Dispozita për agjeruesen e Ramazanit

 


Agjërim quajmë të përmbajturit gjatë ditës nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime bashkëshortore, me nijet për të adhuruar Zotin.(1)


Agjërimi i muajit Ramazan është detyrë individuale - farz ajn(2) për çdo myslimane me mend dhe të moshërritur, që është me shëndet të mirë dhe jo në udhëtim, e lirë nga pengesat e natyrshme si menstruacionet dhe lehonia. Kjo nënkupton se kushtet e obligueshmërisë së agjërimit të Ramazanit për një myslimane janë pesë:


1. mendja e shëndoshë, sepse njeriu me të meta mentale nuk ka detyra fetare;
2. puberteti, pasi femijët nuk obligohen me përgjegjësi fetare;
3. shëndeti fizik, ngase i sëmuri ka arsye me vete për të mos agjëruar nëse këtë ia kërkon mjeku i besueshëm;
4. të jetë në vendbanimin e vet, se udhëtari ka rrethana lehtësuese për të mos agjëruar;
5. pastërtia nga ciklet-gjakrat e natyrshme, si menstruacioni dhe lehonia.


Për të qenë dispozitat e agjërimit, që dalin nga këto kushte, sa më të qarta për femrën myslimane, do të shqyrtojmë në vijim disa detaje të fikhut lidhur me agjërimin në Ramazan.


HYRJA NË PUBERTET GJATË RAMAZANIT


Periudha e pubertetit është pikënisje e përgjegjësive fetare për njeriun. Në qoftë se gjatë Ramazanit një e mitur arrin pubertetin, atëherë ajo është mirë të përmbahet nga gjithçka e prishë agjërimin (imsak) në pjesën e mbetur të ditës, në mënyrë që t'i ngjasojë agjëruesve. Mirëpo, ajo e ka të lejuar të mos agjërojë pjesën e mbetur të ditës, përderisa dita ka filluar pa e pasur obligim agjërimin.(3) Gjithashtu, meqenëse është bërë e përgjegjshme për detyrat fetare nga çasti i hyrjes në pubertet, ajo nuk ka pse t'i kompensojë ditët e Ramazanit që i kanë kaluar pa i agjëruar, sepse deri në atë çast nuk e ka pasur obligim të agjërojë.


PARAQITJA E MENSTRUACIONEVE GJATË AGJËRIMIT


Paraqitja e menstruacioneve te vajzat është një fenomen i natyrshëm, që e bën atë të hyjë në fazën e puberitetit, duke e bërë përgjegjëse drejtpërsëdrejti për urdhrat dhe ndalesat fetare. Mirëpo, paraqitja e menstruacioneve te femra myslimane, e obligon atë ta ndalë agjërimin dhe faljen e namazit. Dijetarët myslimanë njëzëri janë pajtuar se gruaja me menstruacione nuk lejohet të agjërojë e as të falet.
Ebu Seid el Khudri r.a. tregon se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!, ka thënë: “ .. kur gruaja ka menstruacione nuk agjëron e as nuk falet"
Nëse cikli menstrual ose gjaku i lehonisë i paraqitet një gruaje në një ditë Ramazani, sado pak çaste para perëndimit të diellit, atëherë ajo e ndërpret agjërimin dhe mund të hajë e të pijë përgjatë kësaj kohe, ndërkohë që ditët e humbura i agjëron më vonë si kompensim-kaza. Nuk ka nevojë që të abstenojë (imsak) për t'i ngjasuar grave që agjërojnë, për arsye se agjërimi në këtë periudhë për të është haram dhe përngjasimi me diçka haram është në vetvete haram.(5)


NDËRPRERJA E MENSTRUACIONEVE PAS AGIMIT


Nëse gruaja pastrohet nga menstruacionet, pra i ndërpriten ato para fillimit të agimit, obligohet të bëjë nijetin dhe të agjërojë.
Agjërimi i saj konsiderohet i vlefshëm edhe nëse ajo ende nuk është larë, nuk ka bërë gusël nga menstruacionet, sepse këtë mund ta bëjë edhe pas agimit.
Nëse menstruacionet ndërpriten pas agimit, gjatë ditës së Ramazanit, atëherë ajo grua duhet të përmbahet nga gjithçka e prishë agjërimin përgjatë pjesës tjetër të ditës, si përngjasim me agjërueset e tjera, meqenëse arsyeja për mos agjërim ka përfunduar.(6)


LEHONIA (NIFASI)


Lehoni quajmë periudhën e gjakderdhjes, pas lindjes së fëmijës ose abortit. Kur një grua lind femijë gjatë Ramazanit, nëse ajo ka qenë duke agjëruar, e ndërprenë menjëherë agjërimin, ngase edhe ashtu në këtë situatë, agjërimi i saj i është prishur, e pastaj i kompenson më vonë ditët e pa agjëruara - humbura.
Nëse periudha e lehonisë mbaron në Ramazan,(7) atëherë ajo merr gusël, pastrohet dhe agjëron pjesën e mbetur të muajit. Nëse ndërprerja e lehonisë ka ndodhur vetëm një moment para agimit, mjaftueshëm sa për të bërë nijetin e agjërimit nga nata, atëherë agjërimi i asaj dite është i saktë dhe nuk kompensohet. Përndryshe, nëse ndërprerja ndodhë gjatë ditës së Ramazanit, pas agimit deri në perëndim, asaj i mbetet detyrë ta kompensojë më vonë atë ditë të humbur, edhe pse obligohet të përmbahet (imsak) gjatë asaj dite nga gjithçka e prishë agjërimin, si nderim ndaj kohës dhe për shkak se arsyeja për mos agjërim është ndërprerë.
Në rast aborti, nëse fetusi i abortuar e ka marrë formën e njeriut sa t'i dallohen koka dhe disa nga gjymtyrët, gjakderdhja në këtë rast merr të njëjtën dispozitë sikur të lehonisë (nifasit) dhe myslimania nuk agjëron gjatë periudhës sa është lehonë. Përndryshe, nëse fetusi nuk është formuar, gjaku i cili rrjedh pas abortit llogaritet hajz, cikël menstrual, nëse është tri ditë deri në dhjetë, e nëse është më pak se tri ditë llogaritet gjakderdhje e çrregullt (isihada), prandaj abortuesja agjëron dhe kryen obligimet e tjera fetare duke marrë abdes për çdo namaz, e nuk e pengon agjërimin gjakderdhja e shkaktuar nga aborti e atij fetusi të pa formësuar.(8)


GJAKDERDHJA JO MENSTRUALE (ISTlHADA)


Femra që ka gjakderdhje jo menstruale, obligohet të agjërojë dhe të falet, e për të nuk vlen dispozita e menstruacioneve. Dallimi ndërmjet gjakut të menstruacioneve dhe gjakut të istihades është në atë se, gjaku i periudhës së menstruacioneve konsiderohet gjakderdhje e zakontë dhe e shëndetshme te femra, kurse gjaku istihada është gjakderdhje e pazakontë dhe jo e shëndetshme që kërkon trajtim mjekësor, sikur gjakderdhja nga hunda për shembull.(9) Prandaj, në rastin e istihadas nuk zbatohen dispozitat e gruas me menstruacione.
Çdo gjakderdhje përtej periudhës së menstruacioneve, tri deri në dhjetë ditë, është e pazakontë dhe si e tillë ka dispozitë të veçantë për të cilën flet hadithi i transmetuar nga Aisheja r.a. ku thotë: "Erdhi te Resulullahu a.s. Fatimeja, e bija e Ebu Hubejshit dhe e pyeti: "O i Dërguari i Zotit, unë vazhdimisht kam rrjedhje gjaku dhe kurrë nuk ndërpritet, a thua vallë ta lë namazin pa e falur? Tha: “Jo, ky është gjak që vjen nga venat (nuk është gjak i menstruacioneve). Faljen e namazit do ta lësh vetëm aq sa zgjasin ditët e menstruacioneve në kohë normale. Kur të përfundon koha e tyre, pastrohesh prej gjakut dhe falesh." Urve, transmetuesi i hadithit nga Aisheja, ka thënë: "Pastaj, merr abdes për çdo namaz deri të të vijë koha e zakonshme e menstruacioneve.”(10)


MOS AGJËRIMI I GRUAS SHTATZËNË OSE GJIDHËNËSE


Në qoftë se një grua shtatzënë apo gjidhënëse ka frikë për shëndetin e vet apo të fëmijës së saj nëse agjëron, siç është pakësimi i qumështit si pasojë e mosushqimit të rregullt, atëherë ajo e ndërpret agjërimin për ta kompensuar aq ditë më vonë - kaza dhe nuk obligohet të agjërojë më tepër diçka si masë ndëshkimore - keffare, sepse e ka prishur me arsye, e as të paguajë fidje-shpagim, sepse foshnja e cila është arsyeja e mos agjërimit nuk obligohet me agjërim. Ky rast dallon prej të moshuarve, sepse këta obligohen me agjërim dhe në rast se nuk kanë mundësi për të agjëruar mjafton të shpaguaj në këtë obligim duke paguar fidjen.(11)
Nëse gruaja qëndron mirë me shëndet dhe dëshiron të agjërojë, rekomandohet të konsultohet me doktor të besuar, i cili e njeh rëndësinë e agjërimit të muajit Ramazan, sepse shpesh ndodhin ekzagjerime në këtë drejtim, sugjerime për ndërprerjen e agjërimit pa pasur nevojë.
Nëse gruaja gjidhënëse vendosë të agjërojë, ajo këshillohet të ushqehet mirë gjatë mbrëmjes deri në syfyr, me ushqim të pasur me proteinë, nga qumështi dhe produktet e tij, në mënyrë që fëmija të ketë mjaftueshmëri të të ushqyerit dhe nëna të qëndrojë e fortë gjatë ditës së agjërimit.


MARRJA E PILULAVE PËR PENGIMIN OSE VONIMIN E CIKLIT MENSTRUAL


S’do mend se agjërimi i plotë i muajit Ramazan në kohen e vet kur të gjithë janë agjërueshëm, është më e preferuar për femrat, se sa ndërprerja e agjërimit dhe kompensimi i ditëve të humbura për shkak të ciklit. Andaj, për të mos ndërprerë agjërimin është analizuar mundësia e pengimit ose vonimit të ciklit me anë të medikamenteve përkatëse.
Më parësore është mos marrja e tyre, për shkak të dëmit të mundshëm shëndetësor, kjo duke u bazuar në përvojat e grave, ku në të shumtën e rasteve mund të shkaktojë çrregullime të vazhdueshme të ciklit, të cilat nuk normalizohen për një kohë të gjatë. Pranimi i gjendjes natyrore, duke prishur agjërimin gjatë ciklit për t'i kompensuar më vonë ditët e humbura, në pajtim me rregullin e natyrshëm, është adhurim në vete, duke shtuar faktin se as nënat e besimtarëve nuk e kanë bërë këtë, ndonëse një intervenim i tillë ka qenë i njohur në mjekësinë popullore, madje vetë Aisheja r.a. ka qenë një përpunuese e barnave.
Nuk duhet të krahasohet Ramazani me haxhin, ngase haxhi është mundësi një herë në jetë për shumëkënd dhe udhëtim i vështirë për t’u realizuar, andaj gjatë asaj kohe është edhe e arsyeshme marrja e pilulave të tilla.
Por, nëse ndodhë që një grua t'i ketë marrë pilulat, agjërimi është i saktë. Ruajtja e jetës së shëndetshme është qëllim i Sheriatit në shumë dispozita, prandaj lënia e gjërave në rrjedhën e tyre natyrore mbase është më së miri. Afërsia me Allahun arrihet nëpërmjet nijetit të sinqertë dhe përkushtimit në adhurim sipas rregullit.


SHIJIMI I USHQIMIT GJATË PËRGATITJES


Nuk ka asgjë të keqe që një agjëruese ta shijojë ushqimin nga nevoja për ta ditur shijen, por që këtë e bën me kujdes, merr pak nga ushqimi, pastaj e nxjerrë jashtë dhe shpërlanë gojën, e nëse mundet pa e provuar, kjo është edhe më mirë.
Në qoftë se agjëruesja shijon diçka ushqyese me gojë gjatë përgatitjes së ushqimit, ky veprim nuk e prishë agjërimin, përderisa ushqimi i shijuar nuk ka hyrë në fyt apo në brendësi të trupit, edhe pse një veprim i këtillë konsiderohet i papëlqyeshëm mekruh tenzihen, nga frika se një tundim i tillë mund të çojë drejt prishjes së agjërimit. Kjo dispozitë vlen edhe për gruan që përtypë ushqimin për foshnjën e saj, përderisa ka mundësi që ta shmangë një veprim të tillë.(12)


PËRFUNDIM


Shtruarja e ushqimit për agjëruesit dhe shërbimi për familjarët gjithmonë është i lavdëruar. Në muajin e bekuar Ramazan, gruaja myslimane zakonisht kryen ibadete shtesë nga të tjerët, pasi që ajo vullnetarisht shton kujdesin për familjarët për t'u siguruar se të gjithë ushqehen shëndetshërn në iftar dhe syfyr, për të përballuar lehtësisht agjërimin dhe teravitë. Me këtë kujdes të shtuar për agjëruesit e tjerë, ajo ka shpërblim të madh te Zoti i Madhëruar. I Dërguari i Zotit ka thënë: "Shtroni ushqim, përhapni paqen (selamin) dhe faluni natën derisa njerëzit janë duke fjetur do të hyni në Xhenet në paqe."(13)



________________________
1. El Merginani, Ali bin Ebubekr, El Hidajeh fi sherhil-bidajeh, (red. Talal Jusuf), Beirut: Daru lhjait-turath el Arabi, 1/120.
2. Agjërimi i Ramazanit është farz në bazë të tjalëve të Zotit në Kuran: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi ... " (El Bekare, 183).
3. El Merginani, El Hidajeh fi sherh El Bidajeh, 1/126.
4. Transmeton Buhariu, Muhamed bin ismail, Es Sahih, (red. Mustafa El Buga), Damask: Daru Ibni Kethir ue Darul Jemame, bot. 5, 1993, 1/116 nr, 298 dhe 2/689 nr. 1850. Shih, gjithashtu, El Kushejri, Muslim bin Haxhxhaxh, Es Sahih, (red. Muhamed Fuad Abdulbaki), Kairo: Matbeatu Isa el bab el halebi ue shurekahu, 1955, 1/86 nr. 79.
5. El Merginani, El Hidajeh fi sherh El Bidajeh, 1/126.
6. El Merginani, El Hidajeh fi sherh El Bidajeh, 1/126.
7. Nuk ka limit minimal kohor të pastërtisë pas lehonisë, pra nëse pas dy javësh ndërpritet gjakderdhja, gruaja është e pastër dhe fillon lë agjërojë e të kryejë obligimet e tjera. Mirëpo, nëse gjakderdhja vazhdon përtej dyzet ditëve, atëherë ajo konsiderohet gjakderdhje e çrregullt (istihada), sepse periudha maksimale e lehonisë (nifasit) është deri në dyzet ditë.
8. El Ajni, Mahmud bin Ahmed, El Binajeh sherh El Hidajeh, (red. Ejmen Shaban), Beirut: Darul kutubil ilmijje, bot. 1,2000, 1/689.
9. El Ajni, El Binajeh sherh El Hidajeh, 1/689.
10. Buhariu, Es Sahih, 1/91 nr. 226 dhe El Kushejri, Es Sahih, 1/262 nr. 332. Në këtë rasi, abdesi për namaz nuk duhet të merret para hyrjes së kohës së namazit dhe është e pëlqyer që para marrjes së abdesit të lahet organi gjenital, si dhe të vendoset pambuk me qëllim që të zvogëlohet prezenca e gjakut.
11. El Merginani, El Hidajeh fi sherh El Bidajeh, 1/124.
12 El Merginani, El Hidajeh fi sherh El Bidajeh, 1/123.
13. Transmeton Tirmidhiu, Muhamed bin Isa, El Xhamiul Kebir, (red. Beshshar Avvad Matuf), Beirut: Darul Garb el Islami, bot. 1, 1996,4/652 nr. 2485 dhe El Kazvini, Muhammed lbnu Maxheh, Es Sunen, (red. Shuajb El Arnauti dhe të tjerë), Beirut: Dar Err Rrisaletil Alemijje, bot. l, 2009, 2/360 nr, 1334. Tirmidhiu e vlerësoi si hadith hasen sahih.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi