Roli i Islamit në parandalimin e dhunës në baza gjinore, të drejtat dhe pozita e femrës në Islam
Falënderimet e adhurimet i takojnë vetëm Allahut xh.sh., Zotit të botrave, salavatet dhe selamet tona qofshin mbi Pejgamberin a.s., familjen, shokët dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
S’ka dyshim se Zoti krijoi Gjithësinë e Universin dhe gjithë çka ka në të. Me krijimin e Universit, përgatiti edhe kushtet e krijimit të parë Ademit a.s., babait të njerëzimit, e prej tij edhe nënën e njerëzimit Havanë, për t’i dhënë domethënie e vlerë të merituar jetës mbi sipërfaqen e Tokës. Allahu xh.sh. thotë: “Vetëm, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur”.
Nga ky ajet Kur’anor mësojmë se Allahu i dha njeriut atribute e cilësi që nuk iu dha gjallesave të tjera dhe kështu i besoi mëkëmbësinë mbi sipërfaqen e Tokës. Me fillimin e zbritjes së Kur’anit u reflektuan edhe përmirësimet e para individuale dhe sociale duke i dhuruar të drejtat e veta çdokujt, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën dhe kombin. Islami të gjithë njerëzit i trajton të barabartë.
Në Islam personaliteti ndërtohet me çiltërsi, dituri dhe moral, e jo me gjini dhe racë. Islami ngriti lartë pozitën e femrës, duke e liruar nga të gjitha llojet e robërisë. Njeriu si mashkull ashtu edhe femra, u krijuan të lirë dhe duhet të jetojnë të lirë, me respekt të vazhdueshëm e të ndërsjellë në mes tyre..
Allahu i krijoi njerëzit që të njihen e të respektohen në mes tyre. Allahu xh.sh. thotë: ”O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre, ju bëmë popuj e fise, që të njiheni ndërmjet jush, e s’ka dyshim se tek Allahu më I ndershmi ndër ju është ai që është ruajtur më tepër (nga të këqijat), e Allahu është shumë I dijshëm dhe hollësisht I njohur për çdo gjë”. (El-Huxhurat, 13).
Mund të theksojmë se gruaja asnjëherë gjatë historisë njerëzore nuk mori vendin e merituar në raport me burrin, derisa erdhi Shpallja e fundit dedikuar njerëzimit përmes Muhamedit a.s., i cili proklamoi kondita e ligje të një sistemi të ri jetësor për mbarë njerëzimin. Ndoshta mu këtu qëndron urtësia që Islami i dha nderime të veçanta femrës, ngase ajo me pajisjen e fëmijës me moral dhe edukatë të lartë, i hap shtigjet ndërtimit të shoqërisë në baza të shëndosha. Për kryerjen apo mos kryerjen e obligimeve të saj ndaj shoqërisë, Islami përcaktoi se ajo vetë do të jetë përgjegjëse për veprat e saja.
Allahu xh.sh. thotë: “Askush nuk do të bartë barrën e tjetrit”. (El - En’am, 164).
Para ardhjes së Muhamedit a.s. në mbarë botën femra zotëronte shumë pak të drejta, pavarësisht se ku jetonte . Ajo shitej si mall tregtar, ajo detyrohej të martohej pa dëshirën e saj, ajo linte trashëgim por nuk trashëgonte asgjë, ishte pronë e të tjerëve dhe vet nuk zotëronte asgjë. Në Indinë e vjetër gruaja nuk kishte të drejtën e martesës, të trashëgimisë dhe asnjë të drejtë në fushat e tjera. Femra sipas normave Islame ka të drejtë për liri të plotë të shprehjes së mendimeve të veta. Po ashtu, është shumë me rëndësi të potencohet se rregullat juridike islame i dhanë gruas të drejtën e trashëgimisë, gjë që më parë nuk e kishte. Allahu xh.sh. thotë: “Meshkujve ju takon pjesë nga pasuria që e lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave ju takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, ju takon pjesë e caktuar (nga Zoti)”. (En-Nisa, 7).
Është e vërtetë se e drejta e trashëgimisë është e të dy gjinive edhe pse femra trashëgon një sasi më të vogël, por kjo ndodh për shkak se për mirëmbajtje të familjes janë të obliguar meshkujt e jo femrat, se femra e merr mehrin nga burri, kurse mashkulli duhet të japë. Në këtë mënyrë islami, ishte dhe do të mbetet luftëtar i përbetuar i të gjithë atyre që vajzat e veta i torturonin dhe i mbytnin, pa marr parasysh frikën nga varfëria apo arsyet tjera që nxirreshin për ta justifikuar këtë krim.
Islami obligon për dashuri e respekt ndaj gruas, e jo dhunë, urrejtje, ofendime, çfarëdolloj qofshin ato. Kur`ani para 14 shekujsh, në shenjë respekti, nderimi, e dashurie në mes gruas e burrit thotë:” Dhe nga faktet e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vet lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argument për njerëzit që mëndojnë”. (Er-Rum, 21).
Edhe Muhamedi a.s. në një hadith thotë: ”Më i miri është ai që sillet më së miri ndaj grave, ato janë nënat e fëmijëve tanë”. Nga ky ajet Kur’anor mësojmë se gruaja është krijesa tek e cila burri gjen prehjen e tij, përmes kësaj prehje reflektohet mëshira dhe urtësia e të Madhit Zot që ka krijuar në mes qiftit bashkëshortorë. Gruaja është aq e respektuar sa që Pejgamberi a.s. na thotë: ”Xheneti është nën këmbët e nënës”.
Udhëzimi në vepra të mira dhe ndalimi nga e keqja, është një funksion mjaft i rëndësishëm shoqëror ku duhet patjetër të inkuadrohen edhe burrat ashtu edhe gratë, secili sipas mundësive dhe aftësive të veta.
Muhamedi a.s. thotë:“Ai i cili prej jush e sheh ndonjë të keqe, le ta ndalojë, së pari me dorë, pastaj me gjuhë (me këshilla, e nëse nuk mundet, atëherë me zemër (le ta urrejë)”.
Kjo përgjegjësi mjaft e madhe shoqërore, funksion i rëndësishëm e i ndershëm nuk është vetëm privilegj i burrit. Me një rast, po ashtu është marr parasysh qëndrimi i gruas, është vërtetuar mendimi i saj dhe ajo mjaft është afirmuar si faktor i rëndësishëm, mendimi i së cilës duhej të çmohet dhe të merret parasysh sikur mendimi i burrit.
Një herë, Omeri r.a. duke ligjëruar hutben, apeloi nga minberi që të pakësohet mehri. Njëra nga gratë e pranishme e kundërshtoi dhe e citoi ajetin e Kur’anit ku thuhet se mehri është e drejtë e gruas dhe se atë nuk guxon askush t’ia mohojë. Omeri menjëherë e korrigjoi veten dhe tha: “Gruaja ka të drejtë, kurse Omeri ka gabuar”.
Që të mund gruaja të kryej me sukses detyrën dhe rolin e saj që ia ka caktuar Islami, ajo duhet të jetë e aftë fetarisht dhe profesionalisht. Ajo duhet të arsimohet në të gjitha lamitë. Në këtë drejtim nuk ka kurrfarë dallimi në mes burrit dhe gruas. Zbritja e ajetit të parë dhe urdhri “Ikre”, mëso, i dedikohet edhe burrit edhe gruas.
Duke pasur parasysh obligimet e barabarta, nga aspekti Islam, gruaja duhet të arsimohet njëjtë sikur burri. Këtë më së miri e ka sqaruar Muhamedi a.s. ku thotë: “Dituria, kërkimi i diturisë është obligim (farz) për çdo musliman dhe muslimane”. Këtu nuk guxon të ketë kurrfarë diskriminimi. Gruaja duhet t’i njohë shkencat Islame dhe parimet Islame sikur burri, sepse është e obliguar me të njëjtat detyra. Çdo gjë çka duhet mashkulli të di në lidhje me dispozitat fetare, duhet të di edhe ajo. Është e domosdoshme të arsimohet më tepër femra si nënë. Ajo duhet të jetë pedagoge dhe psikologe shumë e mirë. Në duart e saja formohet dhe edukohet njeriu. Ky është një funksion jashtëzakonisht i rëndë dhe i ndërlikuar.
Edhe pse të arriturat njerëzore janë në të gjitha fushat shkencore, prapëseprapë dhuna ndaj gruas në familje dhe jashtë saj është alarmante për shoqërinë njerëzore. Burri pa kurrfarë arsye përdor fuqinë fizike, psikologjike për të ushtruar dhunë ndaj gruas, nëpërkëmbët dinjiteti, ato jetojnë në terrin e mashtrimit. Ato nuk trajtohen sipas rekomandimeve të Allahut xh.sh. dhe porosive të Muhamedi a.s., për të tillët thotë: ”Nuk i nderon gratë veçse një fisnik, dhe nuk i keqtrajton veçse një i lig”.
Duhet te fokusohemi pak edhe te shoqëria jonë kosovare për dhunën e ushtruar ndaj gruas. Vetëm gjate një viti në Kosovë regjistrohen rreth 2000 raste të dhunës në familje. Dhuna është e shumëllojshme, si ekonomike, sociale, psikologjike që manifestohet përmes kërcënimeve fizike. Burri ushtron dhunë ndaj gruas edhe kur është i dehur, në presionin e alkoolit, të cilat përfundojnë tragjikisht, kjo dukuri fatkeqësisht është e pranishme edhe në shoqërinë tonë kosovare.
Dhuna në familje nuk duhet të jetë çështje e izoluar, po një situate me të cilën duhet të përballemi për ta zhdukur ose pakësuar në shoqërinë tonë.
Muhamedi a.s. ua kujtonte shokëve të vet thënien: ”Siç keni ju të drejta mbi gratë, edhe ato kanë të drejta mbi ju”.
Islami e ka shpëtuar gruan nga më e keqja dhe poshtërimi dhe nga nënshtrimi i burrave, dhe e ka ngritur në piedestalin më të lartë të ndershmërisë dhe respektit. Me burrin ajo duhet të jetë grua ideale, e respektuar dhe e dashur, e gatshme për ta nderuar atë dhe familjen e tij, gruaja do të ishte e kënaqur sikur të gëzonte të gjitha të drejtat dhe dhuntitë që ia ka falur Zoti xh.sh.
Ju këshillojmë t`i merrni parasysh të drejtat e grave, dhe për këtë të keni frikë Allahun xh.sh. Ju i morët gratë si amanet nga Zoti xh.sh. duke dhënë fjalën në emër të Allahut xh.sh., ju u bekuat me nderin dhe virtytin e tyre.
Nga e gjithë kjo që u tha, nënkuptohet se të drejtat dhe liritë që ia dhuroi islami gruas qysh para 14 shekujve, janë të tilla saqë edhe sot e kësaj dite në shumë vende të botës femrat ëndërrojnë për një liri të tillë.
“Gratë janë gjysma e njerëzimit”. – ka thënë Sami Frashëri.
Në fund e lusim Allahun xh.sh. që të na ndihmoj të jemi në nivel ndaj përgjegjësive që na i ka dhënë emanet.
Visar Koshi
Kryeimam në KBI Gjakovë