Agjerimi në vendet që kanë gjatësi të disbalancuar

HYRJE

Agjërimi në kuptimin e kohës, lidhet me imsakun (fillimin) dhe iftarin (përfundimin). Një aspekt i rëndësishëm, e që është edhe temë debati për agjërimin, është kohëzgjafja e ditës e cila agjërohet në Ramazan. Me fjalë të tjera, ardhja e muajit Ramazan, e hap edhe debatin për agjërirnin në vendët që kanë gjatësi të disbalancuar të ditës dhe natës, siç janë vendet në veri të Evropës, gjegjësisht vendet skandinave, Kanadaja, etj ..
Myslimanët janë të shpërndarë në të gjitha anët e botës, dhe në çdo kontinent ka bashkësi myslimane, ashtu që është edhe e pritshme që të diskutohen probleme përkitazi me agjërimin, të cilat ngrihen nga këto bashkësi, si rezultat i kushteve dhe rrethanave specifike në vendin ku ata jetojnë.
Debati për agjërimin në vendet në fjalë, gjen mbështetje në trashëgiminë pejgamberike, pasi i Dërguari i Zotit, kur ka folur për Dexhallin, ka thënë se do të qëndrojë në botë dyzet ditë, ashtu që dita e parë do të jetë sa një vit, e dyta sa një muaj, e treta sa një javë, dhe ditët e tjera si ditët e zakonshme. Kjo i ka shtyrë disa që ta pyesin të Dërguarin e Allahut se në këtë rast, si t'ia bëjnë me namazin, dhe a mjaftojnë vetëm pesë namaze? Ai u ka thënë se nuk mjaftojnë vetëm pesë namaze, por do të duhet të bëjnë llogari.(1) Kjo përgjigje merret si element i rëndësishëm në përgjigjen për agjërimin në vendet ku disbalansimi i ditës dhe i natës është i theksuar, pasi edhe agjërimi është adhurim i obliguar sikurse namazi, dhe si rrjedhojë e kësaj, edhe agjërimi, sikurse namazi, lidhet me kohë në kuptim të fillimit dhe mbarimit.

Ndarja e zonave që kanë disbalans të gjatësisë së ditës dhe të natës gjatë vitit

Nëse analizohen zonat të cilat kanë një disbalans të theksuar të kohëzgjatjes së ditës dhe të natës në periudha të caktuara të vitit, mund t'i dallojmë tri zona të këtilla:
Zona ku dita apo nata zgjat njëzetekatër orë, varësisht prej stinës së vitit. Në këto raste, në vendet e këtilla, përllogariten kohët e namazit, agjërimit dhe adhurimet e tjera në bazë të vendeve më të afërta, ku nata dhe dita dallohen brenda njëzetekatër orëve.
Zona ku nuk humb skuqja e mbrëmjes pas perëndimit të diellit derisa të agojë dita, ashtu që nuk dallohet muzgu i mbrëmjes prej muzgut të mëngjesit, koha e fundit e jacisë dhe e imsakut për agjërim, si dhe koha e namazit të sabahut në bazë të periudhës së fundit kur këto dy drita dallohen.
Zona ku ka ditë dhe natë gjatë njëzetekatër orëve dhe ku kohët dallohen. Mirëpo, në këto vende, në disa periudha të vitit, nata zgjat shumë, dhe në disa periudha tjera të vitit, dita zgjat shumë.
Në lidhje me këtë ndarje, është replikuar se ka një ngatërrim apo përzierje të nocioneve "ditë" dhe "natë" sipas dy koncepteve: atij juridik islam dhe atij astronomik. Kështu, nëse ridefinohen nocionet "ditë" dhe "natë" sipas konceptit juridik islam, do të konkludojmë se zonat në botë ndahen në dy grupe:
- Zona ku dita sipas konceptit juridik islam, dallohet nga nata sipas të njëjtit koncept;
- Zona ku nuk dallohet dita nga nata sipas kuptimit të këtyre dy nocioneve në të drejtën islame.
Sipas kësaj ndarje të dyfishtë, do të kemi dispozita juridike islame për agjërimin në zona ku kemi ndërrim të dalluar të ditës dhe të natës brenda njëzetekatër orëve, si dhe dispozita juridike islame për agjërimin në zona ku nuk dallohen shenjat e ndërrimit të ditës dhe të natës, apo ka ndërhyrje të kohëve të shenjave të namazit të sabahut dhe të jacisë, për shkak të dallimit jo të qartë të këtyre shenjave nga njëra-tjetra.(3)

Përcaktimi i çështjes diskutabile

Diskutimet e dijetarëve përkitazi me agjërimin në zonat me kohëzgjatje të disbalansuar të ditës dhe të natës në disa periudha gjatë vitit, u referohen zonave ku dallohet qartë nata prej ditës brenda njëzetekatër orëve, por në disa periudha të vitit, dita është shumë e gjatë, dhe në rast të Ramazanit, duhet agjëruar më tepër se 18 orë.
Ndërkaq, në zonat ku nuk dallohen shenjat e ditës dhe të natës sipas konceptit juridik islam, apo shenjat e ditës dhe të natës dallohen, por në disa periudha gjatë vitit, dita zgjat shumë, e në disa periudha të tjera, nata zgjat shumë, është evidente se duhen përllogaritur koha e agjërimit dhe e faljes së namazeve. Dijetarët kanë ndjekur dy rrugë në këtë përllogaritje:
Disa mendojnë se përllogaritja duhet bërë në bazë të kohëve të namazeve dhe agjërimit në Meke, e disa të tjerë janë të mendimit se përllogariten kohët e namazit, agjërimit dhe adhurimet e tjera në bazë të vendeve më të afërta, ku nata dhe dita dallohen brenda njëzetekatër orëve.(4)

Mendimet e dijetarëve në lidhje me agjërimin në këto zona

Kjo çështje është bërë temë debati në mesin e dijetarëve të shekujve të fundit,(5) pasi myslimanët u përballën me këtë problem pas vendosjes së tyre në vendet të cilat kanë zona të këtilla të kohëzgjatjes së disbalansuar të natës dhe të ditës në periudha të caktuara gjatë vitit. Nëse analizohen mendimet e dijetarëve, do të shihet se mund të përmblidhen kryesisht në këto mendime:
Që njerëzit në këto vende të agjërojnë aq orë sa agjërojnë banorët e Mekës, atëherë kur është dita më e gjatë atje. Ata do të çelin iftar kur ta plotësojnë këtë numër orësh, edhe nëse dielli ende nuk ka perënduar, Këtu mund të përmenden dijetarët: Muhamed Abduhu, Reshid Rida,(6) Mahmud Sheltut, Xhadul Hakk Ali Xhadul Hakk, Abdulatif Hamza, Atijje Sakër, Mustafa ez Zerka, Bessam Xherar, si dhe shumë dijetarë tjerë të Al Az'harit.(7)
Banorët e këtyre vendeve duhet të agjërojnë aq orë sa agjërojnë banorët e vendeve më të largëta që myslimanët kanë arritur t'i çlirojnë, kur dita është më e gjatë atje, e që nuk e kanë këtë disbalans kaq të madh. Apo, do të agjërojnë sipas kohës së vendeve më të afërta që i kanë, kur dita është më e gjatë, e që nuk e kanë këtë disbalans kaq të madh në kohëzgjatjen e ditës dhe të natës gjatë vitit.(8)
Ata që e kanë farz agjërimin në këto vende, duhet të agjërojnë për çdo ditë, prej agimit të ditës e deri në perëndim të diellit në vendin e tyre ku jetojnë, nëse dita dallohet prej natës, dhe dita e nata së bashku zgjatin njëzetekatër orë. Ata mund të hanë, të pinë dhe të kenë marrëdhënie legale intime vetëm gjatë natës, edhe nëse nata është e shkurtër. E kush nuk ka mundësi të agjërojë për shkak të gjatësisë së ditës, apo e di nga simptomat, apo nga përvoja, apo e lajmëron ndonjë mjek profesionist dhe besnik, apo më tepër ia merr mendja se agjërimi do ta bëjë që të sëmuret rëndë, apo do t'ia shtojë sëmundjen, apo do ta ngadalësoj shërimin e tij, ai nuk agjëron, por ditët i mbetura pa i agjëruar do t'i kompensojë kurdo që të mund ta bëjë këtë. Ky është qëndrimi që e ka miratuar Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam pranë Ligës së Botës Islame, Shoqata e Dijetarëve të Mëdhenj në Arabinë Saudite,(9) si dhe ky qëndrim është adaptuat edhe nga Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime.(10) Anëtarë të këtyre dy institucioneve janë dijetarë të shquar.

Justifikimet e qëndrimeve

Dijetarët të cilët e lejojnë analogjinë në këtë çështje, gjegjësisht dijetarët që e përfaqësojnë mendimin e parë dhe të dytë dhe lejojnë që kohëzgjatja e agjërimit në zonat e këtilla të disbalansuara në kohëzgjatjen e ditës dhe të natës, në disa periudha kohore gjatë vitit, mendimin e tyre e justifikojnë si vijon:
- Rregulla se për rastet e rralla, nuk vlejnë rregullat e përgjithshme, por rregulla të veçanta. Këto zona, nuk janë pjesë e zonave të cilat njihen si normale në zbatimin e dispozitave që kanë të bëjnë me kohët e adhurimeve, dhe për këtë, për këto vende vlejnë dispozita të veçanta. Për këtë edhe duhet bërë analogji me vende të tjera, qoftë me Mekën, sipas disa dijetarëve, apo me zonat më të afërta që i kanë afër, dhe që këto zona e marrin statusin e zonave normale, sipas disa dijetarëve të tjerë. Koha e përcaktuar për agjërim në legjislacionin islam, e që është prej agimit e deri në perëndim të diellit, komform ajetit: “ ... dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje ... " (El Bekare, 187), vlen për zonat që nuk kanë disbalans të madh në kohëzgjatjen e ditës dhe të natës gjatë vitit.
-Parimi i jo vështirësisë dhe lehtësimit të dispozitave islame, i cili është parim bazë i të drejtës islame që gjeneron nga tekste fetare, si: “ ... dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi ... " (El Haxhxh, 78); “ ... Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju ... " (El Bekare, 185).
Agjërimi në këto vende, sipas parimit të agimit të ditës dhe perëndimit të diellit, shkakton vështirësi evidente për agjëruesit, dhe kryesisht është i papërballueshëm, pasi arrin deri 18 orë apo edhe më shumë se aq.
Hadithi që flet për kohën kur do të vjen Dexhalli, dhe se ditët e para të tij do të jenë jo të zakonshme në kohëzgjatje, ashtu që do të duhet të bëhet llogarit ja e kohës së namazeve, e për rrjedhojë edhe e agjërimit.(11)
Mbështetësit e mendimit të tretë kanë replikuar ndaj këtij argumenti me atë se në kohën për të cilën flet hadithi, pra në ditët e para që nuk do të jenë të zakonshme në kohëzgjatje, nuk do të ketë shenja që e përcaktojnë fillimin dhe mbarimin e ditës. Kjo për dallim prej zonave me disbalans, ku në disa prej tyre ka agim të ditës dhe perëndim të diellit, por koha prej agimit të ditës, e deri në perëndim të diellit, është mbi 18 orë.
Dijetarët të cilët e përfaqësojnë mendimin e tretë, qëndrimin e tyre e arsyetojnë me parimet bazë të përcaktimit të kohës së syfyrit dhe iftarit në Ramazan, e që lidhen me fillimin e agimit dhe perëndimin e diellit. Sipas Akademisë së Fikhut Islam pranë Ligës së Botës Islame, për zonën e parë, vlen ajo që banorët duhet t'u përmbahen kohëve të namazit të përcaktuara sipas Sheriatit, si dhe kohës së agjërimit, po ashtu të përcaktuar sipas Sheriatit, e që nënkupton agjërimin prej daljes së agimit të vërtetë, e deri në perëndim të diellit, duke iu përmbajtur teksteve fetare që përcaktojnë kohët e agjërimit. Ata që nuk mund të agjërojnë, apo nuk mund ta plotësojnë agjërimin e ndonjë dite për shkak të orëve të gjata të agjërimit, nuk do të agjërojnë, por këtë agjërim, do ta kompensojnë në kohë të tjera të përshtatshme gjatë vitit. Kjo zonë shtrihet ndërmjet paraleleve 45 shkallë dhe 48 shkallë në Veri dhe Jug. Në këtë zonë dallohen shenjat e dukshme të kohëve brenda njëzetekatër orëve, pa marrë parasysh, a janë dita dhe nata të gjata apo të shkurtra.(12) Në një vendim tjetër të Akademisë së Fikhut Islam pranë Ligës së Botës Islame, thuhet: "Ndërkaq, për sa i përket agjërimit të muajit Ramazanit, ata që e kanë farz agjërimin në këto vende, duhet të agjërojnë për çdo ditë prej agimit të ditës e deri në perëndim të diellit në vendin e tyre ku jetojnë, nëse dita dallohet prej natës, dhe dita dhe nata së bashku zgjatin njëzetekatër orë. Ata mund të hanë, të pinë dhe të kenë marrëdhënie legale intime vetëm gjatë natës, edhe nëse nata është e shkurtë. Kjo, ngase Sheriati islam vlen për të gjithë njerëzit, në çdo vend. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ ... dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje ... " (El Bekare, 187)'.
E kush nuk ka mundësi të agjërojë për shkak të gjatësisë së ditës, apo e di nga simptomat, apo nga përvoja, apo e paralajmëron ndonjë mjek profesionist dhe besnik, apo më tepër ia merr mendja se agjërimi do ta bëjë që të sëmuret rëndë, apo do t'ia shtojë sëmundjen, apo do t'ia ngadalësoj ë shërimin, ai nuk agJeron, dhe ditët i mbetura pa i agjëruar do t'i kompensojë kurdo që të mund ta bëjë këtë. Allahu i Madhërishërn ka thënë: "Ekush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme ... “ (El Bekare, 185). Po ashtu, Allahu i Madhërishëm ka thënë: "Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij ... “ (El Bekare, 286).(13)
Ndaj këtij argumentimi është replikuar se lidhja e fillimit dhe mbarimit të agjërimit të një dite me agimin e ditës dhe perëndimin e diellit, u referohet zonave të cilat kanë një kohëzgjatje normale të ditës dhe natës, apo që janë të afërta me zonat normale, por nuk u referohet zonave të cilat kanë disbalans të madh të kohëzgjatjes së ditës dhe natës gjatë ndonjë periudhe brenda vitit, apo që për një periudhë të caktuar, nuk dallohen shenjat e fillimit dhe mbarimit të ditës dhe të natës.

Rekomandim (në vend të përzgjedhjes së mendimit më të saktë)

Në çështjet e këtilla diskutabile, të cilat i takojnë kohës më të re, ku nuk ka argumente decidive dhe konkrete që u referohen çështjeve të këtilla, nuk është lehtë të thuhet për një mendim se është më i saktë se mendimet e tjera. Megjithatë, përzgjedhja e një mendimi, ngelet çështje relative, e cila përputhet me qasjen e atij që bën përzgjedhjen.
Personalisht anoj kah mendimet e institucioneve që dalin me qëndrime kolektive, siç është rasti i Akademisë së Fikhut Islam, Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime, etj., dhe nëse qëndrimi i këtyre institucioneve është unik, rekomandoj të përzgjidhet.
Për çështjen në fjalë, si dhe për çështjet e tjera diskutabile të kësaj natyre, ku nuk ka argumente decidive dhe konkrete për çështjen në fjalë, si dhe ka debat që merret në konsideratë nga të gjitha palët, është më e rrugës që të arrihet konsensus sa më i gjerë i institucioneve dhe udhëheqësve fetarë në vendin përkatës, ku myslimanët si komunitet nuk janë shumicë, fjala vjen si në rastin e vendeve skandinave dhe në vendet e tjera perëndimore. Qëndrimi unik i institucioneve dhe personaliteteve fetare të vendit përkatës, do të ishte vendimi më i drejtë për këtë çështje dhe për çështjet e tjera diskutabile të kësaj natyre. Në këtë vijë është edhe rekomandimi i Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime që: "Myslimanët e këtyre vendeve t'u drejtohen personave adekuatë për fetva-përgjigje fetare në vendet e tyre, për vështirësitë të cilat e lejojnë mos agjërimin për shkak të orëve të shumta të agjërimit gjatë ditës.”(14)


__________________________________
1. Hadithin e ka transmetuar Muslimi në Sahih, libri i fitneve, kapitulli: Dexhalli dhe përshkrimi i tij dhe atyre që do të jenë me të. Shih: Ebu Zekerija Muhjuddin Jahja ibën Sheref en Nevevij, El Minhaxh sherhu Sahihi Muslim ibn El Haxhxhaxh, Bejrut, Daru ihjai et turath el arebij, bot. i dytë, vëll. XVlll, f. 65.
2. Këtë ndalje e ka bërë Akademia e Fikhut islam pranë Ligës së Botës islame me seli në Meke të Arabisë Saudite. Shih: Liga e Botës Islame - Akademia e Fikhut Islam, Vendime të Akademisë së Fikhut Islam, përktheu nga arabishtja: Bashkim Aliu, Shkup, Furkan ISM, 2020, f. 96-97.
3. Dejranijje, Muxhahid Mahmud, "Problemi i agjërimit në vendet e veriut të largët". Burimi:https.//islamsyria.com/ar/ (parë për herë të fundit: 05.01.2023).
4. Shih: Rida, ibidem.
5. Kjo kuptohet edhe nga falët e juristit të shquar hanefi, lbën Abidin, i cili thotë: "Nuk kam parë që ndonjë nga dijetarët e shkollës sonë juridike ta ketë trajtuar çështjen e agjërimit në këto vende ku dita agon menjëherë pas perëndimit të Diellit, apo shkurt kohë pas tij". Shih: Ibën Abidin, Muhamed Emin, Reddul muhtar ala ed derr el muhtar: sherhu tenviril ebsar, Egjipt, botim i Mustafa el Babi el Halebij ve euladuhu, bot. i dytë, 1966, vëll, I, f.366.
6. Shih: Rida, ibidem.
7. Shih: Musa, Ali, "Kohët e namazit dhe agjërimit në vendet veriore", f. 2. Burimi https.//arsco.org/Ebooksf _Show Documen/? filename=070519041616.zip. Krahaso: Liga e Botës Islame-Akademia e Fikhut Islam, op. cit., f.214, Dejranijje, ibidem.
8. Shih: Ibën Abidin, ibidem.
9. Liga e Botës islame - Akademia e Fikhut Islam, op. cit., 96, 98-99.
10. Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime, Vendimet dhe fetvatë e publikuara nga viti 1997-2017, përktheu nga arabishtia: Bashkim Aliu, Lozanë, Qendra Shqiptare për integrim, Kulturë dhe Religjion, 2021, f.138.
11. Shih: Musa, op. cit., f.2-3.
12. Liga e Botës Islame - Akademia e Fikhut Islam, op. cit., f. 211-212. Krahaso: Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime, op. cit., f 138.
13 Ibidem, f. 98-99.
14 Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime, ibidem, f. 139.


Artikulli i kaluar
Agjërimi thërret!

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi