Kaptina “El Xhumua”, sipas mendimit unanim të dijetarëve, është kaptinë medinase. Transmetojnë Ibën Durejsi, Nehasi, Ibën Merduvije dhe Bejhekiu, nga Ibën Abasi, të ketë thënë: “Ka zbritur surja “El Xhumua” në Medinë.” Ibën Merduvije përcjell të njëjtin mendim edhe nga Abdullah bin Zubejri.(1) Mendimin se kjo sure është medinase e përkrahin edhe Hasani, Muxhahidi, Ikrimeja dhe Katadeja.
Argumentet se kjo sure është medinase janë këto:
- Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. të ketë thënë: “Ishim ulur pranë Pejgamberit a.s,. kur i pati zbritur surja “El Xhumua”, ndërkohë që dihet sigurt se pranimi i Islamit nga Ebu Hurejra ka qenë bukur një kohë pas hixhretit.(3)
- Një grup njerëzish patën dalë nga xhamia, duke e lënë Pejgamberin a.s. në minber, kur pati arritur një karvan me ushqime në Medinë, përse ekziston edhe shkaku i zbritjes së ajetit të fundit (11) të kësaj sureje.(4)
- Ligjësimi i namazit të xhumasë si obligim (farz) ka ndodhur në Medinë, dhe atë menjëherë pas hixhretit dhe arritjes së Pejgamberit a.s. aty. Dihet se i Dërguari i Allahut e ka falur xhumanë e parë në një shtëpi të fisit Beni Salim.(5)
Kaptina “El Xhumua” ka gjithsej 11 ajete, 180 fjalë dhe 720 shkronja.(6) Ka zbritur pas sures “Et Tahrim”, dhe para sures “Et Tegabun”. Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 62, ndërsa në radhitjen e zbritjes është e 106-ta.(7)
Emërtimi i kësaj sureje
Kjo sure njihet me emrin “El Xhumua”, qysh nga koha e sahabëve, dhe me po këtë emër është radhitur edhe nëpër Mus’hafe, nëpër librat e Tefsirit dhe ato të Hadithit. Arsyeja e këtij emërtimi është fakti se në ajetin e 9-të të saj: “O ju që besuat, kur të bëhet thirrja për namaz, ditën e xhuma, ecni shpejt për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hytben, faleni namazin), e lini shitblerjen! Kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse jeni që e dini.”, është sanksionuar dispozita për faljen e Namazit të Xhumasë, e dita e xhuma, është dita më e madhe dhe më e lavdëruar e javës, për shkak të bashkimit të myslimanëve në një vend për t’iu lutur Allahut xh.sh....
Në mesin e dijetarëve të tefsirit nuk njihet edhe me ndonjë emërtim tjetër.(8)
Vlera e kësaj kaptine
- Surja “El Xhumua” bën pjesë në mesin e sureve “El Mufassal”. Në lidhje me këtë transmetohet nga Vathilete bin Eskaë El Lejthi, të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Në vend të Tevratit më është dhënë shtatëshja, (suret nga El Bekare deri te El Enfal, ose Et Tevbe); në vend të Zeburit më janë dhënë “El Miejn” - njëqindëshet, (suret që kanë mbi 100 ajete); Në vend të Inxhilit më janë dhënë “El Methani” - (suret që kanë më pak se 100 ajete), ndërsa jam nderuar (ndaj të dërguarve të tjerë) me suret “El Mufassal” (nga sureja Kaf, e është thënë edhe nga El Huxhurat deri te En Nas).”(9)
- Kaptina “El Xhumua” gjithashtu bën pjesë në grupin e sureve “El Musebbihat”, meqë hapen me tesbih për Allahun. Transmetohet nga Irbad bin Sarije, të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut i këndonte “musebbihatet” para se të binte për të fjetur, dhe thoshte: “Në këto sure gjendet një ajet që është më i vlefshëm se një mijë ajete të tjerë”. Dijetarët rreth fjalëve të Irbadit: “I Dërguari i Allahut i këndonte “musebbihatet”, sqarojnë se “musebbihatet” janë suret që fillojnë me fjalë: “subhane”, “sebbeha”, jusebbihu” ose “sebbih”, dhe janë gjithsej 7 sure: “El Israë, “El Hadid”, “El Hashr”, “Es Saff”, “El Xhumua”, “Et Tegabun” dhe “El A’ëla”(10)
- Transmetohet nga Abdullah bin Omeri r.a., të ketë thënë: “Erdhi një njeri te Resulullahu s.a.v.s. dhe i tha: “Më lexo (mëso) diçka (nga Kurani), o i Dërguar i Allahut!” Ai tha: “Lexoji tri nga suret që fillojnë me “Elif, Lam, Ra!”(11). Ai tha: “Jam plak, trupi më është rrëzbitur, zemra më është ligështuar, kurse gjuha më është rënduar…” Atëherë i Dërguari i Allahut i tha:
“Lexoji tri nga suret që fillojnë me “Ha Mim!”(12). Ai i tha të njëjtat fjalë si më parë. Atëherë Resulullahu s.a.v.s. i tha: “Atëherë lexoji tri nga “Musebbihatet”(13). Por ai njeri i përsëriti sërish fjalët e mëparshme, duke shtuar: “O i Dërguar i Allahut, më lexo ndonjë sure gjithëpërfshirëse, kurse Resulullahu s.a.v.s. ia lexoi suren “Idha zulziletil erdu zilzaleha…” derisa e përfundoi.” Atëherë ai njeriu tha: “Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, unë nuk do të shtoj diç më tepër nga kjo kurrë”, e pastaj ktheu shpinën dhe shkoi. I Dërguari i Allahut tha: “Ky që shkoi, shpëtoi. Ky që shkoi shpëtoi…”(14)
- Transmetohet nga Ibn Ebi Rafië, të ketë thënë: “Mervani u nis për në Mekë, dhe Ebu Hurejren e la zëvendës të tij në Medinë, i cili edhe na e fali namazin e xhumasë, duke lexuar në rekatin e parë suren “El Xhumua”, ndërsa në të dytin suren “El Munafikun”. Unë, - thotë Irbadi, - e arrita Ebu Hurejren duke dalë, dhe i thashë: “Ti lexove dy sure të cilat në Kufe na i lexonte edhe Ali bin Ebi Talibi.” Atëherë Ebu Hurejre tha: “Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke i lexuar këto të dyja në namazin e xhumasë.”(15)
- Transmetohet nga Ibën Abasi, të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut në namazin e sabahut të ditës së xhuma i lexonte: “Elif Lam Mim (Sexhde)”, dhe “Hel eta alel insai hinun mine-d-dehri” (El Insan)”, ndërsa në namazin e xhumasë i lexonte suret: “El Xhumua” dhe “El Munafikun.”(16)
- Transmetohet nga Xhabir bin Semurete të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut në namazin e akshamit të natës së xhuma i lexonte suret: “Kul ja ejjuhel kafirune” dhe “Kul huvallahu ehad”, ndërsa në namazin e jacisë të natës së xhumasë i lexonte suret: “El Xhumua” dhe “El Munafikun”(17)
- Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a., të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut në namazin e xhumasë, në rekatin e parë e lexonte suren “El Xhumua”, me të cilën i nxiste besimtarët (u jepte vullnet e kurajë), kurse në të dytin suren “El Munafikun”, me të cilën i frikësonte hipokritët.”(18)
- Transmeton Imam Muslimi, se Dahhak bin Kajsi i kishte shkruar Numan bin Beshirit, dhe e kishte pyetur: “Çfarë lexonte i Dërguari i Allahut ditën e xhuma, përveç sures “El Xhumua”? Ai i qe përgjigjur: “E lexonte suren: “Hel eta ale-l insani hinun mine-d-dehri”.(19)
Shkaku i zbritjes së kësaj kaptine
Nuk ka ndonjë rast (shkak) specifik të zbritjes në lidhje me këtë sure si tërësi, por për ajetin e fundit të saj, atë të 11-të(20), ka shkak të zbritjes, për të cilin më gjerësisht do të flasim gjatë komentimit të tij.
Lidhshmëria e kësaj kaptine me atë paraprake - “Es-Saff”
Lidhshmëria e kësaj sureje me atë paraprake mund të përmblidhet në disa pika:
1. Që të dyja suret fillojnë me tesbih-lartësim dhe madhërim të Allahut; Sureja “Es Saff” fillon me: “Allahun e madhëroi ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë, e Ai është Mbizotëruesi, I Urti.” (Es Saff, 1), ndërsa sureja “El Xhumua” fillon me: “Ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë bën tesbih Allahun, Sunduesin, të Pastrin nga çdo e metë, të Fuqishmin e të Urtin.” (El Xhumua, 1).
2. Në suren “Es Saff” Allahu xh.sh. përmendi gjendjen e Musait a.s. me popullin e tij, vuajtjet e tij nga ana e tyre, duke i qortuar sjelljet e tyre (çifutëve): “Dhe, (rikujto) kur Musai popullit të vet i tha: “O populli mi, pse më shqetësoni kur e dini se me të vërtetë unë jam i Dërguar i Allahut te ju!” E kur ata u shmangën (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre, sepse Allahu nuk e vë në rrugë të drejtë popullin e prishur.” (Es Saff, 5), kurse tash, në suren “El Xhumua”, përmend gjendjen e Muhamedit a.s. me popullin e tij, për nderimin që i është bërë këtij umeti ndër të gjithë umetet e botës. Sa për t’u parë dallimi në mes këtyre dy umeteve, ja ajeti i sures El Xhumua: “Ai është që arabëve të pashkolluar ua dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre, që t’ua lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë librin dhe sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme. (U dërgoi) Edhe të tjerëve që nuk i arritën ata, Ai është Ngadhënjyesi, I Urti. Kjo është mirësi e Allahut, që ia jep atij që do Ai, e Allahu është I Zoti i dhuntisë së përsosur.” (El Xhumua, 2-4).
3. Në suren paraprake, Isai a.s paralajmëroi për ardhjen e një pejgamberi pas tij, me emrin Ahmed: “Dhe kur Isai, biri i Merjemes tha: “O Beni Israilë, unë jam i Dërguari i Allahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje, dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!...” (Es Saff, 6), kurse tash, në suren “El Xhumua”, në ajetin e dytë, Allahu e përmend dërgimin e Muhamedit a.s. si pejgamber, sipas paralajmërimit të Isait a.s.: “Ai është që arabëve të pashkolluar ua dërgoi Pejgamberin nga mesi i tyre, që t’ua lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë librin dhe sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme.” (El Xhumua, 2).
4. Në suren e mëparshme Allahu xh.sh., për shkak të qëndrimit armiqësor të çifutëve ndaj shpalljeve dhe pejgamberëve, si dhe devijimit të tyre nga udhëzimi hyjnor, po ata i quan si të prishur (fasika): “E kur ata u shmangën (nga e vërteta), Allahu i largoi zemrat e tyre, sepse Allahu nuk e vë në rrugë të drejtë popullin e prishur.” (Es Saff, 5),ndërkohë që në këtë sure, për shkak të qëndrimit të tyre ndaj librave të shenjtë, dhe për shkak të papërgjegjësisë së tyre në përcjelljen e këtij mesazhi, çifutët apo Beni Israilët i quan si popull mizor: “Shembulli i atyre që janë obliguar me Tevrat, dhe nuk e zbatojnë atë, është si shembulli i ndonjë gomari që bart libra. Shembull i keq është shembulli i popullit që i përgënjeshtroi ajetet e Allahut, e Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë popullin jobesimtar.” (El Xhumua, 5).
5. Në suren paraprake, “Es Saff”, Allahu ka urdhëruar për luftë në rrugën e Allahut, duke e quajtur atë një tregti që të shpëton në botën tjetër: “O ju që keni besu- ar, a t’ju tregoj për një tregti të bujshme që ju shpëton nga një dënim i dhembshëm: T’i besoni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, të luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë tuaj dhe veten tuaj, e kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse jeni që e dini.” (Es Saff, 10-11), e tash, në ajetet e fundit të sures “El Xhumua”, Allahu urdhëron për faljen e namazit të xhumasë, duke njoftuar se namazi dhe kënaqësia e Allahut, është më e vlefshme se tregtia e kësaj dynjaje: “Ajo që është tek Allahu është shumë më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, e Allahu është Furnizuesi më i mirë!” (El Xhumua, 11).
6. Në suren paraprake, Es Saff, ajeti 4, Allahu xh.sh. i urdhëron besimtarët që të jenë kompaktë, ashtu siç rreshtohen luftëtarët në betejë: “Allahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij, të rreshtuar si të jetë ndërtesë e fortifikuar”, ndërsa tash, në suren “El Xhumua”, e përmend namazin e xhumasë, në të cilin namaz besim- tarët duhet të rreshtohen së bashku në namazin e tyre të përbashkët javor, sepse vetëm në këtë namaz është e obligueshme pjesëmarrja e numrit sa më të madh të besimtarëve.
Përmbajtje e shkurtër e kësaj kaptine
Surja “El Xhumua”, ashtu sikur edhe suret e tjera medinase, në fokus të saj ka sqarimin e disa dispozitave sheriatike-juridike, e në këtë rast janë dispozitat e faljes së namazit të xhumasë, në vend të namazit të drekës, pra në ditën e xhuma.
- Surja fillon me “tesbih” lartësim dhe mohim të çdo mangësie të Allahut, duke ia atribuuar Atij cilësitë më të përkryera, për të vazhduar me përshkrimin e të Dërguarit të Allahut, të cilin I Gjithëmëshirshmi e ka dërguar si mëshirë te populli i tij i paarsimuar, që t’u përcillte Shpalljen nga Zoti i gjithësisë. Qëllimi i dërgimit të tij ishte nxjerrja e tyre në dritën e udhëzim- it pas humbëtirës në të cilën kishin qenë, dritë kjo që përfshin edhe gjeneratat tjera të myslimanëve, deri në Ditën e Gjykimit. (Shih ajetet 1-4!)
- Pas kësaj vjen qortimi i hapët për hebrenjtë, të cilët i lanë mësimet dhe urdhëresat që gjendeshin në Tevrat, duke i përngjarë gomarit i cili bart libra mbi shpinë duke i shkaktuar vetes vetëm lodhje e mundim, por pa fituar ndonjë dobi, sepse ai nuk mund t’i lexojë ato e as të përfitojë nga dituria që gjendet në to. (Shih ajetin 5!)
- Në ajetet vijuese sërish kemi përshkrimin e gjendjes së çifutëve, të cilët shpifin e pretendojnë se janë të dashur të Allahut si popull, por I Lartmadhërishmi ua demanton këto pretendime të sëmura, duke u thënë ta kërkojnë dhe shpresojnë vdekjen, nëse janë të sinqertë në ato pohime (Shih ajetet 6-8!)
- Ndërsa, në ajetet e fundit flitet për ligjësimin e namazit të xhumasë, si obligim farz për të gjithë myslimanët, natyrisht me kushtet e caktuara, Madje, myslimanët urdhërohen që në kohën e xhumasë të lënë shitblerjen dhe t’u drejtohen xhamive për faljen e namazit të xhumasë. E, pas faljes, ata sërish janë të lirë të kërkojnë riskun e Allahut, në mënyrën hallall, kurse në fund vjen një qortim publik për myslimanët e atëhershëm të Medinës, të cilët e kishin lënë Pejgamberin a.s. në min- ber, duke ligjëruar, dhe kishin vrapuar pas karvanit me ushqime, sepse atëbotë kishte mbretëruar një gjendje e rëndë ekonomike... (Shih ajetet 9-11!)
Imam Shevkani, Fet’hul Kadir, vëll. V, f. 298. Sahihu-Buhari (4897). Grup autorësh, Et-Tefsiru-l mevdui li suveri-l Ku- ran, redaktuar nga Dr. Mustafa Muslim, vëll. VIII, f. 144. Ibën Atije el-Endelusi, El-Muharreru-l Vexhiz, vëll. V, f. 306. Ibën Hisham, Es-Siretu-n-Nebevije, vëll. II, f. 494. El-Fejruzabadi, Besairu dhevi-t-temjizi, vëll. I, f. 464. Ibën Ashur, Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. XVIII, f. 205. Dr. Munire ed-Devserij, Esmau suveri-l Kuran ve fedailuha, f.444. Transmeton Imam Ahmedi (4/107); Bejhekiu në Shuabil Iman (2/465). Hadithi është i kate- gorisë “hasen fil fedail”. Imam Ahmedi (4/128); Tirmidhiu 2921) duke thënë në lidhje me këtë transmetim: “hasen garib”. Suret që filojnë me (Elif Lam Ra) janë pesë: Junus, Hud, Jusuf, Ibra- him dhe Hixhr. Suret që fillojnë me (Ha Mim) janë shtatë: Gafir, Fussilet, Esh Shura, Ez Zuhruf. Ed Duhan, El Xhathije dhe El Ahkaf. ‘Musebbihatet’ apo suret që fillojnë me fjalët “Subhane”, “sebbeha”, “jusebbihu” ose “sebbih”, janë shtatë: El Isra’ë, El Hadid, El Hashr, Es Saff, El Xhumua, Et Tegabun dhe El A’ëla. Hadith ‘hasen’. Transmeton Imam Ahmedi (2/169), Ebu Davu- di (1399), Hakimi (2/532). Shih: Vehbe Zuhajli Et-Tefsiru-l Mu- nir, vëll. XXX, f. 356.; Shih: Kitabu-l Xhami, f. 306. Transmeton Muslimi (877). Hadithi është i kategorisë sahih. Transmeton Muslimi (879); Nesaiu (1421). Hadithi është i kategorisë sahih. Transmeton Ibn Hibbani në Sahihun e tij (5/150); dhe Bejhekiu në Es-Sunenu-l Kubra (3/201). Taberaniu në El-Evsat (9/112); Hafidh Hejthemiu në Mexhmeu-z-Zevaid (2/191) thotë se isnadi i këtij transmetimi është “hasen”. Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe Imam Sujutiu në Ed-Durrul Menthur (8/160). Sahihu Mus- lim, hadithi nr. (878). Shih Imam Sujutiun, Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli, f. 265.
Sabri Bajgora