Hixhreti-shpërngulja e Muhamedit as. nga Meka në Medinë, mbeti ngjarja që bëri kthesën më të madhe në historinë e lavdishme të Islamit. Jo rastësisht, ajo do të shënonte edhe fillimin e kalendarit të ri lunar islam. Aty po bëhej dhe prej aty po fillonte historia. Historia e triumfit dhe e përhapjes së fesë së Zotit. Ajo shpërngulje nuk përbënte vullnet e as lakmi për të Dërguarin tonë. Ishte fati tragjik i një njeriu të dëlirë që flijonte rehatinë e tij për ideale sublime.
Hixhreti, ishte vepër dhe mjet, por jo qëllim në vete. Vetëm duke u shpërngulur, ata pak pasues të Islamit me në krye, të Dërguarin e Zotit, do të arrinin të shpëtonin vetë, si dhe do ta ruanin fenë e Zotit, pa u venitur në thepinat e egra të Mekës së shenjtë. Mirëpo, ai edhe pse u dëbua tinëzisht e padrejtësisht, u kthye pas pak viteve ballëhapur e triumfues. Mbas kthimit të të Dërguarit të Allahut si triumfues në Mekë, dhe amnestimit të atyre që e nxorën pafajsisht nga Meka e bekuar, ai e anuloi edhe mundësinë e shpërnguljes nga Meka. Që ditën që hyri në Mekë proklamoi: "S'ka hixhret (dalje dhe emigrim nga Meka), pas çlirimit..." Hixhreti që dikur konsiderohej vepra dhe sakrifica më madhore që besimtarët do të mund ta bënin për Islamin para tetë viteve (sepse çlirimi i Mekës ndodhi 8 vite pas hixhretit - daljes prej saj), tanimë u anulua. Hatabiu, si një kolos i komentit të haditheve, duke bërë përpjekje për ta shkoqitur kuptimin e këtij hadithi tha: "Hixhreti- shpërngulja prej Mekës në Medinë ishte farz në fillim të Islamit, për secilin njeri që kishte pranuar Islamin, për shkak të numrit të paktë të besimtarëve në Medinë dhe nevojës së tyre për grumbullim. E kur Zoti, mundësoi çlirimin e Mekës, dhe njerëzit hynin në fenë e Allahut grupe-grupe, u anulua obligueshmëria e shpërnguljes për në Medinë....
A thua, një fjalë e bekuar profetike "S'ka shpërngulje pas çlirimit, e thënë para 14-të shekujve nga udhëzuesi i njerëzimit, a na thotë diç ne shqiptarëve të këtij nënqielli sot?.
Arsye për shpërngulje të pjesshme të popullit tonë, para çlirimit nga kthetrat e okupatorit edhe kemi pasur. Një pjesë e jona ishim të përndjekur e të kërcënuar me likuidim, dhe arratisja për shumëkënd prej nesh ishte dera e vetme e shpëtimit. Ne u shpërngulëm e u larguam nga atdheu, aq sa nuk rrezikuam strukturën etnike e demografike të trojeve tona etnike. Ne u larguam, por edhe qëndruam, prandaj mbijetuam.
Dëbimi ynë qe i projektuar. Vasa Çubriloviq, akademiku famëkeq serb (1898-1990), thoshte se pasi që ndjekja e shqiptarëve me kolonizimin tonë gradual është jo efikase, mbetet që shpërngulja e tyre të jetë sa më masive". Ai nuk qe vetëm dhe projektet e tilla sidomos gjatë shekullit të kaluar jobefasisht u përsëritën. Ata e dëshironin masivizimin e përndjekjes e dëbimit tonë, dhe ëndërronin këtë truall tonin, të boshatisur nga ne. Projektet e tilla, falë Zotit, kanë dështuar, mbase nga mendjet e shkollarëve të këtyre ideve, nuk janë larguar e as nuk ka vdekur kurrë.
E po, meqë projektet për dëbimin tonë me dhunë, tashmë janë pjesë e historisë, megjithatë ato të ikjes në paqe e liri prej atdheut tonë të çliruar janë fakt e aktualitet. Arratisja, rëndom ka qenë dhe mbetet fati i të shtypurve. Por, ne s'jemi të tillë, tash e një çerek shekulli.
Nëse dikur, të shtypur e nën okupim, ditëm dhe arritëm që t'i zmbrapsim projektet e armikut për boshatisje të atdheut, atëherë edhe sot duhet të dimë që të shmangim mallkimin e brezave të ardhshëm për arratisje grupore nga atdheu. Slogani s'ka shpërngulje e s'ka arratisje pas çlirimit është thënë dikur, dhe sigurisht në rrethana të tjera nga Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, porse ai edhe sot do të ishte motoja më e bukur që do të përvijonte projektin për ndaljen e valës së trishtë të shpërnguljes sonë drejt vendeve të tjera në kërkim të një jetese më të mirë e kushteve më komode për jetë. A thua kur do ta jetësojmë këtë moto!?