Mulla H. Sadik ef. Hoxha (1908 - 1972)


Njeriu që gjithë jetën ia kushtoi fesë e atdheut

Në plejadën e hoxhallarëve të dalluar të Dukagjinit e më gjerë, të cilët u shkolluan në medresetë që vepruan në mes të dy luftërave botërore në Rrafshin e Dukagjinit, dhe që lanë gjurmë në kujtesën e besimtarëve dhe të popullit shqiptar për mençuri, trimëri, atdhedashuri dhe për devotshmëri, veçohen: mulla Jahja Daci, mulla Zekë Byrdyna, mulla Ramush Shatri, mulla Iljaz Broja, mulla Isa Haxhijaj, mulla Sadik Hoxha e të tjerë. Këta ishin krenaria e Islamit dhe patriotizmit. Ishin të tillë meqë ishin predikues të shkëlqyeshëm të fesë islame dhe të arsimimit kombëtar.




Lindja dhe familja

Sadiku lindi në Uçë nga prindërit mulla Sadriu nga fshati Uçë i Istogut dhe Ajsheja nga Ribariqi, motra e mulla Mahirit. Mulla Sadiku rrjedh nga një familje me gjendje ekonomike mesatarisht të mirë, por me një traditë të mirëfilltë fetare dhe kombëtare.

I ati i mulla Sadikut ishte mulla Sadri ef. Gashi (1853 - 1948). Mulla Sadriu ishte ixhazetlij i Medresesë së Gjakovës. Në fillim kishte punuar rreth gjashtë vite imam xhamie në Kllodernicë të Runikut të Drenicës. Në Drenicë ishte njoftuar me burra të dijes e pushkës si: Xhemajl Obrija, Xhemajl Izbica, Azem Bejta etj. Ishte mirë i informuar për traditën e pasur të asaj ane, me sfidat e peripecitë e kohës, me rezistencën për të ruajtur kombin e fenë.
Mulla Sadriu, pas kësaj, kalon me punë në fshatin e tij të lindjes në Uçë, nëvendlindjen e tij shërbeu për dyzet e dy vjet, deri në vdekje.



Xhaminë e fshatit Uçë e kishte ndërtuar Bedri Begu, të parët e të cilit moti ishin shpërngulur në Turqi nga Uça (i mëhallës Arifaj). Bedri Begu asaj kohe, kur ndërtoi xhaminë, ishte ministër në qeverinë turke.
Mulla Sadiku, ishte martuar me zonjën Sabrije, të bijën e mulla Fetah ef. Hoxhës nga Kllodërnica e Skënderajt, me të cilën Allahu i begatoi me dy djem. Në moshë të re ajo vdes. Pastaj është martuar me zonjën Shahbaze Zatriqi, bijë e mulla Hysejn Zatriqit nga Peja, imam në Shushicë në atë kohë. Më këtë, Zoti iu fali tri vajza e tre djem. Një vajzë dhe një djalë i kishin vdekur fëmijë. Familja Gashi, e që tani një pjesë e kësaj familje mbajnë emrin Hoxha, në përgjithësi në anën e Podgurit njihet si familje fisnike, fetare e atdhetare.

Shkollimi

Shkollën fillore e kreu në fshatin Uçë. Në atë kohë shkolla ishte në shtëpinë e xhamisë deri në vitin 1925 kur ishte ndërtuar shkolla shtetërore. Në shkollë para vitit 1925, kishte pak nxënës, e më së paku nxënës shqiptarë mund të kenë qenë: Sadiku, Imeri nga Uça dhe Beslimi, që më vonë ishte njohur si “mulla Beslimi”. Pasi që Sadiku e mbaron shkollën fillore, babai i tij Sadri efendiu, e dërgon në Medresenë “Mehmet Pasha” të Prizrenit, para myftiut të çmuar Nusret efendi Galipit. Ani pse kushtet ishin shumë të vështira, qoftë banimi, ushqimi, udhëtimi etj., megjithëkëtë kjo nuk e pengoi Sadikun që me sukses ta kryej Medresenë dhe marrë të drejtën për imam.

Kontributi dhe puna

Pas kryerjes se Medresesë, Sadiku u inkuadrua në punë si zyrtar i Bashkësisë Islame në Skenderaj, më 1932, ku punoi katër vjet. Aty informohet për një konkurs për pranimin e nxënësve ne Medresenë “Isa Beu” në Shkup, dhe e regjistron vëllain e vetë Abdurrahimin. Abdurrahimi mbaroi me sukses, si gjeneratë e parë, pesë klasë të kësaj Medreseje. Të tilla në Ballkan ishin katër medrese, dy në Shkup, një në Tiranë dhe një në Sarajevë.
Kur kapitulloi Jugosllavia me 1941, dhe u formua komuna në Rakosh në kohën e Italisë, si njeri i aftë, Sadiku u inkuadrua sekretar i Komunës, ndërsa kryetar ishte Jusuf Boletini, nga familja e Isa Boletinit. Sadiku aty punoi katër vjet. Në atë kohë u formuan njësite vullnetarësh nën udhëheqjen e Cal Bajraktarit dhe Ramë Alisë, njësi këto që mbronin dhe i bënin rezistencë çetnikëve të Koleshinit. Sadik Hoxha iu ndihmoi këtyre luftëtarëve duke iu dërguar ushqim dhe gjithçka që kishin nevojë. Sadik efendiu, me shkathtësinë e vetë dhe autoritetin që gëzonte ka shpëtuar shumë njerëz të marrë peng e që ishin në plan të likuidoheshin.



Si administrator i mirë, më 1941, emërohet sekretar komune në Rakosh, të cilit territor i takon edhe vendlindja e tij Uça. Si sekretar i Komunës së Rakoshit ka mbrojtur popullsinë nga sulmet e banditëve dhe të rrugaçëve.
Gjatë tërë kohës së okupimit ka qenë i dobishëm për popull, sepse i dinte hallet dhe nevojat e tyre dhe si i tillë ka mundur të ndihmojë në momentet më të vështira të okupimit. Më 1941, refugjatëve të ikur prej çetanikëve nga Bosnja, Sanxhaku e Mali i Zi, u bëri strehim, duke i shpërndarë nëpër terrenin e komunës së vet dhe duke i furnizuar me ushqim e gjëra të tjera. Ani pse ishte në këshill për mbrojtjen e refugjatëve, prapëseprapë personalisht i mbronte, i vizitonte kohë pas kohe, posaçërisht gjatë Ramazanit dhe netëve të Bajrameve dhe personalisht iu ndante ushqim, duke u bërë kështu bir dhe vëlla i të gjithë refugjatëve në terrenin e vet.
Nga familjet e refugjatëve ka pasur edhe ilegalë që kanë punuar për LNÇ-në, të cilët ai mirë i ka njohur dhe kurdoherë që ju drejtoheshin për ndihmë iu ndihmonte pa kursyer asgjë.
Sadiku ndihmoi shumë shkollën në Uçë, të cilën shkollë e kishte hapur për herë të parë në gjuhën shqipe vëllai i tij, Abdurrahim Gashi në vitin 1942.
Pas formimit të Jugosllavisë Federale, më 1944 emërohet nëpunës i Këshillit popullor të rrethit të Istogut, ku punoj tri vjet në sektorin e planit, ndërsa në administratë njëmbëdhjetë vjet. Gjatë gjithë kohës sa ka shërbyer, ani pse kishte shumë kërkesa të natyrave të ndryshme, me urtësinë dhe mençurinë e tij, gjithherë ka treguar sukses dhe me punën e tij kanë qenë të kënaqur të gjithë.
Pas vdekjes së babait, më 1948 më kërkesën e xhematit të rreth 300 shtëpive, Sadik efendiu, bëhet imam i xhamisë në fshatin Uçë, ku shërbeu jo më pak se njëzet e katër vjet, nga 1948 deri më 1972.
Mulla Sadiku, kishte apeluar
popullit, qoftë në xhami, mevlyd apo tubime të tjera, duke u bazuar në Kuran e hadith, që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, gjë që edhe vetë e bënte. Kur paraqitej nevoja për meremetimin e xhamisë së vet apo xhamive të tjerave, gjithherë ishte i pari në ndihmë. Ishte i pari në dhënien e huave për shkolla. (Në vitin 1972 ishte aksioni për inkasimin e huas për ndërtimin e shkollave). Ishte ndër të parët edhe për nevojat e tjera të Bashkësisë Islame.
Mulla Sadiku, pothuajse tërë kohën ishte nën shënjestër të sigurimit shtetëror. Po i përmendim këtu vetëm dy shembuj: Mulla Sadiku burgoset dhe atë dy herë. Sadik Hoxha ishte i lidhur ngushtë me Jusuf Boletinin, kryetar në komunën e Rakoshit, vëllai i tij nacionalist Abdurrahim Gashi në një tubim ka protestuar për të kundërshtuar mos përdorimin e gjuhës shqipe në administratë. Ne aksionin e armeve 1956 ai ishte i planifikuar të maltretohej.
Mulla Sadiku, ishte mysliman i shkëlqyeshëm, i cili kishte menduar për të tanishmen dhe të ardhmen e Islamit dhe brezit islam, duke e vazhduar brezin e hoxhallarëve me djalin e vet Nexhmedinin. Mulla Nexhmedin Sadik Hoxhaj është hoxhë i njohur në Kosovë dhe më gjerë. Shërbeu imam, kryetar Këshilli në Istog e Pejë, anëtar në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe pozita të tjera me rëndësi, deri në pensionim në vitin 2017. Tradita e studimit dhe shërbimit ndaj fesë islame, pos te djali mulla Nexhmedini, përcillet edhe te nipat e stërnipat e tij.

Vdekja

Pas një aksidenti në komunikacion, mulla Sadiku ndërroi jetë më 20 korrik 1972. Për varrim e pastaj edhe për ngushëllime kishin vajtur shumë xhematë e hoxhallarë, ndër ta dhe mulla Ramush Shatri. Atë ditë të 20 korrikut, siç rrëfen Nexhmedin efendiu, mulla Ramushi si një hoxhë i madh që ishte, erdhi ndër të parët në Uçë, e duke na ngushëlluar edhe na tha: “O burra, të bëheni të fortë!
Sot nuk ka vdekur vetëm hoxha, por sot ka vdekur ora e hoxhallarëve, mbrojtësi i dinit. Autoriteti ma i fortë i besimit tonë, avokati i popullit në mbrojtje të të drejtave të fesë para hyqymetit të sotëm. Trimi i pa thyer e armiku i përbetuar i shkive. Sot na u ka thye një krahë, dhe jemi gjymtua rëndë. Zoti na lashtë shëndosh ne e ju e të gjithë shqiptarët e kësaj treve, haj medet haj, po ky o caktimi i Zotit tonë......”
Se sa ishte i ndjeri h. Mulla Sadik Hoxha i njohur dhe i dashur, më së miri ka dëshmuar xhenazeja e tij, në të cilën përpos farefisit, miqve, shokëve dhe më shumë se 1500 besimtarëve, në varrim morën pjesë edhe shumë të tjerë të besimeve të tjera.
Allahu e pastë mëshiruar dhe e bëftë prej banorëve të Xhenetit firdevs! Lus Allahun të jetë në dritën e fjalës së Allahut, ku thotë: “Dhe assesi mos mendoni se janë të vdekur ata që u vranë në rrugën e Allahut ! Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u furnizuar te Zoti i tyre.” (Ali Imran, 169)



1. Dr. Sulltane Kajqini, “Kuadri arsimor në shënjestër të sigurimit shtetëror”, 1997.
2. Haxhi Beqir Vejseloviqi, “Merhum Haxhi Sadik Efendi Hoxha”, Edukata Islame, BIK, 1973.
3. Intervista me Abdurrahim Gashin, data:
4. Intervistë me Nexhmendin ef. Hoxhajn, djalin e mulla Sadikut




Ma. Vehbi SHATRI


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?