Ç’do kohë i ka karakteristikat e veta dalluese, të cilat në mënyrë të pashmangshme lënë gjurmë në jetën e njerëzve të asaj kohe. Rrjeti botëror i të dhënave - interneti, shënoi në masë të madhe kohën tonë. Sot, në botë, sipas të dhënave statistikore, internetin e përdorin më se 3.8 miliardë njerëz dhe se ky numër, nga dita në ditë, vazhdimisht është në rritje. Ky rrjet i ofron njerëzimit shërbime të mëdha, por, në të njëjtën kohë në prapavijën e vetë fsheh edhe shumë rreziqe.
Prapavija e internetit
Përmes përdorimit të internetit ne i përcjellim ndodhitë në tërë botën, njihemi me kultura dhe zakone të largëta e të huaja; mund të përcillen kërkimet shkencore dhe të arriturat; mund të konsultohen ekspertë nga fusha të ndryshme; të realizohen shërbimet bankare, etj..
Këto janë vetëm disa nga shërbimet e shumta që i ofron interneti dhe të gjithë ne, çdo ditë, pak a shumë, i përdorim. Sigurisht, ekziston edhe ana tjetër e medaljes, sepse ky rrjet mbart edhe shumë rreziqe dhe aspekte negative: interneti është një mjet ideal për përhapjen dhe promovimin e ideve të gabuara e të gjitha ngjyrave dhe llojeve. Nëpërmjet këtij rrjeti futen dyshime në fe, duke u promovuar ideologjitë sektare të devijuara, publikisht dhe haptazi ftohet në imoralitet dhe shumë devijimeve të cilat janë në kundërshtim me fenë, moralin dhe natyrën e shëndoshë njerëzore. E gjithë kjo plasohet në një mënyrë perfide, që magjeps, josh dhe helmon fëmijët, adoleshentët, madje edhe të rriturit, shkatërron dëlirësinë, çon në rrugë djallëzore dhe inkurajon një shumëllojshmëri të sëmundjeve dhe perversioneve. Interneti përdoret për qëllime të abuzimit seksual, kërcënime dhe shantazhe, sidomos në mesin e të rinjve dhe adoleshentëve. Interneti dhe rrjetet sociale mundësojnë përhapjen e thashethemeve dhe trillimeve, si dhe cenohet privatësia dhe intimja përmes spiunimit. Po ashtu, interneti është përgjegjës për shfaqjen e sëmundjeve të reja moderne: varësisë nga interneti, e cila shkakton sëmundjet mendore dhe fizike si dhe rezulton neglizhencën e jetës reale dhe problemeve në familje e shoqëri.
Me të gjitha dobitë që ofron interneti dhe rreziqet që sjell ai, është e qartë se interneti është testi i imanit dhe moralit të njeriut. Portat e të mirës dhe të keqes janë të hapura gjerë. Për shkak të këtij realiteti, njeriu i kuptueshëm që kujdeset për fenë e tij, do të ndalet para këtij fenomeni dhe të shqyrtojë veprimet e veta.
Në mënyrë që interneti të përdoret në mënyrë të drejtë, dhe për t’u mbrojtur nga rreziqet që ai sjell me vete, është e domosdoshme që aktivitetet në internet të harmonizohen me parimet e Islamit.
Humbja e kohës dhe interneti
Prej rreziqeve dhe aspekteve negative të internetit është se ai është shkaktari kryesor i humbjes së kohës dhe neglizhencës së disa obligimeve fetare, të tilla si namazi, etj.. Zoti xh.sh. u betua në kohën se njeriu është i humbur dhe i dëshpëruar, kushdo qoftë ai, përveç atij që kohën e vet e shfrytëzon për gjëra të mira e të dobishme. Që moti është thënë nëse nuk e shfrytëzojmë kohën, atëherë ajo do të na shfrytëzon ne, ose “do të na shtrydhë”, siç e përkthen konceptin “Asr” gjatë komentimit të sures El Asr, përkthyesi i Kuranin në gjuhën boshnjake, akademiku Enes Kariq.(1)
Koha është ajo që uli popujt, të cilët dukeshin se janë të lartë dhe ngriti lart popujt tjerë që dukeshin se kanë qenë të ulët. Koha na tregon se e bëri krenar të drejtin dhe e poshtëroi të padrejtin e zullumqarin. Koha na mësoi që, kur një popull kaloi në padrejtësi, u dha pas dëshirave epshore, pas interesit personal duke e lënë pas dore bashkësinë dhe interesin e përgjithshëm.(2)
Kështu koha është e pakthyeshme, siç thotë El Me’arri: “E djeshmja që shkoi - edhe pse është afër, të gjithë banorët e Tokës nuk mund ta kthejnë atë!”(3)
Çdo çast, i cili nuk shfrytëzohet në vepra të mira, është i humbur. Këto fjalë të lartësuara, pasi që treguan qartë, na e tërheqin vëmendjen tonë në historinë, si dëshmitar të veprave njerëzore.(4)
Në Perëndim thonë: “Koha është para”, kurse në Lindje thonë që ajo është më e çmuar se paraja dhe thonë: “Koha nuk mund të blihet as me margaritar.”(5) Po, kjo është me të vërtetë ashtu, megjithatë, koha është shumë më shumë se kaq.
Ah, sikur njerëzit të dinin rëndësinë e kohës! Aspak nuk është i habitshëm fakti që një njeri e kishte zotëruar një gjuhë të huaj vetëm duke mësuar gjatë pauzës në vendin e tij të punës, ose njeriu tjetër, duke pritur porosinë e tij në restorant në një kohë prej 10-15 minutash. Mirëpo, sot secili që ulet në tavolinë duke pritur porosinë e vet në restorant, mund të vërejmë se menjëherë pyet për fjalëkalimin e internetit, ose futet menjëherë në internet duke humbur kohën kot.
Nuk duhet të lejojmë që gjërat që sjellin dobi të na ikin prej dore, e të jemi prej atyre (Zoti na ruajt!) që do të thonë: “Zoti ynë, tash pamë dhe dëgjuam, na kthe pra edhe një herë e të bëjmë vepra të mira, se tash jemi bindur.” (Es Sexhde, 12). Muhamedi a.s., në hadithet e tij na këshillon për shfrytëzimin kohës, duke thënë: “Shfrytëzoni pesë gjëra para pesë të tjerave: rininë para pleqërisë, jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë dhe kohën e lirë para zënies së saj.” (El Hakimi). Po ashtu, transmetohet nga Muadh b. Xhebeli r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk do të lëviz këmba e robit në Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për katër gjëra: jetën - në çka e ka shpenzuar, rininë - se si e ka kaluar, paranë - se si e ka fituar dhe shpenzuar, diturinë - se si e ka përdorur.” (Et Taberaniu).
Kontrollimi i informacioneve
Një nga veçoritë e internetit është se ai siguron një sasi jashtëzakonisht të madhe të informacioneve. Megjithatë, futja e këtyre informacioneve është në dispozicion absolutisht për të gjithë, në mënyrë që informacionet i plasojnë njerëzit e të gjitha profileve: profesionist e jo profesionist, të dijshëm e injorant, të virtytshëm e të prishur. Ky fakt kërkon selektimin gjatë marrjes së informacioneve, dhe të pranojmë dhe të konsiderojmë si të vërteta vetëm ato informacione që vijnë nga burime të njohura e të besueshme. Në këtë rregull tregon qartë ajeti kuranor në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë...” (El Huxhurat, 6).
Edhe kur informacioni vjen nga burimi i besueshëm dhe konfirmohet vërtetësia e tij, për një gjykim të saktë për këtë është e nevojshme të dimë detajet dhe rrethanat që lidhen me të, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të plotë të ngjarjes në fjalë, për shkak se neglizhimi i rrethanave do të kontribuojë në keqkuptime. Si shembull, mund të na shërbejë rasti i jetës së Pejgamberit a.s., kur një natë e shoqëronte gruan e tij Safijën nga xhamia, dhe e panë atë dy sahabë të cilët nxitonin duke u larguar nga ai, mirëpo, Pejgamberi a.s., i thirri dhe u tha: “Ngadalë, ju të dy! Kjo është Safia (gruaja ime).”(6) Nëse njëri nga dy sahabët do të thoshte se e kishte parë Pejgamberin a.s., me një grua në natë të errët, ai do të thoshte të vërtetën, por të vërteta e cila nuk është përfundimtare, për shkak se nuk janë përcaktuar të gjitha rrethanat dhe detajet e ngjarjes, dhe nuk është paraqitur fakti se gruaja në fjalë në të vërtetë është gruaja e Pejgamberit a.s., gjë që do të ndryshojë tërësisht gjykimin në lidhje me këtë ndodhi.
Mos ngutja me transmetimin e informacioneve
I Dërguari i Allahut a.s., thoshte: “Është e mjaftueshme për njeriun si gënjeshtër nëse tregon çdo gjë që dëgjon.”(7) Pasi që informacioni të është kontrolluar, të njihemi me rrethanat dhe të merret një pasqyrë e plotë rreth tij, nuk duhet të nxitojnë me përhapjen e tij. Asnjëherë informacionet nuk janë përhapur aq shpejtë siç është rasti në kohën tonë, kështu që është shumë e rëndësishme për të mbajtur në mend paralajmërimet e Pejgamberit a.s., në lidhje me rreziqet e të folurit dhe gjuhës. Një paralajmërim të tillë u përcjellë nga Ebu Hurejre r.a., duke thënë se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: “Me të vërtetë njeriu e shqipton një fjalë, të cilës nuk i kushton vëmendje, e për shkak të saj bie në zjarr më thellë se distanca midis lindjes dhe perëndimit.”(8) Në një transmetim tjetër, pak sa më të gjatë, përmendet se Pejgamberi a.s., e paralajmëroi Muadh b. Xhebelin r.a., që ta ruajë gjuhën dhe ta “kufizon” atë, e që Muadhi pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a do të kërkohet llogari edhe për atë që ne flasim?” për çka Pejgamberi a.s., ia ktheu: “Nëna mos të paq, o Muadh, a do t’i hedh njerëzit me kokë poshtë (në hundët e tyre) në zjarr gjë tjetër përveç të korrat e gjuhës së tyre!”(9)
Në këto transmetime të Pejgamberit a.s., paralajmërohet për rrezikun e të folurit dhe gjuhës, ndërsa në rrjetet sociale kryesisht komunikohet përmes tastierës, në formë shkrimi, pra, me dorë e jo me gjuhë, megjithatë, thelbi është i njëjtë, kështu që edhe rregulli është identik. Vlen të përmendet se Pejgamberi a.s., në një hadith tjetër, në të njëjtën kohë paralajmëroi për gjuhën dhe duart: “Mysliman është ai nga gjuha dhe duart e të cilit janë të qetë myslimanët e tjerë.”(10)
Prandaj, para se të ndash ndonjë lajm, verifiko nëse ai është i dobishëm për të përhapur apo jo. Nëse me të pohohen vlerat pozitive, morali fisnik, inkurajon për të mirë dhe tregon për të keqen, promovon njohuri të dobishme, etj., transmetoje atë, por, në qoftë se është e gjithë e kundërta, mos ji pjesëmarrës në përhapjen e tij. Gjithashtu, në qoftë se bëhet fjalë për prekje në nder të një myslimani apo është në pyetje interesi i përgjithshëm i shoqërisë myslimane, mos i lejo vetes që të marrësh pjesë në përhapjen e saj, sepse, Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “E përse kur e dëgjuan atë (shpifje) besimtarët dhe besimtaret të mos mendonin të mirën si për vete dhe të thonë: “Kjo është shpifje e qartë?!” (En Nur, 12). Dhe thotë: “Madje kur u vjen atyre (mynafikëve) ndonjë lajm qetësues (kur fitojnë myslimanët) ose shqetësues (kur dështojnë), ata e përhapin atë...” (En Nisa, 83).
Komentuesi i Kuranit, Abdurrahman es-Sadiu, duke komentuar këtë ajet thotë: “Në këtë ajet, gjithashtu, dënohet dhe ndalohet nxitimi në përhapjen e lajmit, menjëherë pas dëgjimit të tij, dhe është urdhëruar që të mendohet para se të flasim, dhe të marrin në konsideratë se a ka dobi që njeriu të merret me këtë, ose është në dështim marrja me të në mënyrë që të abstenohet nga kjo.”(11)
_____________________________
1 Kari?, Enes, “Vrijeme u Kur’anu”, Takvim (Kalendar) 2015, (Sarajevë: Rijaseti i Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë, 2014) 65.
2 Sherif Ahmeti, Komente dhe mendime islame, (Prishtinë, Lidhja, 1995), 174-175.
3 Kari?, Enes, “Vrijeme u Kur’anu”, vep. e cit., 72.
4 Muhamed Pandža dhe Džemaludin ?auševi?, Kur’an ?asni - prevod i tuma?, (Sarajevë, 1937) 947.
5 Asmir Halilovi?, O za?udnosti govora 2, (Sarajevë, Bookline, 2010), 132.
6 Buhariu, nr. 3107 dhe Muslimi, nr. 2175.
7 Muslimi, nr. 5.
8 Muslimi, nr. 2290.
9 Ahmedi, nr. 22016, dhe Tirmidhiu nr. 2616. 10 Buhariu, nr. 10, dhe Muslimi, nr. 41.
11 Abdurrahman es-Sadiu, Tejsirul Kerimir-Rahman fi Tefsiri Kelamul- Menar, (Arabia Saudite, Daru Ibni Xhevzi, 1422 H.), 330.