Ai që shndëriti gjithësinë

“O Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar, përgëzues dhe qortues. Dhe me Urdhrin e Allahut , thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues”. (El-Ahzab, 45, 46)
“Vërtet Allahu derdhi mbi besimtarët mirësi të madhe kur Ai dërgoi ndërmjet tyre një të dërguar (Muhammedin) nga mesi i tyre, i cili do t’u lexojë atyre argumentet, do t’i pastrojë ata nga mëkatet dhe do t’ua mësojë atyre Librin (Kuranin) dhe urtësinë (Synetin), edhe pse
para kësaj ata kanë qenë në humbje të qartë”. (Ali Imran, 164)


Ibrahimi a.s., derisa i ngrinte muret e Qabesë së bashku me të birin, Ismailin, në një moment iu lut Zotit: “Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre, të dërguar, që t’u lexojë atyre ajetet e Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndyrësisë së idh ujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi.” (El- Bekare, 129)
U desh të kalonte një kohë e konsiderueshme, madje disa shekuj, derisa Allahu i Gjithëmëshirshëm ia pranoi lutjen Ibrahimit dhe e dërgoi atë që shndriti gjithësinë, Tokën dhe qiejt, të gjitha krijesat. E dërgoi më të zgjedhurin e Tij.
Në prag të shekullit VI bota ishte në një gjendje skajshmërisht të vështirë, dhe sidomos në Siujdhesën Arabike. Zotëronin veset negative e të dëmshme për shoqërinë, kurse morali kishte rënë në një nivel tepër të ulët. Ishin kohë të vështira atëbotë, të vështira aq, që njerëzit më me ëndje e dëshironin vdekjen sesa jetën. Pak ose aspak fusha të jetës kishin ngelur pa u prekur nga imoraliteti e degjenerimi njerëzor. Dhe pikërisht në ato kohë dramatike, mëshira e Allahut shndriti gjithësinë, shndriti njerëzimin.
Ishte ditë e hënë, 12 Rebiu-l-evvel ose 20 prill 570, kur lindi më i zgjedhuri i Allahut, Muhamedi. Gëzimi s’kishte kufi. Gjyshi i tij Abdyl-Muttalib, sapo mori lajmin për lindjen e nipit, vajti tek dhoma e së resë, Emines, e përgëzoi për këtë lindje dhe e mori nipin dhe me të vajti tek Qabeja, ku do t’i vinte emrin Muhamed, një emër jo edhe i panjohur, po, megjithatë, rrallë i dëgjuar. Pyetjes pse i vuri pikërisht këtë emër, gjyshi Abdy-l -Muttalib do t’i përgjigjej: “Dëshiroja që ai të bëhet i falënderuar nga të gjithë”.
Ai, fëmijërinë e hershme e kaloi në fshat, tek fisi benu Sa’d, pranë gjirit të Halimes, në ajër të pastër e larg zhurmës urbane. Babai Abdullahu i kishte vdekur që pa lindur Muhamedi dhe e ëma do ta linte jetim që në moshën gjashtë vjeç. Ndryshe edhe nuk mund të ndodhte, sepse, duke qenë se atë e përgatiste Allahu për mision universal, atë edhe do ta përgatiste Vetë Ai Allahu, sepse Ai më së miri e di se si duhet edukuar, rritur dhe përgatitur (njeriu) për një mision të tillë universal. Gjatë kohës sa ishte i ri, ai do të ruante bagëtinë e xhaxhait të tij, Ebu Talibit, po gjithashtu do të merrej pak edhe me tregti, ku u dëshmua mjaft besnik, i drejtë dhe i sinqertë. Ai në moshën 25 vjeç do të martohej me zonjën mekase Hadixhen, tek e cila do të gjente prehjen e ngrohtë familjare. Si i ri që ishte, ai ishte modeli i njeriut me moral të përkryer, shpirti i tij, edhe para se t’i zbriste Shpallja, shkëlqente nga besnikëria, sinqeriteti, urtësia. Ndër moshatarët e tij, ai dallohej shumë pikërisht për shkak të shkallës së lartë të njerëzisë, shpirtit të madh e human dhe modestisë së madhe që kishte. Ai jetoi një jetë të thjeshtë dhe modeste, mjaft i tërhequr nga të tjerët, ndoshta edhe për faktin se ishte i bindur se ajo që bënin ata, ishte në kundërshtim me normat njerëzore dhe ajo që ata besonin, ishte, po ashtu, në kundërshtim me mendjen e shëndoshë. Pikërisht në këtë kohë, kur ai kishte mbushur të dyzetat, derisa, i vetmuar, në periferi të qytetit, tek shpella Hira meditonte për një rrugëzgjidhje nga kjo idhujtari, do të fillonte t’i zbriste Shpallja. Më 17 janar 611 Besniku Xhibril a.s. do t’i përcillte besnikut Muhamed Fjalët e para të Allahut, për të vazhduar misionin për 23 vjet me radhë. Në të vërtetë, deri me ardhjen e Muhamedit a.s., u pa se njerëzia nuk ishte në gjendje që, në bazë të logjikës së shëndoshë, të gjente të vërtetën, rrugën e Allahut, shpëtimin në këtë botë dhe në botën tjetër. Kështu, Allahu i Gjithëmëshirshëm, në personalitetin e Muhamedit a.s., zgjodhi bartësin e misionit të shenjtë, dhe atij i dërgoi Urdhrin e parë për të lexuar, studiuar e hulumtuar në emër të Allahut.
Në fillim, për shkak të gjendjes shoqërore ekzistuese, nga një anë, dhe për shkak të rëndësisë së misionit, nga ana tjetër, Shpallja do t’u kumtohej njerëzve fshehtas, po, me kalimin e kohës, Pejgamberit do t’i urdhërohej: “Dhe tërhiqu vërejtjen farefisit tënd më të afërm”, për të vazhduar më vonë, më shumë se njëzet vjet pandërprerë e në vazhdimësi, të shpërndante dritë e lumturi. Këtu do të fillonte ndryshimi i tërësishëm i historisë, do të fillonte të nxirrte shkëndija rilindja njerëzore. Tashmë bota do të fillonte të merrte një ndriçim të ri, i cili do të ki shte synim zhdukjen e fanatizmit, injorancës dhe errësirës shekullore. Do të ndryshonte rrënjësisht filozofia e jetës? që atëherë njeriu do të adhurojë Krijuesin e vërtetë, do t’i nderojë vlerat njerëzore dhe do të mbjellë farën e dashurisë mbarënjerëzore. Muhamedi a.s., me një rast, do të deklaronte: “O njerëz, ta dini se unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju, për t’ju treguar fenë e vërtetë të Zotit, fe të cilën e kanë pasur të gjithë pejgamberët e Zotit, por që, me kalimin e kohës, e ndryshuan njerëzit dhe futën shumë gënjeshtra e shumë risi të shpikura, ndaj, unë, me Urdhrin e Zotit, po e dëlir e po e pastroj dhe kështu po i kthej origjinalitetin e saj”. Pra, Islami është fe e natyrshme e çdo njeriu, secili lind me të, dhe konceptet e tij janë të gjera sa edhe vetë njerëzimi. Fundja, a nuk ishte Islami feja e Ademit, Nuhut, Ibrahimit, Musait, Isait dhe e të gjithë vëllezërve të tyre pejgamberë ?!
Nga të gjitha virtytet dhe cilësitë e larta, me të cilat ishte i pajisur më i dashuri i Allahut, Allahu në Kuran thekson moralin e tij të lartë, kur thotë: “Ti vërtet je në piedestalin më të lartë të moralit”. Kurse zonja Aishe tregon se Pejgamberi a.s. moralin e merrte nga Kurani: ”Morali i tij ishte Kurani”. Në të vërtetë, vetë jeta e Pejgamberit a.s. qe shembull për brezin që jetoi në kohën e tij ashabët, e po ashtu edhe për brezat që do të pasojnë gjer në përfundim të kësaj bote. Me një rast, Pejgamberi do të shprehej: “Jam dërguar (nga Allahu) për ta plotësuar moralin e bukur”. Ai këshillonte për përkorësi dhe modesti në këtë botë, sepse kështu do të meritosh që Allahu të të dojë ty. Me një rast, Pejgamberi porosit: “Kur të falësh namazin, fale sikur të ishte namazi yt i fundit! Mos e thuaj fjalën për të cilën nesër ke për t´u penduar! Mos dëshiro atë që dëshirojnë njerëzit, pa ditur gjë!” Pejgamberi sillej me shumë dhembshuri ndaj të varfërve, shpesh kishte qejf që nivelin e ulët të mirëqenies së tyre materiale t´ua zëvendësonte duke iu ndihmuar me ç’kishte mundësi, ose së paku me një buzëqeshje apo fjalë të ngrohtë.
Abdullah ibn Amri tregon: “Një ditë, Pejgamberi a.s. hyri në xhami. Të varfërit qenë ulur në një skaj. Për t’i respektuar dhe për t’u përfituar zemrat, ai u ul pranë tyre, nisi të bisedonte me ta dhe tha: “Përgëzime muhaxhirëve të varfër. Ata do të hyjnë në kopshtet e Xhenetit dyzet vjet para të pasurve. Meqë nuk kanë pasur pasuri, llogaria e tyre do të mbarojë shpejt”.
Kurse me një rast, bashkëshortes së tij i pati thënë: “O Aishe, kurrë mos e kthe prapsht nevojtarin që të vjen në derë! Mbro veten nga zjarri i xhehenemit, qoftë edhe me një gjysmë hurme”.
Gjatë misionit të tij profetik, Muhamedi a.s. u ballafaqua me sfida të ndryshme, me tortura rrëqethëse, mirëpo, asnjëherë dhe për asnjë moment nuk u hamend për amanetin që kishte. Madje, në dallim nga pejgamberët e tjerë, sa herë që armiqtë e sulmonin, e torturonin dhe i bënin keq, ai E luste Zotin: “O Zot, udhëzoji në rrugë të drejtë dhe fali, se ata nuk janë duke e ditur”. Me një rast Ajsheja e paska pyetur nëse ka përjetuar ditë më të vështirë se në Uhud? (Me atë rast ai kishte pësuar plagosje të rënda trupore, qe vrarë Hamzai dhe shumë ushtarë të tjerë.). Ai ishte përgjigjur: “Po, kur jam kthyer nga Taifi, nga familja e Beni Abdi-Kilabit, më injoruan, madje më gjuajtën edhe me gurë e më përgjakën, e unë u dëshpërova jashtë mase. Në atë moment më pati ardhur meleku e më pati thënë: Sikur të urdhëron zotnia jote, me emër të Allahut, këto dy kodrina do t´i rrafshojë e ata që të dëbuan, do të mbulohen nën dhe e gërmadha. Jo, se shpresoj që edhe nga ata do të lindë ndonjë fëmijë, i cili do t´i besojë Allahut“ i qe përgjigjur Pejgamberi Mëshirues melekut. Prandaj, për Muhammedin a.s. nuk mund të thuhet ndryshe përveçse ai ishte si dielli, rrezet dhe ngrohtësia e të cilit nuk janë pronë e askujt dhe as që i takojnë një lloji të caktuar, një gjinie të caktuar, një klani të caktuar, një mjedisi të caktuar, por prej dritës dhe rrezeve të tij ka dobi e tërë jeta, pra nga virtytet e larta të Muhammedit a.s., nga fisnikëria e jetës së tij, nga synimet dhe përpjekjet e tij, me udhëzime për të drejtuar njerëzit në këtë jetë dhe për të siguruar shpëtimin në botën tjetër, ka dobi dhe do të fitojë secili që pranon dhe zbaton udhëzimet e tij.
I nderuari Sherif Putra ka shkruar: “Muhamedi a.s. ishte i pajisur me cilësi të bukura e tërheqëse, ai kishte një zgjuarsi të hollë e të mprehtë, një kujtesë të fuqishme, mendje të gatshme, kuptim të shpejtë, parafytyrim të gjallë, kishte veti tepër të mira dhe të lakmueshme, një shpirt atdhedashurie shembullore dhe durim të pakufishëm, ishte një gjeni që komandonte dhe konsultohej me shokët dhe të tjerët. Ai kishte një kurajë plot guxim, serioz me karakter të qëndrue shëm, në takimin e parë të bënte për vete, kishte delikatesë dhe ndjenja të pjekura. Ai ishte i thjeshtë, i dhimbshëm dhe i gjerë me jetën familjare, tërheqës në mënyrën e veprimit, simpatizues i atyre që u binte fatkeqësi, i dashur e përfillës kundrejt shokëve e familjes, baba i dhembshur dhe burrë bujar e zemërgjerë. Ai ishte njeri me gjykime të shkëlqyera, i ëmbël dhe kënaqës në bisedime, mo scenues në sjelljet e të tjerëve dhe popullor i madh me inferiorët. Ai ishte shumë i sjellshëm në të pritur, në të përcjellë e në të bërit vizita, ishte një dashurues i flaktë për fëmijë, ai i ndalonte në rrugë ata, i përkëdhelte, i lëmonte e u fliste fjalë të ëmbla. Ai nuk e donte atë njeri që nuk e donte fëmijën e vet, ai e urrente deri në palcë rrenën. Ai ishte me të vërtetë njeri i patronditur, i pamërzitur, i besueshëm, vëllazëror, i dashur, shpirtmadh, këmbëngulës në të kryerit e detyrave fetare, trim e i zellshëm në punën që do të bë nte, dhe i paqortueshëm për sjelljet personale dhe familjare...”.
Ndërkaq, Ibn Haxhen Hajtemi ka deklaruar: “Në këtë natë (fjala është për natën e mevludit) të gjitha krijesat, melekët, xhindet e kafshët si dhe metalet e pashpirta i japin myzhde njëri-tjetrit duke u gëzuar se ndriçoi botën nderi i gjithësisë”.
Pejgamberi a.s. nuk la trashëgim tjetër përveç Kuranit dhe Synetit, pra, Islamit dhe disa qindra mijëra myslimanë, për të arritur kjo shifër sot në afër dy miliardë. Sot nuk ka vend ose mjedis në tërë rruzullin tokësor ku të mos ketë besimtarë islamë, ithtarë të Muhamedit a.s.
Krahas faktit se ai përmendet dhe mbi të bien salavat miliarda myslimanë, mbi të gjitha emrin e tij Allahu e krahasoi me emrin e vet: La ilahe il-lallah Muhammedun Resulull-llah. Vallë, a ka nderë më të madh se ky ?!!
Sa do që të shkruhet për Muhammedin a.s. në ditëlindjen e tij, gjuha jonë është tepër e varfër. E varfër sidomos karshi asaj që Allahu tha për të në Kuran: “Lart ta kemi ngritur emrin tënd”.
Me këtë rast, do të sjellim, sa për kujtim, disa porosi nga tërë ai thesar hyjnor i më të zgjedhurit të njerëzimit:
“Bujari është i afërt tek Allahu, i afërt në parajsë dhe i afërt tek njerëzit”.
“Bëni mirë, se vërtet Allahu xh.sh. i do bamirësit”.
“Mos i ktheni kurrizin njëri-tjetrit, mos u përçani, po të jeni të bashkuar në vëllazëri”.
“Ndihmo të tjerët duke mos thënë jo (ose s’kam), mos ke frikë, se Zoti nuk ta pakëson”.
“S’ka besim ai që s’ka besnikëri, dhe s’ka fe ai që s´e mban premtimin”.
“Kënaqësinë e Zotit e gjeni në të kënaqur të prindërve, e moskënaqësinë e Tij në moskënaqësinë e prindërve”.
“Dy bashkëshortëve që jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin, Zoti u fal mëkatet e tyre”.
“Zoti e ndihmon njeriun derisa ai të ndihmojë vëllanë e vet.”
“Nuk është besimtar i vërtetë ai që nuk sillet mirë me fqinjin e vet”.
“Ata që e sigurojnë jetën me punë të ndershme, janë të dashurit e Allahut”.
“Kush mëshiron ata që janë në tokë, mëshirohet nga Ai që është lart”.
Lumturia e vërtetë në të dy jetët do të arrihet nëse zbatohen parimet e mësimeve të Pejgamberit a.s. në jetën tonë dhe nëse për shëmbëlltyrë e kemi më të dashurin e Allahut, atë, me ardhjen e të cilit ndriçoi gjithësinë, atë që nderoi njerëzinë.
Allahu i Madhërishëm në Kuran na thotë: “Pra, ata që e besojnë, e nderojnë dhe e ndihmojnë atë, veprojnë në dritën e asaj që i zbriti, të tillët janë të shpëtuarit”. (‘Araf, 157).


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi