Kodi islam i mirësjelljes në telefon dhe në mediat sociale


Hyrje

Në kohën tonë bashkëkohore, pothuajse nuk ka shtëpi që nuk ka telefon, qoftë me rrjet tokësor qoftë mobil dhe që nuk ka qasje në rrjetin internetit. Këto mjete të komunikimit janë një prej mirësive dhe begative të Allahut, që ia ka mundësuar njeriut t'i ketë në përdorim, si dhe se luajnë një rol shumë të madh në komunikimin e njerëzimit mes vete, duke kursyer kohën, angazhimin dhe aspektin material. Kjo begati që ne e shfrytëzojmë ka rregullat e mirësjelljes me të.

Disa nga rregullat bazë që kanë të bëjnë me përdorimin e telefonit:

- Të kihet kujdes për orarin e thirrjes:
Ai që thërret duhet të jetë i kujdesshëm se në cilën kohë po e realizon thirrjen, pra duhet që të mos thërras në orët shumë të hershme e as në orët e vona. Telefonatat janë të ngjashme me rregullat e vizitës, pra duhet zgjedhur kohën për thirrje, ashtu siç e zgjedh kohën për vizitë.

- Moderimi në tonet e thirrjes:
Ajo se sa herë duhet të bëjmë thirrje në telefon, është e ngjashme me rregullat e kërkimit të lejes për të hyrë në shtëpinë e tjetrit. Sipas sunetit të Pejgamberit a.s., duhet trokitur tri herë në derë për të marrë leje për të hyrë, përndryshe duhet të kthehemi pa kurrfarë hidhërimi. Andaj edhe në rastin e thirrjes, duhet të mos e teprojmë numrin e të cingëruarit, duke e ndalur thirrjen pas tri cingërimave. Ky rregull nuk vlen në raste të jashtëzakonshme.

- Të filluarit e bisedës me selam:
Prej sunetit të Pejgamberit a.s. është që para bisedës të fillohet me selam. Transmetohet nga Xhabir bin Abdilahi r.a., se i Dërguari a.s. ka thënë: "Të jepet selam para bisedës.”(1) Po ashtu duhet përmbyllur bisedën me selam, e assesi me forma të tjera. Ky rregull vlen kur flasim me atë që është mysliman, ndërsa me të tjerët përdorim format e zakonshme.

- Të mos zgjatet biseda shumë nëse nuk ka nevojë:
Myslimani nuk duhet të veprojë asgjë kot dhe nuk flet për atë që nuk ka dobi, kështu që, një person duhet të shmangë të folurit shumë në telefon. Allahu i Lartësuar ka thënë: "(Besimtarët janë ata) të cilët shmangen nga fjalët e kota." (El Muminune, 3).
Duhet pasur kujdes që të mos përgojojmë (gibet) dhe që të mos zgjasë biseda gjatë, gjë që ndodh të zgjasë edhe me orë të tëra. Ne si myslimanë, feja na urdhëron që të jemi të kujdesshëm edhe në aspektin e shpenzimit, në mënyrë të kotë në çdo aspekt të jetës. Në fenë islame konsiderohet vepër e urryer të folurit e kotë, duke folur se kështu e kështu po thuhet e të ngjashme. I Dërguari i Allahut, a.s. ndalonte thashethemet, shpërdorimin e parave, pyetjet e shtumta.(2)

- Vendosja e receptorit të telefonit tokësor me qetësi:
Duhet pasur kujdes kur ta vendosim receptorin e telefonit pas kryerjes së bisedës. Ta vendosim me qetësi e jo me forcë vetëm e vetëm që tjetri të mos mendoj se ka ndodhur diçka jo e mirë.

- Të mbyllet telefoni kur të hyhet në xhami:
Prej edukatës së hyrjes në xhami është që të mbyllet telefoni ose të vendoset në statusin e heshtjes, me të vetmin qëllim që të mos i pengojë ata që do të falen ne xhami apo edhe të mos bëhet shkaktar qe dikush ta prish namazin. Kur ndodh që dikush e harron telefonin me zë të hapur dhe i cingëron brenda namazit, atij i lejohet disi ta ndalë.

- Duhet të largohemi prej atij që është duke folur në telefon me qëllim që të mos e dëgjojmë tjetrin duke folur:
Është pjesë e mirësisë së Islamit të një personi që të ndalojë përgjimin e të tjerëve dhe nuk ka dyshim se një veprim i tillë është i refuzuar dhe i urryer. Pejgamberi a.s. e ka ndaluar një veprim të tillë, duke thënë: "Nëse dikush i dëgjon bisedat e njerëzve të tjerë kur ata përpiqen t'i shmangen atij, në Ditën e Kiametit do t'i derdhet plumbi në vesh."(3)

- Të folurit me zë të moderuar:
Sa e bukur është moderimi në jetën tonë, në adhurimin, sjelljen, transaksionet, ndjenjat dhe fjalët tona! Nuk ka as teprim, as neglizhencë dhe moderimi është një nga karakteristikat e ymetit tonë. Mu për këtë Allahu i Lartësuar ka thënë: "Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd..." (Llukrnan, 19).
Duhet të kihet kujdes qoftë nga ana e mashkullit apo e femrës që të mos folët me zë të lartë në vendet publike dhe në mjete e transportit.

- Assesi të mos përdoret telefoni i tjetrit, pos me lejen e tij:
Nuk është nga morali i një myslimani të përdorë gjërat e të tjerëve pa lejen e tij. Ndalohet që njeriu ta marrë telefonin e shokut ose vëllait të tij, ndalohet që ta hap atë dhe të shikon se çfarë ka në të, ngase në të ka gjëra personale vetëm të pronarit, që nuk lejohet dikush tjetër të ketë qasje.
Kujdes! Kur ndodh që të gjeni telefonin e tjetrit, assesi mos tentoni të shfletoni atë që ka në brendësi, se është vepër e ndaluar rreptësishtë sipas Islamit dhe më pastaj pasojnë dënimet nga ana e Allahut xh.sh.. Të shfletosh telefonin e tjetrit është sikur të hysh në gjërat private e sekrete të tij, e që një veprim i tillë është haram dhe i dënueshëm sipas të drejtës islame dhe veprim shumë i ultë në mesin e shoqërisë.

- Të mos mburremi me telefonin:
Kjo sjellje nuk është e përshtatshme për një mysliman, si p.sh. mburrja me telefonin e tij para kolegëve të tij, ose dikujt që pëlqen të tërheqë vëmendjen, ose të bëjë thirrje false para njerëzve në mënyrë të rreme, vetëm e vetëm që të reklamohet se ka telefon të shtrenjtë apo të veçante.

- Kujdes nga regjistrimi i bisedave:
Nëse një thirrje është regjistruar pa lejen e palës tjetër, atëherë kjo konsiderohet si çështje mashtrimi dhe mos mbajtje amanetesh.
Allahu i Lartësuar na ka ndaluar në formë të prere qe tradhtojmë amanetin që e kemi ndaj Allahut, të Dërguarit të Tij dhe gjithë besimtarëve.
Allahu i Lartësuar ka thënë: "O besimtarë mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet që i keni mes jush me vetëdije" (El Enfal, 27).
Pejgamberi a.s. ka thënë: "Mysliman është ai që nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt njerëzit, dhe besimtar është ai prej të cilit janë të sigurta jeta dhe pasuria e njerëzve."(4)

- Të sigurohemi që e kemi fikur-mbyllur telefonin në tubime dhe takime:
Të cingëruarit e telefonit u shkakton pakënaqësi-neveritje të pranishmëve, nuk është e përshtatshme që të lihet të cingërojë telefoni apo të zbavitet me të duke luajtur kot me të dhe më shumë se kaq, është gabim i rënd që dikush në tubime t'i përgjigjet telefonatës, ngase një veprim i tillë vije në kundërshtim me rregullat e tubimit. Kur ndodh që është e domosdoshme përgjigja në telefonat, duhet marrë leje atyre që janë të pranishëm.

Shënim: Të preokupuarit me telefon duke i injoruar ata që janë prezent në tubime është vepër e ndaluar.
Ibën Abasi r.a., tha se i Dërguari i Zotit mori një unazë, por kur e vendosi, tha: "Kjo më ka larguar nga ju; që sot po i hedh një sy asaj dhe po ju hedh një sy juve:' Më pas e hodhi unazën.
Prej edukatës së Pejgamberit a.s. është që në tubime t'i kushtohet rëndësi atyre qe janë prezent e jo të preokupohemi me diçka tjetër siç është telefoni. E veçanërisht duhet pasur kujdes kur i ke prezent prindërit, të mos preokupohesh me telefonin.

Ndërsa sa u përket rrjeteve sociale, siç janë: Facebooku, Whatssapi, Twiteri, Viberi etj., janë këto rregulla:

- Duhet vërtetuar atë që është publikuar:
Secili duhet pasur kujdes në atë se çfarë po publikon. Thënë më qartë, duhet pasur kujdes kur publikon f.v. ndonjë hadith të Pejgamberit a.s., që mund të jetë hadith i trilluar e të ngjashëm.

- Duhet shmangur nga llogaritë e rreme:
Disa të rinj mund të përdorin llogari të rreme dhe mund të krijojnë një llogari që tërheq miqësitë, korrespondencat dhe telefonatat e vajzave dhe mashtrime të tjera.

- Mos humbja e kohës:
Disa mund t'u dorëzohen këtyre mjeteve të komunikimit, ndaj i dorëzohen kohës dhe e zvarritin deri sa të kalojë një orë ose dy orë, ose ndoshta e gjithë dita, duke lënë një gjë dhe duke hyrë në një tjetër.

- Kujdesuni të publikoni atë që u sjell dobi të tjerëve:
Nëse çdo përdorues i Facebook-ut dhe WhatsAppit do të kishte si synim nga ajo që publikon përfitimin e të tjerëve, atëherë sigurisht se nuk do të kishim kaq shumë gjëra të pavlefshme e të kota.

- Moderimi në postime:
Ajo që shkakton mërzinë është kur gjen dikë që publikon dhe shpërndan më shumë se një postim, dhe rezultati tjetër është se ai nuk pranon asnjë postim prej të tjerëve. Mjafton të bësh një postim ose dy më së shumti.

- Mos shtimi i të huajve - të panjohurve në listën e shoqërisë:
Mos pranoni të shtoni të huaj në një grup të ri, ose të bëni "tag" atë, ose të shpërndani një postim, përveçse me lejen e atij që ka postuar.

- Kujdes nga shfrytëzimi i rrjeteve të internetit - WIFI-së nga të tjerët, pos me lejen e tyre:
Ky veprim pa leje konsiderohet vepër e ndaluar dhe cenim në pasurinë e tjetrit.

- Bëhu çelës i së mirës dhe mbyllës ndaj së keqes:
Përdoruesi nuk duhet të marrë pjesë në përhapjen e veseve të ulëta, as të ndihmojë në përhapjen e lajmeve të rreme. Pra, duhet të jetë gjithmonë çelës i veprave të mira dhe të jetë i atillë që verifikon çdo lajm që i vije. Mu për këtë, Allahu i Lartësuar ka thënë: "O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë." (El Huxhurat, 6).

- Mos e shfleto postën elektronike të tjetrit:
Nëse e has postën elektronike të dikujt që ka mbetur e hapur, mbylle dhe assesi mos tento të gjurmosh në të, ngase ky veprim është në kundërshtim me parimet e të drejtës islame. M’u për këtë, Pejgamberi a.s. ka thënë: "Mos jini kureshtarë për çështjet e njëri-tjetrit.”(5)

Përfundim

Besimtari është përgjegjës për atë se si vepron në jetën e tij dhe se si sillet me të tjerët. Prandaj, në aspektin e përdorimit të mjeteve të komunikimit, duhet të jetë shumë i kujdesshëm, se një pakujdesi mund të shkaktoj probleme dhe telashe te vetvetja dhe shoqëria. Shfrytëzimi i begative të Allahut të Madhërishëm bëhet duke i respektuar parimet dhe rregullat e përcaktuara nga e drejta islame me qëllimin e vetëm që të mos bëhet ndonjë veprim i palejuar. Andaj neve si besimtarë myslimanë na mbetet obligim që në shfrytëzimin e mirësive, në rastin konkret mjeteve të komunikimit, duhet të jemi shumë syhapur që me përdorimin e tyre të mos bëjmë veprime që e hidhërojnë Allahun e Madhërishëm dhe që u shkaktojnë telashe njerëzve.


_________________
1. Transmeton El Buhariu, hadithi nr. 2125.
2. El Buhariu dhe Muslimi
3. Ebu Davudi, hadithi nr. 5024.
4. Transmeton En Nesaiu, hadithi nr. 4945.
5. Trandmeton Muslimi, hadithi nr. 2563.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi