Jemi në vigjilje të fillimit të muajit hënor Dhul-hixhe. Sot është dita e parë e këtij muaji të bekuar, muaji i dymbëdhjetë i vitit sipas kalendarit-numërimit hënor. Prandaj, me qëllim që të rikujtojmë rëndësinë dhe vlerën e këtyre dhjetë ditëve të para të këtij muaji, po i themi dy-tri fjalë. Allahu i Madhërishëm është Ai, i Cili na shpërblen sipas qëllimit.
Nuk ka dyshim se sikundër që Allahu i ka dalluar disa vende nga disa të tjera ose disa njerëz nga disa të tjerë, po ashtu i ka dalluar edhe disa ditë nga disa të tjera. Kështu, dhjetë ditët e para të muajit hënor Dhu'l-hixhe, i ka dalluar nga ditët tjera të vitit. Komentuesit e Kuranit (myfessirinët) janë të gjithë në një mendim kur konstatojnë se betimi i Allahut në Kuran e tregon pikërisht peshën dhe rëndësinë e këtyre ditëve. Në Kuranin Famëlartë, i Madhi Zot është betuar duke thënë:
"Betohem në Agimin dhe në dhjetë netët (që iu paraprijnë dhjetë ditëve të muajit të dhu-hixhes), dhe në çiftin dhe në tekun..."
Dijetarët islamë, në radhë të parë shumica e myfesirinëve, konsiderojnë se këto ditë dhe gjithsesi edhe netët që iu paraprijnë atyre, kanë vlerë dhe rëndësi të madhe, madje aq sa I Madhi Zot është betuar në Kuran. Kjo për faktin se, sipas mendimit të tyre, me dhjetë netët e përmendura në Kuran qëllimi është për ato që iu paraprijnë dhjetë ditëve të Dhu'l-hixhes . Teku i përmendur në këtë ajet sinjalizon për ditën e nëntë të këtij muaji, ditën kur haxhilerët qëndrojnë në Arafat, kurse “çifti” i përmendur në ajet, ka të bëjë me ditën e dhjetë të dhul-hixhes, gjegjësisht për ditën e Bajramit. Konstatimi i mësipërm lidhur me rëndësinë e këtyre ditëve, është i mbështetur edhe në hadithin e Pejgamberit (a.s.):
"Ibni Abasi transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Nuk ka ditë kur puna e mirë në to është më e dashur tek Allahu se sa puna gjatë këtyre ditëve (dhjetë ditëve të para të dhu'l-hixhes)"!
Ngjashëm me këtë e kemi edhe hadithin e transmetuar nga Ibn Hanbeli, i cili transmeton hadithin e Pejgamberit (a. s.) të ketë thënë: “Nuk ka ditë më të mëdha e më të preferuara te Allahu i Gjithëmëshirshëm për të bërë vepra të mira se sa në këto ditë, për këtë arsye, përmendni shpesh Allahun me tehlil (La ilahe il-lAllah), me tekbir (Allahu Ekber) dhe me tahmid (El-hamdulilah)"
Prandaj, gjatë këtyre ditëve kaq të rëndësishme, së pari duhet të kemi kujdes maksimal e të mos bëjmë ndonjë vepër e cila është e ndaluar ose e shëmtuar dh e cila e hidhëron Krijuesin e gjithësisë.
Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi që sa më shumë të bëjmë vepra të mira: namaz nafile, tesbih: subhanallah, elhamdulilah, Allahu ekber, la haule ve la kuvvete il-la bil-lah, të japim sadaka, të lexjmë Kuran, të agjërojmë , të bëjmë istigfar-kërkimfalje, t’i drejtohemi Allahut me lutje (dua), të marrim sa ma shumë tekbire e telbije (lebbejkAllahumme lebbejke...) etj. të ngjashme. Një punë të mirë e të dobishme që e bënë besimtari në këto ditë, është sikurse të njëjtën ta ketë bërë për krejtë vitin, dhe shpërblimin e ka po aq të madh. Vetëm agjërimi i ditës së nëntë të këtij muaji, bëhet sebeb që Allahu të na i shlyejë gjynahet e vitit të kaluar dhe atij që do të vijë. Kur e pyetën as'habët Pejgamberin (a.s.) për agjërimin e ditës së nëntë, ai pati thënë: "Agjërimi i ditës së nëntë të këtij muaji, bëhet shkak që Allahu t'i shlyej gjynahet e vitit të kaluar dhe atij që do të vijë"! Përtej të gjitha këtyre që u përmendën, dhe edhe shumë të tjera që nuk i kemi përmendur, është nijeti ynë i pastër, i sinqertë, është shpirti ynë i dëlirë, është përkushtimi ynë ndaj Allahut të Gjithëpushtetshëm. Përmes këtyre ibadeteve, ne duhet të synojmë të arrijmë kënaqësinë e Allahut, që Ai të jetë i kënaqur me sjelljet dhe veprat tona.
Me këtë rast, duhet thënë edhe këtë, se në këtë botë mbase mund të ketë edhe të tillë mendjelehtë që e minimizojnë rëndësinë e këtyre ditëve, nuk ua japin hakun ashtu siç ato e meritojnë. Këta harrojnë se tetë ditët e para sikur trokasin në ndërgjegjen e besimtarit për t’u përgatitur për ditën e nëntë dhe të dhjetë. Dita e nëntë është dita e qëndrimit të haxhilerëve në Arafat, dita kur lutja e besimtarit është e pranuar, është dita kur Allahu më së shumti liron nga zjarri i Xhehenemit. Ndërkaq, dita e dhjetë e Dhu'l-hixhes, është dita e Kurban Bajramit, dita kur i madh e i vogël i gëzohen kryerjes së kushtit të pestë të fesë islame-Haxhit, i gëzohen festës së Bajramit. Prandaj, prej nga ajo e "drejtë" që t’i nëpërkëmbim këto momente kaq domethënëse për të cilat Allahu edhe është betuar!!! Pejgamberi (a.s.) me një rast pati deklaruar: "Duaja ma e mirë është ajo e Ditës së Arafatit, ndërkaq, fjala më e mirë që e kamë thënë unë dhe vëllezërit e mi pejgamberë para meje është "La ilahe il-la Allahu vahdehu la sherike leh, lehul-mulku ve lehul-hamdu ve huve ala kul-li shejin kadir"!
Se këto ditë janë vërtetë dhuratë nga i Madhi Zot për të fituar sevape të shumëfishta, e për të cilat kurdoherë kemi nevojë, janë ditë kur Allahu lëshon mëshirë të madhe ndaj robërve të Tij. Ebu Derdai tregon: "Agjëroni nëntë ditët, bëni sa më shumë dua, kërkoni falje dhe shpërndani sadaka. Kam dëgjuar Pejgamberin a.s. të thoshte: "Mjerë për atë që e lëshon rastin dhe mjerë për atë që ia shkurton vetës vlerën e këtyre dhjetë ditëve. Në veçanti, mundohuni që ta agjëroni ditën e nëntë. Atë ditë ka aq shumë mirësi sa është e pamundur të numërohen"!
E pra, jemi para një rasti shumë ideal që të fitojmë sevape, të shlyejmë gjynahe, të fitojmë kënaqësinë e Allahut, Ai të kënaqet me ne e ne të kënaqemi me Të. Kjo tashmë është në dorën tonë: kushdo e merr, sikundër që kushdo e refuzon! E tëra varët nga vullneti dhe gatishmëria jonë!!!
Lusim Allahun (xh. sh.) të na e shtojë dashurinë ndaj Zotit të Lartësuar, të na forcojë imanin tonë, të na rris dëshirën për të bërë vepra të mira, të na e rris dashurinë vëllazërore, të na e mundësojë që në këto ditë të para të këtij muaji të bekuar ta shtojmë ibadetin tonë!
E lusim Zotin të na i falë gjynahet tona, e nesër në Ditë të Ahiretit të mos na ndaj nga bajraku i Muhamed-Mustafasë duke na shpërblyer me Xhenet!
Dhe lutja jonë e fundit: Falënderimi i takon Allahut- Zotit të botëve!