Hafiz Mustafa Doraci (1894-1972)

Lindi në Tiranë në vitin 1894 në një familje me tradita patriotike e fetare. I ati i tij Hafiz Haxhi Mehmeti e dërgon që në moshën 7 vjeçare në Stamboll te djali më i madh, për të vazhduar studimet e plota.
Vitet që kaloi në Stamboll ishin nga më të rëndësishmet në formimin e tij kulturorfetar si dhe dashurinë për atdheun. Larg atdheut përjetoi shpalljen e pavarësisë së vendit më 28 nëntor 1912, Luftën e Parë Botërore 1914-1918.
Ish kryetari i Komunitetit Mysliman, Hafiz Musa Basha, bashkëkohës i studimeve me Hafiz Mustafa Doracin në Stamboll tregon: “Hafiz Mustafa Doraci ka qenë nxënës i shkëlqyer e mori titullin “Hafiz”, dhe ka shërbyer në xhamitë kryesore të Turqisë si: Sulltan Fatihut, Sulltan Selimit, Mahmut Pashës e Haxhi Pashës.”
Në vitin 1923 në Shqipëri ndodhën ngjarje të reja. Kongresi Islam Shqiptar zhvilloi punimet, të cilat çuan në pavarësinë nga Stambolli.
Shaban Sinani në gazetën “Drita Islame” Nr. 17 datë 14.09.1998 shkruan: “Kongresi u zhvillua me lejen e autoriteteve shtetërore dhe nën kujdesin e gjyqit të lartë të sheriatit vendas. Të 36 delegatët e Kongresit që përfaqësonin prefekturat dhe nënprefekturat e Shqipërisë kërkohej që të ishin myslimanë të devotshëm shqiptarë dhe të zotëronin mirë gjuhën shqipe në të folur e në të shkruar”.
Punimet e Kongresit i drejtoi dijetari i mirënjohur Haxhi Vehbi Dibra (Agolli), u shkëputën lidhjet me Shejhul-Islamin e Turqisë dhe menjëherë Hafiz Mustafa Doraci kthehet në Shqipëri.
Më datë 10.01.1925 emërohet imam në xhaminë e Met Fires. Në dekretin e emërimit (Beraet) thuhet: “Pra, ju porosisim që të vazhdoni rregullisht në detyrën e shenjtë që ju është ngarkuar dhe të jeni larg prej atyre sendeve të liga që ju ndalon sheriati, të silleni mirë, me veti të bukura që na urdhëron Pejgamberi Alejhis-Selam, dhe ta dini se përndryshe kjo detyrë ju hiqet e i jepet atij që e meriton. Shpëtimi e lumturia në të dy jetët, qoftë mbi ata që veprojnë e gjenden gjithmonë në rrugë të Zotit”.
Në detyrën e imamit fitoi zemrat e besimtarëve. Me sjelljen e diturinë e tij, veçanërisht në këndimin e Kur’anit me ndjenjë të thellë, bukur e saktë, prekte thellë shpirtrat e dëgjuesve.
Në vitin 1927 emërohet mësues Kur’ani në Medresenë e Tiranës. Por, në vitin 1928 i ngarkojnë dhe detyrën e Hatibit në xhaminë e Met Fires siç thuhet: “Zotnisë Hafiz Mustafa Doraci në Tiranë. Pas propozimit të zyrës së Vakëfit Tiranë unë, Kryetar i Këshillit të Naltë të Sheriatit, e ju mbështes propozimit me Nr. 44/1 datë 02.05.1928 të zyrës së sheriatit në Tiranë, Dekretoj emërimin e Zotnisë tuaj edhe si Hatib në xhaminë e Met Fires”.
Hafiz Doraci ishte teologu më i ngarkuar me detyra fetare, veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit dy herë në ditë bënte mukabele në xhamitë e Et’hem Beut dhe Stërmasit siç konfirmohet në “Zani i Naltë” Nr. 10-11, 1938, f. 350-351.
Me ardhjen e pushtetit komunist në vitin 1944 Medreseja e Tiranës vazhdon por me një program më të shkurtuar.
Në vitin 1956 Kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar shpall dekretin me Nr. 30 ku thuhej: “Zotit Hafiz Mustafa Doraci. Me vendim Nr. 55 datë 23.05.1956 të Këshillit të përhershëm të Komunitetit Mysliman, dekreton emërimin tuaj mësues Kur’ani dhe imam në xhaminë e Met Fires”.
Në librezën e punës së tij, faqe 6 thuhet: “Shënime mbi fillimin, transferimin dhe ndërprerjen e marrëdhënieve në punë të nënshkruar nga data 01.06.1936 deri më 01.09.1964 Nr. 35 regjistri themeltar.
Vazhdoi të dy detyrat me devotshmëri, por lufta radikale e pushtetit komunist kundër fesë në vitin 1967 bëri që të shkatërrohen të gjitha institucionet fetare dhe me një komunikim të Komunitetit Mysliman të datës 18.02.1967 njoftohej vendimi në të cilin thuhej që: “Klerikët të mos vishnin uniformën fetare. Ata ndaloheshin kategorikisht të kryenin shërbesa fetare në xhami apo shtëpi, thirrjen e ezanit në minare ditën e xhuma”.
Hafiz Doraci mbeti i mbyllur në shtëpi, i brengosur thellë në shpirt kur përpara syve ia shembën minaren e xhamisë. E thirrën të flasë kundër fesë, por nuk pranoi, madje e kërcënuan me burg e sërish nuk pranoi, ia ndaluan pensionin që merrte e në varfëri jetoi derisa ndërroi jetë në vitin 1972.
Hafiz Mustafa Doraci mbetet një ndër figurat më në zë të Hafizit, imamit, predikuesit, pedagogut, që edukoi breza të tërë besimtarësh e nxënësish.



Mexhid Yvejsi
Revista Drita Islame
Maj 2022


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?