Haxhi reflekton paqe dhe ambient sigurie


Përpjekja për të nuhatur sinjalet e paqes dhe begatinë e sigurisë brenda ritualeve të një adhurimi të pastër fetar islam, siç është Haxhi, duket se është një mision mjaftë i lehtë për këdo që vështron me vigjilencë shkëndijat e porosive hyjnore të zbritura lidhur me këtë adhurim. S’ka dyshim se shumica prej tyre u janë drejtuar jo vetëm myslimanëve, por edhe njerëzimit mbarë. Si të mos gjesh sinjale paqeje e të mos përjetosh ndjenjë sigurie gjatë kryerjes së një ibadeti-adhurimi aq madhështor siç është Haxhi, ku të gjitha pamjet magjepsëse të turmave të haxhilerëve petkbardhë ofrojnë një mesazh të tillë.

Çfarë ndjenje tjetër përveç prehjes shpirtërore dhe sigurisë absolute mund të ndiejë njeriu që sheh pamje të tilla, qoftë edhe nga distanca, e lëre më nëse ai vetë ka fatin të gjendet në mesin e tyre. Bardhësia e petkut të haxhilerëve, që është në vetvete një ritual i synuar brenda Haxhit, reflekton vetvetiu edhe bardhësinë e synimeve të bartësve të tij, çiltërinë e shpirtrave, e doemos edhe sinqeritetin e tyre në raport me Allahun. Kjo barabarësi dhe kjo zhdukje të gjitha dallimeve në mes të shtresave të njerëzve, pavarësisht nga niveli i pasurisë, ose nga postet e privilegjet e kësaj bote që ata gëzojnë, pa dyshim që është realizuar shkëlqyeshëm përmes veshjes unike me një petk të tillë, i cili s’toleron që bashkë me to haxhiu të ketë gjë tjetër prej veshjeve të tij të rëndomta. Vërtet e gjithë kjo është një mrekulli që s’mund të reflektojë tjetër përveç madhështisë së dispozitave të fesë së zbritur nga i Gjithëdijshmi.

Në Haxh ndalohet madje edhe grindja verbale

Haxhilerët marrin rrugëtimin e tyre jetësor për diçka që është mjaft sublime dhe e çiltër, ata as kanë kohë e as duhet të lëndojnë dikë, madje qoftë edhe me gjuhët e tyre. Allahu i Lartësuar në një ajet kuranor u drejtohet haxhilerëve duke u thënë: ”Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet t’i afrohet gruas, nuk bën të marrë nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet të shkaktojë grindje. Çka punoni nga e mira, Allahu di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes kini dronë Time”. (El Bekare, 197).
Thoshte Ibn Abasi r.a. se ky ajet ndalon shkaktimin e grindjes edhe të diskutimit të vrazhdë deri në atë masë sa ta hidhërosh vëllanë tënd, e ta detyrosh të të ofendojë ai më pastaj.(1)
Andaj në këtë ajet ndalohet gjithçka që bie ndesh me ndjenjën e përulësisë dhe sinqeritetit kulmor ndaj Allahut gjatë kësaj periudhe kohore, sepse duhen shmangur egoizmi dhe të gjitha arsyet që e bëjnë njeriun të varur e të lidhur vetëm për këtë botë. Kjo është periudhë kur shpirti çiltërohet dhe nuk pranon të lidhet me askënd tjetër përveç me Allahun, prandaj në ato vende njeriu ka edukatë e sjellje të tilla që e zhveshin nga gjithçka tjetër përveç dashurisë ndaj Krijuesit të tij.(2)
Haxhilerët që obligohen për këso edukate strikte, domosdoshmërish fitojnë karakterin paqësor me të cilin shpresohet se do të vazhdojnë edhe pas kthimit nga Haxhi. Ata veprojnë kësisoj, ngase synojnë të kthehen në shtëpi të pastruar prej çdo njolle të mëkateve, ashtu siç i kanë lindur nënat e tyre, duke aspiruar që t’i përfshijë edhe ata hadithi i Muhamedit a.s., ku thuhet: “Kush ka kryer haxhin e nuk i është afruar intimitetit bashkëshortor, e as nuk I ka bërë mëkat Allahut atje, kthehet nga haxhi sikur atë ditë që e ka lindur nëna (I pastruar nga mëkatet)”.(3)
Ata njerëz që shpresojnë të arrijnë këtë gradë të shlyerjes së mëkateve, do të jenë tejet të kujdesshëm që t’u falin paqe të gjithë njerëzve atje, por nëse dëshirojnë ta ruajnë gjendjen e tyre me mëkate minimale, ata një sjellje të tillë do ta bëjnë pjesë të karakterit të tyre edhe në të ardhmen.

Haxhiut i ndalohet mbytja e gjahut edhe thyerja e degëve në rrethinën e haremit

Ndalesa për derdhje të gjakut për haxhiun nuk përfshin vetëm llojin njerëzor, ngase nuk janë vetëm njerëzit që duhet të gëzojnë këtë siguri absolute në një vend të shenjtë siç është Meka. Haxhiut nuk i lejohet të mbytë gjahun tokësor e as t’i tregojë gjuetarit për ndonjë gjah të mundshëm rreth haremit, bile edhe nëse e merr vesh që një gjah është mbytur nga ndonjë haxhi, atëherë duhet t’i shmanget të të hajë nga ai mish. Dhe kjo vlen edhe për gjahun, mishi i të cilit lejohet të hahet, edhe për atë mishi i të cilit nuk lejohet të hahet. Nga kjo ndalesë përjashtohen vetëm shtazët që janë shqyese ose eventualisht të rrezikshme për njeriun, e për të cilat i dërguari s.a.v.s. ka dhënë leje të mbyten, kudo qofshin ato, brenda ose jashtë haremit të Mekës.(4)
Thotë Allahu në Kuran: “O ju që besuat, mos e mbytni gjahun duke qenë veshur në ihram. E kush e mbyt atë me qëllim, atëherë dënimi për të është therja e një kafshe shtëpiake të ngjashme me atë (të egrën) që ka mbytur.” (El Maide, 95).
Kjo dispozitë duhet zbatuar në këtë formë dhe për çdo shkelje ekziston masa kompensuese e asaj shkeljeje, ngase Meka, respektivisht rrethina e saj duhet të jetë vend sigurie dhe qetësie jo vetëm për njerëzit, po edhe për kafshët, të cilat nuk rrezikojnë jetën e njerëzve. Por kjo nuk vlen vetëm për botën shtazore, sepse një lloj sigurie Allahu i ka garantuar edhe botës bimore. Madhështia e këtyre dispozitave fshihet në faktin që qetësinë dhe sigurinë e vendeve të shenjta duhet ta shijojnë edhe drunjtë e pemët, të cilat nuk i ka mbjellë njerëzit fare, po kanë mbirë vetvetiu, natyrshëm.
Nga kjo përjashtohet vetëm bima e ashtuquajtur “bar limoni-Idh’hir”, të cilën i Dërguari i Allahut e përjashtoi qëllimisht pasi ishte nevojë e ushqimit për kafshët e banorëve të asaj kohe, dhe në këtë kategori mund të hyjë edhe ndonjë bimë tjetër që eventualisht konsiderohet e domosdoshme për banorët e vendit të shenjtë-haremit. Këto ndalohet të priten ose të shkulen qoftë nga ai që është i veshur me ihrame, qoftë nga ai që nuk është i veshur me to, ose që nuk e ka për synim Haxhin. E nëse pret diçka prej tyre, obligohet të japë sadaka për të varfrit e vendeve të shenjta, afërsisht në kundërvlerë të asaj që ka dëmtuar, ose vetëm blen ushqim ditor për ta.(5)
Muhamedi s.a.v.s., duke dëshiruar që të fiksonte në kokën e myslimanëve mbarë këtë shenjtëri të Haremit-Mekës, me një rast ka thënë: “Meka Haremi
është vend i shenjtë me shenjtërimin e Allahut deri në Ditën e Kiametit nuk thyhen degët e drunjve të tij, nuk ndiqet gjahu në të e as nuk merren gjësendet e humbura, vetëm nëse merren me qëllim që të informojë për gjë që ka humbur (dhe e ka gjetur ai), nuk pritet e as grumbullohet kullosa, tha Ibn Abasi r.a. përveç barit të limonit, o i Dërguar i Allahut. Ai u përgjigj:po përveç atij (pra ai lejohet).”(6)
Të kalosh një kohë sa do të shkurtër në një ambient dhe rreth ku s’lejohet as të ofendohet njeriu e lërë më të cenohet jeta e tij, aty ku nuk lejohet gjuetia e as mbytja e kafshëve, madje që as prerja ose këputja e drunjve dhe pemëve të asaj rrethine, sigurisht se vetvetiu mbjellë një edukatë paqedashëse dhe mjaftë sublime tek njeriu e cila do të duhej ta shoqëronte atë gjatë tërë jetës së tij. Në të vërtetë nëse haxhiu nuk mundohet që të merr me vete këtë edukatë edhe pas kthimit të tij në shtëpi, i tilli as nuk e ka kuptuar synimin e shkuarjes në haxh e as që do të arrijë dot që të ruajë vlerat e fituara nga rrugëtimi i tij jetësor për tek shtëpia e Allahut-Qabeja.

Muhamedi s.a.v.s. proklamon paqe universale nga vendi i paqes dhe sigurisë

Në urtësinë dhe përcaktimet e Allahut nuk ka vend për rastësi asnjëherë dhe as për determinime të palogjikshme. Edhe koha e zbritjes së ajeteve edhe vendi ku është urdhëruar Muhamedi s.a.v.s. të flasë për tema të caktuara, pa dilemë fare se janë të synuara nga ligjvënësi i Gjithëdijshëm. Në këtë kuadër vërejmë se Muhamedi s.a.v.s., duke dëshiruar që të ngulitë thellë konceptin e shenjtërisë së gjakut –jetës së njeriut, pasurisë dhe nderit të tij, ai shfrytëzoi fjalimin e tij më të njohur në historinë e fjalimeve të tij profetike. Në të ashtuquajturën “Hytben lamtumirëse”, në haxhin e tij lamtumirës, para grumbullit më të madh të njerëzve të tubuar ndonjëherë rreth tij gjatë tërë misionit si i dërguar i Allahut, Muhamedi s.a.v.s. u përpoq
që shenjtërinë e këtyre gjërave t’ua mbjellë myslimanëve në zemrat e tyre në mënyrë që ata të jetojnë me to deri në amshim. Ai iu drejtua masës me këto fjalë duke u thënë: “O ju njerëz! Më dëgjoni këto fjalë të mia, sepse unë nuk e di, ndoshta nuk do t’iu takojë më asnjëherë pas këtij viti në këtë vend. O ju njerëz! Vërtetë gjaku-jeta, dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju deri sa ta takoni Zotin tuaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë (dita e Arafatit) edhe ky muaj (Muaji i shenjtë i Dhul-Hixhes).”...(7)
Muhamedi a.s. shpalli dhe proklamoi shenjtërinë e jetës, pasurisë dhe nderit të njeriut nga vendi i shenjtë Meka, në ditën e Arafatit, duke vërë theksin se shenjtëria e tyre do të vazhdojë të mbetet e tillë deri në takimin tonë me Zotin. Thirri për paqe e tolerancë ndaj njerëzve nga vendi i paqes universale, nga Meka. Këto mesazhe janë thënë para më shumë se katërmbëdhjetë shekujsh, por s’janë thënë që ti mbulojë pluhuri i historisë, të harrohen e të përfundojnë efektin e tyre me vdekjen e atij që Allahu e zgjodhi që të jetë mëshirë për të gjitha krijesat. Shkëndijat e fjalëve të tilla ende vazhdojnë të shndrisin fytyrat e atyre që besojnë fuqishëm në saktësinë e fjalëve të tij, dhe jetësohen me përkushtim nga të gjithë ata që kuptojnë thellësisht domethënien e përshëndetjes së tyre, kur i urojnë paqe njëri tjetrit me E-selamu alejkum.


______________________________
1. Kurtubi, El-xhami’ li ahkamil-Kur’an. (2406). Bot. I pestë. Darul-kitab-elarabij. Bejrut. 2003.
2. Sejid Kutb. Fi dhilalil-Kur’an. (2196). Bot. i 35-të. Darush-shuruk. Kairo. 2005.
3. Transmeton Buhariu në “Sahihun” e tij, (numri i hadithit 1521), Shih: Ibn Haxher El-Askalani, Fet’hul-Barij ( 3432). Bot. i parë. Darul-Hadith. Kairo. 2004
4. Dr. Vehbetu Zuhejli, El-fikhul-Islamij ve edil-letuhu (32310). Bot. I katërt. Darul-fikr. Damask. 2004.
5. El-Kasanij, Bedaius-anai’ fe tertibish-sherai’ (266-2673).
6. Transmeton Buhariu në “Sahihun” e tij. (Numri i hadithit 1834- vëll. I katërt i librit Ft’hul Barij, Ibn Haxher El- Askalani f. 56). Bot. i parë. Darul-Hadith. Kairo. 2004.
7. Ibn Hisham, Es-siretun-nebevij-jetu (2466). Bot. i parë. Darul-Hadith. Kajro. 1995.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi