Arsimimi dhe edukimi janë faktorë të rëndësishëm për rritjen dhe formimin e një personi. Pse, për faktin se njeriu është një krijesë e edukuar dhe sipas një edukimi të mirë ai mund të arrijë nivele të larta emocionale, shpirtërore dhe shkencore. Zhvillimi i njerëzve nga lindja e deri në fund të jetës, kalon nëpër faza të njëpasnjëshme dhe ekziston mundësia e arritjes së pikës më të lartë të përsosmërisë.
Ruajtja dhe kujdesi për një vazo të thjeshtë me lule në shtëpi, ka nevojë për dritë, ujë, pleh, etj., në mënyrë që ajo të mos vyshket. Natyrisht, edukimi i njeriut si një krijesë, nga periudha e fëmijërisë deri në adoleshencë, ku çdo fazë është plotë me kompleksitete dhe karakteristika të veçanta, është më i vështirë. Çështja e “arsimimit dhe edukimit” të njeriut i përket çështjeve të ndryshme që kanë rëndësi të veçantë. Fjala “Edukim” në fjalor e ka kuptimin e shtimit, rritjes dhe zhvillimit të cilësisë apo ndërtimit. “Mësimi” është si një mjet për edukimin dhe lehtësimin e tij.
Imanuel Kanti, filozofi gjerman i shekullit të 18, argumentoi se: “Problemi më i vështirë për njeriun është edukimi dhe arsimimi”. Kanti besonte se edukimi dhe arsimimi janë më të vështira se pushteti dhe arti.
Sociologët gjithashtu i kushtojnë vëmendje të posaçme edukimit të njeriut. Nga perspektiva e sociologjisë, arsimi është një proces përmes të cilit shoqëria njerëzore përfiton në ndërtimin e karakteristikave fizike dhe mendore dhe kalon nga një gjeneratë në tjetrën. Në të vërtetë, njerëzit të cilët vazhdimisht përpiqen për tu edukuar, ata ndikojnë gjithashtu edhe në edukimin e gjeneratave të ardhshme.
Feja Islame e cila u shpall para 1400 viteve përmes pejgamberit Muhamed a.s., i nxit besimtaret në kërkimin e diturisë, si dhe e urren paditurin dhe injorancën.
Zoti xh.sh., përmes Kuranit ju bënë thirrje besimtarëve në kërkimin e diturisë, e atë jo vetëm një herë po më dhjetëra herë, ku në disa raste në formë këshille, nxitje, apo edhe në formën urdhërore.
Edhe Muhamedi a.s., ju bënë thirrje myslimanëve që ti përkushtohen kërkimit të diturisë.
Ajetet e para që ua shpallën Pejgamberit tonë Muhamedit a.s. ishin pesë ajetet e para së sures “Alak” ku Allahu xh.sh. thotë: “ Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). (Alak, 1). Urdhri hyjnor “Lexo” nuk i drejtohet vetëm Pejgamberit a.s personalisht, por i drejtohet të gjithë ymetit mysliman.
Ndryshimi dhe triumfi për myslimanët do të vijë ditën kur ata të kapen fort pas fesë së tyre, t’i përkushtohen asaj, të arsimohen dhe t’i vënë në jetë dijet që kanë marrë.
Surja e dytë që iu shpall Pejgamberit a.s është surja Kalem, që do të thotë pendë shkrimi në veçanti, apo mjet shkrimi në përgjithësi. Vetë emri i sures “Kalem” flet mbi këtë. Thotë Zoti në ajetin e parë të kësaj sureje: “Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë ” (Kalem, 1)
Vetë fjala “i ditur” përmendet 224 herë në Kuranin famëlartë. Emri i Zotit “i Gjithëdituri” përmendet 185 herë, “dija” përmendet 375 herë, në sahihun e Buhariut, gjendet një kapitull në vete i titulluar “dija” që përmban njëqind e dy hadithe ku përmendet fjala dije, dituri.
Këto fjalë të çmuara nxjerrin në pah vlerën e diturisë dhe nxisin studimin e saj. Ajetet kuranore dhe hadithet që tregojnë qartë rëndësinë dhe vlerën e diturisë dhe ato që nxisin për kërkimin dhe përvetësimin e saj, janë të shumta. Prej ajeteve kuranore përmendim: Allahu xh.sh. thotë: “Allahu dëshmon, ashtu si edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit.“ (Ali Imran, 18)
Kurtubiu në tefsirin e tij lidhur me komentimin e këtij ajeti thotë: “Ky ajet kuranor është argument për vlerën e dijes dhe të dijetarëve.”
Në qoftë se ndonjë kategori tjetër do të ishte vlerësuar më shumë se dijetarët, atëherë Allahu xh.sh. do ta përmendte atë së bashku me emrin e Tij ashtu siç përmendi melekët dhe dijetarët në këtë ajet.
Sikur të kishte diçka më të vlefshme sesa dituria, atëherë Allahu i Lartësuar do ta urdhëronte të Dërguarin e Tij, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, që ti lutej që Allahu t’ia shtonte atë ashtu siç e mësoi të lutej për shtimin e diturisë.
Allahu xh.sh., në Kuran thotë:
“Po, Allahut i kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët.”(Fatir 28)
“...Thuaj: ‘A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?’ Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.” (Zumer 9)
“…O Zoti im, shtoma diturinë!” (Ta-Ha, 114).
Pejgamberi a.s., në një hadith të transmetuar nga Muslimi ka thënë: “Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në xhenet njeriut që ndjek rrugën për të kërkuar dituri në këtë botë.”
Pejgamberi a.s., po ashtu ka thënë: “Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit, është si vlera ime ndaj njeriut më të ulët prej jush.”
Po ashtu ka thënë: “Kush merr rrugën për të mësuar dituri, atij Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në xhenet dhe melekët si respekt për punën që kryen kërkuesi i diturisë shtrinë krahët e tyre mbi të. Për dijetarin kërkojnë falje (istigfar) çfarë ka në gjej dhe në tokë, madje edhe peshqit në ujë. Vlera e dijetarit krahasuar me adhuruesin (atë që bën ibadet) është si hëna në krahasim me planetët e tjerë. Vërtet dijetarët janë trashëguesit e Pejgamberëve dhe Pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi as dinarë dhe as dërhemë, por kanë lanë trashëgimi diturinë. Kush merr nga ajo (trashëgimi), ka pasur një fat të mirë.” (Ebu Davud, Tirmidhi).
Pa dyshim se dituria është një nga kushtet dhe nevojat kryesore për ngritjen dhe përparimin e individit dhe të shoqërisë. Nevoja për dituri dhe njohuri asnjëherë nuk shuhet; ashtu si ndihet nevoja për ushqim, ashtu është edhe dituria ushqim i mendjes dhe i shpirtit. Pejgamberit a.s, që kur i zbritën fjalët e para “Lexo” dhe deri në fund të jetës, i qëndroi besnik mësimit dhe i mësoi ymetit tij besimin e pastër në Allahun xh.sh.
Mësimi dhe arsimimi në Islam janë përcaktuar me fjalën e Allahut në Kuranin famëlartë, me hadithet e Pejgamberit a.s. Të gjithë myslimanët janë urdhëruar për të mësuar dhe studiuar prej djepit deri në varr.” Pejgamberi a.s., ka thënë: “Mësimi i diturisë është obligim për çdo mysliman dhe myslimane”. (Ibn Maxhe). Ne e dimë se imani (besimi) është shpirt i fesë, megjithatë Shpallja filloi me “lexo, mëso” dhe jo “beso”.
Dija është rruga që të çon në xhenet, bashkëbiseduesi në vetmi, udhëzuese drejt mirësisë, ndihma në vështirësi dhe arma më e fortë ndaj armiqve. Allahu me dituri lartëson njerëz, të cilët i bën udhëheqës të së mirës dhe prijës që meritojnë të ndiqen, pasi njerëzit kërkojnë mendimet e tyre. Gjithashtu veprat e tyre duhet t’i kesh shembull. Engjëjt kanë dëshirë të qëndrojnë në shoqërinë e tyre dhe me flatrat e tyre i mbulojnë. Për ta kërkon falje çdo gjë e e njomë dhe e thatë, peshqit në det dhe larvat e tij, egërsirat dhe bagëtitë e imëta. Kjo ndodh, sepse dituria është jetë për zemrat e paditura, ndriçues i mendjes nga errësirat. Njeriu me dituri arrin vlerat e të përzgjedhurve dhe gradë të larta në këtë jetë dhe në botën tjetër. Meditimi në të vlerësohet si agjërim, studimi i saj vlerësohet si namazi që falet natën, me të mbahen lidhjet familjare dhe me të njihet e lejuara dhe e ndaluara. Dituria është udhëheqëse e punës, ndërsa puna është vartëse e saj, e cila u dhurohet fatmirëve dhe u ndalohet njerëzve fatkeq”.
Ebu Derda ka thënë: “Dituria është jetë për zemrat nga verbërimi, dritë për sytë nga errësira”.
Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nuk vjen gjë e mirë prej atij që nuk e do diturinë. Prandaj, mos u miqëso me një njeri të tillë, sepse dituria është jeta e zemrave dhe pishtari i arsyes”.
Omer ibn Hattabi thotë: “Njeriu del nga shtëpia e tij i ngarkuar me mëkate sa mali i Tuhames (mal në Arabinë Saudite). Kur dëgjon diturinë frikësohet, kthehet tek Allahu dhe pendohet.
Ai gjithashtu thotë: “O njerëz! Mësoni diturinë, Allahu ka mantelin e tij që e do. Kush kërkon diturinë, Allahu e mbulon me mantelin e Tij.
Aliu r.a., thotë: “Dituria është më e vlefshme se pasuria. Dituria të ruan, ndërsa pasurinë duhet ta ruash. Dituria është gjykatës, ndërsa pasuria është e gjykuar. Mbledhësit (magazinuesit) e pasurisë kanë vdekur, ndërsa mledhësit e diturisë mbesin gjithmonë. Sytë e tyre mungojnë, ndërsa personaliteti i tyre rron në zemrat e njerëzve”.
E lusim Allahun xh.sh., të na japë dije të dobishme dhe të na bëjë të dobishëm në shoqërinë ku jetojmë!