"Hani e pini të gëzuar, ngase këtë e keni fituar në ditët e kaluara.” (El-Hakka, 24)
Sot, definitivisht po e përcjellim muajin e madhërishëm Ramazan. Sot, po i japim lamtumirën e fundit muajit të bekuar, muajit që derdhi me shumicë mbi ne mëshirën hyjnore dhe nuk kurseu ndihmën, favoret dhe respektin hyjnor për ne.
Ne, sot i lutemi Zotit të Madhëruar - Mëshiruesit e Bamirësit, që Ramazani i nderuar, i cili në këtë botë është, fund e kye, një mirësi e madhe për ne, në Ditën e Ringjalljes të ndërmjetësojë tek Allahu për ne, duke thënë: "O Zot! Unë i kam penguar këta gjatë ditës nga të ngrënët, të pirët dhe kënaqësitë e tjera të ndryshme; pranoje ndërmjetësimin tim në favor të tyre."
Të nderuar besimtarë!
Sot do t'ju flas për tri çështje, tri pika që lidhen me temën e sotme. E para lidhet me përfundimin e këtij muaji të bekuar, e dyta me përfitimet që kemi marrë nga ai, e treta është kurorëzimi i këtij muaji me Bajramin e Ramazanit.
Po e përcjellim Ramazanin tonë me një dozë dhimbjeje e pikëllimi, sepse ne duhet të ndahemi prej tij, e t'i japim larntumirën e fundit, por njëkohësisht ndjejmë edhe kënaqësi për fitoren e madhe dhe suksesin që kemi arritur me mbarimin e shkollës së Ramazanit dhe me afrimin edhe më tepër tek Allahu i Lartësuar.
Gjatë shkollës një mujore të Ramazanit, ne mësuam shumë gjëra. Në radhë të parë mësuam dhe u aftësuam të bëjmë dallimin ndërmjet kënaqësisë së përkohshme dhe ngritjes së përjetshme. Momentet që përjetuam gjatë Ramazanit na bënë të mundur që të ngrihemi nga bota e ulët shtazore, në atë më të larten njerëzore. Prandaj, në këto momente të bekuara, duhet të themi që myslimanët janë ata që e treguan veten si nxënës të mirë të shkollës së Ramazanit. Nga ky mësues i fuqishëm që e ka emrin agjërim, ne mësuam që me vendosmërinë e tillë morale të ecim përpara në kohën e re, e cila do të na shpëtojë nga poshtërsitë e mendjemadhësisë, e egoizmit, zilisë e smirës, indiferencës dhe varfërisë shpirtërore, dhe do të na ngrejë në lartësitë e modestisë, vetëmohimit, zellshmërisë, konkurrencës në mirësi dhe informimit për çdo gjë që i përket fatit të jetës në tokë.
Mësuam për durimin dhe qëndresën në përgjithësi, dhe këmbëngulësinë në parime në veçanti. Mësuam që drita e shpirtit arrihet me vështirësi. Mësuam që për të arritur te qëllimi më i lartë duhet vetëmohim e këmbëngulësi. Mësuam se me besim të fuqishëm dhe duke agjëruar arrihet në mbretërinë e shpirtit. Mësuam si kalitet karakteri dhe si forcohet vullneti. Mësuam si pastrohet zemra e shpirti dhe si frenohet zemërimi në to. Mësuam vetëdisiplinirnin, verëkontrollin dhe vetedukimin. Mësuam dashurinë dhe solidaritetin ndaj të tjerëve.
Sot nuk mund t'i përmend të gjitha ato të mira që i mësuam nga muaji Ramazan, por desha të theksoj një çështje me rëndësi, mbi të cilën duhet të përqendrohemi me seriozitet dhe sinqeritet: drejtimin që e morëm në Ramazan, suksesin e sjelljeve dhe jetën e përparuar fetare që e arritëm aty, duhet t'i vazhdojmë më tej. Kështu, pra, duke i dhënë lamtumirën Ramazanit, është shumë gabim që t'ju japim lamtumirën edhe xhamisë, adhurimit dhe portës së Allahut. Me bereqetin, vrullin dhe frymëzimin që morëm nga ky muaj i bekuar, të vazhdojmë edhe në muajt e tjerë të vitit, madje gjatë tërë jetës sonë nuk duhet të largohemi nga mësimet e shkollës së Ramazanit.
Të nderuar vëllezër, ruajeni atë që e fituat në Ramazan. Gjatë Ramazanit ju bëtë një udhëtim shpirtëror që nga dita e parë e deri më sot. Sot përfundon ky udhëtim dhe padyshim si gjithmonë në fund vijnë rezultatet, suksesi dhe shpërblimet. Ruajeni atë pasuri shpirtërore që e fituat në muajin tashmë ta kaluar.
Disa njerëz gjejnë rastin t'i afrohen Allahut gjatë Ramazanit. Mirëpo, kur mbaron Ramazani, tek ata mbaron edhe ajo që ishte në mes tij dhe Krijuesit të tij. Ramazani tani mbaroi. Në qoftë se janë këputur lidhjet e tua më Ramazanin, mos lejo r'i këputësh lidhjet e tua me Allahun e Gjithëfuqishëm. Mos lejo t'i këputësh lidhjet e tua me xhaminë, me namazin, leximin dhe meditimin, t’i këputësh lidhjet me Kuranin, ta privosh gjuhën tënde nga dhikri dhe tesbihi, ta ndalosh dorën tënde nga ndihma ndaj të tjerëve, ta ndalosh mendjen tënde nga ibadeti i meditimit, ta lësh zemrën tënde pa ushqim e pastrim shpirtëror, t'i këputësh lidhjet e tua me vëllezërit, me fqinjët dhe njerëzit në përgjithësi. Sepse Allahu nuk duhet të adhurohet vetëm në Ramazan, por edhe në Sheval, Dhul-kade dhe në muajt e tjerë. Agjërimi dhe Ramazani nuk janë qëllim në vetvete. Nuk e agjërojmë, as nuk e respektojmë Ramazanin për shkak të vetë Ramazanit, por për shkak të zbatimit të tij si urdhër të Allahut. Kush e ka adhuruar Ramazanin, Ramazani vdiq e shkoi, kush e ka adhuruar Allahun, Ai është i gjallë, i përjetshëm dhe kurrë nuk vdes.
"Ji i Zotit, jo i Ramazanit. Sepse Zoti i Ramazanit është edhe Zoti i Shevalit, Dhul-kades dhe muajve të tjerë.
Pejgamberi a.s. ka thënë: "Për Allahun, më të dashura janë ato vepra që janë të vazhdueshme, sado të vogla që janë ato."
Shenjë që t’i ke përfituar nga Ramazani dhe që të janë pranuar agjërimi dhe namazi, është që ti të veprosh në pajtim me vullnetin e Allahut xh.sh., që të mbetesh i lidhur me Të përmes Librit të tij, namazit dhe xhamisë. Kjo është shenja e vërtetë për pranimin e agjërimit dhe namazit. Të parët tanë kanë thënë:
"Shpërblimi për të mirën është edhe ai që ti të jesh i udhëzuar për të mirën vijuese." Ndërsa Allahu xh.sh. thotë: ''Allahu atyre që janë në rrugë të drejtë ua shton udhëzimin". (Merjem: 76).
Përfundoi Ramazani!
Përfundimin e një ngjarjeje të madhe, përfundimin e agjërimit të Ramazanit dhe të ushqimit tonë shpirtëror, e shënojmë me Bajramin e Ramazanit. Kjo ditë e madhe e myslimanëve është sot. Sot është Bajram. Bajrami është gëzim në fe. Gëzim i trupit dhe i shpirtit. Gëzim në shpirtrat e njerëzve, të cilët me anën e agjërimit i pastruan zemrat e tyre nga urrejtja, gjuhët e tyre nga fjalët e këqija, duart e tyre nga punët e liga. Bajrami është një ditë kur festojmë ngadhënjimi n e së vërtetës mbi të pavërtetën. Dita kur festojmë fitoren e shpirtit mbi epshet e trupit. Dita kur ne myslimanët i dërgojmë mesazhin e paqes gjithë botës. Ditë në të cilën shprehim bindje dhe nënshtrim të plotë ndaj Zotit Një të Vetëm për mirësinë dhe lumturinë e secilit njeri. Gëzim në Bajram kanë edhe melaqet në qiell, sepse i shohin njerëzit, të cilët jetojnë në nënshtrim ndaj Krijuesit.
Tbën Rexhepi transmeton nga Ibën Mesudi, të ketë thënë: "Kur vjen Bajrami, melaqet lëshohen në tokë, përfshijnë çdo vend të banuar dhe thërrasin me një zë që e dëgjon çdokush, përveç njerëzve dhe xhinëve! "O ymeti i Muhamedit, ejani te Zoti juaj fisnik që t'ju dhurojë nga bollëku i Tij dhe që t'i falë gjynahet tuaja me bujarinë më të madhe."
Ndërsa në një hadith tjetër, Pejgamberi a.s. ka thënë: "Në Bajramin e Ramazanit melaqet rreshtohen nëpër rrugë dhe thërrasin: "O myslimanë, shpejtoni te Zoti juaj fisnik i Cili jep mirësi dhe e shton atë (duke thënë): "Unë ju kam urdhëruar që natën ta kaloni në ibadet dhe ju këtë e keni bërë; ju kam urdhëruar të agjëroni ditën, edhe këtë e keni bërë, dhe kështu e keni dëgjuar Zotin tuaj, merrni, pra tani shpërblimet tuaja." (Taberaniu)
Kur e falim namazin e Bajramit, lajmëtari i Allahut (rnelaqja) thërret: "Dëgjoni mirë! Zoti juaj, me të vërtetë ua ka falur gjynahet! Tani kthehuni të gëzuar e të lumtur në shtëpitë tuaja. me këtë emër quhet edhe nga banorët e gjithësisë."
Kjo është festa e një fitoreje të madhe, por njëkohësisht edhe fillimi i detyrave, përpjekjeve dhe sakrificave të reja.
Tekbiret e Bajramit, urimet, ilahitë e kasidet, kënga, lutja e vëllait për vëllain janë shprehje e saristaksionit dhe gëzimit për mbarimin e Ramazanit.
Qysh se ekziston Islami në trevat tona, bajramet gjithmonë janë festuar solemnisht. Bajrami ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme te njerëzit edhe në çastet e krizave, pasigurive dhe skamjeve të mëdha. Ai është freski për familjen dhe për njerëzit në përgjithësi.
Ditët e Bajramit janë momente kur duhet t'u kushtojmë kujdes të veçantë prindërve, farefisit, fqinjëve dhe miqve në përgjithësi.
Karakteristikë interesante e Bajramit janë vizitat që i bëjnë besimtarët njëri-tjetrit. Mblidhet familja, farefisi dhe miqtë, të cilët takohen rrallë gjatë vitit dhe tani, të tubuar zgjidhin shumë probleme të përbashkëta, fëmijët shoqërohen dhe njihen më mirë.
Kështu vepronte edhe Muhamedi a.s.. Ai e kishte zakon që për Bajram t'i vizitonte sahabët, t'ua uronte Bajramin, duke i bindur personalisht për mënyrën e kremtimit të festës së Bajramit.
Të varfrit i ndihmonte, të pasurit i obligonte për ndihmë ndaj të varfërve dhe fqinjëve të tyre.
Lidhur me këtë, ai thotë: "Nuk është besimtar, ai që fle i ngopur, e fqinji i tij është i uritur."
Le të kujtojmë në këtë ditë Bajrami, familjet e shehidëve, të cilët u bënë kurban që ne sot të kremtojmë të lirë Bajramin. T’i kujtojmë invalidët e luftës, të cilët gjymtuan trupat e tyre që ne sot të marrim frymë lirshëm. T’i kujtojmë të varfrit, jetimët dhe të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tonë. Por jo vetëm t'i kujtojmë, por edhe t'i gëzojmë ata, e gëzimi më i mirë janë dhuratat, shpërblimet dhe ndihma jonë që do tua ofrojmë të gjithëve, duke ua bërë të ditur se ara nuk janë të vetëm, të papërfillur e të braktisur, duke ju treguar se nuk i kemi harruar. Këto janë veprat e mira konkrete që dëshmojnë për besimin tonë, sinqeritetin tonë dhe shpirtgjerësinë tonë.
Nuk ka lumturi të individëve pa lumturinë e të gjithëve. Si mund të jesh i lumtur dhe të shikosh rehatinë tënde, kur e di se ka shumë njerëz që vuajnë nga skamja, ushqimi i dobët, nga varfëria, kur e di se ka me mijëra jetimë që presin dorën tënde të ndihmës.
Të nderuar besimtarë!
Për atë që del nga Ramazani fitimtar, Bajrami vjen si një mënyrë e vërtetë e kremtimit të asaj fitoreje, dhe për besimtarët kjo ditë është një festë në kuptimin e plotë të fjalës.
Ajo çfarë do t'ju thuhet të mirëve në Xhenet vlen në ditët e Bajramit: "Hani e pini të gëzuar, ngase këtë e keni fituar në ditët e kaluara." (El-Hakka: 24)
Për shkak të ndikimit të madh psikologjik dhe rëndësisë edukuese, Pejgamberi a.s. dhe sahabët e tij praktikonin këndimin e tekbireve (Allahu ekber) si zbukurim për ditët e Bajramit.
Për këtë praktikë na porosit edhe neve, duke thënë: "Zbukuroni Bajramet tuaja me tekbire (Allahu ekber), me tehlile (La il-lahe il-llah), me tahmide (Elhamdulilah) dhe me tesbihe (Subhanallah)."
Që të na bëhet më e qartë ç'do të thotë të kremtosh, ç'do të thotë për një mysliman e myslimane Bajrami, Pejgamberi a.s. në një hadith ka thënë: "Për besimtarin ka pesë bajrame: - Çdo ditë që e kalon pa gjynahe;
- Dita e vdekjes, nëse vdes me iman;
- Dita e kapërcimit të Siratit, dita e suksesshme në dhënien e llogarive dhe përfundimi i lumtur gjatë qëndrimit para Zotit në kiamet;
- Dita kur do të hyjë në Xhenet;
- Dita e takimit me Allahun xh.sh."
Së këtejmi del se për myslimanin është bajram - festë, çdo sukses në jetën e tij.
Le t'i pranojmë sinqerisht para këtyre ditëve të mëdha të gjitha gabimet tona të kaluara të bëra ndaj vetes apo ndaj të tjerëve, dhe le të përpiqemi t'i përmirësojmë, nëse dëshirojmë lumturi e prosperitet në të dy jetët.
Te gjithëve ua uroj nga zemra Bajramin, duke e lutur Allahun xh.sh. për shëndetin tuaj dhe për suksesin tuaj në jetë dhe në punë.
O Zot i Mëshirshëm,
Të sëmurëve dhuroju shëndet! Të varfërve furnizim!
Të dëbuarve kthim në vatrat e tyre! Të burgosurve liri!
Atdheut tanë paqe dhe liri! Udhëheqësve tanë urtësi dhe trimëri!
Ulemave tonë dituri dhe sinqeritet!
O i Mëshirshmi Allah,
Të gjithë njerëzit fisnikëroi me dashuri dhe mëshirë!
Zemrat e njerëzve pastroi nga urrejtja dhe e liga!
Jepja gjithë botës udhëzimin dhe mëshirën Tënde!
Pash mirësinë Tende të pamasë!
Mr. Muhidin Ahmeti
Dituria Islame 365