Haxhi, udhëtimi më i bukur i jetës me të cilin fitojmë Xhenetin

Menjëherë pas përfundimit të muajit Ramazan, besimtarët myslimanë që kanë mundësi të mira materiale e shëndetësore, fillojnë të planifikojnë se si t'i përgjigjen Zotit të tyre me adhurimin tjetër të radhës. Ata entuziazmohen për një adhurim i cili iu obligohet vetëm një herë në jetë, haxhin. Ai duhet dhe mund të kryhet vetëm në kohën, muajt e tij. Muajt e haxhit, e të cilët Allahu i ka përcaktuar janë: shevali, dhulkade dhe dhjetë ditët e para të dhulhixhxhes. Për vlerën e këtyre muajve dhe veprimeve që duhet të shmanget haxhiu prej tyre në ta, Allahu na tha: "Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet ofruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e Sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje. Çka punoni nga e mira, Allahu e di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes kini dronë Time." (E1 Bekare,197).
Nëse objektiv kryesor i agjëruesit ishte arritja e devotshmërisë, atëherë edhe haxhi, si një detyrë jo pak e mundimshme fizikisht, e synon po këtë synim, që të bëhemi të devotshëm.
Është madhështore shkuarja në haxh për myslimanin, ngase ai gjatë namazit, pesë herë në ditë e drejton fytyrën e vet nga Qabeja e bekuar, kështu që ai/ajo tërë jetën e vet e lidh me kiblën, e cila është simbol i adhurimit, e cila gjendet në Mekën e Shenjtë, e mu aty është edhe vendlindja e Muhamedit a.s.. Aty është xhamia e parë e ndërtuar në tokë, të cilën Zoti e ka bërë vend ku duhet bëhet adhurim vetëm Atij.
Për këtë arsye, haxhi prezanton dëshirën e çdo myslimani, që vazhdimisht rritet dhe kurrë nuk zvogëlohet deri kur të realizohet. Për më tepër, haxhi është një shtyllë prej pesë shtyllave të Islamit. Haxhi është adhurim fizik në njërin aspekt, por edhe me pasuri në një aspekt tjetër.
Ashtu si të gjithë urdhrat e Zotit xh.sh., edhe urdhri për të shkuar në haxh përmban shumë urtësi. Zoti xh.sh. në Kuranin fisnik thotë: "...Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo, e kush e mohon (obligimin e haxhit le ta dijë se) Allahu është i Pavarur dhe nuk është i nevojshëm për (ibadetin që bëjnë) njerëzit:' (Ali Imran, 97).
Tubimi dhe bashkimi i myslimanëve të ardhur nga vende të ndryshme, me raca të ndryshme dhe që flasin gjuhë të ndryshme në një vend dhe për një qëllim, duke iu drejtuar Allahut me lutje, falje dhe adhurim me një gjuhë të përbashkët, forcon vëllazërimin dhe unitetin islam.
Kur është pyetur Pejgamberi ynë i dashur, Muhamedi a.s., për veprat më madhështore dhe për punët më me vlerë, në hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejra r.a., ai a.s. është përgjigjur: "Besimi në Allahun dhe Pejgamberin e Tij:' "E pas kësaj?" - e pyetën përsëri? "Lufta për hir Allahut. " - tha ai. "E pas kësaj?" - e pyetën përsëri. "Haxhi që kryhet sipas normave (pa gabime) dhe pranohet tek Allahu.”
Veshja e myslimanëve me rrobën e quajtur ihram, cilado qoftë gjendja materiale e tyre, i pasur apo i varfër, e ringjallë në shpirtin e tyre idenë e barazisë dhe të qëndrimit në mahsher - vendtubimin para Allahut në Ditën e Gjykimit. Në anën tjetër, udhëtimi i haxhit është mundësi që besimtari të shtojë diturinë, ngase atje mund të takohet e të dëgjojë nga dijetarët, të kultivojë mirësjelljen, si dhe të kalitë shprehinë e bashkëpunimit reciprok në raste të vështirësive.
Se çfarë vlerash ka haxhi, flasin një numër i madh i haditheve të Pejgamberit a.s., ndër të cilët po veçojmë hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejra r.a., i cili ka thënë: "Në një rast, kur Pejgamberi a.s. mbajti hytben, ai tha: "O popull! Allahu u ka urdhëruar të vizitoni Qabenë, dhe ju vizitojeni!" Pastaj, njëri e pyeti: "O i Dërguari i Allahut, a për çdo vit a?" Ky heshti për një kohë, ndërsa ky e bëri pyetjen tri herë. "Po të isha përgjigjur "po", kjo do të bëhej si detyrë e domosdoshme - dhe ju këtë - tha Pejgamberi, më vonë nuk do të ishit në gjendje ta kryeni.” Mandej ka thënë:
"Kur unë ju lë të qetë, më lini edhe ju mua të qetë. Popujt që kanë qenë para jush janë shkatërruar për shkak se kanë pyetur shumë dhe nuk janë pajtuar me pejgamberët e tyre. Nëse iu urdhëroj diçka, kryeni sa të mundeni, e kur t'ju ndaloj diçka, lëreni atë!"
Ebu Hurejra r.a. ka thënë: "E kam dëgjuar Pejgamberin a.s. që ka thënë: "Ai i cili kryen haxhin për hir të Allahut, duke u larguar nga gjërat që e prishin haxhin dhe që nuk ka bërë ndonjë mëkat tjetër, do të kthehet (nga haxhi) si ditën që e ka lindur nëna.”
Prandaj nuk duhet harruar se për haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër veç Xhenetit. Ndërsa vetë haxhitë janë “miqtë" e të dashurit e Zotit. Nëse e lusin, Ai u përgjigjet, e nëse i kërkojnë diçka, Ai ua jep, dhe nëse e lusin që t'ua falë gjynahet, Ai do t'ua falë.
Lusim Allahun xh.sh. që të gjithë myslimanëve t'ua mundësojë që të kryejnë këtë ibadet dhe shtyllë të fesë islame dhe ta vizitojnë kiblen e tyre - Qabenë e bekuar, drejt së cilës falen pesë herë në ditë!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi