Ruajtja e eliksirit të vlefshëm të rinisë dhe përdorimi i dobishëm i këtij procesi jetësor afatshkurtër ka kërkesa, ilaçi i të cilave gjendet në të menduarit dhe kujdesin ndaj saj.
Dituria dhe shkenca kanë pozitë të lartë dhe të rëndësishme në Islam, e Kur’ani shkencën dhe studimin e konsideron privilegj të madhe për njeriun që i është dhënë nëpërmjet Pejgamberit të Zotit (s):
“Ju dërguam nga gjiri juaj të dërguarin që t'ua lexojë ajetet Tona, t'ju pastrojë, e t'ju mësojë librin dhe urtësinë, e edhe t'ju mësojë atë që nuk e dinit.”(1)
Dituria është thesar, udhërrëfyes, jetë, drita e arsyes, burimi i virtyteve dhe baza e çdo mirësie me ndihmën e secilës njeriu lartësohet, e kërkuesi i diturisë sipas mendimit të Pejgamberit (s) ka këtë pozicion:
“Nuk ka njeri që del prej shtëpie për të kërkuar dituri e që All-llahu të mos ia lehtësojë rrugën për në Xhennet.(2)
Dituria e çon njeriun në xhennet e padituria në xhehenem.
Rinia është periudha e mësimit dhe e studimit, terreni për mësim në këtë periudhë është aq i parapërgatitur sa që Pejgamberi i Zotit (s) thotë:
“Mësimi i diturisë në rini është sikur fotografia e vizatuar në gur”.(3) (d.m.th. dituria që fitohet në rini është e pashlyeshme, nuk harrohet, por nëse një person i moshuar mëson diçka shpejt e harron sepse trurin e ka të mbushur me informacione, sikur fllopi – disku kur mbushet njëherë nuk pranon më informacione.)
H. Alia thotë:
“Gjëja më e mirë të cilën duhet rinia ta mësojë janë ato gjëra prej të cilave do të ketë dobi në pleqëri, dhe ato gjëra të cilët do të mundet t’i zbatojë në jetën shoqërore.”(4)
Dituria është e afërt me praktikën, ai i cili mëson dhe praktikisht e zbaton, ai fiton dituri praktike, në qoftë se do të ketë rezultate, ia vlen, nëse jo, e braktis.
Djali i ri ka fuqi të ngjitet shkallëve të diturisë. Në të kundërtën, është i gabuar dhe shkatërrimtar i vetvetes. Me anë të diturisë bëhesh i përjetshëm, me padituri e humb jetën e përjetshme. Fshehtësitë janë të njohura për të diturit, por të fshehura nga sytë e të paditurit. Ata të cilët ia mbyllin vetes dhe fëmijëve të tyre dyert e diturisë nga ana tjetër u hapen dyert e vuajtjes (dënimit).
Puna dhe përpjekja
Rinia bëhet e rëndësishme me punë dhe përpjekje, kështu që energjia në këtë periudhë duhet të orientohet në atë drejtim, sepse me këtë kapital në rini krijohet ndjenja e vetëbesimit e kjo i përgatit ata për pranimin dhe marrjen e obligimeve shoqërore. Pejgamberi i mëshirës (s) i fton të gjithë në punë dhe përpjekje, duke theksuar lidhjen në mes talentit dhe llojit të punës:
“Punoni dhe mundohuni të gjithë! (mos ia leni stihisë) sepse secili është krijuar për diçka dhe atë e bën më lehtësi.” (5)
Dashuria e Pejgamberi të All-llahut karshi rinisë së vlefshme ka qenë e përfshirë nga dashamirësia, gjithnjë duke treguar respekt ndaj pozitës së tyre. Një mëngjes pejgamberi i All-llahut (s) ishte ulur dhe po rrinte me shokët e tij (as’habet), kur papritmas kaloi pranë tyre një djalosh i shëndosh dhe i fuqishëm, i cili herët në mëngjes ishte nisur në punë. Të pranishmit që ishin aty me Pejgamberin (S) në mënyrë indirekte filluan të flisnin:
“Sikur ky djalosh ta përdorte fuqinë dhe energjinë e tij në rrugën e Zotit, do të ishte i denjë për lëvdatë”!!
Pejgamberi i Zotit (s) në përgjigjen e këtij mendimi të as’ahbëve, tha:
“Mos flisni kështu, sepse, nëse ai është zgjuar herët për t’i mbajtur fëmijët e vet të vegjël, edhe kjo punë është në rrugën e Zotit; nëse është zgjuar herët për ta mbajtur vetveten dhe për t’u ruajtur nga lëmosha edhe kjo është në rrugën e Zotit; nëse është zgjuar herët për t’i mbajtur prindërit e vet pleq edhe kjo është në rrugën e Zotit; vetëm nëse është nisur të fitojë që të mund të fryhet dhe të krenohet para të tjerëve, kjo punë është në rrugën e djallit .” (6)
Ndërkaq, nga ana tjetër, papunësia dhe parazitizmi janë një lloj i vdekjes para kohe dhe fatkeqësi (bela), e cila shkakton mërzi, dëshpërim, mbrapshti dhe varfëri tek personi i ri dhe kështu sjell në rrezik identitetin e tij. Në të vërtetë, arsyeja dhe mendimi i një djali të ri të papunë bëhet çerdhe dhe strehë e shejtanit. Një djalë i ri, i cili nuk ka dëshirë për të punuar dhe bërë ekonomi dhe i cili gjakon pas papunësisë, përtacisë, nuk është i dashur te All-llahu i Lartësuar, sepse transmetohet:
“All-llahu i mëshirshëm nuk e do djaloshin e papunë”
Hazreti Musa (a.s.) duke iu lutur All-llahut (xh. sh.) e pyeti Atë: O Zoti im! Në cilin njeri prej robërve Tu më shumë hidhërohesh?
U përgjigj: “Në atë i cili natën si i vdekur fle në shtrat, e ditët i kalon në papunësi dhe përtaci.”
Largoju prej përtacisë dhe papunësisë, mundohu dhe ushqehu prej punës tënde, sepse në botë thesar pa vuajtje e mundim nuk ka. Ai i cili është përtac për të pasuri s’ka.
Djali i ri nën hijen e arsyes, fuqisë së duarve të tij dhe punësimit, do t’ia arrijë qëllimit, e çelësi i suksesit të tij është në përpjekjen dhe punën e tij të ndershme.
(Vazhdon)
• Shënim: Shkrimi i mësipërm është shkëputur nga libri me titullin: “Sfidat e rinisë bashkëkohore në kohën e globalizmit” (Mr. Muhidin Ahmeti).
1. El-Bekare, 151
2. Taberaniu – sipas: HZP, 1412.
3. HZP,
4. Nehxhul Belaga
5. HZP, 396.
6. Ismet shehibrahimoviq, Fuqia e besimit përsosmëri