Jeta dhe vepra e tij
Prof. dr. Muhamed Naim Jasin ishte një prej dijetarëve, studiuesve dhe autorëve më të njohur bashkëkohorë në botën islame. Ai rrjedh nga një familje me tradita të hershme islame, familje me virtyte dhe me traditë të lashtë palestineze. Muhamed Naim Jasin lindi më 11.06.1943 dhe ishte me origjinë nga Palestina.
Shkollimi i tij
Muhamed Naim Jasin, shkollimin e tij fillor e kishte kryer në vendlindjen e tij. Pastaj, më 1964, diplomoi në Fakultetin e Sheriatit në Universitetin e Damaskut. Në vitin 1965, në po të njëjtin universitet, diplomoi në Fakultetin e Drejtësisë. Në vitin 1968, diplomoi në shkallën master në drejtimin Fikh el Mukaren, në Universitetin e Az’harit. Po të njëjtin vit, pra më 1968, diplomoi për herë të dytë në master në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Kajros. Ndërsa, në vitin 1972, përfundoi studimet e doktoratës në Fakultetin e Sheriatit në Universitetin e Az’harit, në drejtimin Fikh el Mukaren.
Si një student i dalluar, ai ishte përfitues i bursave studentore si në fakultet, ashtu edhe në master dhe në doktoratë. Prej tij ishte kërkuar edhe botimi i disertacionit të doktoratës. Ai fitoi çmimin e parë në fushën e fikhut të mjekësisë, çmim ky që ndahet nga Departamenti i të Arriturave Shkencore të Ministrisë së Arsimit në Kuvajt. Këtë çmim e fitoi në vitin 1989.
Veprimtaria e tij akademike
Muhamed Naim Jasin ushtroi disa veprimtari akademike. Ai ishte profesor i rregull në Universitetin e Jordanisë, në Fakultetin e Sheriatit, që nga viti 1992 e deri në vdekje; profesor në Universitetin e Katarit, në Fakultetin e Drejtësisë (1995 – 1998); profesor i rregullt në Universitetin e Kuvajtit, në Fakultetin e Sheriatit (2000 – 2001); Profesor në Universitetin Botëror të Shkencave Islame, në Fakultetin e Sheriatit (2008 – 2009); ndihmës profesor në Universitetin e Jordanisë dhe të Kuvajtit, në Fakultetin e Sheriatit (1978 – 1992); ndihmës profesor në Universitetin e Jordanisë, në Fakultetin e Sheriatit (1972 – 1978); dekan i Fakultetit të Sheriatit dhe Politikës Islame në Universitetin e Kuvajtit (1986 – 1990); dekan i Fakultetit të Sheriatit në Universitetin e Jordanisë (1977 – 1979); dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Botërorë të Shkencave Islame (2008 – 2009); themelues i Fakultetit të Sheriatit pranë Universitetit të Kuvajtit; pjesëmarrës në grupin punues të hartimit dhe përpilimit të kurikulës mësimore për studimet e larta të Fakultetit të Sheriatit dhe Drejtësisë pranë Universitetit të Jordanisë, Katarit dhe Kuvajtit; anëtar i Komisionit Shkencor për Enciklopedinë e Fikhut, të botuar nga Ministria e Vakëfit të Kuvajtit (1980 – 1990); anëtar i Komisionit Shkencor për Ekonomi Islame, Konferenca e parë rreth zeqatit, e mbajtur në maj të vitit 1984, në Kuvajt; anëtar i Komisionit për Zhvillimin e Sistemit të Investimeve Kolektive dhe Fondeve për të Mitur pranë Ministrisë së Drejtësisë në Kuvajt, në vitin 1985; anëtar i Këshillit për Fetva pranë Ministrisë së Vakëfit në Jordani (1990 – 1995); anëtar i Komisionit për editim të revistës shkencore që nxirrej nga Fakulteti i Sheriatit pranë Universitetit të Jordanisë, për studentët e studimeve të larta (1992 – 1995); anëtar i Komisionit për themelimin e Fakultetit të Sheriatit pranë Universitetit të Kuvajtit, në vitin 1982; anëtar i Komisionit për editim të revistës shkencore që nxirrej nga Fakulteti i Sheriatit pranë Universitetit të Katarit, për studentët e studimeve të larta (1995 – 1998); anëtar i Komisionit për Konferenca dhe Simpoziume Shkencore, pranë Fakultetit të Sheriatit në Universitetin e Katarit, në vitin 1995; anëtar i Komisionit për themelimin e Fakultetit të Gjyqësorit Islam pranë Universitetit të Katarit, në vitin 1996; anëtar i Komisionit për kurikulat, tekstet dhe plan programet mësimore, si dhe për udhëzuesit praktik për mësimdhënësit, pranë Komitetit të Studimeve të Larta dhe Politikave Arsimore që vepronte në kuadër të Ministrisë së Arsimit të Katarit, në vitin 1996; anëtar i Komisionit për Bibliotekat e Katarit, në vitin 1997; ishte anëtar i shumë bordeve dhe komisioneve për studime islame, revista shkencore, botime të ndryshme, recensime, redaktime, etj.
Punimet e tij shkencore
Prof. dr. Muhamed Naim Jasin është autor i shumë punimeve shkencore të publikuara në revistat prestigjioze, si brenda po ashtu edhe jashtë vendit.
Është autor dhe bashkautor i dhjetëra librave të botuar brenda dhe jashtë vendit. Prej librave të tij më të njohur janë “Besimi - bazat, esenca dhe negacioni”, i botuar në vitin 1978. Ky libër është përkthyer në shumicën e gjuhëve të botës dhe është një prej librave më të njohur që është mësuar në pothuajse në të gjitha universitetet e botës. Ky libër ka gjetur
përkrahje nga të gjithë myslimanët pa dallim bindjeje, fraksioni, gjuhe apo vendi. Po ashtu, ky libër është përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe ka disa ribotime.
Ka me dhjetëra libra të tjerë të cilët kanë qenë të përfshirë në kurrikula të vendeve të ndryshme, qoftë brenda apo jashtë vendit, duke filluar nga nxënësit e deri te studentët e studimeve të larta. Ishte mentor dhe anëtar i shumë disertacioneve të ndryshme për student të studimeve master dhe doktoratë, si brenda po ashtu edhe jashtë vendit.
Vdekja e tij
Prof. dr. Muhamed Naim Jasin vdiq më 02.01.2023 në Aman të Jordanisë. Ai vdiq pas një sëmundje të rëndë duke lënë kështu një zbrazëti të madhe në botën islame, por që pas vetes ka lënë shumë punime shkencore, libra dhe shumë studentë anembanë botës, duke mos përjashtuar as trojet shqiptare.
Lusim Allahun xh.sh. që ta ketë mëshiruar dhe ta shpërblejë për mundin dhe kontributin e tij!
_________________________
https://www.odabasham.net
https://islamonline.net
https://ar.wikipedia.org/wiki
https://profyaseen.com/about/
https://arabi21.com/story
https://al-maktaba.org/book/31616/81963
Mr. Artan Musliu