Edhe periudha pas Luftës së Dytë Botërore kishte figura të rëndësishme të qëndresës kombëtare nga radhët e prijësve fetarë islamë. Edukimi i tyre islam e kombëtar në mejtepet e medresetë e kohës i bëri ata individë të respektuar në popull.
Në medresetë, siç ishte ajo “Atik” e Gjilanit, mësohej edukata islame por edhe gjuha shqipe e historia e vërtetë kombëtare. Ata i kontribuuan edukimit të popullit në qëndrimin e patundur në identitetin e tyre dhe përpjekjes për bashkimin e trojeve shqiptare.
Pushteti komunist i mbylli shkollat fetare, kurse nxënësit e tyre që qëndruan në identitetin islam e shqiptar u ballafaquan me pushka time, burgosje, ndjekje e internime. Kontributi i tyre shumë herë është anashkaluar tërësisht. I tillë ishte Hafëz Rizah Mareci, i cili u edukua në medresenë ku jepte mësim Mulla Idriz Gjilani, Myderriz Haki Sermaxhaj dhe mësuesi i gjuhës shqipe dhe i historisë Malo Beci nga Shkodra. Kontributi i Hafëzit për zhdukjen e analfabetizmit si edhe në luftën për Kosovën Lindore ka mbetur i pandriçuar. Ai ishte inkuadruar në Nacional demokraten Shqiptare (NDSH) që kishte qëllim luftimin e partizano-komunistëve dhe bashkimin me Shqipërinë. Ashtu sikurse burgosja e vuajtjet në burgjet jugosllave, pastaj edhe ato në Shqipëri, në shkrime të historisë u anashkalua, por gojë dhënat në popull ende janë të gjalla. Duke ecur gjurmëve të këtij hafëzi, mësojmë për qëndresën heroike të burrave të atyre kohërave, por edhe gjejmë gjurmë konkrete të kontributit të tyre.
Pas Luftës së Dytë botërore kur në trojet tona mori pushtetin sistemi komunist ateist hoxhallarët jetuan në kohë të vështira dhe më shumë sakrificë mbajtën Islamin dhe na transmetuan neve. Ata përballeshin me fenomenin fe dhe komb, kurse kontributi i tyre është i pamohueshëm. Secili prej tyre është histori në vete, por fatkeqësisht janë të pahulumtuar sa duhet, apo të harruar me qëllim.
Në këtë punim modest po paraqes inserte nga kontributi i Hafëz Rizah Gërbeshit. Liderët fetarë në përgjithësi ishin klasë e Hafëz Marecit, të cilët luftonin për të drejtën e pakontestueshme të bashkimit me Shqipërinë etnike, andaj kur e morën pushtetin komunistët, ata nuk ishin në pozitë aq të mirë, por megjithatë populli i admironte dhe i respektonte. Kujtimi për ta ende gjallëron.
Hafëz Rizah Gërbeshi-Mareci (1910-1988)
Munishi me Fatimen kishin dy djem: Sefa dhe Rizahu. Sefa kishte një djalë Ademin dhe një vajzë Zet hanen që kishte vdekur si e re. Ademi, i biri i Sefës, i cili jeton në Zagreb, ka një djalë dhe një vajzë. Rizahu u lind në vitin 1910 dhe që në fëmijëri tregoi talent sidomos në nxënien përmendsh të Kuranit. Ka kryer Hifzin te Hafëz Jamin ef. Rexhepi në Prishtinë. Babai i tij Munishi kishte kushte të dobëta ekonomike, si shumica e shqiptarëve të asaj kohe. Rizahut i shkonte shumë shkollimi i suksesshëm në mejtep dhe shkon në Medresenë e Gjilanit. Ai e kishte shitur tokën dhe kishte shkuar në Gjilan për ta shkolluar djalin e tij Rizahun, por pas pesë vjetësh ishin kthyer përsëri në Gërbesh, por tani varfëria e tij ishte e skajshme. “Një kushëri i tij, Hiseni i Lahut, ia ka falë arën te Laki dhe sot quhet ara e Lahit. Nga krejt Mareci, e sidomos lagja Gërbesh, mblidhnin Sadakatul vitrat nëpër miqësi dhe ia dërgonin Sefës vëllait të Hafizit. Shtëpinë ia kanë ngritur kushërinjtë me themele nga gurët dhe me trinë me lloç. Kishte dhe një raft me shumë libra”. Kështu kujton Zymberi që atëkohë ishte fëmijë.
Hafëzi kontribuoi edhe në luftën për rezistencë, duke luftuar vetë, por edhe duke i nxitur vendasit e tij, ndaj përjetoi burgje e maltretime, vuajtje të tmerrshme, por asnjëherë nuk u dorëzua dhe nuk ndryshoi qëndrimin. Model për fetari e shqiptari edhe pas 30 viteve të vdekjes gjurmët e tij na bashkojnë jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht, fetarisht e kombëtarisht. Ai bënte jetë ilegale e nëpër burgje, ndaj nuk u martua.
Edukimi në medrese
Edhe pas largimit të Perandorisë Osmane, feja islame mbeti identiteti kultura, arsimi dhe tradita e popullit shqiptar, me gjithë për pjekjet e Mbretërisë Jugosllave për t’i mbyllur të gjitha shkollat, edhe ato fetare, nga viti 1931. Ministria e Arsimit kishte marrë të dhëna nga agjentët në terren se, aty-këtu në Anamoravë dhe në vise të tjera të Kosovës, po vepronin edhe shkolla ilegale shqipe, në të cilat punonin hoxhallarët.
E tillë ishte Medreseja në oborrin e xhamisë së vjetër “Atik”, mësimdhënës të së cilës saj kanë qenë Abdyrrahim ef. Llashtica, Mulla Idriz Hajrullahu - Mulla Idriz Gjilani, Haki ef. Sermaxhaj dhe Malo Beci nga Shkodra.
Nxënësit e këtyre medreseve, siç ishte Hafëz Rizai, vijonin me aktivitetin e tyre nëpër mejtepe, nëpër oda, nëpër lëndina, në një ilegalitet të thellë. Ndonëse aty këtu ishin bërë kontrollime, organet e pushtuesit nuk kishin arritur t’i zbulonin.
Aktiviteti për përhapjen e dijes dhe për Shqipërinë etnike
Nga shumë fshatra të Gallapit qytetarët ia binin letrat për t’i lexuar, ngase përveç shqipes dinte edhe osmanishten, serbishten etj. Ishte ndër veprimtarët e lëvizjes ilegale për përhapjen e diturive shqipe. Me t’u kthyer nga Medreseja e Gjilanit, mbante mësim në lagjet Gërbesh, Kukaj, Viti. Madje, jo vetëm Kuran e fe islame, por ua ka mësuar fshehtas edhe alfabetin shqip nxënësve më të rritur. Nga djemtë e lagjes dihet se abetaren ua ka mësuar Zahirit të Zeqirit dhe Ramizit të Tafës. Hafëz Rizahu ishte mjaft aktiv përhapjen e mësimeve islame e shqiptare, kudo që shkonte mësonte të rinj e të reja, ndaj edhe bëri rihapjen e mejtepit në Marec. Mejtepet e tyre realisht ishin seminare të nacionalizmit përparimtar shqiptar, ishin kurse të Ballit Kombëtar qysh në shtator të vitit 1939.
Duke iu kundërpërgjigjur propagandës serbe për kryqëzimin e shqiptarëve “laramanë”, ky vendos të rihap mejtepin në Marec. Mësimin e zhvillonte ku do, por edhe ishte i angazhuar edhe mësues në Hogosht, duke qenë nxënës i Mulla Idrizit, por edhe në shoqëri të ngushtë me Muderrizin Haki Sermaxhaj. Hafëz Rizai ka kryer edhe medresenë e largët “Isa Beg” në Shkup (1935-1939) kurse punoi si mësues në Hogosht – Kamenicë.
Në fund të shtatorit 1943 Komiteti i Lidhjes II të Prizrenit për Nënprefekturën e Gjilanit e formoi Shtabin e Mbrojtjes Kombëtare të Kufirit të Shqipërisë etnike në anën Lindore të Kosovës. Komandant ishte Mulla Idrizi dhe njësitet vullnetare të përfaqësuara nga udhëheqës të rajoneve të ndryshme Hafëz Rizai përfaqësonte Marecin dhe lidhjen me Shytin. Ishte bërë betimi duke marrë abdes e duke vënë dorën e djathtë mbi Kuran dhe të majtën mbi armë dhe me zë të lartë e thoshin betimin.
Ende mbahet në kujtesë nga të moshuarit 19 shtatori i betejës në Gallap, ishte fundi i muajit Ramazan kur u korrën suksese në pjesë të Dabishevcit dhe të Prapashticës. Fitorja në Ditën e Bajramit i kishte tronditur aradhet partizane-komu niste. Meqenëse Rizahu shoqërohej me Mulla Idrizin Gjilanin dhe me Bislim Makollin – Shyt Marecin, pas përfundimit të luftës e burgosin..
Burgosja e Hafëz Marecit
Derisa punonte në kooperativën bujqësore për ndihma popullit, fshehurazi u dërgonte ushqim Shytit e kaçakëve në male. Dikush për këtë e kishte lajmëruar UDB-në. Kishin ardhur tre veta që gjoja kishin ikur prej Ushtrisë Jugosllave dhe kinse po dëshironin të bashkoheshin me Shytin. Ata qëndronin në mal dhe Hafëzi u qonte ushqim atyre treve. Pas disa ditësh merr informatë se ishin të UDB-së. Hafëzi e kupton kurthin dhe tenton t’ia marrë armën rojës, por ishte vonë. Ata i ishin vërsulur dhe e kishin rrëzuar për tokë. Maltretime të shumta i bënë, derisa po e dërgonin për Prishtinë...
Aktakuzën e kishte “Për bashkim, demokraci, për flamur dhe bashkim me Shqipërinë”.
Hafëz Rizahu me Isuf Visokën njiheshin edhe më herët, por u ritakuan në burg. Isufi është liruar më 29 nëntor 1959, kjo nënkupton se edhe Hafëzi është liruar në këtë kohë, apo një vit më vonë. Ngase dokumente nuk kemi gjetur ende...
Kur është kthyer në Gërbesh nuk kishte ku të rrinte, shkonte nëpër oda të fshatit, herë te Sinani herë te Tafa, por spiunët e përcillnin. Pastaj shkonte edhe nëpër nipa e mbesa nëpër fshatrat përreth dhe në Prishtinë. I duhej të lajmërohej në postbllokun policor në Bostan Komuna e Novobërdës.
Jeta e vështirë dhe burgosja në Shqipëri
Këta tre: Hafëzi, Isufi dhe Zeqiri kanë dalë në Shqipëri në qershor të vitit 1963. Në Korçë kanë punuar në Kooperativë, apo kanë punuar tokën.
Edhe dy deklarata, njëra nga Zymberi, i afërt i Hafëzit dhe nga Jetullah Gashi, i cili ishte arratisur me vonë në Shqipëri, sqarojnë se fillimisht ata kanë qëndruar në Korçë. Ka qëndruar në Korçë 4-5 vjet derisa është kthyer në Elbasan, ku i kanë dhënë banesë. Jetullahi rrëfente: “Hafëzi ishte në shtëpinë tonë diku në fillim të vitin 60 pas daljes nga burgu i Nishit. Kishte ardhë me i tregu babës për vëllain e tij, Qerkin Gashin, që e kishte takuar në Nish. Ka bujtur aty dhe pas mëngjesit Hafëzi ka shkuar për Marec. Baba Halit dhe unë e kemi përcjellë deri në Llajshevc, aty e ka pas një bijë të Gërbeshëve.” Rrëfimi i tij afërsisht është i njëjtë, kanë shkuar në Prishtinë, pastaj Fushë Kosovë dhe me tren për Shkup në fund të qershorit të vitit 1963. Por kosovarët kanë bërë jetë të vështirë si “cergashë”. I kishin shkruar letër Enver Hoxhës, duke kërkuar shpjegime se pse nuk po i trajtonin si duhet. Dhe gradualisht ua kishin rregulluar kushtet. Por më vonë i kanë burgosur edhe për fe, ngase këta e kanë dashur fenë.” Po më brengos që nuk kemi mujtë me bë gjë për ta. Kështu shprehet Ruzhdiu, djali i Isuf Visokës.
Në Korçë na kanë vendosur përball pallatit të kulturës “Kelmendi”. Pas dy ditësh më kanë quar në fermën e Maliqit, në Ballsh, ku i takova Riza Gërbeshin, Isuf Visokën dhe Zeqir Rashicën.
Këtë e vërteton edhe Aktvendimi “ N’emër të popullit”, 07.06.1978, se si Trupi gjykues shqyrtoi çështjen e tre të pandehurve të arrestuar më 13.6.1977 në banesën e tyre në Elbasan.
1. Rizah Gërbeshi 1915. I lindur ne Marevockë (Viti i lindjes është 1910, emërtimi gabuar i Marecit - Sigurisht nga referimet e UDB-së) me origjinë shoqërore hoxhë me arsim të lartë fetar. Banor në lagjen “Luigj Gurakuqi” në Elbasan.
2. Jusuf Visoka i lindur në Prugovc 1917 dhe
3. Sherif Karina, i arrestuar më 17. XI. 1977, i lindur më 1929, nga Kavaja.
Kanë zhvilluar aktivitete armiqësore me qëllim për të dobësuar e minuar pushtetin popullor, krim ky i parashkruar nga neni 73/1.12 K. P. Ku marrin dënimin: Riza Gërbeshi me dhjetë vjet heqje lirie, Isuf Visoka me 7 vjet heqje lirie dhe Sherif Karina me 6 vjet heqje lirie. Siç shkruan në Aktvendim: “I pandehuri R. G dhe I. V në vitin 1973 mbi kërkesat e tyre, janë stabilizuar në qytetin e Elbasanit. Këtu ata së bashku edhe me të arrestuarin Jetullah Gashin dhe Zeqir Rashica e Sherif Karinen e kanë zgjeruar aktivitetin e tyre armiqësor.”
Një letër e kam siguruar në vitin 2016 nga Sinan Canolli (Zoti e Mëshiroftë), i cili ka shkuar në Elbasan dhe unë i kam treguar se mund ta takonte një hoxhë që ishte shoqëruar me Hafëzin ... Në letër shkruante:
I dashtuni si djalë Ruzhdi! Unë Rizahi gjallë jam he mos qofsha. Kam dëshirë që kjo letër me ju gjet shënosh e mirë e rehat. Ruzhdi banu burrë i fortë, Zoti ju dhashtë gajret se Isufi na diq. Ju e keni pas babë, por mue më ka vra në vendë....
Gjurmë të kontributit për shkencën islame
Në vitin 2014, në familjen Pllana, u takova me Petritin dhe shkova në Shqipëri, ku e mora dosjen e gjyqit dhe e vizitova varrin e tij. Me Ademin e Sefës me Haxhi Ramush Shaqirin dhe z. Metush Pllana kemi shkuar në Elbasan, ku kam bërë disa fotografi dhe ku e sigurova dosjen e gjyqit. Dy vite më vonë isha me disa nxënës për një vizitë në Elbasan dhe takova Petritin e Agimin të cilët më dhanë disa informata. Ishte shoqëruar me Qazim ef. Azizin, imam në Xhaminë e Kalasë dhe Mersin Duken, babanë e myftiut të Elbasanit, të cilëve u mbante mësime fetare dhe në vitin 1967, kur ndalohet feja, ai i vazhdon mësimet fshehtazi. Ishte njohës i gjuhës arabe, turke por edhe gjuhëve të tjera. Kishte shkruar fjalorë turqisht, gjermanisht, arabisht në shqip. Por edhe komentim të Kuranit. Më 3 janar 2020 e vizitova hoxhë Qazimin dhe mora disa shënime shumë interesante e me vlerë për shkencën islame...
Burimet dhe literatura:
1. Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idriz Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 1941 1951) Prishtinë, 1995,
2. Sabri Bajgora, Barbaria serbe ndaj monumenteve islame në Kosovë (shkurt’98 - qershor ’99) Prishtinë, 2000,
3. Naim ef. Tërnava, Ligjërime për Fe e Atdhe 2, Prishtinë, 2015,
4. Dr. Feti Mehdiu, Hafizët tanë gjatë historisë, Leksikon (Shek. XVIII-2010) Prishtinë, 2010,
5. Dr. Jashar Rexhepagiq, Shkollat dhe arsimi në Kosovë nga fundi i shek. XVIII gjer më 1918, “Kosova” 1, Prishtinë
6. Edukata Islame, Revistë shkencore, kulturore islame, nr. 89, Prishtinë, 2009. Intervistat:
1. Zymber Gërbeshi, i afërt i Hafëz Rizahut Intervistë..Rashica, nipi i Zeqir Rashicës, Prishtinë, 2020. Haxhi Azem Beqir Dragusha, Prugovc.14.1.2020. Jetullah Gashi, Prishtinë, 2018. Ruzhdi Visoka, Djali i Isuf Visokës 14.2.2020 Prugovc. 1. Dr. Feti Mehdiu, Hafizët tanë gjatë historisë, Leksikon(Shek XVIII-2010), Prishtinë, 2010, f. 113. 2. Dr.Muhamet Pirraku, Mulls Idriz Gjilani, e cit., f. 36. 3. Dr. Feti Mehdiu,Hafizët tanë gjatë historisë, e cit., f. 113.
Ma. Sc. Refik Gërbeshi