Shembulli i koprracit dhe i bujarit


Ebu Hurejra r.a. tregon se vërtet e kishte dëgjuar të Dërguarin s.a.v.s. duke thënë: "Shembulli i koprracit dhe i bujarit i përngjet dy personave që kanë të veshur xhybe (këmishë të hekurt) nga gjoksi deri te zogu i këmbës. Sa i përket bujarit, ai kur të shpenzojë veçse i zgjatet ose i shtohet (këmisha) duke ia mbuluar lëkurën e tij, përderisa ia mbulon (fsheh) majat e gishtërinjve dhe ia shlyen gjurmët (e ecjes) e tij. Sa i përket koprracit, ai nuk dëshiron të shpenzojë asgjë, kështu që këmisha i ngjitet (për trupi) në çdo vend të nyjës së rrethit (të këmishës së hekurt) e ai mundohet ta zgjerojë atë (këmishën) e ajo nuk zgjerohet (nga ngjitja)."(1)

Fjalët e panjohura

Fjala methel në aspektin etimologjik ka si rrënjë methulun - diçka që është shembull, mostër, ideal apo diçka që qëndron drejt - el-intisabu.
Themi methelush-shej'i - mostër e diçkaje, d.m.th. intesabe - qëndron drejt dhe tesavvere - është skalitur, skulpturuar, përngjarë, methilun - identik, i ngjashëm.(2) Këtu kemi edhe hadithin: "Kush dëshiron t'i skulpturojë (identik) burrat, le ta përgatitë ulësen e tij prej zjarri.”(3)
Fjala ettemlalu është skulpturë - el-musavviru.
Kjo fjalë el-methelu është shprehje që tregon për një fjalë që i përngjet fjalës tjetër. Ato me përngjasim e sqarojnë njëra-tjetrën dhe mund ta parafytyrosh atë fjalë.
Kjo fjalë methelu vjen në dy versione:
E para: Në kuptimin e ngjashmërisë, mostrës që tregon cilësinë e saj: "Shembulli i xhenetit, i cili u është premtuar të devotshmëve..." (Muhamed, 15; Err-Rra'd, 35).
E dyta: Kjo fjalë vjen në kuptimin e ngjashmërisë qoftë në cilësi, në sasi, madhësi, pamje, peshë, distancë etj. Hadithi bazë është i këtij lloji, ngase pika e përbashkët e ngjashmërisë ndërmjet koprracit dhe bujarit është sasia, d.m.th. që të dy janë të pasur dhe kanë pasuri të madhe.
Fjala xhubbetani - dy xhybe. Kjo fjalë rrënjët i ka te fjala ei-xhubbetu- xhybe, që nënkupton këmishën e hekurt, parzmoren. Ndërsa në leksik është një teshë apo këmishë e njohur nga qafa deri te zogu i këmbës.
Në disa transmetime ka ardhur fjala xhunnetani - këmishë e hekurt - parzmore me të cilën mbrohet dhe mbulohet, pastaj është njohur si këmishë mbrojtëse nga armiku dhe gjithçka e keqe.
Fjala sebegat ka kuptimin itteseat - zgjatje. Themi "s'begat edder'u- këmisha zgjatej deri në tokë - tale ilelerd. Vjen nga folja ka zgjatur - sebega, zgjatet - jesbegu, zgjatje - subugun. Themi sabigun - i plotë, i bollshëm - kamilun vafin.(4)
Fjala veferet ka kuptimin e fitimit të shumtë, e pasurisë që shtohet nga bujari, diçka e shumtë dhe e gjerë - el-kethirul-vasi'u.(5)
Fjala ve tea’fuve ala etherihi - ia shlyen gjurmët e tij ka kuptimin se dhënia apo shpenzimi i bujarit në rrugën e Allahut ia mbulon të metat e tij në këtë botë apo i shlyen dhe i mbulon të gjitha mëkatet. Njerëzit i harrojnë të metat e tyre dhe kujtojnë vetëm të mirat. Gjuhët e njerëzve vazhdojnë të falënderojnë, duart e njerëzve vazhdojnë të përkulura duke lutur Allahun për falje, pranim të veprave dhe begatim të pasurisë. Pra, bujari ecën në mesin e njerëzve si person fisnik që i përmenden të mirat dhe nuk i përmenden të këqijat. Me bujari ky person ka arritur t'i pushtojë dhe robërojë zemrat e njerëzve.
Fjala lezikat ka kuptimin lesikat - ngjitet, kapet fort për diçka.(6) Në disa versione të tjera kanë ardhur shprehjet kalesat dhe gasat që kanë kuptim të njëjtë me foljen lezikat - ngjitet, ku nënkupton se çdo nyje e këmishës së hekurt (parzmores) mbetet e palëvizshme në vendin e vet.

Shpjegim i hadithit

Në këtë hadith, metoda e urtë profetike paraqitet me metodën e ilustrimit përmes shembullit, krahasimit dhe ngjashmërisë, për t'i dominuar horizontet e ndriçimit të shpalosura në zemrat e koprracëve, dorështrënguarve dhe kurnacëve. Përshkrimi i tyre bëhet nga brendësia e tyre për të shpalosur anën e tyre të jashtme, ndërsa ana e brendshme e koprracëve është shumë më e zezë se ana e jashtme.
Ky ilustrim në hadith veçohet nga ilustrimet e tjera në formën e shembullit dhe metodës, që për nga forca që ka të shpie në synimin apo objektivin origjinal të ilustrimit. Po ashtu përmes ilustrimit bartet kuptimi dhe shpjegimi i hadithit te ndjenjat shpirtërore. Nuk janë të pakta vargjet kuranore dhe hadithet e Resulullahut s.a.v.s. që përmbajnë shembuj ilustrues për njerëzit.
Kurani thotë: "Vërtet Ne u kemi sjellë njerëzve në ketë Kuran shembuj të çdo lloji me qëllim që ata të mendojnë dhe përkujtojnë." (Ez Zumer, 27) "Këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, po këta nuk i kupton kush pos dijetarëve." (El Ankebutë, 43)
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Vërtet Kurani ka zbritur në pesë mënyra: haram dhe hallall, i qartë dhe jo i qartë dhe shembuj. Veproni me hallallin dhe largojuni haramit, pasojeni argumentin e qartë dhe besojeni të paqartin dhe merrni mësim - përvojë nga shembujt."(7)
Pra, metoda e shembullit është prej metodave të letërsisë dhe retorikës arabe, që arabët e kanë njohur edhe në të kaluarën letrare të tyre. Ata retorikës i kushtonin një rëndësi të veçantë. Sjellja e shembujve është një përshkrim që i jep formë të kuptueshme ngjarjes, ia afron mendjes qëllimin përmes ilustrimit me një përfytyrim të ndjeshëm duke e ngulitur në mendje
dhe shumë shpejt e bind mendjen me krahasimin e të brendshmes me anën e jashtme, ka qartësi precize në krijimin e bindjes dhe shpejt krijon edhe ndikimin. Ndikimi i shembujve është i pamohueshëm në të folur, ku shpalosen kuptimet e thella dhe të gjera. Me shembuj eliminohen paqartësitë, largohen mbulesat nga misteret, sqarohen gjërat e mjegulluara, për këtë edhe Pejgamberi s.a.v.s. e kishte shpeshtuar shëmbëllimin në porositë e tij.(8)
Shembulli përmban të gjitha karakteristikat e arteve gojore, të retorikës, stilistikës dhe letërsisë, duke filluar nga metafora, metonimikja, alegoria etj. Pra, shembulli mbetet njëra prej metodave të shprehjes dhe ilustrimit qenësor në hadithet e Pejgamberit s.a.v.s. duke nxjerrë gjëra që nuk perceptohen me shqisa në gjëra që ndihen dhe perceptohen me shqisa. Atë që mendja nuk e percepton, shembulli e ilustron dhe e bën të perceptueshme, atë që nuk është e zakonshme shembulli e bën të zakonshme, asaj që nuk ka forcë të të shprehurit shembulli i jep forcën e të shprehurit.
Hadithi bazë na ilustron gjendjen e dy personave, të cilët Allahu xh. sh. i kishte veçuar me dhënie të begative dhe mirësive apo me dhënie të pasurisë së madhe. Njërit i kishte bërë dobi dhe mirësi pasuria, kurse tjetrit i kishte bërë dëm dhe shkatërrim pasuria. Këtë ngjarje Pejgamberi s.a.v.s. e kishte përshkruar me shembull:
Dy burra kishin veshur këmishë të hekurt për t'u mbrojtur nga të këqijat. Njërit prej tyre këmisha i zgjerohej saqë e mbulonte dhe i zgjatej duke ia mbuluar majat e gishtërinjve dhe ia shlyente gjurmët e ecjes, ngase ajo i shkonte përtokë zvarrë duke fshirë fërkimet e këmbëve. Kështu ai përfitonte shumë nga kjo këmishë e hekurt. E tjetrit këmisha i ngjitej për trupi nga gjoksi e deri te zogu i këmbës, ia shtangte duart dhe e pengonte që ta mbronte veten. Duart janë burimi kryesor i vetëmbrojtjes. Po ashtu edhe tërë trupi i tij kishte mbetur i shtanguar nga ngjitja e këmishës, kështu as nuk mund të mbrohej me duar e as trupin nuk mund të lëvizte nga ngjitja e këmishës. Trupi i tij në çdo moment ishte i rrezikuar nga armiku. Dëmi nga këmisha ishte i shumëfishtë në raport me atë që priste të përfitonte. E sikur të mos e kishte veshur këmishën, më së paku do të arrinte të mbrohej me duart e lira.
Në ilustrim paraqitet edhe momenti kur ai dëshiron ta zgjerojë këmishën, por ajo nuk zgjerohet, vetëm se e ngarkon edhe më tepër, kurse shoku i tij, i cili e kishte mbuluar tërë trupin, ishte i siguruar nga rreziku, duart i kishte të lira, sepse ky lehtësim i vinte nga zgjerimi i këmishës dhe ai ecte dhe manovronte ashtu si donte vetë.
Ky është një shembull i mrekullueshëm që na ekspozon para një paraqitjeje artistike, me plot tabela komunikuese që shprehen me stilin më të bukur, dije që pushton mendjen dhe sytë.
Ky është shembulli që Pejgamberi s.a.v.s. ka sjellë për koprracinë dhe bujarinë. I përngjet një filmi me video që ka të regjistruar lëvizje, pamje, qëndrime, të gjitha janë të regjistruara dhe me fjalë. Nuk mbetet mangët asnjë lëvizje që mund ta zbehte panoramën e përshkruar.
Edhe nëse thellohemi në pjesët sekondare apo në imtësi që përshkruhen në ilustrim, do të shohim se që të dy burrat kanë një pamje, që të dy kanë veshur këmisha (xhybe) të hekurta me të njëjta cilësi dhe për të njëjtën qëllim. Që të dy këmishët e hekurta i kishin nga gjoksi deri te zogu i këmbës. Ata ishin dy burra dhe kishin dy këmisha - xhybe të hekurta.
Por, nëse e shikojnë në prizmin tjetër, shohim një pamje të çuditshme. Dy këmishët (xhybet) na paraqiten në dy pamje të ndryshme nga njëra-tjetra. Këmisha e personit që është dorëdhënës ndryshon krejtësisht nga këmisha e personit koprrac. Ky ndryshim është i qartë, ngase ndryshon edhe pozicioni i njërit nga tjetri. Në ilustrimin e parë ishin të njëjtë në pamje, koprraci e kishte veshur këmishën (parzmoren) para dorëdhënë sit. Koprraci u paraqit i pari, ndërsa dorëdhënësi u paraqit i dyti. Në hadith parapriu përmendja e koprracit ndaj dorëdhënësit, ngase ai po shpejtonte në përfitimin e të mirave materiale vetëm për veten e tij, i përkushtohej dhe e ruante atë pasuri. Në grumbullimin e pasurisë ky i paraprinte shokut të vet për nga mundi dhe lodhja. Po ashtu ky lakmonte që pasurinë ta arrinte pa zgjedhur formën nëse
ishte e lejuar apo e ndaluar. Në të gjitha rrethanat ky ka grumbulluar më shumë pasuri sesa bujari. Në ilustrimin e dytë e të çuditshëm shohim se bujari i parapriu koprracit në tabelën përshkruese të komunikimit. Aty paraqitet si person i rëndësishëm me një pamje e personalitet të lartë, me një panoramë të bukur me ngjyra, me vija, me hije, tamam në përputhje me portretin e një njeriu të madh. Bujari pasurinë e kishte grumbulluar në formën e ligjshme - hallall dhe e kishte shpenzuar në hallall dhe gjëra të këndshme. Për këtë Allahu ia kishte bekuar fitimin, shpenzimin dhe ia kishte zgjeruar furnizimin, e kishte bërë të lumtur dhe e kishte mbrojtur nga rreziku dhe e liga në këtë botë dhe botën tjetër. Tregtia e tij ishte fitimprurëse në të dyja botët, mëkati i tij ishte i falur, ai u shpërblye dhe nuk u ngarkua me llogaridhënie. Shembulli i tij është si i një njeriu që ka blerë parzmoren për t'u mbrojtur nga rreziqet e luftës dhe armikut dhe me këtë parzmore po e mbulon tërë trupin nga koka deri te këmbët, bile edhe gjurmët e ecjes i shlyhen, kështu që armiku nuk mund ta dëmtojë fare.
Sa i përket pamjes së koprracit në ilustrim, ai është një njeri i preokupuar me parzmoren e tij, e cila është e ngushtë, nuk ia mbulon tërë trupin, duart ia ka shtanguar, i është ekspozuar çdo rreziku që vjen nga armiku në luftë. Në fillim ishte shumë i gëzuar kur e veshi parzmoren, por ngushtimi dhe shtangimi ishin shkak për t'iu ekspozuar vdekjes me të gjitha format. Kështu begatia dhe mirësia e pasurisë u shndërruan në vuajtje, shkatërrim dhe fatkeqësi për shkak të koprracisë.


________________
(1) "Sahihul Buharij", vëll. II, fq. 142, nr. 1443.
(2) Ibn Mendhur, "Lisanul areb", vëll. XIII, fq. 210, fjala: methel,
(3) "Sunen Ebi Davud", vëll. XIII, fq. 465, nr. 4552.
(4) Ibn Mendhur, "LisanuI areb", vëll. VI, fq. 159.
(5) Po aty, vëll. XV, fq. 354.
(6) Po aty, vëll. XII, fq. 272.
(7) "Shu'bul iman lil Bejhekij", vëll. V, fq. 307, nr. 2212.
(8) Dijetari i njohur Abdurrahman El-Ensarij, El-Maruf Ibn El-Hanbelij (554-634h) ka përpiluar një libër të veçantë për hadithet që sjellin shembuj apo fillojnë me fjalën "Methelu" - "Shembulli ... ", Ai quhet "Kitabu aksijetu n-nebi] el-mustafa Muhamed s.a.v.s.", duke sjellë 190 hadithe. Libri ka 208 faqe.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi