Abstrakt
Në këtë studim hyrës shqyrtohet koncepti i disiplinës “Qëllimet e Sheriatit” dhe sigurohen disa përkufizime themelore për këtë fushë të jurisprudencës islame. Kjo është bërë duke hulumtuar kuptimet e çdo nocioni me ndikim në ndërtimin e perceptimit për këtë lëmi, duke reflektuar fillimisht për kuptimet etimologjike të nocioneve, për t’u thelluar më pas në zanafillën dhe objektin e kësaj lëmie, për të arritur deri te përkufizimi terminologjik dhe në fund radhitja e gjetjeve përfundimtare të këtij punimi.
Fjalët kyçe: Qëllim, interes, ligj, sheriat, jurisprudencë islame, filozofi e së drejtës sheriatike, jurisprudencë e interesave.
Nëse shikojmë kuptimin e nocionit nga aspekti leksikor, mund të thuhet se “Mekasidush-Sheria” quajmë “Qëllimet e Sheriatit”, mirëpo është më se e qartë se një përkufizim i këtillë nuk është i mjaftueshëm nga aspekti përmbajtësor sepse në këtë mënyrë nuk bëjmë asgjë tjetër veçse përkthejmë domëthënien fillestare të emrit nga gjuha arabe në gjuhën shqipe, pa thënë asgjë për zanafillën e nocionit ose për kuptimin terminologjik që mban ai sot. Prandaj, është e nevojshme të sqarojmë në vijim zanafillën e përdorimit të këtij termi dhe subjektin e lëndës, para se të kalojmë te përkufizimet terminologjike që janë dhënë për të.
4. Zanafilla e lëndës
Shkenca juridike islame paraqet një sistem kompleks që grumbullon një varg disiplinash të veçanta, por të ndërvarura, që përbëjnë një tërësi shkencore. E, për të kuptuar sa më mirë zanafillën e lëmisë ‘El-Mekasid’, do ta shqyrtojmë atë në dy kontekste: a) përmbajtësor dhe b) historik.
Në kontekstin përmbajtësor rrjedha e kësaj teorie ka burimin te “ligji i arsyes së mjaftueshme(1)”, logjika e të cilit që në fillim na ndihmon të konstatojmë se duhet të ekzistojnë arsye për ligjin sikurse ka arsye për veprimet njerëzore, të cilat janë subjekt i dispozitave ligjore. Pra, zanafilla e kësaj disipline gjendet te shqyrtimi i hershëm mbi konceptin e qëllimësisë së dipozitave (hikmetul-ahkam) në të drejtën islame dhe mbi mënyrat e gjetjes së arsyeve ligjore (ilelul-ahkam) prapa tyre. Kështu që vërtetimi i teorisë së qëllimësisë (el-mekasid) varet drejtpërdrejt nga vërtetimi paraprak i a) të qenurit e sheriatit një ligj që ka dispozita të justifikuara me kuptime të arsyeshme dhe se b) arsyetimet me të cilat justifikohen dispozitat e sheriatit janë në ndërlidhje me interesat e njeriut, jetësore dhe fetare.
I vetëdijshëm për këtë realitet, imam Shatibiu ndjeu nevojën ta fillonte kapitullin el-mekasid me një premisë teologjike, të pakundërshtueshme sipas tij, se ligjet (e shpallura) janë vënë me qëllim për t’u shërbyer interesave të njeriut, në këtë jetë dhe tjetrën në të njëjtën kohë(2). Sepse çdo detyrë ligjore e sheriatit është vënë për të parandaluar ndonjë lloj dëmi ose për të arritur dobi, ose për të dyja së bashku(3).
Ky konstatim i tij u mbështetet në një lexim induktiv të Islamit, duke filluar nga më të përgjithshmet e deri te detajet ligjore, të cilat në Kuranin fisnik gjejmë se janë tekstualisht të arsyetuara me përfitime të caktuara.
a) Nga arsyetimet e përgjithshme të fesë mund të përmendim disa:
i. Arsyeja e krijimit të njerëzve është adhurimi i Zotit me vepërmirësi. Zoti thotë në Kuran: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë”(4).“Është Ai që ka krijuar qiejt dhe tokën për gjashtë ditë, teksa Arshi i Tij ndodhej mbi ujë, për t’ju vënë në provë kush është më i mirë në vepra.”(5) “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë”(6).
ii. Arsyeja pse njerëzit e kanë të natyrshëm besimin te Zoti i referohet metafizikisht rastit: “Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, u tha: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je.” Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur. Ose që të mos thoni: “Me të vërtetë, etërit tanë ishin idhujtarë para nesh, kështu që edhe ne jemi pasardhësit e tyre. A mos vallë do të na shkatërrosh për veprat e atyre që ndoqën mashtrimin?”(7)
iii. Në qoftë se natyra e njeriut e pranon vetvetiu besimin te Zoti, në pyetjen: Arsyeja pse u dashka të dërgohen Profetë që të flasin prapë për të, me dy fjalë është: harresa (nisjan) dhe shpërfillja (gafleti). Zoti thotë: “Dhe Ne bëmë më përpara një marrëveshje me Ademin, po ai harroi dhe Ne nuk gjetëm qëndrueshmëri te ai”. Si rrjedhojë kemi çuar “të Dërguar që kanë sjellë lajme të mira e kanë paralajmëruar, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut, pas ardhjes së të Dërguarve”(8), se nuk u është kujtuar. Për të përfillur njerëzoren brenda njeriut, Profeti alejhi selam është dërguar me udhëzime mëshire që duhet të ndiqen: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse mëshirë për botët”(9).
b) Arsyetimet për detaje të ndryshme ligjore janë shumë më tepër se të përmenden këtu, por mund të veçojmë prej tyre vetëm disa, si ilustrim për të tërhequr vëmendjen kah kjo e vërtetë, për shembull:
i. Arsyeja e abdestit është se “Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.”(10)
ii. Arsyeja e namazit është se “të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar.”(11)
iii. Arsyeja e agjërimit është “që të mund të jeni të devotshëm (të përkushtuar për të bërë mirë dhe të ruheni nga të këqijat).”(12)
iv. Arsyeja e xhihadit është se “atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi.”(13)
v. Arsyeja e kisasit-parimi i barazisë në ndëshkim në raste të mosfaljes është se “në ligjin e barazisë në ndëshkim ka siguri për jetën tuaj, o mendarë, në mënyrë që ju të përmbaheni!”(14)
Si një aksiomë e padiskutueshme që është kjo pikënisje, sipas Shatibiut ajo nuk mundet dhe as që ka nevojë të argumentohet, por mjafton të zgjojmë vëmendjen për këtë fakt me disa citate të lartpërmendura kuranore. Dhe, kjo premisë, me që është e vërtetë, vlen për tërë ligjin(15).
Në kontekstin historik, ‘qëllimet e sheriatit’ nisin të vërehen e të identifikohen që nga koha e zbulesës së Kuranit fisnik, kur edhe jetësohej nga vetë i Dërguari i Zotit alejhi salatu ve selam, që më pas u përpoqën të ndjekin traditën e tij edhe kalifët e drejtë.
Termi mekasid përdoret në të menduarit ligjor islam për t'iu referuar qëllimeve ose objektivave madhore të ligjërimit juridik në shpalljen e Zotit. Studiuesit, pas një hulumtimi, nuk kanë gjetur dëshmi që pohojnë se ky term është përdorur me këtë kuptim të sotshëm nga juristët e shekujve të parë. Megjithëse, vërehet nga trashëgimia që kanë lënë prapa se koncepti ishte i qartë në mendjen e tyre, saqë punonin sipas tij pa e menduar gjatë. Vlera e dijetarëve të mëvonshëm qëndron në atë se e shkoqitën si temë në libra të veçantë dhe e studiuan si lëmi të posaçme të sheriatit.
Si një ide juridike(16), nocioni el-mekasid u zhvillua midis shekujve të njëmbëdhjetë dhe katërmbëdhjetë të erës sonë, në një periudhë kur mendimi ligjor islam vazhdoi të mbetet më krijuesi i kohës. Gjatë kësaj kohe ideja u përdor nga një numër juristësh për të identifikuar një numër qëllimesh themelore ose thënë ndryshe, një listë të të drejtave themelore të njeriut.
Edhe pse shumë struktura mendimesh dhe qëndrimesh nga fusha e studimit të saj ishin zhvilluar gjatë shekujsh të tërë pune të dijetarëve, tematika e arsyeve dhe e urtësive të sheriatit filloi të jepte fryte në shekullin e pestë pas hixhretit, që korrespondon me shekullin e njëmbëdhjetë pas Isait alejhi selam. Në këtë kohë u shfaq i formuluar mirë koncepti i pesë themeloreve, ‘pesë domosdoshmërive’, për mbrojtjen e të cilave janë shpallur revelatat dhe janë vënë ligjet, e që janë: e drejta e jetës, e fesë, e intelektit, e pasardhësit dhe e pronës. Gazaliu përfitoi nga Xhuvejni dhe i sistemoi këto të drejta si pesë objektivat më të larta të ligjit. Pas tij ka patur përpjekje të shtohen edhe të tjera, për shembull Karafi shtoi si qëllim të gjashtë të drejtën e nderit (irzit) ose dinjitetin (kerametit) dhe ka disa dijetarë bashkëkohorë që shtuan edhe qëllime të reja, si liria, drejtësia e të tjera. Mirëpo, ka mbetur e fuqishme thirrja se gjithçka që shtohet është veçse nëndegë e njërës nga ‘pesë të domosdoshmet’.
Këto domosdoshmëri dijetari i njohur Izzuddin bin Abdusselam i quajti “interesa” (el-mesalih) në librin e tij: “Maksimat e dispozitave në interes të njerëzve” (Kavaidul-ahkam fi mesailil-enam). Ky jurist me famë me të drejtë mund të konsiderohet si themeluesi i asaj që sot quhet ‘jurisprudencë e interesave’, sepse deri në këtë kohë ‘interesat’ (mesalih) shiheshin nga disa shkolla juridike si argument juridik i kontestuar ose periferik.
I pari që e veçoi el-mekasid si koncept në një studim gjithëpërfshirës si teori juridike të plotësuar dhe e mbrojti si tezë në mënyrë argumentative në shekullin e tetë hixhri ishte juristi i mirënjohur nga Andaluzia, imami i ndritur Shatibiu(17). Kapitullin e dytë të librit “Përputhjet në Bazat e Sheriatit” (El-Muvafekat fi Usulish-Sheria)(18) ai e titulloi El-Mekasid, ku formuloi teorinë e “qëllimeve”, e shtjelloi gjerësisht dhe të lidhur ngushtë me interesat jetësore e fetare, në një vëllim të tërë dhe si asnjëherë më parë. Në këtë libër ai i dha subjektit karakterin e ekstrapolimit e të gjithëpërfshirjes dhe e ndërlidhi me disiplinat e tjera të së drejtës islame.
Kjo disiplinë e themeluar nga Shatibiu fillimisht nuk arriti të përhapet e as t’i afirmonte dot pikëpamjet e saj si disiplinë e veçantë juridike. Pionierët që e përkrahën dhe e zhvilluan atë filluan të dilnin në fillim të shekullit XX, në kohën kur shoqëritë myslimane ndienin nevojën të gjenin përgjigje për ndryshimet rrënjësore që pësonin në rrafshin politik dhe për idetë e reja me prejardhje nga jashtë, që po ndërronin mënyrën e jetesës së njerëzve edhe në aspektin kulturor. “Gjatë mëkëmbjes prej një periudhe rënieje, bota islame po e shihte të vështirë t’i harmonizonte dispozitat e fesë me realitetet e jetës moderne dhe libri “El-Muvafekat” i Shatibiut u provua të jetë një strehë dhe burim këshille autoritare (për të përballuar këtë sfidë)”(19). Nga më të shquarit dhe ndër të parët prej bashkëkohorëve që inspiruan të tjerët të interesoheshin për këtë lëmi është dijetari egjiptian Muhamed Abduhu me nxënësit e tij, sidomos Abdullah Dirazi, i cili përpiloi një Hashije (sqarim i shkurtër)(20) për librin e Shatibiut. Ndërkohë që dy dijetarë të tjerë, marokeni Al-lal el-Fasi dhe tuniziani Ibën Ashuri, shkruan secili prej tyre nga një libër mbi këtë lëmi.
Në dekadat e fundit disa mendimtarë islamë kanë përdorur el-mekasid si një teori e cila mund të angazhohet drejtpërsëdrejti me idenë e të drejtave të njeriut. Dijetarët myslimanë, si Reshid Rida dhe Ibni Ashuri, kanë propozuar që “Qëllimet e Sheriatit” të zgjerohen për të mbuluar çështje të tjera themelore, të tilla si barazia, liria dhe dinjiteti. Sot, në Mbretërinë e Bashkuar ky proces vazhdon nëpërmjet punës së mendimtarëve të tillë si Xhasir Aude(21), i cili në tezën e doktoratës e vendosi këtë koncept në qendër të përpjekjeve të tij për të ngritur pozitën e të menduarit ligjor islam në shoqërinë moderne.
Me pak fjalë, zhvillimi i kësaj lëmie juridike kaloi nëpër katër faza:
a) Themelimi teorik fillestar; me pionierët e hershëm si Hakim Tirmidhiu (vdiq 320 hixhri), Ahmed Belhiu (vdiq 322h), Kaffal Shashi-i madhi-(vdiq 365h), El-Amiri (vdiq 381h), Bakil-lani (vdiq 403h), Xhuvejni (vdiq 478h), Gazali (vdiq 505h), Muhamed Buhari (vdiq 546h), Rrazi (vdiq 606h), Amidi (vdiq 631h) e të tjerë.
b) Kombinimi mes teorikes dhe praktikes; me juristët Izzuddin bin Abdusselami (vdiq 660 h), Karafi (vdiq 684h), Tufi (vdiq 716h), Ibën Tejmije (vdiq 728h), Ibnul Kajimi (vdiq 751h) e të tjerë.
c) Kompletimi teorik e metodik; me imam Shatibiun (vdiq 790 hixhri).
d) Zhvillimi modern; rifilloi me zell nga dijetarë si Muhamedtahir bin Ashuri, Al-lal El-Fasi dhe Abdullah Dirazi në gjysmën e shekullit të katërmbëdhjetë hixhri. Në mesin e kontribuesve me vlerë për këtë lëmi janë Ahmed Rejsuni, Abdullah bin Bejje dhe Abdulmexhid Nexhxhari. Përpjekje krijuese për ta rinovuar lëminë kanë dhënë: a) filozofi Taha Abdurrahman, në ndërlidhjen e qëllimeve me moralin; b) mendimtari Taha Alvani, në formulimin e qëllimeve më të larta: tevhidi (monoteizmi), tezkijje (edukimi) dhe imrani (zhvillimi); c) juristi Xhemaluddin Atijje, në funksionalizimin e qëllimeve duke shndërruar fokusimin nga ‘pesë domosdoshmëritë’ në ‘katër sferat’: individi, familja, ymeti dhe njerëzimi.
Me kohë kjo disiplinë është emancipuar nga metodologjia e sistemit juridik islam e njohur si shkenca e Usuli Fikhut dhe pothuajse është mëvetësuar si disiplinë e veçantë në kohën moderne nën emrin Mekasidush-Sheria (Qëllimet e Sheriatit). Dijetari tunizian Ibën Ashuri qe i pari i cili arsyetoi idenë e mëvetësimit të el-mekasid si disiplinë e veçantë dhe i pari profesor që e ligjëroi si lëndë në një universitet, në Universitetin e Zejtunit. Ndërkohë që ka të atillë si Xhemaluddin Atij-je, të cilët shprehin rezervat e tyre në lidhje me dobishmërinë e ndarjes së kësaj disipline nga Usuli Fikhu në këtë kohë, nga frika se mos dëmtohen nga ndarja e hershme të dyja. Madje, Abdullah bin Bejje i konsideron këto dy disiplina si një dhe të padobishme ndarjen nga njëra tjetra, sepse sipas tij përfitohet nga mekasidi në mbi njëzet çështje të usulit(22).
5. Objekti i studimit
Janë dy pyetje jetike për të cilat kërkohen përgjigje për të zhvilluar një filozofi të ligjit: a) Cili është qëllimi i ligjit? b) Çfarë është zbatimi i ligjit?
Një përgjigje i kushtohet pyetjes së parë dhe ajo sqaron se e drejta islame mbron dhe realizon interesat jetësore e fetare në mënyrë të ndërthortë, në të njëjtën kohë(23). Është një qasje me të cilën juristët (fukahatë) e konsiderojnë ligjin si të përcaktuar kryesisht të mbajë balancin midis interesave politike, ekonomike, morale, sociale dhe shpirtërore në shoqëri. Prandaj, në njëfarë mënyre, ata i shohin rregullat dhe vendimet ligjore si rrugë të fitimit të interesave dhe si kategorizim i disa prej tyre mbi të tjerat. Ndërkaq, zbatimi i ligjit mbase është një nga problemet politike më të rëndësishme që shoqëria bashkëkohore duhet të adresojë. Zbatimi i ligjit ekziston vetëm atëherë kur çdo akt kufizohet me ligj, përfshirë aktet e sovranit dhe agjentëve të tij. Kjo gjendje funksionon vetëm atëherë kur viktima ka të drejtën e padisë kundër pushtetit, kur ky abuzon me shtetin, dhe të jetë e mundur që të imponohet verdikti përfundimtar(24) . Por kush do ta bëjë imponimin? Qartësisht vetë sovrani. E sovrani është ai që mbetet të përcaktohet për të drejtën islame si sistem drejtësie, kur arrin të arsyetojë interesin publik që sjell përfillja e udhëzimeve të Zotit nga ana e ligjvënësve dhe monotoron zbatimin e verdikteve përfundimtare qofshin edhe kundër pushtetit. Për sigurimin e ligjshmërisë në një shtet si mekanizëm zbatohet ndarja e pushteteve, e nëse gjykata është njëmend e pavarur, ajo imponon ligjin nëpërmjet zbatuesve të tij.
Prandaj, kjo disiplinë hulumton çdo shpjegim të vlefshëm për pyetjen ‘pse’ vihet ligji, për çfarë qëllime? E, meqë ka shumë mënyra të të shpjeguarit të gjërave, duhet pranuar se ka kuptime të ndryshme për pyetjen ‘pse?’
- ‘Pse’ që kërkon qëllimin përfundimtar tërheqës. - ‘Pse’ që kërkon arsyen dhe urtësinë justifikuese.
- ‘Pse’ që kërkon shkakësinë, marrëdhënien shkak dhe pasojë. - ‘Pse’ që kërkon motivin shtytës.
Çështje këto me të cilat do të merret më vonë gjerësisht lëmia mekasid i kanë vënë re dhe shtruar qysh herët dijetarët e usuli fikhut, ndërkohë që ata shqyrtonin nocione me ngjashmëri me termin ‘mak- sid’, siç janë: 1) hikmeti - urtësia; 2) maslahati - interesi; 3) ileti - arsyeja, dhe; 4) sebebi - shkaku. Pra, që në kohët e hershme janë ngritur pyetje dhe problematika në mesin e kelamistëve dhe juristëve nën titullin e arsyeve ligjore (ilel) dhe urtësive të legjislacionit (hikem). Mirëpo, ato u zhvilluan kryesisht si një detajim brenda kapitullit të analogjisë (kijasit) ose përshtatshmërisë së dispozitave me interesin (munasebeti), derisa u provua se vetëm arsyet ligjore të analogjisë nuk janë të mjaftueshme, pasi kemi urdhëresa që justifikohen me urtësi, si për shembull thënia kuranore: “Fale namazin! Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar.”(25) Si pasojë, hulumtimi i jurisprudencës ka shkuar në dy drejtime: arsyetimi me ilel dhe justifikimi me qëllime përfundimtare Mekasid. Ky i fundit studion filozofinë dhe teorinë e përgjithshme ligjore, ndërkaq drejtimi i parë merret me detajet dhe hollësitë e rasteve praktike.
Kështu që kjo dituri studion dhe nëpërmjet saj kërkohet të dimë, tri gjëra të rëndësishme:
E para: Natyra e sheriatit që përfaqësohet në karakteristikat e tij. Studimi i tyre merr një rëndësi të veçantë në mes të rrethanave të tanishme, kur feja përjeton një rritje të nevojës së njerëzve për të, për të plotësuar personalitetin njerëzor. Dijetarët myslimanë vërejtën rëndësinë e kësaj teme qysh herët, prandaj edhe lanë vepra të shkruara nën tituj të tillë si: Bukuritë e Islamit (Mehasinul-islam); Tiparet e Islamit (Menakibul-islam); Virtytet e fesë (Fedailud-din). Ka pasur një përqendrim në këto përpilime në pesë karakteristika kryesore të fesë: njëshmëria (tevhidi), njerëzia (fitret), toleranca (semâha), barazia (musava’), lehtësimi (tejsîr), ndërnjohja mes njerëzve (teâruf) dhe kombinimi i interesave të kësaj bote me të botës tjetër (maslaha).
E dyta: Logjika e qëllimësisë përbrenda sheriatit, që t’i qasemi kuptimit të sheriatit me vetë logjikën e tij, që e veçon nga sistemet e tjera të drejtësisë. Kjo logjikë ndërlidh interesat jetësore me ato fetare, prandaj edhe krijon marrëdhënie mes moralit e ligjit dhe i lë të ndërvarura në një lloj marrëdhënieje shkakësie dispozitat ligjore me interesat njerëzore. Si pasojë, kjo lëmi mund të kuptohet edhe si “jurisprudencë e interesit”. Dhe si e tillë përfshin në studim “të gjitha gjërat që njeriu i mban të dashura dhe të gjitha idealet që udhëzojnë jetën e njeriut”(26).
E treta: Implikimet e qëllimeve në ixhtihad (intelektin ligjor). Për të hapur perspektivat për rinovimin e së drejtës islame, duke parë çështjet dhe problemet në dritën e interesave të myslimanëve, si për nga ndikimi i qëllimeve në nxjerrjen e dispozitave ligjore ashtu edhe për nga gjetja e mekanizmave që realizojnë interesat në jetën e njerëzve. Edhe pse teorikisht ka unanimitet të dijetarëve se ‘qëllimet’ kanë rëndësi të madhe në ‘ixhtihad’, praktikisht ato nuk janë trajtuar si të tilla sepse usuli, ‘bazat dhe metodologjitë e fikhut’, më tepër është shqetësuar me çështjet mbi konformitetin e fjalëpërfjalshëm të tekstit hyjnor sesa për ‘qëllimet e sheriatit’ dhe si e tillë nuk arriti të kufizojë divergjencat e panevojshme. Prandaj, lindi nevoja për ‘qëllimet’ si shkencë e cila mund të konsiderohet ‘bazë e vetë usulit’, ngase shqetësohet për filozofinë e ligjit, perspektivat dhe objektivat, e jo vetëm për formulimin e tekstit të tij specifik, dhe shqyrton argumentet e shkallës së prerë, që duhet të kufizojnë mosmarrëveshjet në masa minimale. Në këtë këndvështrim, sheriati nuk bën të shihet vetëm si një kompleks rregullash, urdhërimesh e ndalimesh, që i adresohen një mukelefi (individi të përgjegjshëm), por edhe si një sistem vlerash, ku rregulla specifike janë manifestime të prekshme të këtyre vlerave.
Pra, shkenca “Mekasidush-sheria” ka objekt studimi adresimin e qëllimeve të së drejtës islame, që vjen si rrjedhojë e natyrës së tij të përgjithshme të identifikuar në karakteristika të caktuara dhe hulumtimin e mekanizmave që mundësojnë realizimin e tyre në jetën e njerëzve. Mirëpo, për të arritur deri tek adresimi i qëllimeve në revelatë, disiplina zbaton teknika literale/gjuhësore të teorisë “Ed-Delalatë” dhe teknika të tjera racionale në subjektin ligj. Ndërkaq, për të bashkërenduar qëllimet e ligjit me ato të individit dhe shoqërisë disiplina përfiton nga teoria e motivimit njerëzor “El-Kusud”, për të çuar deri te përputhshmëria mes këtyre dy llojeve të qëllimeve, sepse zbatimi literal i normës ligjore të sheriatit, pa marrë në konsideratë qëllimin dhe as pasojat sociale që sjell, shpesh shoqërohet me padrejtësi dhe shkon kundër asaj që do të kishte dashur Ligjvënësi. Prandaj, dijetarët që përkufizuan qasjet të cilat çojnë në zbulimin e “Qëllimeve” nuk e lejuan veten të zihen rob të sipërfaqësores literale (dhahir) të çfarëdo teksti, sado madhështor të jetë, e as të subjektivizmit ideor (batin), përderisa konteksti ku ose kur është thënë dhe logjika e përgjithshme e atij shkrimi i ndihmonte të thelloheshin deri tek urtësitë prapa fjalëve, pa e shpërfillur kuptimin tekstual që japin ato.
Me pak fjalë, kjo lëndë sot përfaqëson lidhjen midis sheriatit dhe të drejtave të njeriut, zhvillimit të qëndrueshëm dhe qytetarisë si koncept i shtetësisë moderne. Ndër shumë çështje të tjera, teoria mekasid adreson edhe:
i. Metodologjinë më të mirë për të rilexuar shkrimin e shpallur në dritën e realiteteve dhe gjendjes së diturisë së sotme.
ii. Sistemin shqyrtues të vlerave islame si liria, drejtësia, mëshira, etj..
iii. Lidhjen e të drejtave të njeriut me objektivat e ligjit islam.
iv. Mekanizmat për të bërë qëllimet islame kontribuese në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërive, moralin dhe qytetërimin njerëzor.(27)
Literatura:
1. Abdulhakim es-Sa’di, Mebahithul Il-leti fil kijas indel usulijjine, ed. 2, Beirut: Darul-beshairil-islamijje, 2000.
2. Abdulkahir el Xhurxhani, Delailul-i’xhâz, rec. Muhamed Reshid Rida, Mekë: El-Mektebetut-Tixharijje, pa vit botimi.
3. Abdulmelik bin Abdullah el-Xhuvejni (478 h), El-Burhan fi Usul’il-Fikh, ed. 1, Beirut: Darul-kutubil-ilmijje, 1997.
4. Abdulmelik El-Xhevujni, El-Burhan fi Usulil-Fikh, ed. 3, rec. Abduladhim ed- Dibë, El-Mensure: Darul-vefa.
5. Abdulmelik el-Xhuvejni, El-burhan fi usulil-fikh, ed.2, rec. Abduladhim ed- Dibë, Kairo: Darul-Ensarë, 1400 h.
6. Abdullah bin Bejje, Alakatu mekasidish-sheriati bi Usulil-fikh, Londër: Mues- sesetul-furkan lit-turathil-islami, Merkez dirasati mekasidish-sheria, ed.1, 2006.
7. Abdunnur Bezza, Nadharijjetit-ta’lili fil fikrejnil-kelami uel usuli, ed. 1, Virxhinia: El-ma’hedul-alemi lil-fikril-islami, 2011.
8. Abdurrahman el-Adravi, Med’hal te’sisi fil-fikril-mekasidi, ed. 1, Beirut: Merkez Nema lil buhuth ued-dirasat, 2015.
9. Abdurrahman es-Salimi, A’malu Nedveti tetavvuril-ulumil-fikhijje; El-Mekasidush-sherijje, ed. 2, Oman: Ministria e vakëfeve dhe çështjeve fetare, 1433h/2012.
10. Ahmed bin Abduhalim ‘Ibnu Tejmijje’, Mexhmuul-fetava, Mekë: Mektebe- tun-nahdatil-haditheti, pa vit botimi. Dhe, botimin tjetër: Mexhmu’ul-Fetavi, Medine: Mexhma’ul-melik Fehd lit-tibaatil-Mus’hafish-sherif, 1995.
11. Ahmed bin Faris, Muxhmelul-lugati, rec. Zuhejr Sulltan, ed. 2, Beirut: Mues- seturr-rrisale, 1986.
12. Ahmed Et-Tajjib, Hadithun fil ileli uel mekâsid, ed.2, Kairo: Darul-kudsil- arabi, 2016.
13. Ahmed Muhammed el-Fejumi (vdiç rreth 770 h), El-misbahul-munir fi ga- ribish-sherhil-kebir, ed. 2 Beirut: El-mektebetul-ilmijje, 1994.
14. Ahmed Muhtar Abdulhamid e të tjerë, Mu’xhemul-lugatil-arabijetil-muasire, ed.1, Beirut: Alemul-kutub, 2008.
15. Ahmed Rejsuni, Objektivat e Ligjit Islam, të Ahmed Rejsunit, Shkup: Logos- a, 2015.
16. Alauddin el-Buhari, Keshful Esrar an Usuli Fakhril-Islam el-Bezdevi, ed. 1, Beirut: Darul-kutubil-ilmijje, 1997.
17. Al-lal el Fasi, Mekasidush-Sheriatil islamijjeti ue mekarimuha, ed. 5, Beirut: Darul-garbil-islami, 1993.
18. Aly Abdel Moneim, Towards Islamic Maqasidi Education Philosophy for Sustainable Development Quranic Perspective With Special Attention to Indonesia, Millah: Jurnal studi Agama, vol. 17, no. 2, februari 2018.
19. Ekrem Murtezai, Logjika, Prishtinë: Sh.B. Libri shkollor, 2013.
20. Ali El-Amidi, El-Ihkam fi Usulil-ahkam, rec. Abdurrezak Afifi, Beirut: El- mektebul-islami.
21. Enrico Pattaro dhe Corrado Roversi (Edit.) , A Treatise of Legal Philosophy and General Jurisprudence, Springer, 2017.
22. Rudolf von Jhering, Law as a Means to an End (Der Zweck im Recht), Isaac Husik (përkth.), 2nd reprint ed., New Jersey: The Lawbook Exchange (Ori- ginal published 1913 by Boston Book Co.), 2001.
23. Fazlur Rrahman, Islami, Eqrem Kryeziu (përk), Shkup: Logos-A, 2010.
24. Fet’hi ed-Durejni, El-Menahixhul-usulijje fil-ixhtihadi bir-re’ji fit-teshri’il- islami, Esheriketul-muttehide, 1985.
25. Galijetu Buhedde, El-eb’adul-mekasidijje fi menahixhit-teâmuli meas-Sun- neti indel-Muxhtehidine ue tatbikatuhel-muâsire, Islamijjetul-ma’rife, Am- man, v. 16, nr. 61, 2010.
26. Halil bin Ahmed el-Ferahidi (vdiç 170 h), Kitabul-Ajn, red. Mehdi el Mah- zumi dhe Ibrahim Es-samerrai, Daru ue mektebetul-hilal.
27. Ibrahim Musa Shatibiu, El-Muvafekatë fi Usulish-Sheria, rec. Abdullah Di- raz, Beirut: Darul-ma’rife, pa vit botimi. Dhe, dy botime tjera: El-Muvafeka- të, ed.1, Demmam: Daru Ibni Affan, 1997; El-Muvafekatë, rec. Elhusejn Ejt Seid, ed. 1, Fas - Marok: Menshuratul-Beshir, 2017.
28. Izzuddin bin Zegibe, El-mekasidul-âme lish-sheriatil-islamijje, ed. 1, Kairo: Darus-safve, 1996.
29. Luljeta Ikonomi, Filozofia e së drejtës, ed. 2, Tiranë: Onufri, 2010.
30. Muhamed Ahmed el-Kurtubi (671 h), El-Xhami’ li ahkamil-Kuran, ed. 2, Kairo: Darul kutubil-misrijje, 1964.
31. Muhamed bin Ebubekër “Ibnul-Kajjim” (751 h), I’lamul-muvekkiinë an Rab- bil-aleminë, ed.1, Beirut: Darul-kutubil-ilmijje, 1991. Dhe, botimi tjetër: I’la- mul-Muvekkinë, rec. Taha Seid, Beirut: Darul-Xhilë.
32. Muhamed Hindo, El-Kul-lijatut-teshriijje ue etheruha fil ixhtihad uel fetva, ed. 1, Amman: El-ma’hedul-alemi lil-fikril-islami, 2016.
33. Muhamedtahir bin Ashurë, Mekasidush-sheriatil islamijje, Tunizi: Esh- sheriketut-tunisijje lit-tevzi’, 1988.
34. Muhammed bin Ali Hakim Tirmidhiu, Ithbatul-ilel, rec. Halid Zuhri, Ribat: Menshurat Kul-lijetil Adabë uelumil-insanijje, Kasablankë: Matbeatun-ne- xhah, pa vit botimi.
35. Muhammed el-Gazali, El-mustasfa fi ilmil-usul, botuar me librin e Muhib- bullah Abdushshekur: Musel-lemuth-thubut, ed.1, Egjipt: El-Matbeatul-emi- rijje, 1392 h.
36. Muhammed el-Gazali, Shifaul Galil fi bejanish-shebehi uel-mukhajjeli ue mesalikut-ta’lil, rec. Hamed el Kubejsi, Bagdad: Matbeatul-irshad, 1971.
37. Muhamed Shelebi, Ta’lilul-ahkam, Beirut: Darun-nahdatil-arabijje, 1981.
38. Raid Ebu Mu’nis, Menhexhut-ta’lili bil hikmeti ue etheruhu fi kavaidul fikhi ue usulihi, ed. 2, Virxhinia: El-ma’hedul âlemi lil-fikril-islami, 2011.
39. Roger Scruton, Filozofia moderne nga Aristoteli te filozofia analitike, Spar- tak Ngjela (përkth.), Tiranë: Uetpress, prill 2017.
40. Taha Abdurrahman, Texhdidul-menhexh fi takvimit-turath, ed. 2, Beirut: El- Merkezuth-thekafil-arabi, 1994.
41. Taha el-Alvani, Mekasidush-sheriati, ed.1, Beirut: Darul Hadi, 2001.
42. Valon Myrta, Mekasidut-teshri’il-islami fis-sijaseti uel-hukm, doktoraturë e mbrojtur në Universitetin e Jordanit, 2016, e pabotuar.
43. Xhasir Aude, Maqasid al-Shariah as Philosophy of Islamic Law: A Systems Approach (Qëllimet e Sheriatit si filozofi i ligjit islam: një qasje sistemesh), London-Washington: El-ma’hedul âlemi lil-fikril-islami, 2007.
44. Xhasir Aude, Maqasid; a biginner’s guide, London - Washington: The inter- national institute of islamic thought, 2008.
45. Xhemaluddin Atijje, En-nadharijjetul-âme lish-sheriatil-islamijje, ed. 1, Matbeatul-Medine, 1988.
46. Xhemaluddin Atijje, Nahve tef’ilil-mekasid, Damask: Darul Fikr -Amman: El-Ma’hedul-alemi lil fikril islami, ed. 2, 2008.
__________________
1 Ekrem Murtezai, Logjika, Prishtinë: Sh.B. Libri shkollor, 2013, fq. 3.
2.Shatibi, El-Muvafekatë, rec. Elhusejn Ejt Seid, 3/5. Rejsuni, Objektivat e ligjit islam, fq. 280.
3. Shatibi, El-Muvafekatë, rec. Elhusejn Seid, 2/467. Rejsuni, Objektivat e ligjit islam, fq. 282.
4. Kuran, Edh-Dharijatë: 56
5. Kuran, Hudë: 7.
6. Kuran, El-Mulk: 2.
7. Kuran, El-A’rafë: 172-173.
8. Kuran, En-Nisa: 165.
9. Kuran, El-Enbija: 107. Ndërkaq, arsyeja pse shpalljet e Zotit drejtuar popujve (nëpërmjet Pro- fetëve) janë në gjuhët e përdorura nga njerëzit, e jo në ndonjë formë tjetër, është që të jenë qar- tësisht të kuptueshme për ata, ashtu që të bjerë mbi ta përgjegjësia e vetëdijesimit. Në shpalljen e fundit Zoti thotë: “Ne e zbritëm këtë Kuran në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju”. Kuran, Jusuf: 2.
10. Kuran, El-Maide: 6.
11. Kuran, El-Ankebut: 45.
12. Kuran, El-Bekare: 183.
13. Kuran, El-Haxhxh: 39.
14. Kuran, El-Bekare: 179.
15. Shatibi, El-Muvafekatë, rec. Elhusejn Seid, 3/5. Rejsuni, Objektivat e ligjit islam, fq. 280.
16. Në aspektin e dimensionit të brenshëm të Islamit, të thellimit në urtësi, gjejmë se Hakim Tirmidhiu (vdiq rreth vitit 320 hixhri) është i pari që ia la termin Mekasid veprës së tij me titull “Es-salatu ue mekasiduha” (Namazi dhe qëllimet e tij). Ndërkaq, më afër përdorimit juridik të këtij termi ishte filozofi Muhammed El-Amiri (v. 381 h), në librin me titull: “El-I’lamë bi menakibil-islam” (Njoftimi me virtytet e Islamit).
17. Quhet Ibrahim bin Musa Esh-Shatibi, dijetar i madh nga qyteti Shatibe, në Andaluzinë e her- shme, prej nga edhe e merr emrin, që sot është qytet i Spanjës i njohur si Xàtiva (Gjativa). Shih: https://en.wikivoyage.org/wiki/X%C3%A0tiva#Q738013.
18. Ky libër ka pasur shumë botime. Për herë të parë është botuar në Tunizi, në vitin 1884 (1302 hixhri), nga “Shtëpia shtetërore e Tunisit” (Matbeatud-devletit-Tunisijje). Pastaj, kanë pasuar botimet e tjera, e së fundmi është botuar në Fas të Marokut, në pesë vëllime (i pari është stu- dim rreth librit) nga “Publikimet e Beshir Binatijje” (Menshuratul-Beshir Binatijje), në vitin 2017 (1438 hixhri), me recensim të dr. Elhusejn Ajt Seid, profesor në “Universiteti Kadi Ijad”.
19. Thënie e Muhammed el-Fadil bin Ashurit. Shih, Rejsuni, Objektivat e ligjit islam, fq. 489
20. Është botuar në Bejrut, nga shtëpia botuese “Darul-Ma’rife”, pa datë publikimi.
21. Shih Xhasir Aude, Maqasid al-Shariah as Philosophy of Islamic Law: A Systems Approach (Qëllimet e sheriatit si filozofi e ligjit islam: një qasje sistemesh), London-Washington: Instituti Ndërkombëtar i Mendimit Islam, 2007.
22. Muhamed Tahir bin Ashurë, Mekasidush-sheriatil islamijje, Tunizi: Esh-sheriketut-tunisijje lit-tevzi’, 1988, fq. 111; Xhemaluddin Atijje, Nahve tef’ilil-mekasid, Damask: Darul Fikr – Amman: El-Ma’hedul-alemi lil fikril islami, ed. 2, 2008, fq. 267; Abdullah bin Bejje, Alakatu mekasidish-sheriati bi Usulil-fikh, Londër: Muessesetul-furkan lit-turathil-islami, Merkez dirasati mekasidish-sheria, ed.1, 2006, fq. 131 dhe 99.
23. Ka përgjigje të kundërta në kelam lidhur me pyetjen: A ka Zoti qëllime në veprimet që ndër- merr dhe në urdhrat që shpall, apo thjesht vepron dhe urdhëron çfarë të dojë konform vullnetit (irade)? Si rrjedhojë, kjo divergjencë ndikoi në jurisprudencë në lidhje me përcaktimin e llojit të marrëdhënies midis urdhrave dhe qëllimeve, përndryshe të gjithë janë unikë në atë se nor- mat fetare, qofshin urdhra apo ndalesa, janë në marrëdhënie të rregullt me interesin e krijesa- ve, mirëpo u diskutua: a) a kanë marrëdhënie shkakësie me karakter ndikues (il-le) ose motivues (baith), apo thjesht janë shenja të rregullta dhe b) a mund të përdoren kuptimet e ar- syeshme (el-ilel), urtësitë (hikem) dhe qëllimet në interes të njeriut (mekasid) si argument prej të cilit mund të nxjerrim përfundime ligjore, apo duhet të mbështetemi vetëm në literalen e citateve. Konsulto, Ahmed Et-Tajjib, Hadithun fil ileli uel mekâsid, ed. 2, Kajro: Darul-kud- sil-arabi, 2016; Abdunnur Bezza, Nadharijjetit-ta’lili fil fikrejnil-kelami uel usuli, ed.1, Vir- xhinia: El-ma’hedul-âlemi lil-fikril-islami, 2011; Muhammed Shelebi, Ta’lilul-ahkam, Beirut: Darun-nahdatil-arabijje, 1981; Abdulhakim Sa’di, Mebahithul Il-leti fil kijas indel usulijjine, ed.2, Beirut: Darul-beshairil-islamijje, 2000; Raid Ebu Mu’nis, Menhexhut-ta’lili bil hikmeti ue etheruhu fi kavaidil fikhi ue usulihi, ed. 2, Virxhinia: El-ma’hedul âlemi lil-fikril-islami, 2011.
24. Roger Scruton, Filozofia moderne nga Aristoteli te filozofia analitike, Spartak Ngjela (përkth.), Tiranë: Uetpress, prill 2017, fq. 588.
25 Kuran, El-Ankebut: 45.
26. Në kuptimin më të përgjithshëm, jurisprudenca e interesave është një qasje e gjerë dhe e larmishme e ligjit që u shfaq në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillim të njëzetës. Një reagim kundër jurisprudencës pozitiviste dhe formaliste që dominoi mendimin ligjor. Jurisprudenca e interesave është një qasje me të cilën juristët e konsiderojnë ligjin si të përcaktuar kryesisht nga lufta midis interesave politike, ekonomike, morale dhe sociale në shoqëri. Prandaj, ata i shohin rregullat dhe vendimet ligjore si pasqyrim të fitores së disa interesave të tilla mbi të tjerët. Megjithatë, kuptimi i jurisprudencës së interesave nuk ka qenë as monolit as uniform. Për të shmangur keqkuptimet, duhet të dallojmë, së paku, kuptimin e gjerë të termit nga koncepti më i veçantë gjerman që i dha qasjes emrin e saj në radhë të parë.
Shih, Enrico Pattaro dhe Corrado Roversi (Edit.), A Treatise of Legal Philosophy and General Jurisprudence, Springer, 2017, Chapter 22, 12/619; Rudolf von Jhering, Law as a Means to an End (Der Zweck im Recht), Isaac Husik (përkth.), 2nd reprint ed., New Jersey: The Lawbook Exchange (Original published 1913 by Boston Book Co.), 2001) fq. xxxv.
27. Krahaso me ç’shkroi: Xhasir Aude, Maqasid; a biginner’s guide, London - Washington: The international institute of islamic thought, 2008, fq. 3.