Komentimi i kaptinës “El-Xhumua” – (4)

Vlera e namazit të xhumasë dhe obligueshmëria e tij

“O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është më e dobishme për ju, nëse jeni që e dini. E, kur të kryhet namazi, atëherë shpërndajuni në tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut, por edhe përmendni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim. Po, kur ata shohin ndonjë tregti, ose ndonjë aheng mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë. Thuaju: Ajo që është te Allahu është shumë më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, e Allahu është furnizuesi më i mirë!” – (El-Xhumua, 9-11)

Shkaku i zbritjes së ajetit 11

Ashtu siç e kemi cekur në fillim të sures, lidhur me zbritjen e ajetit 11, kemi shkak specifik të zbritjes. Transmetojnë Buhariu(1), Muslimi(2), Tirmidhiu(3), e shumë të tjerë nga Xhabiri r.a., të ketë thënë: “Përderisa i Dërguari i Allahut ishte duke mbajtur hytben e ditës së xhuma, ia behu një karvan (me ushqime) nga Shami. Shumica e njerëzve dolën nga xhamia, saqë nuk mbetëm me të (me të Dërguarin e Allahut) më tepër se 12 burra, prandaj Allahu xh.sh., zbriti këtë ajet: “Po, kur ata shohin ndonjë tregti, ose ndonjë aheng mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë..”.(4)
Disa nga mufesirët kanë përcjellë lajmin, se banorët e Medinës i kishte pllakosur uria, kurse çmimet e ushqimit ishin shtrenjtuar shumë. Ndërkohë, Dihjetul Kelbiu sapo kishte arritur me një karvan nga Shami. Me të arritur karvani në Medinë, disa njerëz u mëshuan tupanëve, duke paralajmëruar arritjen e karvanit, ndërkohë që i Dërguari i Allahut ishte duke mbajtur hytben e xhumasë. Njerëzit me të dëgjuar për arritjen e karvanit dolën nga xhamia, saqë në të nuk mbetën më shumë se 12 burra, prej tyre: Ebu Bekri dhe Omeri, prandaj Allahu xh.sh., zbriti ajetij e 11-të: “Po, kur ata shohin ndonjë tregti, ose ndonjë aheng mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë..”. Pas zbritjes së këtij ajeti, i Dërguari a.s., u kishte thënë (atyre që kishin qëndruar në xhami): “Pasha Atë, që shpirti i Muhamedit është ne Dorën e Tij, po t’i pasonit ata që dolën, dhe po të mos mbetej askush prej jush në xhami, kjo luginë do të derdhte zjarr mbi ju”(5)

Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake

Në ajetet paraprake, Allahu i Lartmadhërishëm na njoftoi se çifutët dëshironin të ikin nga vdekja, për shkak se zemrat e tyre ishin të lidhura me dashurinë dhe lakminë pas pasurisë së kësaj bote, duke mos dashur të mendojnë e as të punojnë për Ahiretin, ndërkohë që tash me ajetet në vazhdim, i Gjithëmëshirshmi dëshiron t’i mësojë myslimanët me edukatën më të lartë, se si të sillen ata në raport me punën në këtë botë, i mëson gjithashtu edhe si të përgatiten për Ahiret.
Edukata hyjnore në ajetin e fundit të kësaj sureje, mëton t’i vetëdijesojë myslimanët se si të sillen kur imami është duke mbajtur hytben e xhumasë, ndërkohë që pas mbarimit të hytbes, besimtarët porositen që sërish të nxitojnë pas riskut dhe pasurisë të fituar në mënyrë të lejuar-hallall.

Koment:

9. O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejt për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është më e dobishme për ju nëse jeni që e dini.
Sipas shumicës dërmuese të dijetarëve, nëpërmjet këtij ajeti fisnik, është bërë farz falja e namazit të xhumasë, për secilin myslimanë të moshrritur, të gjinisë mashkullore, me kusht që të jetë i lirë, mendërisht i shëndoshë dhe të mos jetë në udhëtim.
Mënyra se si u drejtohet Allahu xh.sh. besimtarëve, është një thirrje të cilën e përshkon ngrohtësia dhe afërsia hyjnore ndaj tyre. Në lidhje me këtë, dëshirojmë të përcjellim një thënie të Abdullah Ibën Mesudit i cili ka thënë: “... Nëse e dëgjon Allahun e Madhërishëm teksa thotë: ‘O ju që keni besuar’!, atëherë përqendroje të dëgjuarit, sepse ajo është një mirësi në të cilën urdhëron, ose ndonjë e keqe nga e cila të ndalon”.(6)
Thirrja për besimtarët myslimanë që të falin namazin e xhumasë, është thirrje të cilës ne duhet përgjigjur domosdoshmërish. Në ato momente kur dëgjohet ezani, ata që e kanë obligim këtë namaz, duhet ta lënë çdo shitblerje për t’iu përkushtuar përmendjes së Allahut. Falja e namazit është më e vlefshme sesa shitblerja për besimtarët, nëse ata meditojnë me vëmendje në vlerat që i ofron ky namaz drejt mëshirës hyjnore.
Në lidhje me emërtimin e kësaj dite, “El-Xhumua”, kemi disa mendime: Sipas mendimit të parë, dita e xhumasë në kohën e injorancës njihej me emrin
“El-Arube”, dhe i pari që e ka quajtur kështu ka qenë Ka’b bin Luejji, sepse në atë ditë kurejshët ishin të mbledhur-tubuar në shtëpinë e tij.
Mendimi i dytë është se me këtë emër e kanë quajtur për herë të parë ensarët e Medinës. Ata i shihnin hebrenjtë tek mblidheshin ditën e shtunë për të bërë lutjet e tyre, prandaj thanë: hebrenjtë po mblidhen në një ditë të javës për t’i bërë lutjet e tyre, edhe të krishterët gjithashtu, prandaj përse të mos tubohemi edhe në një ditë që të mblidhemi e t’i lutemi Allahut. Dikush propozoi që kjo ditë të ishte dita “El-Arube”, që i binte dita e premte dhe e cila njihej tek të gjithë arabët me këtë emërtim. U mblodhën në shtëpinë e Es’ad bin Zirares, ku i falën dy rekate namaz dhe pas namazit, këtë namaz e quajtën namazi i xhumasë (namazi i tubimit të tyre).
Ndërsa mendimi i fundit është më i përgjithësuar dhe konsiston në faktin se “Dita e xhuma”-“Dita e bashkimit-tubimit” është quajtur kështu për shkak se i bashkon myslimanët në një namaz dhe në një vend të përbashkët, meqë është namaz obligativ, i cili duhet të falet ekskluzivisht vetëm në xhami, e jo edhe në shtëpi, në dallim nga namazet e tjera. Ibën Kethiri në lidhje me këtë emërtim thotë: “Është quajtur kjo ditë “E-Xhu- mua”, sepse rrjedh prej fjalës “El-Xhem’u”- që do të thotë bashkim, meqë umeti islam, tubohen dhe bashkohen këtë ditë në çdo javë..”.(7)
Kurse, sa i përket faljes së xhumasë së parë, dikush mendon se namazi i Ibën Zirares, nga ajo që theksuam më herët, ishte xhumaja e parë jozyrtare në Islam, ndërkohë që për herë të parë namazin e xhumasë me ensarët e Medinës zyrtarisht, me urdhër të Resulullahit a.s., e ka falur Mus’ab bin Umejri. Nga kjo mund të konkludojmë, se namazi i Ibn Zirares, ishte pa urdhër të tij, por ata e falën atë vullnetarisht.
Ndërsa xhumaja e parë e falur nga i Dërguari i Allahut a.s., ka qenë katër ditë pas arritjes së Resulullahit a.s. në Medine. Ai kishte qëlluar në vendbanimin e fisit Beni Salim bin Avfit, dhe e fali namazin e parë të xhumasë në një luginë të tyre. Aty e mbajti hytben e parë, duke i porositur myslimanët me këshilla të dobishme, të cilat do t’i fuqizonin ata, që në një të ardhme të afërt, të përhapnin Fjalën e Allahut në të katër anët e botës.

Vlera e ditës së xhuma

Meqë kjo kaptinë është emërtuar me emrin “El-Xhu- mua”, bazuar pikërisht në këtë ajet, atëherë mendoj se është e udhës që në pika të shkurtra të flasim për vlerën e ditës së xhuma dhe të këtij namazi, bazuar në hadithet e bekuara të Resulullahit a.s. Gjithashtu do të përmendim edhe disa nga gjërat që janë të pëlqyeshme të veprohen në këtë ditë.
Këtë ditë të bekuar, Allahu i Madhërishëm e veçoi për myslimanët, që të tubohen në një namaz të përbashkët për të marrë këshillat e nevojshme nga imami apo prijësi i besimtarëve në atë vend. Është dita më e vlefshme e javës, për çka dëshmon edhe ky hadith i Resulullahit a.s.:
- Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a., të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut a.s.: “Dita më e mirë në të cilën lind dielli, është dita e xhuma. Në këtë ditë është krijuar Ademi, në këtë ditë është futur në Xhenet dhe në këtë ditë është nxjerrë prej tij. Nuk do të bëhet Kiameti, përveçse në ditën e xhuma”.(8)
- Transmetohet Ebi Lubabe ibnul Mundhir të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut a.s.: “Dita e xhuma është zotëria i të gjitha ditëve dhe më madhështorja
tek Allahu. Është më madhështore edhe se sa ditët e Sakrificës (Kurban Bajramit) dhe të Fitrit (Fitër Bajramit). Kjo ditë veçohet me pesë gjëra: Në të Allahu e ka krijuar Ademin, në këtë ditë e ka zbritur në tokë dhe në këtë ditë Allahu e ka vdekur Ademin. Në të është një çast, që nuk ndodh që robi ta lus Allahun e Ai të mos i përgjigjet, me kusht që lutja te mos jetë nga të ndaluarat (haramet) dhe në këtë ditë do të ndodhë Kiameti. Nuk ka engjëll të afërt, as qiell e tokë, as erë (frymë), as kodër e as det, që nuk ia kanë frikën ditës së xhuma. (për shkak se Kiameti do të ndodhë në ditën e xhuma, - sqarim yni S.B.)”(9)
Në lidhje me përzgjedhjen e kësaj dite të xhuma, Ebu Hurejra dhe Hudhejfja, përcjellin se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: “Allahu i shmangu nga gjetja e xhumasë ata që ishin para nesh, prandaj hebrenjtë zgjodhën të shtunën, ndërsa të krishterët të dielën. Allahu na solli neve (na zgjodhi si umet) dhe na orientoi (udhëzoi) në gjetjen e ditës së xhuma, duke e radhitur atë para së shtunës dhe të dielës. Në të njëjtën mënyrë ata do të jenë pas nesh në Ditën e Gjykimit, pra, ne ishim (umeti) të fundit në dynja, por të parët nga krijesat që do të llogaritmi në Ditën e Gjykimit”.(10)
- Transmeton Ebu Hurejra se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Kush pastrohet ditën e xhuma, si forma e pastrimit të obliguar, pastaj shkon (në xhami për ta falur xhumanë) i llogaritet shpërblimi si ai që ofron (sadaka) një deve (të majme), e ai që shkon në kohën e dytë atij i llogaritet shpërblimi si ai që ofron (sadaka) një lopë. Ai që shkon në kohën e tretë, i llogaritet shpërblimi si ai që ofron (sadaka) një dash me brinjë. Ai që shkon në kohën e katërt i llogaritet shpërblimi si ai që ofron (sadaka) një pulë. Ai që shkon në kohën e pestë i llogaritet shpërblimi si ai që ofron (sadaka) një ve, e kur imami del para xhematit (të filloi hutben) melaqet (të cilët ishin duke shkruar sevapet) tani prezantojnë ta dëgjojnë atë”.(11)
Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a., të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut a.s.: “Pesë kohët e namazit (prej njërit deri te tjetri); xhumaja deri në xhumanë tjetër, janë pastrues të mëkateve në mes tyre, nëse ruheni prej mëkateve të mëdha”(12)
- Transmetohet nga Abdullah ibën Amri r.a., të ketë thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut a.s.: Nuk ka mysliman që vdes në ditën e xhumasë apo natën e xhumasë, që Allahu të mos e ruajë (mbrojë) nga fitneja e ndëshkimit në varr”.(13)

Në këtë ditë është e pëlqyeshme që të bëjmë sa më shumë istigfar kërkimfalje dhe të shpeshtojmë salavatin mbi Pejgamberin tonë a.s., sepse ai ka thënë: “Shpeshtoni salavtet mbi mua, sepse salavate tuaja më paraqiten mua”.14 Në këtë ditë është mirë të lexohet kaptina “El-Kehf”, sepse kjo është porosi e të Dërguarit të Allahut, meqë leximi i ajeteve të kësaj kaptine na mbron nga fitneja e Dexhalit.
Hadithet lidhur me vlerën e kësaj ditë dhe të namazit të xhuma janë të shumta, por ne u mjaftuam vetëm me këto.

10. E, kur të kryhet namazi, atëherë shpërndajuni në tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut, por edhe përmendni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim.

Pasi të ketë përfunduar namazi i xhumasë, atëherë myslimanët janë të lirë të fillojnë sërish së kërkuari riskun që ua ka caktuar Allahu xh.sh., sepse jeta e njeriut është përpjekje e vazhdueshme për të ecur në rrugëtimin jetësor deri në momentin që na vjen vdekja. Shpërndarja e njerëzve pas faljes së namazit, nuk nënkupton edhe lënien anash përmendjen e Allahut. Përkundrazi, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për obligimet e tjera siç janë namazet që pasojnë të asaj dite dhe të tjera obligime familjare etj. Transmetohet se kur Irak ibën Maliku r.a., e përfundonte namazin e xhumasë, ndalej në derën e xhamisë dhe thoshte: “O Zoti im. Unë iu përgjigja thirrjes Sate, e fala namazin me
të cilin më ke obliguar, dhe sërish iu ktheva kërkimit të riskut siç më ke urdhëruar, prandaj më furnizo me begatitë Tua, sepse Ti je Furnizuesi më i mirë”.(15)

11. Po, kur ata shohin ndonjë tregti, ose ndonjë aheng mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë. Thuaju: Ajo që është te Allahu është shumë më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, e Allahu është furnizuesi më i mirë!”

Në fillim të komentimit të këtij grupi ajetesh, kemi folur gjerësisht për shkakun e zbritjes së këtij ajeti, nga i cili kuptuam se gjatë një hytbeje të xhumasë nga ana e Resulullahit a.s., kishte rastisur që në Medinë të arrinte karvani me ushqime nga Shami, të cilit po i printe Dihjetul Kelbiu, atëbotë ende i krishterë. Me të hyrë karvani në Medinë, të cilën atëbotë e kishte pllakosur uria, buçitën dajret dhe tupanët, në shenjë gëzimi. Me të dëgjuar për ardhjen e karvanit, shumica e njerëzve që ishin në xhami, e lëshuan atë duke dalë për ta pritur karvanin dhe për të blerë ushqim. Nga transmetimet që na janë përcjellë, në xhami mbetën vetëm 12 persona, të cilët mbetën për të dëgjuar këshillat e ngrohta të Dërguarit a.s., pa u preokupuar me karvanin. Zemrat e tyre, në krye me Ebu Bekrin, Omerin dhe sahabët e mëdhenj, ishin mbushur me dashurinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Në zemrat e tyre nuk kishte vend për dashurinë e kësaj dynjaje. Të këtillë duhet të përpiqen të jenë të gjithë besimtarët myslimanë. Ne duhet të përgatitemi e të punojmë për Ahiret natyrisht duke mos harruar edhe pjesën tonë në këtë dynja.
Është transmetuar nga Enes bin Maliku r.a. të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut a.s.: “Kush e ka preokupim kryesor jetën e pastajme (Ahiretin), Allahu do t’ia vendosë pasurinë në zemër, do t’ia bashkojë punët dhe do t’i vijë dynjaja duke qenë e përulur. E, kush e ka preokupim kryesor jetën e kësaj bote, Allahu do t’ia vendosë varfërinë mes dy syve, do t’ia shpërndajë punët gjithandej dhe nuk do t’i vijë nga dynjaja veçse aq sa i është caktuar”.(16)
Pasi që shumë prej myslimanëve e lëshuan xhaminë, duke e lënë në këmbë Pejgamberin a.s., Allahu xh.sh. i qorton dhe ua tërheq vërejtjen të gjithëve me fjalët se “Ajo që është tek Allahu është shumë më e mira se dëfrimi dhe tregtia, e Allahu është furnizuesi më i mirë!”, andaj keni kujdes, mos e humbisni shpërblimin e përjetshëm të Ahiretit, për ndonjë të mirë të përkohshme të kësaj bote. Allahu xh.sh., thotë: “Ajo që e keni pranë vetes është e përkohshme, e ajo që është tek Allahu është e përjetshme. E Ne do t’ua japim atyre që ishin të durueshëm shpërblimin më të mirë të asaj që vepruan. Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre”. – (En-Nahl, 96-97)

Porosia e ajeteve: (9-11)

- Dita e xhuma është dita më e vlefshme e javës.
- Namazi i xhumasë është farz-obligim i domosdoshëm (farzi ajn) për çdo mysliman të moshërritur, të aftë mendërisht, të lirë, dhe që gëzon shëndet të plotë, ndërkohë që obligimi i faljes së këtij namazi bie për femrën, robin, të sëmurin mendërisht të sëmurin e sfilitur nga sëmundja dhe për udhëtarin. I Dërguari i Allahut në lidhje me këtë thotë: “Ai i cili beson Allahun dhe Ditën e Fundit, e ka obligim faljen e namazit të xhumasë në ditën e xhuma, përveç të sëmurit, udhëtarit, femrës, fëmijës ose robit (skllavit)”.(17)
- Sipas fjalëve të Pejgamberit a.s., ai që pa ndonjë arsye madhore nuk i fal tri xhuma rresht, të tillit Allahu xh.sh. ia vulos zemrën.
- Ky namaz falet ekskluzivisht me xhemat në xhami, apo në një vend të cilin e caktojnë myslimanët për vendfalje. Koha e faljes së tij në ditën e premte është në kohën e drekës, të cilën e falim ditëve të tjera.
- Është e preferuar që para shkuarjes në faljen e namazit të xhumasë, të pastrohemi tërësisht, të parfumohemi me aroma të mira, të vishemi me rrobat më të mira dhe të shkojmë më herët në xhami, që të fitojmë sevapet e qëndrimit dhe të dëgjimit të këshillave nga ana e imamit apo prijësit.
- Në këtë ditë duhet të shpeshtojmë salavatet ndaj Pejgamberit a.s.
- Ai që shkon në xhami për të falur namazin e xhumasë, nuk duhet të kapërcejë safat-rreshtat e njerëzve, por duhet të ulet e të dëgjojë këshillën e imamit.
Dëgjimi i hytbes është vaxhib. Falësi, nuk është mirë që të flasë me dikë, përderisa imami është duke ligjëruar, sepse kjo konsiderohet sjellje e pahijshme. Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se: I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Nëse i thua atij që ke pranë (shokut) “Hesht!” ditën e xhuma, në kohën kur imami mban hutben, veçse ke gabuar”.(18)
- Sipas Imam Ebu Hanifes dhe Imam Muhamedit, për të qenë xhumaja e pranuar sipas dispozitave fetare, duhet të jenë së paku tre burra përveç imamit
- Gjatë namazit të xhumasë, është e ndaluar shitblerja për ata që e kanë farz këtë namaz, sepse për gratë apo fëmijët, nuk ka ndalesë të tillë.
- Ecja për namazin e xhumasë duhet të jetë e qetë, pa nxitim, duke e ndjerë vetën krenar se po zbaton një urdhër të Zotit fuqiplotë.
- Pas përfundimit të namazit të xhumasë, lejohet shitblerja dhe kërkimi i riskut që na e ka caktuar i Gjithëpushtetshmi.
- Përmendja e Allahut, duhet të vazhdojë edhe pas namazit të xhumasë, sepse ne vazhdimisht duhet ta mbajmë lidhjen me Të, duke e falënderuar për begatitë e Tij të panumërta ndaj nesh.
- Asgjë nuk duhet të na preokupojë përderisa jemi në namazin e xhumasë, as tregtia e as shitblerja.
- Mirësitë e kësaj botë janë të përkohshme, kurse ato të Ahiretit të përhershme.

(Fund)



(1) Fet’hul Bari (8/643);
(2) Sahihu Muslim (2/590).
(3) El-Xha- miu-s-Sahih (5/414).
(4) El-Vahidij en-Nisaburi, Esbabu-n-Nu- zuli, Demmam, 1992, f.428; Isam Abdu-l Muhsin el Humejdan, Es-Sahihu min Esbabi-n-Nuzuli, Bejrut, 1999; f. 317.
(5) El-Vahidij en-Nisaburi, Esbabu-n-Nuzuli, f.429.
(6) Ebu Neim Ahmed bin Abdullah el-Asbehani, Huljetu-l Evlija’ë e tabekatu-l Asfija’ë, Kajro 1996, vëll. I, f. 130.
(7) Tefsiri i Ibën Kethirit, Bejrut 2011, vëll. VI, f. 195 (Redaktuar nga Abdurrezzak el Mehdi).
(8) Bu- hariu (nr. 856 dhe 876); Muslimi (2/585). Shih edhe: Ibën Adil ed-Dimeshkijj, El-Lubab fi ulumi-l Kitab, Bejrut, 1998, vëll. XIX, f. 68.
(9) Ibn Maxhe nr. (1084). Albani e konsideron si hadith ‘hasen” në Sahihu-l Xhamiu” nr. (2279).
(10) Sahihu Muslim, vëll. II, f. 586, nr. (856).
(11) Buhariu, nr. (841).
(12) Muslimi nr. (233).
(13) Tirmidhiu (1074).
(14) Ebu Davudi, Ibën Maxhe, Nesaiu dhe të tjerë.
(15) E transmeton Ibën Ebi Hatimi. Shih Tefsirin e Ibën Kethirit (4/367).
(16) Tirmidhiu, 4/642, hadithi nr. (2465).
(17) Et-Tefsiru-l Munir, vëll XXVIII, f. 580.
(18) Muttefekun alejhi.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit (video)