi ynë te Zoti të shkëputet nga dashuria dhe respekti për njeriun apo të keqpërdoret për qëllime johumane, për nxitje të urrejtjes e të padurimit mes njerëzve që kanë përkatësi të ndryshme fetare.
Sot, një pjesë e umetit jeton në varfëri dhe padije për faktin se myslimanët e kanë lënë pas dore arsimimin, etjen për dijen dhe shkencën dhe kjo reflektohet në të gjithë parametrat e zhvillimit social të shoqërisë së tyre. Tek disa myslimanë ka triumfuar fryma tribale e injorancës që Islami e luftoi dhe kërkoi që të largohen prej saj. Akoma ka një asabijje negative për të cilën ka shkruar Ibën Halduni në Mukadimen e tij.
Është një asabijje kundër solidaritetit, unitetit dhe ndjenjës së përkatësisë së përbashkët si bazë e jetës shoqërore, që transformohet në një besnikëri të verbër ndaj grupeve më të vogla dhe identiteteve të veçanta dhe çdo gjë jashtë këtyre grupeve konsiderohet e huaj dhe përbuzëse. Madje me lehtësi akuzohen ata që nuk janë brenda rrethit të tyre për kufër/mosbesim, bidat dhe iu vishen epitete denigruese ulemave dhe besimtarëve.
Ngjallet urrejtje, përbuzje, nxitje konflikti mes myslimanëve, apo edhe mes myslimanëve dhe të tjerëve. Kjo është vetëdije tribalizuese e triumfit, e dominimit, e reagimit emocional kundër veprimit me arsye, logjikë dhe urtësi.
Islami është kodeks vlerash. Nuk lejohet në asnjë mënyrë kundërshtimi i autoriteteve legjitime dhe që të gjithë obligohen t'i pasojnë dhe t'i dëgjojnë ato, në vështirësi dhe në lehtësi dhe nuk duhet të manipulohet me autoritetet e dyshimta alternative duke braktisur autoritetet legjitime.
Iluzioni i dijes është më i keq dhe më i rrezikshëm se injoranca. Sikur xhehli të ishte vetëm mosdije, injoranti do ta dinte se nuk di dhe do ta kërkonte dijen dhe herët a vonë ai do ta përmirësonte gjendjen e tij. Dija e supozuar bën që të veprohet brenda një realiteti imagjinar në një kornizë sociale fisnore. Në Islam nuk ka klerokraci në kuptimin e një kleri të supozuar që i sundon të tjerët dhe është i bindur se vepron në emër të Zotit.
Kultura fetare qëndron e normuar në kulturën dhe mentalitetin e popullit tonë. Roli i ulemasë së frymëzuar në mësimet e pastra islame dhe në traditën pozitive të popullit tonë shprehet në fisnikërimin e popullatës, si edhe në ngritjen dhe edukimin shpirtëror të saj.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme