A është rroba jonë vetëm mbrojtje fizike e trupit tonë? A është ajo zbukurim i pamjes së jashtme?
Mbulim i defekteve trupore? Paraqitje që është përcaktimi ynë jetësor? Dëshmim i shijes së mirë? Demonstrim i pasurisë dhe forcës? A e dëshmon njeriu i zhveshur se është i mjerë? A mundet të shoqërohet në mënyrë të barabartë njeriu i zhveshur me të veshurin? Përse njeriu është lakuriq? Përse e zgjodhi të jetë lakuriq? Përse njeriu lakuriq dhe gruaja lakuriqe janë “aq shumë të vlefshëm”? Përse ofrohen pamje të tilla, përse prodhohen aq shumë? Përse reklama për pantallona xhinse bën thirrje për seks? A nuk dinë, vallë, bashkëqytetarët tanë për udhëzimin e Zotit për tërheqshmërinë e burrit dhe të gruas? Vallë, a duhet udhëzuar kështu sikur nuk kemi bërë asnjë hap më tej nga vizatimi i njeriut në murin e shpellës? A mund të mbrohemi nga ky agresion lakuriqësie? A ka rrugë demokratike për mbrojtje? Kujt mund t’i drejtohemi? Bashkësisë Evropiane apo OKB-së, forumeve për të drejtat e njeriut...? Vallë, si ka mundësi, pas gjithë atyre shekujve të përparimit njerëzor, t’i durojmë ata që, përballë të gjitha mundësive, zgjedhin atë më të ulëtën, instinktiven. Përse femrat e mbuluara prej kokës deri në këmbë, i konsiderojmë jonormale? Përse i etiketojmë? Përse u drejtojmë fjalë ofenduese dhe sharje? Përse ato me “minifunde” i konsiderojmë normale? Përse disa konsiderojnë që të mbuluarit dhe të mbuluarat janë të rrezikshëm? Përse të zhveshurit mendojnë se kanë të drejtë të zbulohen, e ata që janë të veshur nuk paskan të drejtë të mbulohen? Përse disa burra duan që gratë e tyre të jenë të mbuluara, e të huajat të zbuluara? Vallë, a nuk e dimë se asnjëherë nuk jemi vetëm? Ku u zhduk turpi? Përse e dëbuam atë mbrojtës të trupit dhe shpirtit? Duke mbrojtur trupin, a e mbrojmë pavarësinë tonë? A mund të jetë i pavarur njeriu lakuriq jo vetëm nga shiu, dielli, të ftohtët? A është rob njeriu lakuriq? A janë sot gratë lakuriqe dhe burrat lakuriqë më të mjerët robër të historisë?
A jetojmë në rendin botëror skllavopronar?
A e zgjedh njeriu që të jetë rob? Përse njeriu lakuriq nuk bërtet, kur është lakuriq? A nuk e ofendon kjo gjendje? Përse njeriu, duke pasur një dhuratë kaq me vlerë – trupin - e jep falas? Përse nuk janë të vetëdijshëm që atë dhuratë e kanë marrë për një kohë të caktuar? Përse shesin një gjë që nuk është pronë e tyre? A mos vallë trupin e kemi krijuar vetë që të mund ta shesim?A nuk meritojnë respekt këmbët tona që na bartin, duart tona që i shërbejnë trupit tonë dhe vendit, duart që ndërtojnë, gjoksi i grave që ushqen fëmijët e tyre, a nuk u shërben për nder dhe a nuk meriton respekt, të paktën nga vetë ato? Përse atëherë e zbulojnë para mijëra e qindra mijëra anonimësh? Cili fëmijë fatzi do të ushqehej nga një gjoks i zbuluar?
Përse ofendojmë trupin tonë
A na lejohet të ofendojmë veprën e Zotit? Përse njeriu është aq kryeneç? Mos, vallë, për shkak të bukurisë që krijoi Zoti? Mos, vallë, i vetmi kriter i respektimit të trupit tonë është dhembja? Mos, vallë, vetëm dhembja është kriter i respektimit të vetes sonë, të vlerave tona, dhuratave dhe begative me të cilat na furnizoi Zoti i Dashur? Përgjigjja, fatkeqësisht është pozitive.
Shumë tragjedi dhe katastrofa që kanë ndodhur në histori e ndodhin edhe sot, janë rezultat i anarkisë morale dhe i shkeljes së ligjeve dhe dispozitave të Allahut xh. sh. Krijuesi ynë thotë:“Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija)”. (Es-shura, 30).
E në një vend tjetër, Zoti i Gjithëfuqishëm thotë: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për të përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që bënë, ashtu që tërhiqen (nga të këqijat).“ (Err-Rrum, 41)
“Këto janë dispozita (kufijtë) të Allahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e Allahut, ata janë zullumqarë.” (El-Bekare, 229)
A duhet vallë ta durojmë këtë agresion?
Prandaj, ne pasuesit e Kuranit fisnik dhe Pejgamberit të fundit të Zotit – Muhamedit a.s. u bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, që të vetëdijesohen dhe të shprehin pakënaqësinë e tyre kundër pornografisë së të gjitha llojeve. Apelojmë tek qytetarët tanë që të luftojnë dhe, duke luftuar, të mbrohen nga ky agresion i pamëshirshëm, i paskrupullt i lakuriqësisë dhe imoralitetit. Kjo është në të mirën e tyre, të familjeve dhe fëmijëve të tyre, se përndryshe ndëshkimi do të jetë po aq i pamëshirshëm sa edhe vetë agresioni pornografik.
“Kulti i lakuriqësisë”
Fillimi i ditëve të nxehta në vendin tonë, edhe këtë vit si dhe vitet e kaluara, shquhet nga një invazion dhe vërshim i lakuriqësisë me përmasa të tmerrshme.
Stina e verës, pothuaj sa ka filluar, e këndej masa e vajzave dhe grave (gjysmë) të zhveshura, tashmë ka pushtuar rrugët e qyteteve tona dhe fshatrave tona. Të fillojmë nga vetvetja! Të jemi me moral, që të mbetemi normalë. Lakuriqësia, fatkeqësisht, është bërë një dukuri e vështirë për ta anashkaluar në shoqërinë tonë. Provokojnë sytë, zemrat dhe qetësinë e njerëzve normalë...
Rrugët, parqet, ndërtesat, shkollat, fakultetet, televizioni, prezantuesit, estrada, teatri, aktorët, autobusët etj.., fatkeqësisht, gjithnjë e më shumë u përngjajnë plazheve të detit. Mesazhet e reklamave në televizion, vërtet, janë bërë mesazhe të shkurtra filmike përplot me nxitje erotike, dhe aty, përveç lakuriqësisë, prostitucionit dhe perversitetit, promovohen ushqimi, pija, rrobat, cigaret, alkooli, kozmetika etj. Gazetat dhe revistat, gjithashtu, gjithnjë e më shumë promovojnë lakuriqësinë dhe imoralitetin. Televizori, si media më e fuqishme në kohën bashkëkohore, është vërshuar nga lakuriqësia dhe imoraliteti. E çfarë të themi për vërshimin e telenovelave dhe serialeve të ndryshme, të cilat paraqesin dhe promovojnë lakuriqësinë, prostitucionin, dhunën, jetën e alkoolistit, narkomanit, homoseksualit, lesbikes, si dhe format më drastike të perversitetit dhe sjelljeve devijante. Serialet e tilla shfaqin realitetin e një kulture dhe qytetërimi të bastarduar moralisht e të shthurur deri në përmasa të pa imagjinuara, ku nuk merren parasysh dhe nuk respektohen kurrfarë normash dhe kriteresh etike morale dhe etike njerëzore. Aty tregohet tërë destruktiviteti dhe çoroditja e familjes “moderne”, që, përmes disa televizioneve tona, të gjitha problemet e asaj familjeje mbarten edhe tek familja jonë shqiptare.
Vërshimi i shundit edhe në fjalë, edhe në poezi, edhe në muzikë, edhe në veshje, edhe në stilin e bontonit, - bëri që në botën e shumë gjeneratave të reja të humbet çdo rëndësi e vlerës së vërtetë, shpirtërore, morale dhe estetike. Sot, mund të flitet lirisht, jo vetëm për mjerimin shpirtëror, po edhe për mjerimin e lakuriqësisë trupore.
Njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se jetën e tyre të përditshme e mbikëqyrin grupe të mëdha me influencë, të cilat përmes masmediave vërshojnë me simbole të seleksionuara e të organizuara mirë, funksioni i të cilave nuk është që ta informojnë botën, veçse t’i shfrytëzojnë nevojat e botës. Duke mos përfillur detyrën e nënës, ai e privoi gruan nga funksioni i saj themelor, i pazëvendësueshëm. Si rezultat i pashmangshëm i kësaj lakuriqësie që ka përfshirë shoqërinë tonë, është edhe shfaqja e imoralitetit në të gjitha format e tij, edhe tek pjesa më vitale e kombit - tek rinia shqiptare.
Nga po shkon rinia jonë?
Kush është fajtor për jo-moralin dhe lakuriqësinë e rinisë sonë? Kush është fajtor për atë që sot po ndodh në mesin e nxënësve të shkollave tetëvjeçare e të mesme, në mesin e rinisë sonë?! Ç’është ajo që rrënon dhe shkatërron bukurinë, si atë fizike ashtu edhe atë morale të rinisë sonë? Për këtë gjendje do të mund të shtroheshin një varg i tërë pyetjesh, por t’i kërkojmë përgjigjet...
Faktori kryesor, pa mëdyshje, është papërgjegjësia e prindërve. Është për të ardhur keq që shumica e tyre kanë braktisur edukimin e fëmijëve të tyre dhe, derisa janë të vegjël, nuk merren fare me ta, duke i lënë krejtësisht të lirë, e kur rriten dhe fillojnë të bëjnë vepra të këqija, ankohen e hidhërohen pse i kanë fëmijët të tillë dhe fajin e kërkojnë tek tjerët. Le të mos i vendosim linjat mbrojtëse kundër të këqijave që i vijnë rinisë në vetë linjën e frontit, po t’i tërheqim shumë më përpara. T’i edukojmë fëmijët në fe derisa janë në kopsht, apo në shkollën fillore, që të mësojnë për ekzistimin dhe respektimin e autoritetit suprem- Allahut të Lartësuar. Nga respektimi ndaj Zotit, do të lindë edhe respektimi ndaj prindit, të moshuarit, edukatorit, mësuesit. Të mos e lëmë këtë për në shkollën e mesme dhe në fakultet, sepse atëherë mund të jetë vonë, se ajo është vija e parë e konfrontimit ku lufta zhvillohet ballë për ballë. E kur armiku të arrijë deri aty, atëherë lufta është edhe e vështirë, edhe e pasigurt, dhe duhen bërë sakrifica të mëdha. Fëmijët tanë janë pasuri e paçmueshme, por edhe prova dhe sprova jonë dhe vetëm prej nesh varet a do të jemi në krye të detyrës dhe përgjegjësisë. Nëse jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë, e për fat të keq shumica e myslimanëve nuk janë,
duhet t’i kushtojmë shumë më tepër kujdes moralit të fëmijëve tanë, të cilët në çdo hap i ekspozohen çdo lloj pornografie përmes televizionit, shtypit, internetit, e madje edhe në vendet publike. Pasoja e kryeneçësisë dhe vazhdimësisë së njeriut në të keqen dhe e tejkalimit të së lejuarës, është shfaqja e sëmundjeve seksuale, disa prej të cilave janë vdekjeprurëse, e të tjerat lënë pasoja të tmerrshme për shëndetin, madje shkaktojnë sterilitetin dhe një mori defektesh. Vetëm disa prej tyre janë: sida, sifilizi, gonorreja, hepatiti. Vetëm nga Sida në botë vdesin rreth 40 milionë persona të infektuar, të cilët presin ilaçin që nuk është gjetur ende. Nga viti në vit ky numër rritet në mënyrë marramendëse. I vetmi shpëtim për njerëzimin është aplikimi i dispozitave islame dhe mbrojtja nga marrëdhëniet jashtëmartesore dhe prej çdo gjëje që Allahu ka ndaluar, sepse ato janë të dëmshme dhe nuk janë në interesin e njeriut, veçse kundër njeriut dhe natyrës së tij.
Ruajtja e vetës dhe familjes nga xhehenemi
Këtu dëshiroj në mënyrë të veçantë të tërheq vëmendjen për rrezikshmërinë e dërgimit të fëmijëve tanë, si atyre të shkollës së mesme, ashtu edhe atyre të shkollës tetëvjeçare, në verimet e përziera njëditore dhe njëjavore, ekskursionet e maturës, udhëtimet dhe kampingjet e ndryshme. Udhëtimet e tilla pa praninë e prindërve shpesh janë rrethana për raste të çnderimit të fëmijëve tanë. Allahu xh.sh. thotë:“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron, dhe punojnë atë për se janë të urdhëruar.” (Et-Tahrim, 6)
Gjithsesi që disa kufizime dhe ndalesa duhen imponuar nga ana e vetë prindërve, të cilët para të gjithëve janë kompetentë dhe përgjegjës që të bëjnë diçka për të ruajtur dhe mbrojtur nderin dhe dëlirësinë e fëmijëve të tyre. Ky është hapi i parë dhe më i rëndësishmi që duhet ndërmarrë. Nëse lejojmë që fëmija ynë të vijë vonë në shtëpi, e neve nuk na intereson ku dhe me kë ka qenë, ose i lejojmë vajzës sonë të lakuriqësohet dhe nga veshja të kalojë çdo masë të mirësjelljes, atëherë kjo është alarmante dhe e tmerrshme. Prindërit janë përgjegjësit kryesorë. Ata duhet të vendosin disa norma dhe rregulla për fëmijët e tyre. Normat dhe kufizimet janë për njerëzit, nuk janë për kafshët, prandaj prindërit duhet t’i kenë parasysh të gjitha këto. Sepse, përndryshe, fëmijët e tyre do t’u dalin jashtë kontrollit dhe pastaj do ta kenë shumë vështirë t’i “kthejnë” përsëri në sistem, e ne e dimë mirë se kush mbetet jashtë sistemit, mbetet jashtë lojës, mbetet i privuar nga të gjitha favoret dhe përparësitë që i ofron sistemi.
Kulmi i krizës morale
Mund të themi lirisht që në botën bashkëkohore ka një krizë morale për se edhe edukimi moral po bëhet gjithnjë e më aktual. Mendoj se po i afrohemi kulmit të krizës morale, e cila do të ishte, sikur shpesh në histori, simptomë, por edhe përbërës i gjendjes në të cilën sot gjendet bota. Po vjen koha të cilën qysh herët e ka parashikuar Pejgamberi ynë në hadithin e tij, duke i paralajmëruar ashabët me fjalët: “Si do të veproni kur gratë t’i përkushtohen zinasë (prostitucionit), e rinia të zhytet në sharje dhe kumar?”, i pyeti Pejgamberi a.s. ashabët e tij. “Vallë, a mund të vijë ajo kohë, o i Dërguari i All-Allahut?”, e pyetën ata. Muhamedi a.s. tha: “Mundet edhe më keq.” “Vallë, a mund të jetë edhe më keq?”, e pyetën përsëri. “Mundet. Atëherë kur nuk do ta urdhëroni të mirën, e nuk do ta ndaloni të keqen” – tha Pejgamberi i All-Allahut a.s. “Vallë a mund të vijë ajo kohë?” – e pyetën përsëri ashabët. “Mundet edhe më keq. Atëherë kur të mirën do ta konsideroni të keqe, e të keqen të mirë.” “A mund të vijë ajo kohë, o Pejgamberi i All-Allahut?” – për së treti herë e pyetën ashabët. “Mundet. Kur do të urdhëroni të keqen e të ndaloni të mirën. Atëherë edhe njerëzit tuaj më të ditur nuk do të mund të gjenden (nuk do të dinë çfarë të bëjnë)’’- u përgjigj Pejgamberi ”.
Sa të mëdha dhe sa madhështore janë këto fjalë të Pejgamberit të Allahut! Ato nxitin admirim dhe forcojnë bindjen tonë e besimin tonë në vërtetësinë e pejgamberllëkut të tij. Mirëpo, ato gjithashtu shkaktojnë edhe shqetësim dhe frikë, sepse, si duket, ato po realizohen pikërisht në kohën tonë, në kohën e cila, në një anë karakterizohet nga një përparim i paimagjinueshëm shkencor e teknologjik, e nga ana tjetër, nga devijimi dhe shkatërrimi edhe më i paimagjinueshëm moral, që kërcënon të rrënojë çdo potencial dhe vlerë shpirtërore te njeriu si krijesa më e përkryer e Allahut. Ky hadith sikur vërtet flet për kohën tonë. Si duket, Dita e Gjykimit është gjithnjë e më afër, sepse gati të gjitha parashenjat e vogla janë shfaqur, po ashtu edhe ky hadith.
Transmeton Enes Ibn Maliku, që Pejgamberi ka thënë: “Nga parashenjat e Ditës së Kiametit janë: do të zhduket dija, do të vendoset padituria, do të pihet alkooli dhe do të përhapet zinallëku!” (Buhariu)
Të jetuarit dhe të mbijetuarit e gjinisë dhe civilizimit njerëzor, kontinuiteti i njeriut si mëkëmbës i Allahut, në shumë gjëra varet nga pastërtia e moralit. Sipas mësimeve që vijnë nga Kurani, popujt, civilizimet përpara nesh janë shkatërruar, para së gjithash, për shkak të imoralitetit dhe gjynaheve që kishin bërë. Shembuj të qartë për këtë janë populli i Lutit dhe popuj të tjerë.
Bëj mirë dhe kundërvihu së keqes
Është e njohur ajo shprehja që thotë: “Ai që e njeh veten, e ka njohur edhe Zotin e vet”. Po, ai që E njeh Zotin, e ka njohur veten. Në kërkim të suksesit dhe lumturisë, njeriu, pra, duhet të zgjedhë rrugën më të drejtë, e ajo është “që njerëzit t’i masë sipas vetes, d.m.th. të gjykojë për ta ashtu si do të gjykonte për vetveten”. Jeta njerëzore në këtë botë nuk është e kotë dhe e pakuptimtë. Ajo është dhënë në kontekstin e jetës më të lartë, jetës që i ka hije njeriut. Ajo është jeta me simbolin e ngadhënjimit mbi çdo gjë destruktive, jetë e cila dallon nga ajo animale.. Në këtë mënyrë ai realizon dimensionin e jetës së kësaj bote, e cila dallon nga ajo animale dhe me të cilën futet në harmoninë e ligjeve që zotërojnë në kozmos.
I lutemi Allahut të Lartësuar, që ne dhe fëmijët tanë, popullin tonë dhe rininë tonë t’i mbrojë nga të këqijat dhe pasojat e të gjitha fatkeqësive, të njohura dhe të panjohura. ! Amin.
(1) Hfz. Ismet Spahic, Hutbe, Sarajevë, 2000.
(2) Mr. Hamid Indzic, Islam – sveobuhvatni sistem zivljenja, Travnik, 2002, str. 218
(3) N. Horizonti, 52/2003., f.18
(4) Avni Aliu, Muhidin Ahmeti, Të rinjtë dhe narkomania, Gjilan, 19995.
(5) U. shehibrahimovic, Fuqia e besimit përsosmëri shpirtërore, Shkup, 1983.
(6) Halil Mehtic, Vazovi, Zenica, 2004.
(7) Zehra – Revistë për familjen dhe shoqërinë, nr. 7/2002, Sarajevë.
(8) www.sehur.net/html
(9) ww.sadervan.com
(10) www.dzemat-oberhausen.de
(11) www.rijaset.net
(12) www.bosnjakinja.net